Liderët botërorë, vendimmarrësit dhe aktorë të tjerë si përfaqësues të sektorit privat, rinia dhe shoqëria civile nga e gjithë bota do të mblidhen në Baku, Azerbajxhan, për Konferencën Vjetore të Njëzetenëntë të OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike, e cila zhvillohet midis datave 11 dhe 22 nëntor. Kjo do të thotë që vëmendja është përsëri mbi krizën klimatike dhe veprimtaritë që duhet të ndërmarrin aktorët kryesorë në kuadër të këtij angazhimi. Ndër çështjet më të diskutueshme mbetet shuma e financimit që do të ofrojnë vendet e zhvilluara dhe identifikimi i aktorëve që duhet të sigurojnë financimin për klimën. Shtetet e Bashkuara dhe ekonomitë e tjera të mëdha kërkojnë zgjerimin e bazës së kontribuesve, ndërsa vendet në zhvillim argumentojnë se kjo është jashtë mandatit të Objektivit të Ri Kolektiv të Përcaktuar (NCQG).
Mosmarrëveshje të tjera përfshijnë përcaktimin e përfituesve të fondeve – nëse duhet të përfshihen të gjitha vendet në zhvillim apo vetëm ato më të rrezikuarat – si dhe llojin e financimit. Vendet në zhvillim kërkojnë të shmangin financimin me borxhe. Një studim i kohëve të fundit tregon se vendet më të rrezikuara nga klima paguajnë dyfish më shumë në vit për shlyerjen e borxheve të jashtme krahasuar me ndihmën financiare që marrin për të adresuar ndryshimet klimatike. Kjo barrë financiare kufizon investimet e tyre në përpjekjet për qëndrueshmëri dhe përshtatje ndaj klimës, duke rritur ekspozimin ndaj rreziqeve klimatike.
Çështja e financimit klimatik mund të ndikojë në ambicien e angazhimeve të NDC-së që pritet të dorëzohen në fillim të vitit të ardhshëm, veçanërisht për vendet në zhvillim. Këto vende hezitojnë të ndërmarrin angazhime më ambicioze pa siguruar paraprakisht mbështetje të qartë financiare përmes NCQG. Azerbajxhani, Brazili dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë propozuar një iniciativë të përbashkët që njeh lidhjen mes financimit dhe ambicies, por SHBA dhe BE-ja kundërshtojnë një kushtëzim të tillë të shprehur. Si pasojë, vendet në zhvillim shprehin dyshime se nevojat dhe sfidat e tyre do të marrin vëmendjen e duhur.
Vendet do të duhet të ndjekin angazhimet e mëparshme dhe të avancojnë të tjera, të gjitha këto, në një kontekst gjeopolitik më sfidues. Qëllimi i tyre, pothuajse tridhjetë vite pas Konferencës së Parë të Palëve (COP) në Berlin, mbetet i njëjtë: të rritet angazhimi ndërkombëtar për të frenuar ngrohjen globale nën 1.5°C (2.7°F) mbi nivelet para-industriale, për të shmangur dëme katastrofike për planetin.
Megjithatë, bota është në prag të tejkalimit të këtij kufiri. Në COP-in e këtij viti, vendet do të përqendrohen në shtysën për ulje më të mëdha të shkarkimeve dhe identifikimin e burimeve të reja të financimit.
Çfarë është në rrezik në samitin e këtij viti?
COP29 zhvillohet në një moment kritik, ndërsa afati për paraqitjen e planeve të përditësuara të vendeve nënshkruese të Marrëveshjes së Parisit për reduktimin e shkarkimeve të gazeve serë, afrohet në shkurt 2025. Këto angazhime, të njohura si Kontributet Kombëtare të Pikësynuara (NDCs), përbëjnë thelbin e përpjekjeve të Marrëveshjes së Parisit për të kontrolluar rritjen e temperaturave globale.
Deri më tani, këto angazhime vullnetare kanë qenë të pamjaftueshme për ta ri-orientuar botën në trajektoren e duhur drejt kufizimit të ngrohjes deri në 1.5°C, e aq më pak në 2°C. Sipas vlerësimeve të OKB-së, politikat aktuale po e çojnë planetin drejt një rritjeje temperature prej 2.6-3.1°C, deri në vitin 2100. Çdo rritje prej një të dhjetës gradë sjell kushte gjithnjë e më ekstreme të motit.
