Shkencëtarët parashikojnë, se gjatë viteve të ardhshme, bota në të cilën jetojmë do të arrijë temperaturat më të larta, të matura ndonjëherë.Parashikimet tregojnë se mundësitë e tejkalimit të kufirit +1,5 oC të ngrohjes globale në 2027-ën, janë 66%. Kjo edhe për shkak të shtimit të shkarkimeve, si pasojë e aktivitetit njerëzor, por edhe për shkak të ndryshimeve të pritshme në modelet e motit (fenomeni El Niño). Arktiku do të përjetojë nivele të ngrohjes në rritje, krahasimisht shumë rajoneve të tjera, me anomali të temperaturave, që priten të jenë tre herë më të larta, në pesë dimrat pasues që pritet të përjetojë hemisfera veriore. Sipas raportit Evropa veriore, përfshi Britaninë e Madhe, do të përjetojë rreshje të shtuara gjatë maj-shtatorit, në pesë vitet pasuese.
Shkencëtarët parashikojnë, se gjatë viteve të ardhshme, bota në të cilën jetojmë do të arrijë temperaturat më të larta, të matura ndonjëherë.
Parashikimet tregojnë se mundësitë e tejkalimit të kufirit +1,5 oC të ngrohjes globale në 2027-ën, janë 66%. Kjo edhe për shkak të shtimit të shkarkimeve, si pasojë e aktivitetit njerëzor, por edhe për shkak të ndryshimeve të pritshme në modelet e motit (fenomeni El Niño). Nëse bota e kalon kufirin e përcaktuar të temperaturave, shkencëtarët projektojnë edhe skenarët e ndikimeve që mund të shoqërojnë këtë ndryshim. Megjithëse shqetësuese, ata shprehen se ka të ngjarë, që kjo situatë të jetë e përkohshme.
Arritja e pragut të temperaturave tregon se bota është +1.5 oC më e nxehtë se gjysma e dytë e shekullit të XIX-të, pra para se rritja e shkarkimeve nga përdorimi i hidrokarbureve në industri, të merrte këtë lloj përshkallëzimi. Kalimi i këtij kufiri, qoftë edhe për një vit të vetëm është tregues shqetësues, që referon përshpejtim dhe jo ngadalësim të ngrohjes globale. Vlera 1.5 oC është kthyer në një simbol të negociatave globale mbi ndryshimet klimatike. Sipas marrëveshjes së Parisit të vitit 2015, vendet ranë dakord të “bëjnë përpjekje” për të frenuar rritjen e temperaturës globale me 1.5 oC. Thyerja e përvitshme e kufirit +1.5 oC, gjatë një apo dy dekadave rresht, do të nxirrte në pah ndikimet shumë të mëdha të ngrohjes, të tilla si valët e tejzgjatura të të nxehtit, stuhi me intensitet të shtuar dhe zjarre.
Tejkalimi i këtij kufiri, vetëm në njërin prej viteve të ardhshme, nuk do të thotë se marrëveshja e Parisit nuk është përmbushur. Shkencëtarët shprehen se ka ende kohë për të frenuar ngrohjen globale, nëse ulim shkarkimet. Që prej vitit 2020, Organizata Botërore Meteorologjike (OBM) ka vlerësuar si të mundur thyerjen e këtij kufiri, në cilindo prej viteve pasuese. Po atë vit, parashikoi se mundësitë që thyerja e këtij kufiri në kohorin 2020-2025 të ndodhte, ishin nën 20%. Në vitin 2022, vlerësohet se mundësia e tejkalimit të këtij kufiri gjatë pesë viteve pasuese është 50%, ndërsa në 2023 vlerësohet që kjo mundësi të jetë rritur në 66%. Shkencëtarët paralajmërojnë se ky tregues do vijojë të rritet.
Çfarë do të thotë rritja me mbi 1.5 oC e temperaturës?
