Zjarret do të bëhen më të shpeshta, duke u rritur me rreth 50% deri në fund të këtij shekulli, raportohet në studimin më të ri të OKB-së.
Raporti zbulon se ka një rrezik të lartë veçanërisht për vendet e Arktikut dhe rajonet e tjera të paprekura më parë nga zjarret. Shkak cilësohet të jenë rritja e temperaturave dhe ndryshimet në përdorimin e tokës.
Ndërkohë studimet më të reja bëjnë thirrje për një rishpërndarje rrënjësore të burimeve financiare në mënyrë parandalimin e zjarreve.
Shkencëtarët nga Programi i OKB-së për Mjedisin (UNEP) thonë se zjarret më të fundit të cilët qëndruan aktiv me javë të tëra, ishin më të nxehtë dhe se shkalla e përhapjes së tyre është rritur në vitet e fundit, saqë kanë prekur zonat e thella veriore dhe tokat e thata.
Ky studim i fundit thotë se do të ketë një rritje globale të zjarreve deri në 14% deri në vitin 2030, krahasuar me numrin e regjistruar në 2010-2020. Rritja mund të arrijë 30% deri në 2050 dhe 50% deri në fund të shekullit.
“Analiza është realizuar bazuar në përkufizimin “zjarr katastrofik”, i cili mund të ndodh një herë në 100 vjet (një fenomen që ndodh shumë rrallë)” tha Dr. Andrew Sullivan nga Organizata e Kërkimeve Shkencore dhe Industriale e Commonwelth (CSIRO) në Canberra, Australi.
“Rezultatet e studimit treguan se mundësia për zjarre të kësaj forme/përmase do të rritej me një faktor 1.3 deri në 1.5 herë, bazuar në analizën globale të frekuencës së zjarrit.”
Rezultatet ishin të ngjashme në një skenar të ulët apo të lartë të shkarkimeve të karbonit.
Studimi i përcakton zjarret ekstreme si zjarre të jashtëzakonshme ose të pazakonta – por ky përkufizim mund të ndryshojë dukshëm në varësi të vendndodhjes. “Imagjinoni një zjarr të vogël në Arktik, i cili përhapet me disa centimetra në orë. Ky nuk është domosdoshmërisht një zjarr i fuqishëm, por është e pazakontë dhe përhapet në sipërfaqe të mëdha sepse nuk ndërhyn askush” tha Dr. Salivan. “Një zjarr si ky në livadhe do të cilësohesh si një zjarr ekstrem, por nuk do të kishte të njëjtat pasoja me një zjarr në Kaliforni.”
Edhe pse studimi bën vetëm parashikime mbi ngjarjet ekstreme, autorët besojnë se edhe incidentet më të vogla të zjarreve do të rriten gjithashtu, ndërsa përdorimi i tokës ndryshon dhe popullsia rritet. Kjo mund të ketë pasoja të rëndësishme për ndryshimin e klimës pasi më tepër zjarre do të rrisin sasinë e karbonit të shkarkuar në atmosferë.
Por ndryshimi i frekuencës do të ndryshojë në varësi të një numri faktorësh lokalë. Bota ka të ngjarë të shohë më shumë zjarre në rajonet e Arktikut, sepse ndryshimi i klimës ka një ndikim të madh edhe në këtë rajon.
Megjithatë, në Afrikë, ku ndodhin rreth dy të tretat e zjarreve në botë, në dekadat e ardhshme, zjarret do të pakësohen, për arsye se popullsia në rritje po pret më shumë pyje, për ti kthyer ato në toka bujqësore.
Për këtë arsye, autorët e studimit u bëjnë thirrje qeverive të ndryshojnë modelin e tyre të shpenzimeve për zjarret.
Studimi thotë se planifikimi dhe parandalimi merr më pak se 1% të fondeve, ndërsa zjarrfikësit marrin mbi gjysmën e buxhetit në dispozicion.
Shumë qeveri kanë qëllime të mira përsa i përket shpenzimit më të madh për planifikimin dhe parandalimin, por realiteti në terren është shumë ndryshe.
“Ne duhet të investojmë më shumë në parandalimin dhe menaxhimin e plotë të zjarreve, gjithashtu duhet ti lejojmë zjarret të përmbushin rolet e tyre ekologjike,” tha Prof Paulo Fernandes, nga Universidade de Trás-os-Montes e Alto Douro në Portugali, një nga autorët e raportit. “Por pastaj, kur situata të përkeqësohet, ata do të devijojnë nga politika që supozohet të jetë në vend./ BBC news