Menaxhimi i mbetjeve është një nga përparësitë kryesore të deklaruara nga Qeveria e Shqipërisë, e cila në vitet e fundit ka kryer disa fushata për pastrimin e mbetjeve në zonat bregdetare të vendit. Nga ana tjetër, hapa përpara janë bërë edhe në transpozimin e legjislacionit, duke e përafruar atë me Direktivat kuadër të BE-së.
Pavarësisht disa iniciativave të ndërmarra në mënyrë jo të vazhdueshme për ndërgjegjësimin e komuniteteve, për reduktimin e mbetjeve dhe pastrimin e zonave turistike, problematik mbetet menaxhimi i tyre, kryesisht në bashkitë bregdetare të vendit të cilat janë të detyruara të trajtojnë një sasi më të madhe mbetjesh. Kjo për shkak të numrit të pushuesve dhe aktivitetit ekonomik, i cili është më i lartë gjatë sezonit të verës.
Problemet lidhen kryesisht me shtrirjen e pjesshme të shërbimit në territor, grumbullimin dhe trajtimin e pamjaftueshëm të mbetjeve, praninë e një numri të madh të venddepozitimeve (të autorizuara dhe të paautorizuara) të cilat janë jashtë standardeve higjenike dhe inxhinierike, mungesën e ndarjes së mbetjeve në burim, përqindjen e ulët të riciklimit, mungesën e infrastrukturës për menaxhimin e integruar të mbetjeve, grumbullim të gazit metan apo edhe supervizim të vazhdueshëm nga ana e strukturave të bashkisë.
Metani është një gaz i dëmshëm, i cili për shkak të strukturës së tij, ka aftësi të çlirojë 28-36 herë më shumë nxehtësi në atmosferë sesa dioksidi i karbonit. Në venddepozitime, mbetjet organike të dekompozuara pas lëngëzimit çlirojnë gazin metan, i cili mund të grumbullohet dhe të ndizet, duke shkaktuar zjarre shpeshherë të rrezikshme. Zjarret në venddepozitime, të nxitura nga metani, janë të vështira për t’u kontrolluar dhe mund të digjen për periudha të gjata, duke shkaktuar dëme të vazhdueshme mjedisore dhe shëndetësore. Menaxhimi i duhur i emetimeve të metanit është thelbësor për të zbutur këto rreziqe.
Mungesa e menaxhimit dhe mosmarrja e masave ka bërë që ndër vite këto venddepozitime të marrin shpeshherë flakë dhe të kthehen në një rrezik për shëndetin e banorëve, gjallesave dhe ekosistemeve si pasojë e toksinave të cilat ato emetojnë gjatë djegies së tyre. Rasti më aktual i zjarrit në një venddepozitim ishte ai që ndodhi në bashkinë Vlorë në datë 25/07/2024, i cili ndodhet vetëm 1.5 km larg qendrës së qytetit të Vlorës.
Ky venddepozitim, i cili përdoret aktualisht nga bashkia e Vlorës për depozitimin e mbetjeve urbane, ka marrë flakë edhe në vitet e kaluara, duke u kthyer në një shqetësim serioz për banorët e zonës përreth, qytetarët, bizneset dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat e kanë ngritur disa herë këtë shqetësim.
Në përgjigje të këtij rasti, GreenAL zhvilloi një monitorim të cilësisë së ajrit pas shuarjes së zjarrit. Fillimisht u përcaktua zona që do të monitorohej, ku pikë kryesore monitorimi ishte venddepozitimi, si edhe 4 pika të tjera kontrolli (5 pika monitorimi në total), për të kuptuar ndikimin e zjarrit në zona të ndryshme të bashkisë.
Konkretisht, u bënë matje për komponentët e mëposhtëm, për të cilët vlerat e lejuara nga Bashkimi Evropian (BE), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qeveria Shqiptare respektivisht janë:
Vlerat e këtyre komponentëve në pesë pikat e monitoruara janë:
Nga monitorimi rezulton se nivelet më të larta të ndotjes evidentohen në pikën 1, pranë venddepozitimit, me nivele të larta të PM2.5, CO2 dhe CO, ndërsa nivelet më të larta të NO2 evidentohen në pikën 2, si pasojë e emetimeve nga automjetet dhe aktivitetet industriale. Rritja e niveleve të ndotjes nga PM2.5, PM10, NO2, CO2 dhe CO, mund të kontribuojë në rritjen e temperaturave dhe formimin e ishujve të nxehtë urbanë. Këta ndotës bllokojnë nxehtësinë në atmosferë, duke e penguar atë të largohet dhe duke shkaktuar kështu vlera më të larta të temperaturës në zonat më të urbanizuara dhe me popullsi të dendur.
Si rezultat, banorët në qytete përjetojnë temperatura dukshëm më të larta në krahasim me zonat rurale përreth. Kjo nxehtësi e intensifikuar mund të përkeqësojë cilësinë e ajrit, duke çuar në rritje të problemeve në shëndet si probleme respiratore, sëmundje kardiovaskulare, dhe ndikime në sistemin nervor.
Nxehtësia dhe ishujt e nxehtësisë ndikojnë në përdorim më të shpeshtë dhe të zgjatur në kohë të pajisjeve ftohëse (kondicioner) në ambientet e mbyllura, të cilat rrjedhimisht ndikojnë në rritjen e kërkesës për energji elektrike. Duke pasur parasysh edhe numrin e shtuar të turistëve dhe njësive të shërbimit në bashkinë Vlorë dhe rrjetin e amortizuar elektrik të vendit, kjo mund të çojë në shkëputje të energjisë elektrike për shkak të mbingarkesës së rrjetit.
Rekomandime:
Për përmirësimin e cilësisë së ajrit të ndotur nga transporti apo industritë:
• Përmirësimi dhe shtimi i itinerarëve të transportit publik si një mjet për të reduktuar përdorimin e automjeteve private.
• Nxitja e përdorimit të biçikletave dhe ecjes në këmbë për distanca të shkurtra.
• Investimi në sistemet e filtrimit dhe pastrimit të gazrave industriale.
• Raportimi i rregullt dhe transparent i emetimeve të ndotësve nga kompanitë industriale.
• Monitorimi i ligjeve dhe rregulloreve për ndotjen industriale dhe ndëshkimi për shkelësit.
• Organizimi i fushatave ndërgjegjësuese për reduktimin e ndotjes së ajrit dhe informim mbi ndikimet e ndotjes në shëndet dhe mjedis.
Për të ulur ndotjen në bashkinë e Vlorës, është e rëndësishme të përfshihen komunitetet lokale. Edukimi dhe informimi i qytetarëve mbi pasojat e ndotjes mjedisore dhe përfitimet e një ambienti të pastër mund të sjellë ndryshime pozitive në sjelljet e përditshme. Duke nxitur qytetarët për të praktikuar diferencimin e mbetjeve, për të përdorur transportin publik dhe për të reduktuar përdorimin e automjeteve private, mund të arrihet një ulje e ndjeshme e ndotjes në qytet. Përfshirja e qytetarëve në praktikat e qëndrueshme si riciklimi dhe kompostimi, si dhe inkurajimi i përdorimit të biçikletave dhe ecjes, janë hapa të rëndësishëm për të krijuar një mjedis më të pastër në Vlorë.
Burimi:
ZJARRI NË VENDDEPOZITIMIN E VLORËS
IMPAKTI MJEDISOR DHE NDIKIMI NË CILËSINË E AJRIT.
G. Shehu- Ekspert Junior Mjedis dhe GIS, E. Kocani – Ekspert Mjedisi, R. Muka – Planifikuese Territori