Studimet e fundit raportojnë se bletaria në Shqipëri po pëson humbje të 56.2% të kolonive si pasojë e ndryshimeve klimatike. Sipas perceptimit të bletarëve, ndryshimet klimatike janë një ndër faktorët me ndikimin më negativ mbi produktivitetin dhe shëndetin e bletëve.
Pjalmuesit dhe shërbimet e pjalmimit që ata ofrojnë kanë vlera ekonomike, mjedisore dhe socio-kulturore, globale. Gjatë dekadave të fundit, vihet re një numër në rënie i bletëve të kultivuara për prodhim mjalti. Kjo për shkak të ndikimit të kombinuar të disa faktorëve, si humbja e habitatit, patogjenët, apo kërcënimet që burojnë nga aktiviteti njerëzor, veçanërisht nga përdorimi i kimikateve dhe ndryshimet klimatike. Humbjet vjetore të kolonive janë të konsiderueshme në shumë prej rajoneve ku praktikohet bletaria.
Studimi me fokus vlerësimin e perceptimit të bletarëve në Shqipëri dhe Kosovë zbulon faktorët që kërcënojnë bletët dhe pjalmuesit e tjerë dhe ndikimin negativ të tyre në bletari.Pjesëmarrësit në studim ishin bletarë me përvojë, nga rajone të ndryshme gjeografike në Shqipëri dhe Kosovë. Bletarët e anketuar raportuan një humbje mesatare prej 56.2% të kolonive të tyre. Në perceptimin e tyre, faktorët kryesorë me ndikim negativ mbi produktivitetin dhe shëndetin e bletëve gjatë 2020-2021, në rend prioritar, ishin: parazitët dhe patogjenët, faktorët mjedisorë (përfshi ndryshimet klimatike), dhe praktikat e bletarisë.
Bletarët e dy vendeve përjetuan humbje të konsiderueshme të kolonive gjatë dimrit të 2021-2022, periudhë në të cilën u realizua edhe ky studim. Në Shqipëri, humbjet luhateshin mes 21-60%, vlera këto në trefishin e të dhënave raportuar në Kosovë, ku humbjet vlerësoheshin në kufijtë 5-20%. Ky marzh humbjesh u vu re si tek bletarët e vegjël dhe të mesëm, ashtu edhe tek ata me më shumë se 100 koloni. Megjithëse disa Shoqata Bletarësh nga disa rrethe, raportuan humbje më të mëdha se ato raportuar nga bletarët e vegjël, të pavarur, mospërputhja mund të lidhet me bindjen e disa bletarëve se publikimi i këtij informacioni mund të dëmtojë reputacionin e tyre dhe krijojë perceptimin e një pune joprofesionale.
Sektori i bujqësisë në Shqipëri dhe Kosovë luan një rol të rëndësishëm në prodhimin e ushqimit, menaxhimin e biodiversitetit, ekonominë rurale dhe ruajtjen e llojeve. Të dy vendet kanë kushte ekologjike dhe klimatike të favorshme për llojshmërinë e florës, e cila mbështet pjalmuesit dhe ndihmon në sigurimin lokalisht të ushqimit për ta, duke kontribuar ndjeshëm ndaj një pjese eksportesh në tregjet e hapura. Megjithatë, sektori bujqësor në të dyja vendet, përballet me një mungesë të theksuar të njohurive, në lidhje me shërbimet e pjalmimit.
Sipas Federatës Shqiptare të Bletarëve, gjatë dimrit 2020-2021, rreth 26% e bletarëve në Shqipëri humbën të gjitha kolonitë e bletëve, ndërsa sipas raportit të vitit 2022, Kosova humbi 16.6% të kolonive të saj. Humbjet në kolonitë e bletëve të mjaltit, përbëjnë një kërcënim për sigurinë ushqimore, në shumicën e vendeve. Ky ndikim shihet shpesh i lidhur me ndërhyrjet intensive të njeriut në mjedis, si dhe me strategjitë e menaxhimit të kulturave bujqësore dhe kafshëve të zbutura, përfshi bletët e mjaltit.
Kushtet e pafavorshme atmosferike të vitit 2020, vlerësohen si faktor që pati ndikim negativ në prodhim. Humbjet e koshereve të raportuara nga bletarët në Shqipëri dhe Kosovë treguan se, në shkallë të ndryshme, të gjithë faktorët kërcënues, si; përdorimi i kimkateve në bletari, praktikat e menaxhimit, praktikat e papërshtatshme bujqësore, si dhe ndikimet indirekte si pasojë e ndryshimeve në përdorimin e tokës, menaxhimi jo i duhur i shërbimeve të ekosistemeve dhe ndryshimet klimatike kanë kontribuar në humbjet e kolonive, veçanërisht gjatë dimrit.
