Ngjarjet ekstreme të motit në vitet e fundit, të tilla si valët e të nxehtit, stuhitë, breshëri dhe përmbytjet, kanë ulur rendimentin e blegtorisë në vendin tonë. Këto ngjarje ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin dhe produktivitetin e kafshëve, dhe gjithashtu ndikojnë tërthoras në mirëqenien e kafshëve duke zvogëluar prodhimin e ushqimit për bagëti dhe cilësinë e kullotave.
Me rritjen e temperaturave globale, blegtoria po përballet me sfida të mëdha në mbrojtjen e kafshëve nga stresi ekstrem i nxehtësisë. Ky stres ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në mirëqenien e kafshëve, duke sjellë reduktime në produktivitetin dhe performancën riprodhuese që ndikojnë më pas edhe në ekonominë e fermerëve.
Ndryshimet në disponueshmërinë e ujit dhe në prodhimin e ushqimit për bagëti janë ndër sfidat kryesore që përkeqësojnë kushtet e jetesës së kafshëve. Përveç kësaj, rritja e temperaturave ndikon në përhapjen më të madhe të dëmtuesve dhe sëmundjeve, që kanë një ndikim negativ në shëndetin e bagëtisë. Ky fenomen shoqërohet edhe me rrezikun e zhdukjes së racave të rralla dhe vendase, si dhe me ndryshime në modelet e prodhimit.
Një analizë e thelluar e vulnerabilitetit të kategorive kryesore të kafshëve në Zonat Agro-ekologjike (ZAE) tregon se delet dhe bagëtitë do të jenë më të prekura, veçanërisht në ZAE-të e ultësirës perëndimore. Kjo zonë karakterizohet nga stresi i lartë i nxehtësisë, mungesa e ujit, rritja e dëmtuesve dhe sëmundjeve, si dhe kufizime në prodhimin e ushqimit për kafshët. Në anën tjetër, ZAE-të malore në veri dhe qendër pritet të përballojnë ndikime më të ulëta, kryesisht për shkak të kushteve më të favorshme në prodhimin e ushqimit për blegtorinë.
Për sa i përket dhive, ato do të preken kryesisht në zonat e ultësirës perëndimore, ku stresi nga nxehtësia dhe mungesa e ujit do të jenë më të dukshme dhe do të ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin dhe produktivitetin e tyre. Shpendët, qoftë për prodhim vezësh apo brojlerat për mish, mbahen në mjedise me mikroklimë tërësisht të kontrolluar, gjë që nuk mendohet të ndikojë në prodhimtarinë e tyre, por ndikon në efektivitetin e prodhimit, si rezultat i rritjes së shpenzimeve për kontrollin e temperaturës dhe lagështisë në mjediset e mbyllura.
“Më të ndjeshme janë pulat e detit, të cilat mbahen kryesisht në sisteme të lira, dhe muajt e nxehtë përkojnë me rritjen intensive të zogjve, duke ndikuar negativisht, si direkt mbi organizmin e tyre, ashtu edhe në kullotën e gjelbërt që ato shfrytëzojnë. Po ashtu të ndjeshme janë edhe kategorite e derrave që mbahen në ferma të vogla familjare, dhe sisteme gjysmë të hapura.”
Shprehet për Klima sot Prof. Dr. Petrit Dobi, Drejtori i Programit të Mbështetjes së Zonave Rurale
Një shqetësim i veçantë paraqitet në zonën malore jugore, ku sëmundjet kanë potencial të rriten për shkak të ndryshimeve në përhapjen e vektorëve që i transmetojnë ato. Ngrohja globale po ndikon në lëvizjen e këtyre vektorëve drejt veriut, duke përhapur sëmundje në zona ku më parë nuk ishin prezente.
Edhe pse kërkimet mbi shfaqjen e sëmundjeve të reja janë të pakta, besohet se disa shpërthime të fundit janë të lidhura ngushtë me ndryshimet klimatike. Popullatat e vektorëve transmetues varen në mënyrë të konsiderueshme nga kushtet klimatike.