Kjo e dhënë numerike nuk përfaqëson matje të drejtpërdrejta të temperaturës në botë, por është tregues i ndryshimit, me rritje/zvogëlim të temperaturës në tokë, krahasimisht mesatares globale, afatgjatë. Shkencëtarët përdorin vlerat mesatare të temperaturës për periudhën 1850-1900, si tregues për sa e nxehtë ishte bota, para përdorimit të qymyrit, naftës dhe gazit. Për dekada, shkencëtarët besonin se nëse bota ngrohej me rreth 2 oC, ky do të ishte kufiri me ndikime të rrezikshme për jetën në tokë – por në vitin 2018, e rishikuan ndjeshëm këtë vlerësim, duke paralajmëruar se tejkalimi qoftë edhe me +1.5 oC, jo më me +2 oC, do të ishte katastrofik për botën. Ngrohja e dekadave të fundit duket se ka rritur nivelin e zhivës në termometër. Në 2016, temperaturat globale të regjistruara ishin +1.28 oC mbi nivelin para-industrial.
Studimet e fundit tregojnë se thyerja e këtij rekordi është krejt e pritshme. Studiuesit janë 98% të sigurt, se kjo është diçka që do të ndodhë deri në 2027-ën. Nga analizimi i treguesve ndër vite, studiuesit gjithashtu besojnë se temperaturat do thyejnë edhe kufirin +1.5 oC.
“Sot bota, për herë të parë në historinë njerëzore, është realisht shumë afër mundësisë së një tejkalimi të përkohshëm, me mbi 1.5 oC, të temperaturave mesatare vjetore,” – shprehet Prof. Adam Scaife, kreu i parashikimeve me rreze të gjatë pranë OBM, e cila përpunon të dhënat nga agjencitë e motit dhe klimës, në mbarë botën.
“Unë mendoj se kjo është ndoshta statistika më e zymtë, njëkohësisht e qartë dhe e thjeshtë,” tha ai në një konferencë për shtyp.
Studiuesit theksojnë se nëse rritja e temperaturave në 20 vitet e ardhshme do mbetet në kufirin e 1.5 oC, apo do ta tejkalojë atë, atëherë mund të thuhet se kemi thyer kufirin e temperaturës, të vendosur në marrëveshjen e Parisit. Megjithatë, edhe nëse temperaturat e kalojnë këtë kufi qoftë në një vit të vetëm, diçka e tillë është tregues, që ngrohja globale po avancon dhe nuk po frenohet.
“Megjithatë, ky raport nuk nënkupton që tejkalimi i kufirit 1.5 oC, që i referohet ngrohjes afatgjatë përcaktuar nga marrëveshja e Parisit, do të jetë i përhershëm”, – nënvizoi Sekretari i Përgjithshëm i OBM Prof. Petteri Taalas. “Pavarësisht kësaj, OBM parashikon që tejkalimi në mënyrë të përkohëshme i limit 1.5 oC, do të ndodhë me frekuencë në rritje,” – shtoi ai.
Çfarë ndryshimi do të sjellë El Niño?
Kemi dy elementë kryesorë: Nivelet e larta dhe të vazhdueshme të shkarkimeve, si pasojë e aktivitetit njerëzor, që megjithëse ranë gjatë pandemisë, tanimë janë sërish në rritje. Element tjetër kritik, është mundësia e shfaqjes së El Niño-s, një fenomen i lidhur me motin, që shoqërohet me implikime të rangut global.
Bota ka përjetuar në vijimësi ‘La Niña’ – tanimë, në tre vite radhazi, duke penguar disi tendencën e ngrohjes globale. Por nxehtësia shtesë që El Niño do të sillte mbi sipërfaqen e Paqësorit, vitin e ardhshëm – siç parashikohet, ka të ngjarë të nxisë rritjen e temperaturave globale, në një tjetër nivel. Megjithatë, ka ende paqartësi rreth kohës së shfaqjes dhe amplitudës së saj.
“Vlen të theksohet se shumë nga parashikimet e lidhura me El Niñon, e cila pritet këtë dimër, flasin për amplitudë të lartë të saj. Megjithatë parashikimet për magnitudën, apo përsëritjen e tyre, brenda një pesëvjeçari, mungojnë” – tha për gazetarët, Prof. Scaife.
Ndikimet e mundëshme mbi Mbretërinë e Bashkuar dhe në botë?
Arktiku do të përjetojë nivele të ngrohjes në rritje, krahasimisht shumë rajoneve të tjera, me anomali të temperaturave, që priten të jenë tre herë më të larta, në pesë dimrat pasues që pritet të përjetojë hemisfera veriore. Sipas raportit Evropa veriore, përfshi Britaninë e Madhe, do të përjetojë rreshje të shtuara gjatë maj-shtatorit, në pesë vitet pasuese.