Turizmi botëror po përjeton një transformim të thellë, i cili po sfidon dhe ndryshon rrënjësisht modelet tradicionale të udhëtimit. Ndryshimet klimatike nuk përbëjnë më një rrezik të largët, por janë një realitet konkret që po riformëson destinacionet turistike në mbarë botën. Vera, që dikur konsiderohej si sezoni më i preferuar për pushime, po bëhet gjithnjë e më pak tërheqëse për turistët për shkak të valëve të të nxehtit, zjarreve dhe kushteve ekstreme të motit.
Indeksi për Klimën dhe Turizmin (TCI) vlerëson përshtatshmërinë klimatike për turizëm duke marrë parasysh faktorë si temperatura, lagështia relative, reshjet, era dhe rrezatimi diellor. Rezultatet e analizave tregojnë se zonat që tradicionalisht kanë qenë destinacione verore po humbasin gradualisht atraktivitetin e tyre, ndërsa rajone të tjera më parë më pak të preferuara po fitojnë një avantazh të ri konkurrues si pasojë e kushteve klimatike më të favorshme.
Ky indeks, i cili integron disa prej parametrave më domethënës klimatikë në një vlerësim të vetëm të përshtatshmërisë klimatike për aktivitetet turistike, mundëson një interpretim më gjithëpërfshirës të potencialit klimatik të vendit. Rezultatet tregojnë qartë se Shqipëria ofron kushte klimatike të favorshme për turizëm jo vetëm gjatë muajve të verës, siç ka qenë perceptimi tradicional, por në shumë zona dhe gjatë pjesës më të madhe të vitit.
Kjo qasje e re nxit rikonceptimin e sezonit turistik duke zgjeruar horizontin e planifikimit dhe zhvillimit të produkteve turistike që nuk lidhen vetëm me plazhin dhe detin, por edhe me turizmin malor, kulturor, rural dhe ekoturizmin, duke mundësuar kështu një shfrytëzim më të plotë dhe të qëndrueshëm të potencialeve klimatike të vendit.
Prof. Dr. Petrit Zorba, meteorolog pranë Departamentit të Meteorologjisë, Instituti i Gjeoshkencave
Turizmi në Shqipëri ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme, duke u trefishuar nga 3.67 milion vizitorë në fillim të dekadës së fundit në 11.7 milion në 2024 sipas INSTAT-it. Megjithatë, kjo rritje vjen në një kohë kur vetë kushtet klimatike po ndryshojnë në mënyrë dramatike.
Studimet evropiane tregojnë një transformim radikal të sezonit turistik. Projeksionet për periudhën 2071-2100 sugjerojnë se prilli do të jetë muaji me rritjen më të madhe të aktivitetit turistik me +8.89%, ndërsa korriku do të shohë uljen më të madhe të kërkesës turistike deri -5.72% në skenarët më pesimistë. Pranvera dhe vjeshtja po bëhen sezonet e reja të preferuara të turistët në kontinentin evropian.
Ndryshimet klimatike po krijojnë një hartë të re turistike në Evropë, ku pjesa veriore po përfiton nga kushte më të mira verore dhe sezon më i gjatë, ndërsa Ballkani dhe Franca po shijojnë kushte të shkëlqyera pranverore. Zonat malore dhe kontinentale tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë për shkak të temperaturave më të moderuara. Nga ana tjetër, jugu i mesdheut po përballet me verë tepër të nxehtë dhe të thatë, ndërsa destinacionet tradicionale bregdetare po përjetojnë kushte të pabanueshme gjatë periudhë së verës. Infrastrukturat kanë nevojë për klimatizim më të fuqishëm dhe hapësira të mbyllura gjatë verës. Marketingu duhet të rikonceptohet për të promovuar destinacionet gjatë sezoneve të reja optimale, ndërsa zhvillimi i produkteve turistike duhet të përqendrohet në krijimin e aktiviteteve të përshtatshme për kushtet e reja klimatike.

