Gjatë vitit 2024, numri total i zjarreve të regjistruara është 148, dhe sipërfaqja e prekur e djegur është rreth 44523 hektarë, përfshirë pyje dhe tokë jo të pyllëzuar. Kulmi i sezonit ndodhi më 4 gusht, kur u shënua një djegie prej 18,297 hektarësh brenda një dite. Në Shqipëri, sezoni i pikut të zjarreve zakonisht fillon në fund të qershorit dhe zgjat rreth 13 javë.
Vatrat e para të zjarrit për këtë vit u regjistruan më 8 korrik nga Qendra e Emergjencave Civile në zonat e Dropullit dhe Finiqit, duke prekur një sipërfaqe prej 1,670 hektarësh. Në Shqipëri, deri tani për vitin 2024 janë raportuar 168 alarme zjarri, të cilat përfshijnë vetëm alarmet me një nivel të lartë besimi. Ky numër është në përputhje me mesataren e alarmave të viteve të kaluara. Rekordi për numrin më të lartë të zjarreve të regjistruar në një vit është viti 2012, me gjithsej 786 alarme. Gjatë vitit të kaluar, 2023, u shkatërruan 2,030 hektarë pyje nga një sipërfaqe totale prej 12,158 hektarësh që u prek nga zjarret.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, në 24 orët e fundit janë raportuar 25 vatra zjarri në vend, nga të cilat 6 janë ende aktive. Zjarri më i madh i regjistruar për këtë vit ka ndodhur në qytetin bregdetar të Shëngjinit. Për më shumë se katër ditë, ka pasur një luftë të vazhdueshme dhe të ashpër me zjarrin, një nga fenomenet natyrore më të vështira, që ka përfshirë pyje dhe kullota në kodrat e qytetit të Shëngjinit. Ky zjarr ka paraqitur sfida të mëdha për forcat e emergjencës dhe ka kërkuar një ndërhyrje të pandërprerë për të kufizuar dhe ndaluar përhapjen e tij.
Rreziku po ushqehet nga temperaturat e larta dhe tokat e thata, pasi pjesa më e madhe e rajonit përjetoi temperatura mbi mesataren gjatë pranverës dhe verës së këtij viti, duke rritur thatësirën në pyje. Një pjesë e Evropës Jugore ka qenë në rrezik “ekstrem” zjarresh, kanë raportuar qendrat kombëtare të emergjencave civile të BE-së, pasi valët e të nxehtit kanë qenë intensive dhe të zgjatura në kohë këtë vit. Por ajo çka po vihet re kohët e fundit nga shkencëtarët është se rritja e temperaturave globale me më shumë se 1.5 gradë Celsius po i përkeqëson ato. Evropa Jugore ka përjetuar zjarre, thatësira dhe valë të nxehti shumë kohë përpara se njerëzit të fillonin të ndryshonin klimën duke djegur lëndë djegëse fosile. Megjithatë, temperaturat më të larta globale mund të përkeqësojnë kushtet për këto lloje të motit ekstrem, siç kanë vënë në dukje shkencëtarët e klimës.
Zjarret e paprecedentë që kanë përfshirë Evropën në 3 vitet e fundit janë dëshmi e qartë e efekteve shkatërruese të krizës klimatike. Kjo krizë jo vetëm po shton zonat e prekura nga zjarret, por edhe po zgjat periudhën e sezonit të zjarrit, duke rritur frekuencën dhe intensitetin e zjarreve përtej periudhës tradicionale të verës. Sezoni i ri, i zgjatur i zjarreve përbën një sfidë të re për shërbimet kombëtare të zjarrfikësve në të gjithë rajonin, pasi shuarja e zjarrit nga ajri bëhet më sfiduese dhe operacionet tokësore bëhen të vështira apo edhe të pamundura.
Në analizën e bërë nga Shërbimi Meteorologjik Kombëtar, është evidentuar një rritje e temperaturave mesatare gjatë pranverës dhe verës me më shumë se 1.5 gradë Celsius krahasuar me periudhën bazë 1980-2010. Po ashtu, temperatura mesatare vjetore ka ndjekur një trend në rritje që nga viti 1901. Numri i ditëve të nxehta gjatë verës ka pësuar gjithashtu një rritje. Sa i përket reshjeve, sasia e tyre vjetore ka pësuar një ulje, duke pasur një shpërndarje ekstremisht të paparabartë të reshjeve, si në hapësirë ashtu edhe në kohë. Krahasuar me 100 vitet e fundit, reshjet janë reduktuar më së shumti gjatë pranverës. Reshjet e verës kanë pësuar një ulje dramatike, si edhe ka dallime të konsiderueshme në shpërndarjen e tyre. Numri i ditëve me shi gjithashtu ka rënë, dhe këtë verë u regjistrua një thatësirë e gjatë në muajt korrik dhe gusht.
Burimi: