Ndryshimet klimatike po ndikojnë në uljen e vlerave ushqyese të kulturave bujqësore. Studimet tregojnë se rritja e niveleve të CO2 në atmosferë po shkakton ndryshime të rëndësishme në përbërjen ushqimore të shumë produkteve bujqësore që konsumojmë çdo ditë, duke rrezikuar kështu edhe dietat më të balancuara.
Ndryshimet klimatike po sjellin transformime të thella në klimën globale. Shpeshtimi dhe intensifikimi i fenomeneve ekstreme të motit, të tilla si thatësirat, stuhitë, përmbytjet dhe valët e të nxehtit, po krijon sfida të reja për prodhimin bujqësor. Këto ndikime në sistemet tona ushqimore po bëhen gjithnjë e më të dukshme dhe komplekse për t’u menaxhuar.
Ndërsa ndryshimet klimatike mund të zgjatin sezonin e rritjes së bimëve në disa zona, duke mundësuar rendimente më të larta. Gjithashtu, ato mund të shoqërohen me rreziqe të konsiderueshme. Fenomenet ekstreme të motit, veçanërisht thatësirat e zgjatura, mund të shkaktojnë dëmtimin e plotë të kulturave para se ato të arrijnë pjekurinë. Por, përveç këtyre efekteve të dukshme, dyoksidi i karbonit ka edhe një ndikim më pak të njohur edhe pse po aq shqetësues: ai po ul cilësinë nutricionale të ushqimeve tona.
Përse po bëhet ushqimi ynë më pak i pasur me vlera ushqyese?
Sipas disa studimeve, shumë faktorë po kontribuojnë në ndryshimet e përmbajtjes së lëndëve ushqyese në produktet tona. Një nga faktorët kryesorë janë shkarkimet e dyoksidit të karbonit të shkaktuara nga njeriu.
Përqendrimi i këtij gazi në atmosferë është rritur në mënyrë dramatike që nga fillimi i Revolucionit Industrial, duke u ngjitur nga 280 pjesë për milion (ppm) në rreth 420 ppm në ditët e sotme. Më shqetësues është fakti që ky trend rritës vazhdon të përshpejtohet. Rritja e vazhdueshme e këtyre shkarkimeve po çon në destabilizimin e sistemeve klimatike, duke krijuar sfida të mëdha për prodhimin bujqësor global.
Rritja e përqendrimit të dyoksidit të karbonit në atmosferë, përtej efekteve të saj në klimë dhe mot, po transformon procesin e rritjes së bimëve dhe po ndryshon përbërjen e tyre ushqyese. Ndikimi nuk kufizohet vetëm te kulturat bujqësore. Përmes efektit zinxhir, cilësia e ulët ushqyese e bimëve që përdoren si ushqim për bagëtitë po ndikon edhe në vlerat ushqimore të produkteve shtazore si mishi dhe qumështi.
Qumështi dhe mishi ndikohen në mënyrë të ngjashme nga rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike. Në rastin e gjedhëve dhe ripërtypësve të vegjël si delet dhe dhitë, fermat zakonisht kanë një orientim të përzier, që do të thotë se merren njëkohësisht me prodhimin e qumështit dhe mishit. Për këtë arsye, ndikimi i ndryshimeve klimatike mund të jetë i njëkohshëm ose i ngjashëm për të dy zinxhirët e vlerës, si atë të qumështit dhe produkteve të qumështit, ashtu edhe atë të mishit.
Si po ndikon ndryshimi i kullotave në cilësinë e bagëtive të imta në vendin tonë?
Kullotat në zonat malore dhe kodrinore të vendit janë ndër burimet kryesore të ushqimit për bagëtitë e imta. Larmia e bimëve që rriten në këto kullota përcakton vlerën ushqyese të dietës së tyre. Në zonat me kullota të pasura, ku bimësia është e larmishme dhe përmban bimë aromatike si trumzë, sherebelë apo rigon, cilësia e prodhimeve është më e lartë. Produktet si mishi dhe djathi përftojnë aroma dhe shije unike, duke i bërë të veçanta dhe të kërkuara në treg.
Ndryshimet klimatike ndikojnë ndjeshëm në biodiversitetin e kullotave, duke ndikuar si në llojet e bimëve që rriten në kullota, ashtu edhe në funksionimin e ekosistemeve ku këto kullota ndodhen.
Temperaturat më të larta dhe reshjet më të pakta shkaktojnë thatësira të gjata, të cilat ndikojnë në rritjen e bimëve. Bimët me kërkesa të larta për ujë zhduken, ndërsa bimët rezistente ndaj thatësirës (p.sh., barërat invazive) fitojnë dominancë. Kjo ul diversitetin e bimëve dhe redukton vlerën ushqimore të kullotave për bagëtitë. Për shembull, bimët aromatike që janë thelbësore për cilësinë e mishit dhe qumështit mund të pakësohen apo zhduken nga habitatet e tyre tradicionale.
Degradimi i kullotave, si pasojë e erozionit, thatësirës së zgjatur dhe mbishfrytëzimit, ka ulur ndjeshëm cilësinë e habitatit ushqimor. Kjo çon në varfërimin e dietës së bagëtive, duke ndikuar negativisht në rritjen dhe mirëqenien e tyre.
Ndryshimet në cilësinë dhe sasinë e ushqimit natyror kanë ndikuar në rritjen më të ngadaltë të bagëtive të imta. Një dietë e varfër çon në maturim të vonuar të tyre, duke e zgjatur periudhën e rritjes dhe duke ulur efikasitetin ekonomik të fermave. Në disa raste, fermerët janë të detyruar të therin bagëtitë më herët, gjë që ndikon në cilësinë e mishit, duke e bërë më pak të shijshëm dhe më pak të kërkuar nga tregu.
