Ekspertët nënvizojnë nevojën për përgatitje urgjente dhe gjithëpërfshirëse të sistemeve shëndetësore për t’u përballur me sfidat në rritje që sjellin ndryshimet klimatike, duke vënë theksin te mbrojtja e grupeve të popullsisë së cenueshme. Parashikohen se ndryshimet klimatike do të shkaktojnë 14.5 milionë vdekje dhe 12.5 trilione dollarë humbje ekonomike, deri në vitin 2050.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) përkufizon si institucione shëndetësore të qëndrueshme ndaj klimës dhe mjedisit, ato që jo vetëm mund të parashikojnë, përgjigjen, përballen, rikuperohen por dhe përshtaten me stresin e lidhur me klimën. Këto institucione duhet gjithashtu të minimizojnë ndikimin e tyre negativ në mjedis dhe të shfrytëzojnë mundësitë për përmirësimin e tij, duke ofruar shërbime shëndetësore të qëndrueshme për popullatat e prekshme dhe duke kontribuuar në mbrojtjen e mirëqenies së brezave të ardhshëm.
Investimi në sisteme shëndetësore është kritik dhe urgjent; pasi sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ndryshimet klimatike pritet të shkaktojnë rreth 250,000 humbje njerëzore shtesë çdo vit midis periudhës 2030-2050, për shkak të kequshqyerjes, sëmundjeve infektive dhe stresit termik. Një zinxhir furnizimi i qëndrueshëm dhe një forcë pune shëndetësore e ndërgjegjësuar për rreziqet klimatike janë thelbësore, së bashku me qëndrueshmërinë financiare në një sektor që përballet me mungesa investimi. Kuadri i OBSH-së thekson nevojën për një numër të mjaftueshëm stafi të kualifikuar, të fuqizuar dhe të informuar për t’u përballur me këto sfida.
Organizatat ndërkombëtare kanë llogaritur se për të përshtatur sistemin shëndetësor global ndaj ndryshimeve klimatike duhen rreth 29.4 miliardë dollarë në vit, deri në vitin 2050. Sot, vetëm një përqindje shumë e vogël, më pak se 5% e ndihmës për zhvillim shkon në shëndetësi. Projektet konkrete shëndetësore marrin vetëm rreth 0.5% të kësaj ndihme. Investimi në sistemet shëndetësore mund të sjellë përfitime të mëdha financiare duke ulur shpenzimet për pasojat e klimës dhe përmirësuar shërimin e pacientëve. Ekspertët thonë se për çdo dollar të shpenzuar në përmirësime, kthehen 4-5 dollarë.
Prof. Asoc. Dr Albana Fico shprehet për Klima Sot se problemi i adresimit të emergjencave mjedisore është i pandashëm nga performanca e sistemeve shëndetësore. Ndërkohë, masa urgjente që duhet ndërmarrë është ngritja e një qendre kombëtare të emergjencave pranë Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Kjo qendër do të kishte si detyrë kryesore ngritjen e alarmit, shpërndarjen e informacionit mbi kërcënimet, si dhe monitorimin dhe vlerësimin e performancës së sistemeve në menaxhimin e emergjencave. Aktualisht, QSUT dhe spitalet universitare kanë një plan emergjencash që përfshin edhe ato mjedisore dhe kanë realizuar trajnimin e shërbimeve. Megjithatë, është e nevojshme që të zhvillohen trajnime të dedikuara për përfaqësuesit e institucioneve, me fokus specifik në emergjencat mjedisore, duke e trajtuar këtë si një kapitull të veçantë, veçanërisht në kushtet e ndryshimeve ekstreme të vërejtura vitet e fundit.
Gjithashtu, është e domosdoshme krijimi i një ekipi ekspertësh të trajnuar posaçërisht sipas ndarjes rajonale. Këto ekipe duhet të përfshijnë punonjës të shëndetit publik, mjekë dhe infermierë të shërbimeve të urgjencës, si dhe anëtarë të emergjencës kombëtare, të cilët janë të specializuar për t’u përballur me emergjencat mjedisore. E rëndësishme është të bëhet një seri trajnimesh me skenarë real, sipas zonave dhe karakteristikave të tyre (borë, ortek, përmbytje, tsunami, stuhi ere me shpejtësi shkatërrimtare, zjarre masive etj)
Mbetet i rëndësishëm edhe bashkërendimi ndërmjet qendrës së emergjencave, përfshirë edhe ato mjedisore, me agjencitë e tjera të mjedisit, programet universitare dhe institucionet e ngjashme. Kjo duhet të realizohet përmes nismave si takime të rrumbullakëta, botime të përbashkëta dhe projekte bashkëpunuese, që do të mundësojnë një qasje më efektive dhe gjithëpërfshirëse. Nuk duhet të vazhdohet më me formatet tradicionale të monitorimit, siç është rasti i ujërave larës, të cilat janë tashmë të tejkaluara dhe joefektive për të përmbushur nevojat e kohës! I ka ikur koha!
