Organizata Botërore Meteorologjike (OBM), teksa shpalli fillimin e fenomenit El Niño, paralajmëroi se qeveritë duhet të përgatiten për ngjarje më ekstreme të motit dhe temperatura rekord në muajt e ardhshëm.
El Niño është një model klimatik natyror në Oqeanin Paqësor që sjell temperatura më të ngrohta se mesatarja e sipërfaqes së detit dhe ndikon tek ndryshueshmëria e motit në të gjithë globin, duke prekur miliarda njerëz.
“Shfaqja e El Niño do të rrisë gjasat për thyerje të rekordeve të temperaturës duke shkaktuar nxehtësi ekstreme në shumë pjesë të botës përfshirë edhe oqeanin,” u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i OBM, Petteri Taalas.
Kjo deklaratë duhet të merret si një sinjal nga qeveritë në mbarë botën për të mobilizuar përgatitjet me qëllim kufizimin e ndikimeve që ky fenomen do të ketë në shëndetin e njeriut, në ekosisteme dhe ekonomitë e vendeve.
“Për të shpëtuar jetë dhe aktivitetet ekonomike, qeveritë duhet të krijojnë sisteme të paralajmërimit të hershëm dhe të përgatiten për ngjarje të tjera shkatërruese të motit këtë vit”, shtoi Taalas
Tre vitet e fundit kanë qenë më të ngrohtat e regjistruara, edhe pse ka pasur qarkullim të ‘La Niña’ (e cila është fenomen i karakterizuar nga temperatura më të ftohta krahasimisht me mesataren e oqeanit).
Sipas OBM (Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Motin, Klimën dhe Burimet Ujore) viti 2016 ishte viti më i nxehtë në histori sepse pati një “goditje të dyfishtë”, nga njëra anë El Niño dhe nga ana tjetër ngrohja e shkaktuar nga njeriu përmes aktiviteteve të tij fitimprurëse të tilla si djegia e lëndëve fosile. Duke vazhduar më tej OBM shprehet se El Niño i vitit 2016 duket se do rikthehet më i fuqishëm në vitin 2023 dhe 2024 duke shënuar një rekord të ri nxehtësie.
Rritja e temperaturave të oqeanit, shoqëruar me fenomenin El Niño, zakonisht ndiqen nga shtim i rreshjeve në Amerikën Jugore, Bririn e Afrikës dhe Azinë Qendrore. Gjithashtu mund të ndodhë edhe efekti i kundërt siç janë thatësirat e mëdha, temperatura ekstreme dhe vale të të nxehtit, shoqëruar me zjarre në Australi, Indonezi, pjesë të Azisë jugore, Amerikës Qendrore dhe Amerikës së Jugut. Ndikime të tjera përfshijnë ciklonet e rrezikshme tropikale në Paqësor dhe zbardhjen masive të shkëmbinjve koralore.
Në Indi, një vend kryesor prodhues i orizit, El Niño mund të dobësojë musonin që sjell rreshjet duke ndikuar negativisht kulturat bujqësore.
Një studim i fundit zbuloi që El Niño këtë vit mund të dëmtojë rritjen ekonomike të SHBA, duke ndikuar potencialisht në çdo aspekt, duke filluar nga çmimet e ushqimeve e deri tek shitjet e veshjeve dimërore. Studimi theksoi se humbjet globale të të ardhurave prej 5.7 trilionë dollarësh në El Niño në vitet 1997-98 dhe 4.1 trilion dollarë humbje në vitet 1982-1983 kanë ndodhur për shkak të El Niño. Mundësitë e përmbytjeve ekstreme, thatësirës, zjarreve dhe mungesës së ushqimit mund të rriten në mënyrë dramatike dhe bota mund ta kapërcejë përkohësisht kufirin prej 1.5 gradë Celsius të ngrohjes mbi nivelet para-industriale.
Sipas OBM, ka një probabilitet prej 66% që për të paktën një vit temperaturat globale mesatare vjetore në sipërfaqen e tokës, në periudhën 2023 – 2027, të jetë përkohësisht më shumë se 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale.
“Kjo nuk do të thotë se në pesë vitet e ardhshme ne do të tejkalojmë nivelin 1.5 gradë Celsius të specifikuar në Marrëveshjen e Parisit, sepse kjo marrëveshje i referohet ngrohjes afatgjatë” tha Drejtori i Shërbimeve Klimatike të OBM, Chris Hewitt.
“Megjithatë, është një tjetër thirrje zgjimi, ose një paralajmërim i hershëm, se ne nuk po shkojmë ende në drejtimin e duhur për të kufizuar ngrohjen brenda objektivave të vendosura në Paris në vitin 2015, të krijuara për të reduktuar ndjeshëm ndikimet e ndryshimeve klimatike”.
Një sërë rekordesh klimatike janë thyer tashmë në vitin 2023, me temperatura në rritje, oqeane jashtëzakonisht të nxehtë, nivele të larta të ndotjes së karbonit në atmosferë dhe nivele tepër të ulëta të akullit në Antarktidë. Në të gjithë Azinë, Evropën dhe Amerikën, valët e hershme dhe të zgjatura të të nxehtit këtë vit kanë vrarë njerëz e kafshë dhe kanë dëmtuar të mbjellat duke krijuar pasiguri ushqimore, shtuar rriskun për mungesën e ujit dhe krijuar terrenin për zjarre të paprecedentë/Helen Regan.