Ngrohja globale po sjell transformime të dukshme në sektorin e peshkimit dhe akuakulturës, duke i vendosur fermerët dhe peshkatarët shqiptarë përballë sfidave të reja. Ekspertët paralajmërojnë se, ndërsa disa specie po zhduken, të tjera po përshtaten me mjedisin e ndryshuar, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekosistemet ujore dhe ekonominë e sektorit.
Sipas Bankës Botërore (2022), sektorët e bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit kontribuojnë me rreth 19% në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) të vendit. Me përparimin e dukshëm në vitet e fundit, akuakultura po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një sektor strategjik për ekonominë shqiptare, duke ofruar mundësi të reja punësimi dhe duke kontribuuar në sigurinë ushqimore të vendit.
Sektori i peshkimit në Shqipëri përfshin rreth 45 lloje peshqish, molusqesh dhe cefalopodësh, me një kapje mesatare vjetore prej 6,000 tonësh. Sardelja evropiane dhe karavidhja e thellësive të ujit përbëjnë një të tretën e totalit, ndërsa koca dhe levreku zënë një pjesë të konsiderueshme të tregut.
Në ujërat e brendshme, prodhimi arrin rreth 3,000 tonë në vit, ku familja e krapit mbizotëron me 55% të zënieve totale. Peshkimi bregdetar dhe ai në laguna, i njohur ndryshe si peshkimi në shkallë të vogël, apo artizanal, gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm në industrinë vendase.
Akuakultura shqiptare ka njohur rritje të ndjeshme, duke dyfishuar prodhimin nga 4,000 tonë në 2017 në 8,100 tonë në 2021. Speciet kryesore të kultivuara përfshijnë peshkun e detit (levreku, koca) dhe troftën ylber në ujërat e ëmbla, ndërsa midhjet kultivohen kryesisht në Shëngjin dhe Butrint. Shqipëria shfrytëzon burimet natyrore dhe teknikat e ndryshme të kultivimit për të mbështetur këtë sektor me potencial të lartë zhvillimi.
Industria e akuakulturës në Shqipëri po përballet me një kërcënim serioz nga ndryshimet klimatike, të cilat po ndikojnë negativisht si në ujërat e ëmbla, ashtu edhe në ato detare. Ekspertët kanë vërejtur se temperaturat në rritje po shkaktojnë probleme të shumta, duke përfshirë uljen e oksigjenit në ujë, rritjen e aciditetit apo edhe rreziku nga përhapjen e specieve alloktone, ku një pjesë e tyre janë invazive e shfaqin dëmtime për ekosistemin dhe lloje të ndryshme.
Sipas Organizatës Botërore për Ushqimin dhe Bujqësinë, pranë Kombeve të Bashkuara, FAO-s, rajoni i Mesdheut pritet të përballet me thatësira më të gjata dhe më të shpeshta, një fenomen që do të ketë pasoja serioze për sektorin e akuakulturës. Në disa zona me ujëra të thella, fermerët po përshtaten duke zhvendosur kultivimin në thellësi më të mëdha ku uji është më i freskët. Por, kjo zgjidhje nuk është e mundur në ujërat e cekëta apo në rezervuarët ku nivelet e ujit janë duke u ulur.
Prof. Bakiu, ekspert i akuakulturës, shprehet se ngrohja globale nuk ka të njëjtin ndikim në specie të ndryshme. “Levreku është shumë më i ndjeshëm ndaj temperaturave të larta dhe sëmundjeve që vijnë prej tyre, krahasuar me peshkun kocë,” shpjegon ai.
Ekspertët parashikojnë se me intensifikimin e ndryshimeve klimatike, industria e akuakulturës në Shqipëri do të përballet me sfida edhe më të mëdha në vitet e ardhshme, duke detyruar fermerët të adaptojnë teknika të reja kultivimi për të siguruar qëndrueshmërinë e prodhimit.