Parandalimi është i lidhur ngushtë me edukimin, i cili duhet të nisë që në ciklet e ulëta në të gjitha shkollat, si në sistemin publik ashtu edhe në atë privat. Në këtë kuadër, programet mësimore për shkencën mund të pasurohen me përmbajtje të fokusuara në parandalim. Një shembull i suksesshëm vjen nga mjekësia, siç është rasti i tuberkulozit (TB), ku njohuritë janë futur me sukses në kurrikulat e klasës së gjashtë dhe të shtatë, duke u kthyer në një model të vlefshëm. Ky model mund të adoptohet edhe në fusha të tjera, duke u kombinuar me matjen e njohurive në mënyrë të vazhdueshme për të vlerësuar efektivitetin e tij.
Duhet të flitet për adresimin e emergjencave mjedisore si një pjesë e pandashme e realiteteve të reja mjedisore. Sa më herët të krijohet ndërgjegjësimi në popullatë dhe të ndërtohen strukturat që zbatojnë planet operacionale të emergjencave, aq më shpejt dhe me sukses mund të adresohen ato, duke minimizuar humbjet e ndjeshme, si ato në jetë njerëzore ashtu edhe ato financiare.
Thotë Prof. Asoc. Dr Albana Fico, pedagoge pranë Universitetit të Mjekësisë
Vëmendja duhet të përqendrohet tek të cenueshmit.
Grupet më të cenueshme ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike përfshijnë individët e izoluar nga rrethi shoqëror, veçanërisht të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, ata me probleme të shëndetit mendor dhe fëmijët. OBSH gjithashtu identifikon grupe me rrezik të lartë, si personat që jetojnë në varfëri, gratë, punëtorët në ambiente të hapura dhe individët me sëmundje të mëparshme. Sistemet shëndetësore duhet të garantojnë vazhdimësinë e ofrimit të kujdesit cilësor, duke zbatuar njëkohësisht strategji të përshtatshme për ndryshimet klimatike. Për më tepër, sektori duhet të zvogëlojë gjurmën e tij të karbonit, e cila përbën 4-4.9% të shkarkimeve globale të gazeve serë, duke kontribuuar kështu në përkeqësimin e rezultateve shëndetësore.
Një raport i vitit 2024 parashikon se ndryshimet klimatike do të shkaktojnë 14.5 milionë vdekje dhe 12.5 trilione dollarë humbje ekonomike, deri në vitin 2050. Në shkallë globale, mungesa e veprimit mund të shtyjë deri në 40 milionë njerëz në varfëri ekstreme deri në vitin 2030, duke rritur më tej presionin mbi sistemet shëndetësore.
Ekspertët thanë se gjatë goditjeve klimatike, pacientët duhet të kenë akses në kujdes jashtë spitaleve, duke i lejuar ata të qëndrojnë në vend dhe të shmangin ndikimet ekstreme. Për shembull, gjatë verës së nxehtë të vitit 2024, e cila u konsiderua si vera më e nxehtë në 100 vitet e fundit, stenda të specializuara të ngritura në pika strategjike në qytetin e Tiranës ofruan ndihmë të shpejtë dhe efektive për qytetarët, duke kontribuuar në uljen e numrit të hospitalizimeve të lidhura me temperaturat ekstreme.
Përveç kësaj, instalimi i filtrave të ajrit me ujë në disa rrugë kryesore të Tiranës u mundësoi qytetarëve të mund të freskoheshin, duke ndihmuar në zbutjen e stresit termik dhe reduktimin e rrezikut të shkaktimit të goditjes nga nxehtësia. Këto masa konkrete demonstrojnë se sistemi shëndetësor mund të përshtatet dhe të reagojë me mekanizma novatorë përballë sfidave klimatike.
Ekspertët pranojnë se veprimi nga baza është kyç.
Investimi në komunitetet lokale të bazës është gjithashtu thelbësor për përmirësimin e qëndrueshmërisë klimatike. Ekspertët thanë se gjatë goditjeve klimatike, pacientët duhet të kenë akses në kujdes jashtë spitaleve, duke i lejuar ata të qëndrojnë në vend dhe të shmangin ndikimet ekstreme. Për shembull, gjatë verës së nxehtë të vitit 2024, e cila u konsiderua si vera më e nxehtë në 100 vitet e fundit, stenda të specializuara të ngritura në pika strategjike në qytetin e Tiranës ofruan ndihmë të shpejtë dhe efektive për qytetarët, duke kontribuar në uljen e numrit të hospitalizimeve të lidhura me temperaturat ekstreme.