Po ashtu, thatësirat e zgjatura gjatë verës ndikojnë ndjeshëm në kullotat natyrore, duke ulur prodhimin e qumështit, ngadalësuar rritjen dhe përkeqësuar raportin mish/kocka, e si rrjedhim, cilësinë e mishit. Përdorimi i ushqimeve suplementare të përpunuara, në këto kushte, natyrisht ndikon në cilësinë dhe shijen e mishit. Krahasuar me bagëtitë që ushqehen kryesisht në kullota natyrore, këto produkte humbasin karakteristikat unike të zonave tradicionale të kullotjes.
Gjithashtu, a ekzistojnë raca në vendin tonë që konsiderohen më të përshtatshme ndaj ndryshimeve klimatike dhe që mund të mbarështohen më shumë në të ardhmen?
Një nga karakteristikat e racave lokale në përgjithësi, përfshirë edhe ato në vendin tonë, është përshtatshmëria e lartë ndaj kushteve të vështira klimatike.
Kjo përshtatshmëri vjen për dy arsye kryesore: Njëra lidhet me trashëgiminë gjenetike të racave lokale, dhe tjetra me sistemet e prodhimit dhe praktikat e mbarështimit të tyre.
Sistemet e prodhimit dhe njohuritë e fermerëve për t’iu përshtatur situatave të ndryshme, si ndryshimet e temperaturave, thatësira apo lagështira, duke ndryshuar teknikat e mbarështimit dhe aplikuar praktikat më të mira blegtorale ekstensive, janë një element që siguron përshtatshmërinë e tyre ndaj ndryshimeve klimatike. Megjithatë faktori kryesor për një përshtatshmëri me ndryshimet klimatike mbetet, faktori gjenetik, pra raca.
Ndryshe nga racat e njohura ndërkombëtarisht për nivele të larta prodhimi, të cilat janë rezultat i një seleksionimi të gjatë dhe intensiv që shpesh çon në ngushtimin e ndryshueshmërisë gjenetike, racat lokale dallohen për një bazë gjenetike të pasur. Kjo u mundëson kafshëve të aktivizojnë gjene të përshtatshme për t’u përballur me kushtet e vështira klimatike dhe ndryshimet e tyre.
Shqipëria njihet për pasurinë gjenetike në bagëtitë e imta, qofshin dele apo dhi. Kjo pasuri gjenetike është rezultat i kushteve shumë të ndryshueshme të relievit dhe klimës, por edhe i kulturës së pasur baritore, e cila gjithashtu ka ndikuar në këtë pasuri. Në vendin tonë ekzistojnë disa raca lokale, si të dhive ashtu edhe të deleve, që bartin aftësinë për t’iu përshtatur kushteve të vështira dhe po ashtu ndryshimeve klimatike. Është pikërisht kjo aftësi për t’iu përshtatur kushteve të vështira klimatike që ka bërë që fermerët të mos preferojnë kryqëzime me raca të importuara. Madje vërehet një ndarje e qartë midis sistemeve të prodhimit tradicionale, të mbështetura tërësisht mbi racat lokale, dhe atyre intensive, të mbështetura mbi racat e importuara.
Mbizotërimi i një terreni kryesisht malor dhe kodrinor, me kullota të shumta natyrore, ka favorizuar ruajtjen e sistemeve ekstensive të mbarështimit dhe, rrjedhimisht, edhe të racave lokale si më të përshtaturat për këto sisteme. Bagëtitë e imta në zonat fushore, me bujqësi intensive, kanë një përhapje të vogël, pasi kostoja e prodhimit në këto sisteme dhe zona i bën produktet e tyre jo konkurruese kundrejt prodhimeve që vijnë nga zonat kodrinore e malore me sisteme ekstensive prodhimi. Po ashtu, edhe cilësia e produkteve blegtorale, qumështit dhe mishit, është më e ulët në sistemet intensive. Megjithëse përhapja e racave të importuara me cilësi të larta prodhuese është në rritje, ato mbeten në përqindje të ulëta krahasuar me racat lokale.
Vitet e fundit vërehet një ulje e ndjeshme e numrit të bagëtive, veçanërisht në zonat malore, dhe kjo si rezultat i lëvizjeve të popullsisë dhe interesit të ulët nga të rinjtë për të ndjekur traditën familjare. Kjo ulje është gati tërësisht në bagëtitë e racave lokale. Epërsia që kanë këto raca nuk është e mjaftueshme për të motivuar popullsinë e këtyre zonave të vazhdojë traditën. Përparësitë që kanë racat lokale për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike janë një pasuri kombëtare që po humbet. Ruajtja dhe përmirësimi i tyre është sot sfida më e madhe. Kjo kërkon një mbështetje serioze nga strukturat shtetërore nëpërmjet një pakete politikash mbështetëse.
Prof. Asoc. Dr. Petrit Dobi thotë për Klima sot se ndër të tjera, duhet që sa më parë të hartohen programe racore për të paktën racat lokale më të njohura, si Ruda apo Bardhoka tek dhentë, dhe Hasi, Dragobia, Caporja e Mokrës, dhia e Matit apo Muzhakja tek dhitë. Këto programe duhet të synojnë jo vetëm ruajtjen e tyre, por edhe përmirësimin e vazhdueshëm duke synuar rritjen e prodhueshmërisë, pa cenuar aftësitë përshtatëse me kushtet lokale apo ndryshimet klimatike.
Burimi:
Prof. Asoc. Dr. Petrit Dobi, Drejtori i Programit të Mbështetjes së Zonave Rurale