Ndryshe nga shumë insekte që vdesin ose bien në letargji gjatë dimrit, bletët i nënshtrohen një procesi, të quajtur “dimërim”. Ky proces përfshin grumbullimin për të ruajtur nxehtësinë. Bletët e dimrit lindin në fund të vjeshtës dhe zhvillojnë trupa më të mëdhenj yndyrorë se insektet e tjerë, të cilat ndihmojnë për ruajtjen e nxehtësisë, kufizojnë energjnë e shpenzuar dhe konsumin e ushqimit. Bletët e dimrit kanë jetëgjatësi, dukshëm më të madhe, se bletët e zakonshme të mjaltit. Ato bien në letargji gjatë dimrit dhe zgjohen në fillim të pranverës, ku shërbejnë si gjenerata e parë e bletëve që sigurojnë burime për koloninë. Ky proces përshtatjeje, u mundëson bletëve mbijetesën gjatë dimrit dhe rifillimin në pranverë të aktivitetit, duke siguruar kështu vazhdimësinë e kolonisë.
Ndryshimi i klimës po shkakton dimra më të ngrohtë, e po shoqërohet me ulje të menjëhershme të temperaturave dhe modele të paparashikueshme të motit. Si pasojë, kolonitë e bletëve po dalin paraprakisht nga gjendja e tyre dimëruese. Kjo dalje e parakohshme ndodh në një periudhë kur ka mungesë ushqimi, dhe bletët foragjere nuk arrijnë të gjejnë rezervat e nektarit dhe polenit, për të cilat kanë pritur gjatë gjithë dimrit.
Kur temperaturat bien përsëri pranë zeros, bletët që kanë lënë kosheren ose kolonitë dhe kanë mbetur jashtë, paralizohen dhe ngrijnë në të ftohtë. Këto dukuri jo vetëm që konfuzojnë bletët, por edhe e dobësojnë ndjeshëm koloninë, duke çuar ndonjëherë, edhe në ngrirjen e kolonive të tëra. Kështu, ndryshimi i klimës po ndikon negativisht në aftësinë e bletëve për t’i mbijetuar dimrit, duke vënë në rrezik ekzistencën e kolonive të tyre.
Situata komplikohet më tej kur temperaturat bien ndjeshëm, pas lëshimit të vezëve. Kjo ulje e papritur e temperaturës mund të shkaktojë ngrirjen dhe dëmtimin e vezëve, duke i krijuar kolonisë tashmë të dobësuar, një barrë shtesë. Kolonia duhet të investojë më shumë energji për të pastruar vezët e ngrira dhe për të rifilluar procesin e riprodhimit, gjë që e vë atë nën stres të shtuar, në një periudhë kur burimet janë të kufizuara. Këto ndryshime klimatike krijojnë një cikël sfidues për mbijetesën e kolonive të bletëve, duke ndikuar në ekuilibrin delikat midis riprodhimit, ushqyerjes dhe mbijetesës së tyre.
Rritja e temperaturave mund të përkeqësojë presionet nga parazitët dhe sëmundjet, të cilat paraqesin kërcënime të rëndësishme për shëndetin e bletëve. Kushtet më të ngrohta favorizojnë përhapjen e parazitëve si Varroa destructor, i cili mund të dobësojë kolonitë dhe të rrisë ndjeshmërinë e tyre ndaj sëmundjeve. Bletët e stresuara nga nxehtësia janë më të ndjeshme ndaj infeksioneve, duke çuar në nivele më të larta të vdekshmërisë.
Kombinimi i këtyre faktorëve stresues: nxehtësia, mungesa e ushqimit dhe presioni i shtuar nga patogjenet kanë implikime të tmerrshme për popullatat e bletëve, duke kërcënuar jo vetëm mbijetesën e tyre, por edhe shërbimet thelbësore të pjalmimit që ato ofrojnë për ekosistemet dhe bujqësinë”. Thote Manjola Kuliçi Pedagoge pranë Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Gjithashtu, pranverat e hershme mund të ndikojnë negativisht në riprodhimin e mbretëreshës së bletëve. Cikli jetësor i bletëve, para se ato të bëhen bletë të rritura, përfshin katër faza kryesore: vezën, larvën e hapur, larvën e vulosur dhe pupën. Kohëzgjatja e zhvillimit nga veza në bletë të rritur varion nga 16 deri në 24 ditë, varësisht llojit të bletës që do të formohet. Për të ruajtur modelet tipike të rritjes së kolonisë, nga pranvera deri në vjeshtë mbretëresha duhet të prodhojë vazhdimisht vezë. Ndryshimet në kohën e ardhjes së pranverës mund të çrregullojnë këtë proces delikat, duke ndikuar në ekuilibrin e kolonisë dhe potencialisht, në mbijetesën e saj afatgjatë.