Ndikimet e ndryshimeve klimatike po bëhen gjithnjë e më të dukshme në ekosistemet ujore të Shqipërisë, duke kërcënuar jo vetëm biodiversitetin, por edhe industrinë e akuakulturës dhe atë të peshkimit. Rritja e temperaturave ka favorizuar përhapjen e specieve invazive, të cilat po sfidojnë përpjekjet e fermerëve në akuakulturë dhe të peshkatarëve. Do të rekomandoheshe që të ndodhte një përshtatje ndaj teknologjive të akuakulturës, të cilat konsumojnë sasi me të reduktuara të ujit dhe ekziston kontroll i plotë ndaj parametrave të ujit. Gjithashtu, introduktimi i llojeve tropikale dhe menaxhimi i tyre në mënyrë të kontrolluar vetëm në ferma me sistem të mbyllur prodhimi, do të sillte zbutjen e efekteve të ndryshimeve të klimës ndaj fermave të akuakulturës së ujërave të brendshme.
Një nga kërcënimet kryesore për fermerët e akuakulturës është peshku diell (Lepomis gibbosus), i cili ka pushtuar liqenet e Dumresë pranë Elbasanit dhe tashme ndodhet në një pjesë të mirë konsiderueshme të liqeneve dhe lumenjve. Kjo specie agresive ushqehet me larvat dhe të vegjlit e specieve te familjes së krapit, si krapi i zakonshëm, ballgjeri dhe amuri, të cilat fermerët i kultivojnë në këto ujëra.
Shprehet, Prof. Asoc. Dr. Rigers Bakiu, Përgjegjës i Departamentit të Akuakulturës dhe Peshkimit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës
Përveç konkurrencës nga speciet invazive, një tjetër rrezik i drejtpërdrejtë për prodhimin e peshkut është ulja e papritur e oksigjenit në ujë për shkak të valëve të të nxehtit ekstrem. Kjo situatë mund të çojë në vdekje masive të peshqve, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme ekonomike. Për t’u përshtatur, fermerët po zvogëlojnë biomasën e peshqve në liqenet e peshkëzuar apo pellgjet e akuakulturës, duke synuar një menaxhim më të efektshëm të prodhimit.
Ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithashtu edhe në sektorin e peshkimit të kapur, ku migrimi i specieve alloktone po përbën një sfidë të re. Një rast i tillë është peshku luan (Pterois miles), i cili u raportua për herë të parë në ujërat shqiptare të Detit Jon në 2019.
Kjo specie, e ardhur nga Deti i Kuq dhe Gjiri Persik, ka krijuar tashmë popullata të qëndrueshme në ujërat greke dhe tashmë edhe ato përgjatë Karaburunit, ku konsiderohet një kërcënim serioz për biodiversitetin dhe speciet komerciale. Sipas Prof. Bakiut, peshku luan ushqehet me larvat dhe të vegjlit e specieve autoktone, duke rrezikuar zinxhirin ushqimor dhe burimet e peshkimit. Edhe pse është i kërkuar në treg dhe një atraksion për zhytësit, ky peshk ka gjemba helmues, prandaj duhet trajtuar me kujdes nga peshkatarët dhe konsumatorët. Rekomandohet që urgjentisht të ngrihet një sistem i mirëfillte monitorimi lidhur me praninë e llojeve invazive dhe përpilimi i protokolleve për masat e menjëhershme të cilat duhet të ndërmerren ndaj të tilla specieve, sidomos ato që përbëjnë kërcënim të drejtëpërdrejtë për njerëzit. Për shembull, peshku luan nuk është i rrezikshëm vetëm për peshkatarët, por tashmë me zhvillimin e turizmit rekomandohet të vendosen tabela informuese për pushuesit vendas dhe ata të huaj.
Burimi:
Prof. Asoc. Dr. Rigers Bakiu Përgjegjës i Departamentit të Akuakulturës dhe Peshkimit, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe organizata “Albanian Center for Environmental Protection and Sustainable Development”