Një studim i fundit ka krahasuar se si dy lloje të ndryshme gruri reagojnë ndaj thatësirës: Svevo, një varietet modern, dhe Saragolla, një varietet i vjetër tradicional. Rezultatet treguan se Saragolla ishte më e qëndrueshme, duke pësuar më pak dëmtime dhe duke u mbrojtur më mirë nga mungesa e ujit. Këto gjetje tregojnë se varietetet tradicionale mund të jenë një burim i vlefshëm për krijimin e kulturave më të forta dhe më rezistente ndaj përshkallëzimeve klimatike.
Ngrohja e klimës sjell ndryshime të rëndësishme në temperaturat globale dhe modelet meteorologjike me kalimin e kohës, fenomen ky që është përshpejtuar nga aktivitetet njerëzore, të cilat kanë kontribuuar në rritjen e shkarkimeve të gazeve serë dhe si pasojë, në ngrohjen globale.
Rajoni i Mesdheut, është veçanërisht i ndjeshëm ndaj këtyre ndryshimeve, duke regjistruar rritjet më të mëdha të temperaturave dhe nivelet më të ulëta të reshjeve. Gjatë dekadës së fundit, fenomeni i thatësirës ka përbërë sfidë të jashtëzakonshme për sektorin bujqësor. Megjithëse bimët kanë zhvilluar mekanizma fiziologjikë për t’u përshtatur ndaj mungesës së ujit, këto mekanizma shpesh janë të pamjaftueshme për t’u përballuar me kushte të atilla për periudha të gjata kohe, duke sjellë një ulje të dukshme të produktivitetit bujqësor, cilësisë dhe shëndetit të njeriut.
Sektori i drithërave është ndër më të prekurit nga këto fenomene. Gruri, i cili ka rëndësi globale, është pjesë e shumë produkteve ushqimore si makaronat, kuskusi dhe bukët e ndryshme. Produktiviteti i grurit ndikohet thellësisht nga streset si thatësira dhe temperaturat ekstreme, patogjenet, viruset, insektet dhe nematodat. Për më tepër, rritja e popullsisë globale, e cila pritet të rritet me 25% në 30 vitet e ardhshme dhe të arrijë rreth 10 miliardë banorë, paraqet një sfidë shtesë për prodhimin ushqimor.
Gruri i fortë është një nga produktet kryesore bujqësore në rajonin e Mesdheut, i rëndësishëm si për ushqimin ashtu edhe për ekonominë e fermerëve. Në vitet ’70, Revolucioni i Gjelbër promovoi seleksionimin e gjeneve të grurit të fortë me produktivitet të lartë, si varianti Svevo, i cili, megjithatë, ka një qëndrueshëmri të kufizuar ndaj thatësirës. Gjatë këtij procesi, shumë varietete tradicionale (antike), të pasura me burime gjenetike për tolerancën ndaj thatësirës, u lanë pas dore. Megjithatë, në vitet e fundit duket se tendenca ka ndryshuar. Përdorimi i drithërave “antike” në industrinë ushqimore është një alternativë e qëndrueshme për ruatjen e biodiversitetit, reduktimin e ndikimeve negative mbi mjedisin dhe promovimin e praktikave bujqësore ekologjikisht të qëndrueshme dhe inovative.
Sipas një studim të fundit ku është krahasuar ndikimi i thatësirës te rrënjët e dy llojeve të grurit të fortë: Svevo, një varietet modern shumë i përdorur dhe Saragolla, një varietet i vjetër i njohur për cilësitë e tij të veçanta. Rezultatet treguan se Saragolla e përballoi më mirë thatësirën, duke pësuar më pak dëmtime dhe duke aktivizuar mekanizma mbrojtës që e ndihmuan të mbijetojë. Ky studim sugjeron se gruri tradicional mund të ndihmojë në krijimin e llojeve të reja më të forta dhe më të qëndrueshme ndaj kushteve të vështira të motit. Ai ka një sistem rrënjor më të zhvilluar, me rrënjë më të gjata dhe më të shumta, duke e ndihmuar të thithë më shumë ujë dhe lëndë ushqyese nga toka.
Përveç strukturës më të fortë, ky lloj gruri ruan më mirë lagështinë, mbron qelizat nga stresi i thatësirës dhe kryen më mirë fotosintezën, duke ndihmuar rritjen dhe prodhimin e tij. Rezultatet sugjerojnë se kultivari Saragolla është një nga opsionet më të mira për bujqësinë në zona të thata, duke siguruar një prodhim më të qëndrueshëm.
