Në Tiranë, monitorimi i cilësisë së ajrit, kryer nga Co-Plan, ka zbuluar përqendrime të larta të disa ndotësve kryesorë, që paraqesin një shqetësim të madh për shëndetin publik. Përqendrimet e NO₂ ishin dy herë mbi normat e BE-së, ndërsa CO₂ rezultoi pesë herë më i lartë. Zonat më të ndotura përfshinin “Astirin”, ”21 Dhjetorin”, rrugët kryesore si ”Rr. e Durrësit”, ”Rr. e Kavajës”, ”Rr. e Dibrës” dhe bulevardet me fluks të lartë automjetesh ose kantiere ndërtimi.
Një nga burimet kryesore të ndotjes në qytetet e mëdha është trafiku urban. Automjetet, veçanërisht gjatë orëve të pikut, shkaktojnë shkarkimin e gazeve të dëmshëm si dioksidi i azotit dhe grimcave të pluhurit, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e ajrit dhe mund të shkaktojnë probleme shëndetësore si frymëmarrje të vështirësuar, alergji dhe sëmundje kardiovaskulare. Përveç trafikut, një ndikim të madh ka edhe aktiviteti ekonomik dhe industrial, ku bizneset, kantieret e ndërtimit dhe proceset prodhuese kontribuojnë në ndotjen e ajrit. Kombinimi i këtyre faktorëve, veçanërisht në qytetet me densitet të lartë urban dhe mungesë hapësirash të gjelbra, përkeqëson cilësinë e jetës së banorëve dhe thekson urgjencën për masa të menjëhershme për reduktimin e ndotjes.
Rezultatet e monitorimit gjatë 2024-2025 kanë treguar se zonat më të prekura përfshijnë Bulevardin (532 ppm), Shkollën M. Grameno (626 ppm) dhe Pazarin e Ri (610 ppm), ku aktiviteti urban i dendur dhe trafiku intensiv kontribuojnë ndjeshëm në përqendrimin e këtij ndotësi. Niveli i lartë i CO₂ është një tregues i ndotjes së shtuar nga aktivitetet njerëzore, si përdorimi masiv i automjeteve me djegie të brendshme dhe mungesa e hapësirave të gjelbra, të cilat mund të thithin dhe të reduktojnë këta shkarkime të gazrave për mjedisin dhe shëndetin publik.
Një tjetër ndotës i rëndësishëm që është evidentuar janë grimcat e imëta, PM₂.₅ dhe PM₁₀. Këto grimca, të cilat janë të dëmshme për shëndetin, kanë tejkaluar shpesh kufijtë e lejuar të përqendrimit, të përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Vlerat e PM₁₀ janë regjistruar kryesisht në zonat me trafik të lartë, si Rruga e Kavajës (35 µg/m³) dhe Zogu i Zi (48 µg/m³), ku shkarkimet nga automjetet, ndërtesat në ndërtim dhe djegia e materialeve të ndryshme janë burimet kryesore të këtij ndotësi. Prania e lartë e grimcave PM₂.₅ dhe PM₁₀ mund të shkaktojë probleme serioze të frymëmarrjes, alergji dhe sëmundje të tjera kronike, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme si fëmijët, të moshuarit dhe ata me probleme të mëparshme shëndetësore.
Një tjetër përbërës kyç i ndotjes së ajrit është dioksidi i azotit (NO₂), i cili është i lidhur ngushtë me shkarkimet nga automjetet dhe proceset industriale. Monitorimi ka treguar përqendrime të larta të NO₂ në disa zona të Tiranës, sidomos në ato me trafik intensiv, si Rr. Bardhyl (96 µg/m³) si dhe “Stacioni i Trenit”, ku është regjistruar një vlerë prej (88 µg/m³), duke i bërë këto ndër pikat më të ndotura për shkak të qarkullimit të lartë të automjeteve. Ky ndotës mund të shkaktojë probleme serioze të frymëmarrjes, si astma, bronkiti dhe sëmundje të tjera pulmonare. Ekspozimi i gjatë ndaj NO₂ është gjithashtu një faktor i rëndësishëm për rritjen e rasteve të sëmundjeve të sistemit frymëmarrës, duke e bërë të domosdoshëm zbatimin e masave të shpejta për të reduktuar shkarkimet nga trafiku dhe burimet industriale.

Temperatura dhe efekti i ishullit të nxehtësisë urbane:
Një tjetër problem mjedisor që lidhet me cilësinë e ajrit është efekti i ishullit të nxehtësisë urbane. Monitorimi ka treguar një rritje të ndjeshme të temperaturave në disa zona të qytetit, ku ky fenomen është më i dukshëm. Në zona si”Kryqëzimi i 21 Dhjetorit” dhe” Zogu i Zi” (35.4°C dhe 36.5°C), sipërfaqet e asfaltit dhe betonit mbajnë nxehtësinë për periudha të gjata, duke krijuar kushte të papërshtatshme për cilësinë e ajrit dhe komoditetin termik të qytetarëve. Efekti i ishullit të nxehtësisë urbane jo vetëm që rrit temperaturat lokale, por gjithashtu çon në një rritje të konsumit të energjisë për ajrim dhe ftohje, duke përkeqësuar edhe më tej ndikimin mjedisor të qytetit.
Nevoja për masa të menjëhershme:
Për të përmirësuar cilësinë e ajrit në Tiranë, është e domosdoshme që të ndërmerren masa konkrete dhe të shpejta. Bashkia e Tiranës ka nisur dhe duhet të miratojë sa më parë Planin Lokal të Veprimit për Cilësinë e Ajrit, që përmban masat për zvogëlimin e shkarkimeve nga sektori i transportit, ndërtimit dhe industria. Njëkohësisht, monitorimi i ndotjes duhet të bëhet publik dhe të përfshijë tregues të qartë për dekarbonizimin e sektorëve kyç, si transporti dhe ndërtimi.
Përveç kësaj, është e domosdoshme një qasje integruar për përmirësimin e kushteve energjitike të ndërtesave. Kjo përfshin programin e rinovimit të banesave, si dhe mbështetje financiare për përmirësimin e performancës energjetike të shtëpive. Nisma për të shtuar sipërfaqet e gjelbra dhe për të promovuar zhvillimin e fasadave të gjelbëra do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së ajrit, duke absorbuar më shumë ndotës dhe duke ofruar hapësira të shëndetshme për qytetarët.
Angazhimi i komunitetit dhe shoqërisë civile:
Angazhimi i qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile është gjithashtu i rëndësishëm për të ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit. Fushatat për uljen e gjurmës individuale të karbonit, promovimi i transportit publik dhe ciklizmit dhe investimet në burime alternative energjitike janë disa nga mënyrat që mund të kontribuojnë në uljen e ndotjes së ajrit. Organizatat e shoqërisë civile duhet të bashkëpunojnë me autoritetet vendore dhe sektorët e industrisë për të identifikuar dhe adresuar efekte të mundshme negative të ndotjes, duke ndihmuar në krijimin e qyteteve më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme.
Në përfundim, ndotja e ajrit është një problem që kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe të qëndrueshme. Vetëm përmes angazhimit të bashkësisë, politikave të duhur dhe një plani të qartë veprimi mund të arrihet përmirësimi i cilësisë së ajrit dhe jetës në Tiranë, duke i dhënë një qytet më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë banorët e tij.
Burimi :
Kejt Dhrami, lektore pranë FPMMU, Universiteti Polis
Gerta Shehu, eksperte mjedisore prane Co-Plan