Kurrikulat janë programe mësimore që ofrojnë një udhëzues të strukturuar për mësimdhënien, duke përfshirë përmbajtjen, objektivat dhe aktivitetet që duhen përvetësuar në një nivel të caktuar arsimor. Ato synojnë të japin njohuri të thelluara dhe aftësi praktike për nxënësit, duke u fokusuar në aspekte të ndryshme të lëndëve të studimit dhe duke u përpjekur të përgatisin brezin e ri për sfidat që mund të përballen në të ardhmen.
Në kontekstin e ndryshimeve klimatike, kurrikula duhet të përfshijë njohuri themelore mbi klimën, si dhe efektet e ndryshimeve klimatike. Ajo duhet të theksojë zgjidhje praktike si energjia e rinovueshme dhe mbrojtja e biodiversitetit, si dhe projekte që angazhojnë nxënësit për të reduktuar gjurmën e karbonit. Gjithashtu, trajnimi i mësuesve është thelbësor për të përçuar njohuri aktuale dhe për të inkurajuar nxënësit të marrin përgjegjësi si qytetarë të ndërgjegjshëm dhe aktivë për mjedisin.
Synimi i kësaj kurrikule nuk është thjesht të informojë nxënësit mbi faktet shkencore, por edhe të krijojë një kuptim të thellë mbi ndikimet që këto ndryshime kanë në shëndetin e njeriut, biodiversitetin dhe në ekonominë e vendit.
Nga studimi i programeve mësimore, është vënë re se ndryshimet klimatike kanë filluar të trajtohen që në klasën e dytë me temën “Moti i pazakontë”, ku nxënësit mësojnë rreth ndryshimeve të motit dhe klimës, dhe kuptojnë si ndodhin ndryshimet në kushte atmosferike.
Nga një studim i detajuar i kurrikulave të biologjisë së tre niveleve arsimore, në lidhje me njohuritë që ato ofrojnë për mjedisin dhe specifikisht, për ndryhimet klimatike u vu re se kurrikulat ofronin njohuri të mjaftueshme sipas niveleve përkatëse.
Në nivelin arsimit fillor, fokusi është për të kuptuar konceptet themelore të mjedisit dhe ndikimeve të tij në jetën e përditshme. Nxënësit mësojnë rreth ndryshimeve të motit dhe klimës, dhe kuptojnë si ndodhin ndryshimet në kushte atmosferike. Nxënësit e klasave të pesta dhe të gjashta kryejnë monitorime dhe regjistrime të të dhënave të motit dhe bëjnë diskutime mbi karakteristikat e motit mbështetur në vëzhgimet e kryera, mënyrat me të cilat veprimtaria e njeriut ndikon në habitate lokale, përshkruan kushtet që ju duhen bimëve dhe kafshëve për të jetuar.
Arsimi i mesëm i ulët u ofron nxënësve sfida të reja për zhvillimin e tyre intelektual, shoqëror, etik, fizik, shpirtëror etj. Ky nivel edukativ përgatit nxënësit për arsimin e mesëm të lartë duke ndihmuar në zhvillimin e aftësive dhe njohurive të nevojshme për të përballuar sfidat akademike dhe për të bërë zgjedhje të informuara për studimet e ardhshme. Nxënësit mësojnë për konceptet themelore të ndryshimeve klimatike, duke përfshirë shkakun e tyre, siç janë emetimet e gazeve serrë dhe ndotja.
Kurrikula për ndryshimet klimatike duhet të:
- Shpjegojë mekanizmin e ndryshimeve klimatike, si efektet e gazeve serrë dhe ngrohja globale.
- Tregojë ndikimin e veprimtarisë njerëzore, si industria, transporti dhe bujqësia.
- Analizojë pasojat e ndryshimeve të klimës mbi biodiversitetin, ekosistemet dhe komunitetet njerëzore.
- Informojë mbi marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjet për klimën.
- Edukojë për përdorim të energjisë së rinovueshme, riciklimin dhe praktikat ekologjike.
- Tregojë mënyrat për të zvogëluar emetimet e karbonit dhe për të përblluar ndikimet tashmë ekzistuese.
- Zhvillojë projekte dhe aktivitete për të angazhuar nxënësit në mbrojtjen e mjedisit.
Edukimi i brezave të rinj rreth ndryshimeve klimatike është thelbësor për të krijuar një shoqëri të qendrueshme dhe të vetëdijshme për sfidat mjedisore. Duke u pajisur me njohuri shkencore mbi ndryshimet klimatike, ndikimet e tyre dhe zgidhjet për zvogëlimin e efekteve negative, nxënësit jo vetëm që ndërtojnë një bazë të fortë teorike, por gjithashtu marrin pjesë aktive në projekte që i angazhojnë për të bërë ndryshime reale. Këto përvoja i ndihmojnë të kuptojnë rëndësinë e përgjegjësisë individuale dhe kolektive ndaj planetit dhe i përgatisin për të qenë qytetarë të angazhuar që kontribuojnë për një të ardhme më të qendrueshme dhe më të shëndetshme për të gjithë.
Burimi:
Sara Skënderi “Extrakurrikul: Ndikimi i ndryshimeve klimatike në shëndetin e njeriut dhe biodiversitet“