Analiza e TCI tregon se periudha mars-qershor dhe shtator-nëntor ofron kushte nga të pranueshme deri të shkëlqyera, ndërsa lagështia relative ndodhet në nivele optimale prej 40-60%. Kombinimi bregdetit, maleve dhe liqeneve ofron diversitet të jashtëzakonshëm për kushte të ndryshme klimatike. Destinacionet që përshtaten shpejt me këtë realitet të ri duke zhvilluar strategji për sezon të zgjatur dhe duke investuar në infrastruktura të përshtatshme do të jenë fituesit e së ardhmes.
Për Shqipërinë, kjo paraqet një mundësi të artë për të pozicionuar veten si një destinacion katër-sezonal, duke shfrytëzuar diversitetin e saj klimatik dhe gjeografik për të tërhequr vizitorë gjatë gjithë vitit.
Ndryshimet klimatike ndikojnë drejtpërdrejtë në mënyrën e të bërit turizëm. Rritja e temperatures nuk krijon kushte të përshtateshme që turistët të përfshihen në transport të vazhduar; gjithashtu, ndikon në shkurtimin e periudhës së turizmit dimëror sportiv si: skive, alpinizmi. Ndërkohë, rritja e nivelit të detit ndikon në degradimin e plazheve. Në rastin e Shqipërisë erozioni ka prekur plazhet e Shëngjinit, Kunes, Qerretit, etj. Ka pasur edhe humbje të gjireve, dëshmive arkeologjike, si dhe artifakteve të ndryshme.
Dr. Blerta Avdia, pedagoge pranë Kolegjit Universitar Logos
Në ketë drejtim shprehemi se ndryshimet klimatike nuk ndikojnë vetëm në rikonceptim të formave të turizmit, por ata po sfidojnë dhe objektivin e zhvillimit të qëndrueshëm turistik. Kjo, për arsye se dhe zgjidhjet alternative që ofrohen janë të përkoshme.
Megjithatë, ajo çfarë përfiton Shqipëria nga rikonceptimi i turizmit për efekt të ndryshimeve klimatike është përfshirja në hartën turistike e të gjithë hapësirës gjeografike shqiptare, si destinacion turistik përgjatë gjithë vitit. Diçka e tillë, veçanërisht në zonat që në periudhen e dimrit ishin lënë jashtë si pasojë e bllokimit të rrugëve nga dëbora. Tashmë, ato mund të shndërrohen si destinacione turistike për turizmin rural, peishazhor, ekoturizëm, etj.
Ndryshimet klimatike po vendosin përpara sfidave të gjithë aktorët, si vendimmarrësit, bizneset turistike, ashtu dhe ekspertët, të cilët tashmë duhet të fokusohen në zhvillimin e formave të reja të turizmit, p.sh., ai kulturor i orientuar në muze (mjedise të mbyllura), turizmi argëtues gjatë orëve të mbrëmjes. Gjithashtu, ekspertët e turizmit duhet të identifikojnë produktet e reja turistike dhe orientimin e vendimmarrësve për hartimin e politikave, planeve të veprimit bazuar në avantazhet krahasuese të potencialeve turistike në kushtet e reja klimatike.
Aktualisht, jemi në sfidë me kohën për përshtajen ndaj kushteve të reja klimatike për zhvillimin e turizmit lidhur kjo dhe me mungesën e infrastrukturës, kapaciteve profesionale dhe mjeteve teknologjike.
Pyetja nuk është më “a do të ndryshojë turizmi për shkak të klimës?”, por “sa shpejt mund të përshtatemi me ndryshimin që tashmë po ndodh?”
Burimi:
Prof. Dr. Petrit Zorba, meteorolog pranë Departamentit të Meteorologjisë, Instituti i Gjeoshkencave
Dr. Blerta Avdia, pedagoge pranë Kolegjit Universitar Logos