Zhvillimi i plotë i bletës larvë kërkon sasi të mëdha ushqimi dhe energjie. Kjo nënkupton që pjesa tjetër e kolonisë duhet të mbledhë mjaftueshëm polen dhe mjaltë për të ushqyer bletët e reja. Kur rritja me mbi mbi 10°C ndodh më herët se zakonisht, mbretëresha e interpreton këtë si shenjë për fillimin e sezonit të ri. Ndërsa, lulet, barishtet dhe pemët që janë thelbësore për ushqyerjen e bletëve, shpesh nuk janë gati t’i mbështesin në këtë sezon të parakohshëm. Kjo mospërputhje kohore midis nevojave të kolonisë dhe disponueshmërisë së burimeve ushqimore, mund të çojë në uri për kolonitë, pasi ato nuk kanë mjaftueshëm ushqim për të përmbushur nevojat e një popullatë në rritje.
Bazuar në perceptimet dhe raportimet e bletarëve në Shqipëri dhe Kosovë, ndryshimet klimatike identifikohen si faktori kryesor kërcënues për humbjet e kolonive të bletëve. Nënvizimi i këtij shqetësimi nga të intervistuarit shpreh një nevojë urgjente lidhur me të kuptuarit më të mirë të ndikimit të ndryshimeve klimatike në bletari, në këto vende. Kryerja e studimeve të thelluara që eksplorojnë lidhjen midis ndryshimeve klimatike dhe bletarisë në Shqipëri dhe Kosovë, mund të ofrojë informacion të vlefshëm për bletarët. Ky informacion mund të jetë thelbësor për zhvillimin e strategjive efikase të përballjes me sfidat klimatike dhe identifikimit të metodave për zbutjen e humbjeve të mundshme, të kolonive në të ardhmen.
Këto studime do të ishin të rëndësishme për të ndërtuar një bazë të dhënash shkencore që mund të informojë politikat dhe praktikat e bletarisë. Kjo do të ndihmonte në ruajtjen e këtij sektori të rëndësishëm bujqësor në rajon, duke i dhënë bletarëve mjetet e nevojshme për të përshtatur praktikat e tyre të mbarështimit të bletës me ndryshimet klimatike dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e kolonive të tyre në kushtet e reja mjedisore.
Ndërgjegjësimi lidhur me ndryshimet klimatike është thelbësor në adresimin e humbjeve të bletëve dhe zbutjen e ndikimeve që këto ndryshime kanë mbi popullatat e tyre. Në Shqipëri, edukimi për ndryshimet klimatike po rritet ndjeshëm, megjithëse mbrojtja e mjedisit ende nuk konsiderohet një prioritet.
Pjesëmarrja aktive e bletarëve në shoqata profesionale dhe integrimi i programeve edukative rreth ndryshimeve klimatike mund të luajë një rol të rëndësishëm. Këto iniciativa mund të rrisin ndërgjegjësimin e bletarëve ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike në humbjet e bletëve, si në periudha afatshkurtra, ashtu edhe në ato afatgjata.
Rezultatet e këtij studimi nxorën në pah një nevojë të qartë për komunitetin e bletarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, që lidhet me shpërndarjen e informacionit dhe trajnimin mbi sëmundshmërinë e kolonive dhe praktikat e duhura të trajtimit. Duke qenë se bletaria është një profesion popullor, me tendencë në rritje si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale të dy vendeve, një ndërhyrje e tillë edukative do të ishte jashtëzakonisht e dobishme.
Zbatimi i këtyre programeve edukative do të sillte përfitime të shumëfishta. Së pari, do të forconte industrinë e bletarisë në të dy vendet, duke rritur produktivitetin dhe qëndrueshmërinë e saj. Së dyti, do të kontribuonte pozitivisht në mbrojtjen e mjedisit, duke qenë se bletët luajnë një rol kyç në ekosistem. Kështu, një ndërhyrje e tillë do të shërbente jo vetëm për të përmirësuar praktikat e bletarisë, por edhe për të promovuar një qasje më të qëndrueshme ndaj mjedisit në tërësi.
Burimi:
Manjola Kuliçi Pedagoge pranë Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, Universiteti Bujqësor i Tiranës
https://www.cabidigitallibrary.org/doi/pdf/10.5555/20230477007