Një tjetër sëmundje që po shfaqet dhe po përhapet është ajo e gjuhës blu, e cila prek gjedhët dhe transmetohet nga insektet pickuese (mizat). Edhe pse kjo sëmundje nuk paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik apo sigurinë ushqimore, ajo shkakton humbje ekonomike të mëdha për fermerët për shkak të uljes së produktivitetit dhe vdekjes së krerëve. Aktualisht, kjo sëmundje është e përhapur në Shqipëri dhe paraqet sfidë për sektorin e blegtorisë.
Sipas informacionit të mbledhur, nuk ka një sistem të monitorimit të rregullt të ndikimeve të ngjarjeve ekstreme të motit mbi blegtorinë në Shqipëri. Megjithatë, janë në zhvillim disa iniciativa për përmirësimin e mbledhjes dhe analizës së të dhënave në këtë fushë. Kërkimet tregojnë se nuk ka studime të mirëfillta për ndikimin e stresit klimatik
Masat e ndërmarra nga fermerët për të mbrojtur kafshët ndaj kushteve ekstreme
Një nga masat kryesore që përdoret është mbajtja e kafshëve në stalla gjatë orëve më të nxehta të ditës, kryesisht në mesditë. Kjo ndihmon në zvogëlimin e ekspozimit të drejtpërdrejtë ndaj diellit, duke krijuar një ambient më të freskët dhe më të përshtatshëm për kafshët. Sigurimi i ujit të bollshëm gjatë gjithë ditës mbetet një nga elementet më të rëndësishëm të menaxhimit të stresit nga nxehtësia. Fermerët janë përpjekur që edhe stallat më të vjetra t’i pajisin me burime uji të disponueshme në mënyrë të vazhdueshme. Kjo siguron që kafshët të kenë mundësi të freskohen natyrshëm përmes avullimit, duke ruajtur kështu temperaturën e trupit dhe mirëqenien e tyre.
Përveç kësaj, janë ndërmarrë masa për përmirësimin e ventilimit në stalla. Disa fermerë kanë zgjeruar hapjet për ventilim natyror, ndërsa të tjerë kanë krasitur bimësinë përreth për të lehtësuar qarkullimin e ajrit. Në ndërtimet e reja, shumë prej tyre përqendrohen në dizajne që maksimizojnë rrjedhjen e ajrit, me dritare dhe dyer të vendosura në mënyrë strategjike, dhe me orientim të stallave për të përfituar nga era. Një ide inovative që po përhapet është edhe instalimi i dusheve në stalla, ku lopët të mund të ftohen me ujë të freskët dhe kështu të lehtësojnë stresin nga nxehtësia. Në zonat ku përdoren sistemet tradicionale të kullotjes, barinjtë po përdorin menaxhim më të kujdesshëm të tufave të tyre duke i kullotur pranë burimeve të ujit dhe duke i zhvendosur në zona me hije gjatë orëve më të nxehta. Kjo praktikë është e vjetër, por po përforcohet në mënyrë që të përshtatet me kushtet e reja klimatike. Stina e nxehtë dhe e thatë po i detyron të ndryshojnë lëvizjet dhe vendndodhjet e tufave për të siguruar qasje të vazhdueshme në ujë dhe ushqim. Megjithatë, zvogëlimi i numrit të kafshëve dhe ndryshimet në strukturën e bimësisë së kullotave janë sfida të reja që kërkojnë përshtatje të mëtejshme.
Në sektorin e shpendëve, për prodhimin e vezëve, fermerët mbështeten shumë në mjediset ku pulat strehohen në mjedise me kontroll të temperaturës dhe ventilimit. Kjo ndihmon që temperatura të qëndrojë stabël dhe prodhimi të mos preket nga ndryshimet ekstreme të motit.
Ndërsa në sektorin e prodhimit të derrave, që është kryesisht familjar dhe me sisteme tradicionale, mungojnë teknikat moderne për të përballuar kushtet e motit të ashpër. Nuk ka shumë të dhëna për masa konkrete që përdoren për t’u adaptuar ndaj nxehtësisë ose thatësirës ekstreme, gjë që i bën këto sisteme më të prekshme ndaj ndryshimeve klimatike.