Përveç kësaj, instalimi i filtrave ajri me ujë në disa rrugë kryesore të Tiranës u mundësoi qytetarëve të mund të freskoheshin, duke ndihmuar në zbutjen e stresit termik dhe reduktimin e rrezikut të shkaktimit të goditjes nga nxehtësia. Këto masa konkrete demonstrojnë se sistemi shëndetësor mund të përshtatet dhe të reagojë me mekanizma novatorë përballë sfidave klimatike
Financimi inovativ mund të rritet
Financimi hibrid është Fondi i Gjelbër për Klimën, i cili ka hyrë në partneritet me OKB-në dhe OBSH-në për të krijuar një strukturë bashkë-investimi për klimën dhe shëndetin që synon të mbështesë 14 shtete në Afrikë, Azi dhe Evropën Juglindore në uljen e vulnerabiliteteve dhe shkarkimeve që burojnë nga sektori i shëndetësisë, duke përdorur si kapitalin publik, po ashtu dhe atë privat.
Fondi i Gjelbër për Klimën (FGJK) u krijua në vitin 2010 dhe hyri në fuqi në 2015-ën, si një mekanizëm financiar në përputhje me Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (KKKBNK). Deri më tani, Shqipëria është vendi më aktiv në FGJK me numrin më të madh të projekteve aktive, përkatësisht 4 projekte të mundësuara nga financimet në shkallë të gjerë, me një total prej 36.3 milionë eurosh. Ky fond në Shqipëri është fokusuar kryesisht në dy drejtime: infrastrukturën dhe mjedisin, si dhe në sektorët ekonomikë dhe komunitetet lokale. Për fat të keq, sektori i mjekësisë nuk përfiton nga projektet e dedikuara për adresimin e ndryshimeve klimatike nëpërmjet këtij fondi.
Ka nevojë për metrika të standardizuara.
Ekspertët theksojnë nevojën për vendosjen e standardeve dhe mjeteve matëse për të përfshirë financimin modern dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike në sistemet shëndetësore. Për këtë nevojitet bashkëpunim i ngushtë me të gjithë aktorët, veçanërisht me vendimmarrësit politikë, për të ndërtuar baza të dhënash që identifikojnë rreziqet për popullsinë dhe parashikojnë ndikimet e fatkeqësive natyrore. Për të forcuar këto nisma në nivel botëror, është thelbësore të ketë udhëzime teknike dhe standarde të qarta që ndihmojnë në përdorimin e fondeve klimatike dhe në përmirësimin e zbatimit dhe vlerësimit të politikave.
Përfshirja e komunitetit është vendimtare për të zgjeruar ndërhyrjet, sidomos në zonat e cenueshme ku punëtorët në natyrë, veçanërisht gratë në fshat, vuajnë nga temperaturat e larta gjatë ditës dhe ndotja e ajrit brenda banesave nga gatimi natën. Duke përshtatur mbledhjen e të dhënave me faktorët mjedisorë që ndikojnë në shëndet, si temperatura dhe cilësia e ajrit, mund të parashikohen më mirë problemet që vijnë nga ndryshimet klimatike. Njoftimet për rreziqet mund t’i ndihmojnë banorët të kuptojnë se sa të prekshëm janë nga vala e të nxehtit dhe ndotja e ajrit.
Ekspertët nënvizojnë se duhet të veprojmë menjëherë për të forcuar sistemet shëndetësore përballë ndryshimeve klimatike, sidomos për grupet më të prekshme si komunitetet e largëta dhe vendet në zhvillim. Investimet për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore, furnizimin më të mirë me barna e pajisje dhe menaxhimin e mbetjeve, si dhe përdorimi i pajisjeve të reja mjekësore, mund të ulin ndjeshëm ndotjen e mjedisit, të përmirësojnë shëndetin e pacientëve dhe të sjellin përfitime ekonomike në vitet në vijim. Për të arritur këto qëllime, nevojitet një përpjekje e përbashkët dhe e udhëhequr nga vetë komunitetet. Kjo do të ndihmojë në përshtatjen e sistemeve të të dhënave me burimet e reja të financimit, duke forcuar në fund infrastrukturën, risitë, furnizimin me barna e pajisje dhe aftësitë e personelit shëndetësor për një sistem më të mirë shëndetësor në mbarë botën.
Burimi:
Prof. Asoc. Dr Albana Fico, pedagoge pranë Universitetit të Mjekësisë