Temperaturat e ajrit në Tokë kanë filluar të rriten që nga Revolucioni Industrial. Edhe pse ndryshueshmëria natyrore luan njëfarë roli, provat e shumta shkencore tregojnë se aktivitetet njerëzore, janë përgjegjësit kryesor të ngrohjes së planetit tonë.
Sipas analizave të vazhdueshme të temperaturës të udhëhequr nga shkencëtarët, në Institutin Goddard të NASA-s për Studimet Hapësinore (GISS), temperatura mesatare globale në Tokë është rritur me të paktën 1.1° Celsius (1.9° Fahrenheit) që nga viti 1880. Rritja e temperaturave, ka nisur që nga viti 1975, me një normë prej rreth 0.15 deri në 0.20°C për dekadë.
Në videon mësipër tregohet se si ka ndryshuar temperatura, duke filluar që nga viti 1880. Të dhënat pasqyrojnë se sa më i ngrohtë apo më i freskët ishte çdo rajon, krahasuar me një periudhë bazë të viteve 1951-1980.
Ndërsa, imazhi më poshtë tregon ndryshimet globale të temperaturës në vitin 2021, viti i gjashtë më i ngrohtë i regjistruar (nëntë nga dhjetë vitet më të nxehta apo rekord kanë ndodhur në dekadën e fundit).

Grafikët tregojnë se, ngrohja globale nuk do të thotë se temperaturat rriten kudo me të njëjtën shpejtësi apo sasi. Temperaturat mund të rriten 5 gradë në një rajon dhe të bien 2 gradë në një tjetër. Për shembull, një dimër jashtëzakonisht i ftohtë në një vend, mund të ekuilibrohet nga një dimër jashtëzakonisht i ngrohtë në një pjesë tjetër të botës.
Në përgjithësi, ngrohja është më e madhe mbi tokë se mbi oqeane, sepse uji e tërheq dhe e çliron më ngadalë nxehtësinë (inerci termike). Por ngrohja gjithashtu, mund të ndryshojë në mënyrë thelbësore brenda masave të veçanta tokësore dhe pellgjeve oqeanike.
Në videon në krye dhe në tabelën e mëposhtme, vitet nga 1880 deri në 1939 kanë tendencë të jenë më të freskëta, pastaj normalizohet deri në vitet 1950. Dekadat brenda periudhës bazë (1951-1980) nuk janë veçanërisht të ngrohta ose të ftohta, sepse ato janë standardi prej të cilit maten vitet e tjera.
Normalizimi i temperaturave në mes të shekullit të 20-të mund të shpjegohet me variabilitetin natyror dhe me efektet ftohëse të aerosolëve të prodhuara nga fabrikat, centralet elektrike dhe automjetet motorike, në vitet e rritjes së shpejtë ekonomike pas Luftës së Dytë Botërore. Përdorimi i karburantit fosil u rrit edhe më shumë pas luftës (5 % në vit), duke nxitur edhe rritjen e sasisë së gazeve serrë. Ulja e temperaturave, nga ndotja e aerosolëve ndodhi me shpejtësi. Ndërsa, gazet serrë po grumbulloheshin ngadalë në atmosferë, duke qëndruar aty për një kohë shumë më të gjatë. Sipas ish -drejtorit të GISS- it, James Hansen, trendi “i fortë” i ngrohjes në katër dekadat e fundit ka të ngjarë, të pasqyrojë zhvendosjen, nga efektet e ekuilibruara të aerosolëve dhe të gazeve serrë në atmosferë, në një mbizotërim të efekteve të gazeve serrë, pasi aerosolët u frenuan nga kontrollet e ndotjes.

Pse duhet të interesohemi për një ose dy shkallë të ngrohjes së Tokës? Në fund të fundit, temperaturat luhaten me shumë gradë çdo ditë, në vendin ku jetojmë.
Temperaturat në nivel lokal dhe për periudha të shkurtra, mund të kenë luhatje të ndjeshme për shkak të ngjarjeve të ndryshme të parashikueshme ose jo, si era, reshjet etj. Por temperatura globale varet kryesisht nga energjia që merr planeti nga Dielli dhe sa rrezatohet përsëri në hapësirë. Energjia që vjen nga Dielli, ka luhatje shumë të pakta në vit, ndërsa sasia e energjisë së rrezatuar nga Toka është e lidhur ngushtë me përbërjen kimike të atmosferës, veçanërisht sasinë e gazeve serrë që kapin nxehtësinë.
Ndryshimi i temperaturës globale me një shkallë është domethënëse, sepse për të ngrohur kaq shumë oqeanet, atmosferën dhe masat tokësore, duhet një sasi e madhe nxehtësie. Në të kaluarën, një rënie prej një deri në dy gradësh, ishte gjithçka që u desh për ta zhytur Tokën në Epokën e Akullnajave të Vogla. Një rënie prej pesë gradësh ishte e mjaftueshme për të varrosur një pjesë të madhe të Amerikës së Veriut nën një masë të lartë akulli 20.000 vjet më parë.

Regjistrimet e temperaturës globale filluan rreth vitit 1880, sepse vëzhgimet nuk e mbulonin mjaftueshëm planetin para asaj kohe. Grafiku i mësipërm, tregon ndryshimet vjetore të temperaturës nga viti 1880 deri në vitin 2020 siç janë regjistruar nga NASA, NOAA, grupi kërkimor Berkeley Earth, Qendra Met Office Hadley (Mbretëria e Bashkuar), dhe analiza Cowtan dhe Way. Megjithëse ka ndryshime të vogla nga viti në vit, të pesë regjistrimet tregojnë ngritjet dhe uljet e temperaturës, në sinkron me njëra-tjetrën. Të gjitha analizat, tregojnë një ngrohje të shpejtë në dekadat e fundit dhe të gjitha tregojnë dekadën e fundit si më të nxehtën.
Analizat e temperaturës nga NASA, përfshijnë matjet e temperaturës së sipërfaqes nga më shumë se 20,000 stacione meteorologjike, vëzhgime të realizuara në anije dhe në stacionet e temperaturave të sipërfaqes së detit dhe matjet e temperaturës nga stacionet kërkimore të Antarktidës. Këto matje in situ analizohen duke përdorur një algoritëm që konsideron hapësira të ndryshme të stacioneve të temperaturës rreth globit dhe efekteve të ishullit të ngrohjes urbane.
«Shkenca nuk lë vend për dyshime: ndryshimi i klimës është kërcënimi ekzistencial i kohës sonë»,-thotë administratori i NASA-s Bill Nelson.» Tetë nga dhjetë vitet më të ngrohta në planetin tonë ndodhën në dekadën e fundit, një fakt i padiskutueshëm që thekson nevojën për veprim të guximshëm për të mbrojtur të ardhmen e vendit tonë dhe të gjithë njerëzimit.”/ NASA