“Edhe pse masat përshtatese të aplikuara nga fermeret janë akoma të kufizuara dhe spontane, ka interes për të njohur dhe aplikuar teknologji të reja që po përdoren në vende të zhvilluara. Mbulimi i stallave, apo mjediseve rreth tyre me tenda të pajisura me panele fotovoltaikë, janë disa nga risitë që kanë terhequr vëmendjen e fermerëve. Aplikimi i paneleve fotovoltaike sjell jo vetëm hijëzim të mjediseve të hapura, por edhe siguron energji të ripërtëritshme për sistemet freskuese, apo ato të kontrollit të mikroklimës në mjedise të mbyllura. Teknologjitë me panale fotovoltaike të levizshme dhe adoptueshme sipas këndit të ndriçimit diellor, të cilat mund të instalohen edhe mbi parcelat e kullotjes, janë risi që me siguri do të shihen së shpejti edhe në Shqipëri.
Sipas Prof. Dr. Petrit Dobi
Çfarë parashikojnë planet kombëtare të përshtatjes në Shqipëri?
Ndërsa Shqipëria përballet me ndikime të dukshme të ndryshimeve klimatike, nga përmbytjet e shpeshta deri te thatësirat e zgjatura, sektori i blegtorisë mbetet ndër më të cenueshmit, dhe fatkeqësisht, ndër më pak të adresuarit në strategjitë zyrtare të përshtatjes.
Dokumenti themelor për veprimin klimatik në vend, Strategjia Kombëtare për Ndryshimet Klimatike (2020–2030) dhe Plani i Veprimit, i miratuar në vitin 2019, vendos një kornizë të gjerë për masat zbutëse dhe ato të përshtatjes. Megjithatë, referencat konkrete për blegtorinë janë të kufizuara dhe shpesh të tërthorta.
Në vlerësimin e Planit të Veprimit për periudhën 2019–2021, blegtoria përmendet vetëm në dy masa prioritare:
- Veprimi Prioritar 7 – Ujitja, Kullimi dhe Mbrojtja nga Përmbytjet, ku blegtoria trajtohet vetëm si një sektor i prekur nga përmbytjet.
- Veprimi Prioritar 9, Masa 4 – Përcakton nevojën për krijimin e mjediseve të standardizuara për të parandaluar sëmundjet që transmetohen përmes vektorëve (si insektet apo rriqrat), por nuk jep hollësi mbi ndërhyrjet e zbatuara.
Në fakt, mungesa e të dhënave dhe mungesa e masave të qarta për blegtorinë mbeten ndër mangësitë më serioze në politikat e klimës në vend. Korniza e Planit Kombëtar të Përshtatjes (2020), edhe pse e detajuar për sektorë të tjerë, për blegtorinë ka vetëm përmendje të përgjithshme pa ndonjë plan konkret veprimi.
Ligji për Ndryshimet Klimatike (2020) gjithashtu fokusohet kryesisht te shkarkimet dhe dekarbonizimi, duke e lënë sektorin e blegtoisë jashtë vëmendjes.
Përjashtim bën Raporti i Katërt Kombëtar në UNFCCC (2022), i cili më në fund njeh ndikimin e drejtpërdrejtë të ndryshimeve klimatike mbi blegtorinë. Ky raport thekson mungesën e monitorimit të stresit termik dhe sëmundjeve të reja që lidhen me ndryshimet klimatike, si ethet hemorragjike të Krimesë-Kongos dhe sëmundja e gjuhës blu, të dyja me pasoja të rënda për bagëtitë dhe ekonominë rurale.
Në një vend ku bujqësia dhe blegtoria janë shtylla të rëndësishme të ekonomisë rurale, adresimi i drejtpërdrejtë i këtyre sfidave duhet të jetë prioritet në politikat klimatike të dekadës së ardhshme.
Burimi:
Prof. Asoc. Dr. Petrit Dobi, Drejtori i Programit të Mbështetjes së Zonave Rurale
CLIMATE CHANGE ADAPTATION IN AGRICULTURE – STATUS AND PROSPECTS IN WESTERN BALKAN ECONOMIES