Edhe pse ndryshimi i klimës dhe pasojat e saj në një vend vulnerabël si Shqipëria janë bërë pjesë e debatit akademik shqiptar prej disa vitesh tashmë, pasqyrimi i tyre në media është i pamjaftueshëm dhe për rrjedhojë, sjellja e çështjes në vëmendje të diskutimit publik është e cunguar.
Mund të përmendim një mori shkaqesh për këtë fenomen, duke filluar që nga influencat politike e deri te mungesa e gazetarëve të profilizuar në çështje që prekin klimën. Për më tepër, në një vend si Shqipëria, shihet si problematik edhe ndërgjegjësimi apo sensibilizimi i pamjaftueshëm i komunitetit më të gjerë gazetaresk, pasi mediat konvencionale (televizionet, shtypi i shkruar dhe interneti) mbeten burimet më të konsumuara të informacionit nga publiku vendas. Ndërkohë që studiuesit i botojnë punimet dhe gjetjet e tyre në revista shkencore, shumë pak vëmendje i kushtohet këtyre kërkimeve nga portalet mediatike.
Duke marrë shkasë nga kjo problematikë, REC Shqipëri ka ndërmarrë një nismë për krijimin e një platforme tërësisht të dedikuar ndaj ndryshimeve klimatike në vend të quajtur KLIMA SOT, misioni i së cilës është publikimi i artikujve për ndryshimet klimatike të botuara nga kërkuesit dhe studiuesit shqiptarë. Përmes saj, synohet kultivimi i standardeve më të larta të gazetarisë për hulumtimin e burimeve të besueshme shkencore gjatë përgatitjes së lajmeve dhe artikujve.
Kjo faqe mirëmbahet nga REC Shqipëri.
Më shumë rreth REC Shqipëri mund të lexoni në www.recshqiperi.org.