Situata është veçanërisht shqetësuese, pasi nivelet e dyoksidit të karbonit dhe metanit në atmosferë kanë arritur pikën më të lartë të regjistruar ndonjëherë, duke shënuar një rekord botëror prej 37.4 miliard tonësh (GT) në vitin 2023. Rreth 90% e këtyre shkakrimeve e kanë prejardhjen nga djegia e lëndëve fosile. Kryetari i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, grupi shkencor këshillues i procesit të OKB-së, paralajmëron se angazhimet e pamjaftueshme po krijojnë një “pamje të zymtë” për të ardhmen.
Zvogëlimi i shkarkimeve dhe nxitja e energjisë së gjelbër. Presidenca e COP29 ka prezantuar disa nisma të rëndësishme për energjinë e rinovueshme. Ndër to është angazhimi Global për Ruajtjen e Energjisë dhe Rrjeteve, që synon të përmirësojë infrastrukturën energjitike dhe kapacitetet e magazinimit në nivel global. Gjithashtu, është paraqitur një Deklaratë për Hidrogjenin dhe një Deklaratë për Reduktimin e Metanit nga Mbetjet Organike.
Drejtuesit e konferencës kanë propozuar edhe Deklaratën për Veprime të Gjelbra Dixhitale, e cila synon uljen e shkarkimeve në sektorët e informacionit dhe ata të komunikimit. Megjithatë, vërehet se axhenda nuk e adreson drejtpërdrejt çështjen e tranzicionit nga lëndët djegëse fosile, pavarësisht marrëveshjes së arritur me vështirësi në COP-in e vitit të kaluar që sinjalizonte “fillimin e fundit” të epokës së lëndëve fosile.
Mungesa e kësaj pike në axhendë ka ngjallur shqetësime për mundësinë e një hapi prapa në Baku, veçanërisht duke marrë parasysh varësinë e konsiderueshme që vendi pritës ka nga gazi natyror.
Ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike. Presidenca e COP-it ka prezantuar një sërë iniciativash të rëndësishme, duke përfshirë një nismë klimatike të dedikuar për fermerët dhe një deklaratë që kërkon qasje të integruara në luftën kundër kërcënimeve klimatike që prekin mjediset ujore dhe ekosistemet.
Një tjetër propozim i rëndësishëm është Nisma për Zhvillimin Njerëzor për Qëndrueshmëri ndaj Klimës, e cila i kushton vëmendje të veçantë arsimit, aftësive, shëndetit dhe mirëqenies. Ndërkohë, Deklarata e COP29 për Rrugët e Veprimit Shumësektorial (MAP) synon të forcojë qëndrueshmërinë klimatike të zonave urbane.
Objektiva të reja për financimin klimatik. Pritet që vendet të zëvendësojnë angazhimin e vjetër prej 100 miliardë dollarësh në vit për vendet në zhvillim, që u vendos në Marrëveshjen e Kopenhagenit të vitit 2009. Objektivi i ri, i njohur si Objektivi i Ri Kolektiv i Përcaktuar (NCQG), do të jetë temë diskutimi në COP-in e nëntorit dhe synohet të fillojë zbatimin nga shkurti i 2025.
Sipas një raporti të vitit 2022 nga Grupi i Pavarur i Ekspertëve të Nivelit të Lartë për Financimin Klimatik, vendet në zhvillim kanë nevoja të konsiderueshme për financim. Konkretisht, atyre u nevojiten rreth 1 triliardë dollarë në vit deri në 2025 dhe kjo shifër pritet të rritet në 2.4 triliardë dollarë deri në 2030 për të përmbushur nevojat e tyre për financim klimatik.
Financimi për klimën. Ndër çështjet më të diskutueshme mbetet shuma e financimit që do të ofrojnë vendet e zhvilluara dhe identifikimi i aktorëve që duhet të sigurojnë financimin për klimën. Shtetet e Bashkuara dhe ekonomitë e tjera të mëdha kërkojnë zgjerimin e bazës së kontribuesve, ndërsa vendet në zhvillim argumentojnë se kjo është jashtë mandatit të Objektivit të Ri Kolektiv të Përcaktuar (NCQG).
Mosmarrëveshje të tjera përfshijnë përcaktimin e përfituesve të fondeve, nëse duhet të përfshihen të gjitha vendet në zhvillim apo vetëm ato më të rrezikuarat, si dhe llojin e financimit. Vendet në zhvillim kërkojnë të shmangin financimin me borxhe. Një studim i kohëve të fundit tregon se vendet më të rrezikuara nga klima paguajnë dyfish më shumë në vit për shlyerjen e borxheve të jashtme krahasuar me ndihmën financiare që marrin për të adresuar ndryshimet klimatike. Kjo barrë financiare kufizon investimet e tyre në përpjekjet për qëndrueshmëri dhe përshtatje ndaj klimës, duke rritur ekspozimin ndaj rreziqeve klimatike.