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike do ta bëjnë gjithnjë e më të vështirë kultivimin e grurit në Mesdhe. Thatësira, e cila më parë prekte kryesisht vendet sub-tropikale, pritet të ndikojë edhe në zonat me klimë më të butë, duke krijuar sfida të reja për bujqësinë.
Në përgjigje të këtyre sfidave, nga një analizë krahasuese midis varieteve të lashta të grurit, janë identifikuar mundësi për të zhvilluar varietete më të qëndrueshme dhe më të përshtatshme ndaj kushteve të ndryshimeve klimatike, duke analizuar mekanizmat fiziologjikë të përshtatjes së bimëve.
“Gruri tradicional Saragolla ka një rëndësi veçantë, jo vetëm për vlerat e tij gjenetike, por edhe për qëndrueshmërinë dhe aftësinë për t’u përshtatur ndaj kushteve të vështira mjedisore, si thatësira. Ruajtja e këtij kultivari ka një ndikim të rëndësishëm në mbrojtjen e biodiversitetit bujqësor në rajon, duke parandaluar zhdukjen e këtyre varieteteve të çmuar me rëndesi historike.”
“ Shprehet Ilva Licaj, kërkuese shkencore pranë Universitetit të Sannio në Benevento të Italisë.
Një risi e rëndësishme në kërkimet e fundit është përdorimi i Inteligjencës Artificiale (IA) në bujqësi. Kjo teknologji ndihmon në analizimin e një sasie të madhe informacioni dhe zbulimin e modeleve që mund të mos vihen re me metodat tradicionale. Ajo po bëhet një mjet i dobishëm për përmirësimin e të korrave dhe menaxhimin e kushteve të vështira si thatësira apo sëmundjet e bimëve. Megjithatë, përdorimi i IA kërkon kujdes për të siguruar rezultate të sakta dhe të besueshme.
Një studim i fundit ka përdorur algoritme të IA për të analizuar se si gruri reagoi ndaj mungesës së ujit. Qëllimi ishte të identifikoheshin llojet më rezistente ndaj thatësirës dhe të kuptohej më mirë lidhja mes strukturës së bimëve dhe sjelljes së tyre në kushte të vështira. IA ndihmoi në dallimin e dy llojeve të grurit, Saragolla dhe Svevo, duke treguar se ato kishin reagime të ndryshme ndaj stresit të thatësirës.
Rezultatet e studimit tregojnë se varietetet e vjetra të grurit, si Saragolla, mund të jenë shumë të vlefshme për përmirësimin e të korrave dhe përballimin e ndryshimeve klimatike. Investimi në kërkime dhe ruajtja e këtyre varieteteve jo vetëm që mbron traditën bujqësore, por edhe ndihmon në sigurimin e një prodhimi më të qëndrueshëm në të ardhmen.
Burimi:
Ilva Licaj, studente doktorature pranë Universitetit të Sannio në Benevento të Italisë
Licaj, I., Felice, D., Germinario, C., Zanotti, C., Fiorillo, A., Marra, M., & Rocco, M. (2023). An artificial intelligence-integrated analysis of the effect of drought stress on root traits of “modern” and “ancient” wheat varieties. Frontiers in Plant Science, 14, 1241281.
Licaj, I., Di Meo, M. C., Fiorillo, A., Samperna, S., Marra, M., & Rocco, M. (2023). Comparative analysis of the response to polyethylene glycol-simulated drought stress in roots from seedlings of “modern” and “ancient” wheat varieties. Plants, 12(3), 428.
Licaj, I., Germinario, C., Di Meo, M. C., Varricchio, E., & Rocco, M. (2024). The physiology and anatomy study in leaves of Saragolla and Svevo wheat cultivars under polyethylene glycol-simulated drought stress. Functional Plant Biology, 51(2).
Licaj, I., Fiorillo, A., Di Meo, M. C., Varricchio, E., & Rocco, M. (2024). Effect of Polyethylene Glycol-Simulated Drought Stress on Stomatal Opening in “Modern” and “Ancient” Wheat Varieties. Plants, 13(11), 1575.
Ndryshueshmëria dhe ndryshimet klimatike përkeqësojnë shfaqjen e dëmtuesve dhe sëmundjeve të bimëve, që shkaktohen nga temperatura, rreshjet dhe lagështia e...