Moti agresiv, si të përballemi me përmbytjet?
Pasditen e 4 tetorit 2024 qyteti i Vlorës përjetoi një ngjarje katastrofike, si pasojë e një përmbytjeje të beftë. Uji vërshoi nga zona kodrinore duke sjellë me vetë gurë e dhera, dhe duke i shndërruar rrugët në lumenj uji dhe balte. Qindra banesa të kateve të para, dyqane dhe njësi të tjera shërbimi u përmbytën, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike. U deshën disa ditë që qyteti të rikthej në normalitet, ndërsa diskutimi mbi shkaqet e përmbytjeve vazhdoi gjatë. Bashkia e qytetit u “kryqëzua” nga banorët dhe opozita politike për mos mirëmbajtje të sistemit të kullimit. Qyteti i Vlorës ishte përballur me një ngjarje të pazakonte klimatike. Për gjashtë orë në qytet dhe rrethinat e tij ranë 184 mm shi. Në fillim të muajit nëntor, qyteti spanjoll i Valencias, u përball me një apokalips. Në zona të veçanta të rajonit ranë 490 mm shi në vetëm pak orë, duke tejkaluar mesataren vjetore prej 450-500 mm. Pasojat ishin tragjike. Mbi 220 viktima dhe dëme të pallogaritshme materiale. Ka shumë shkaktarë të kësaj anomalie, por kryesorja vlerësohet ngrohja e planetit. Më 30 shtator, temperatura e sipërfaqes së oqeaneve ishte 20,87°C, një shkallë më e lartë se vetëm 30 vjet më parë. Nëse uji është më i nxehtë, ai avullon më shpejt, duke gjeneruar më shumë avuj. Midis majit dhe shtatorit temperatura mesatare e planetit ishte 0,7 gradë më e lartë se mesatarja 1990-2020; dhe +1,54° në krahasim me vitin 1850.
Por, le të kthehemi në Shqipëri. Në 40 vitet e fundit janë regjistruar 6 ngjarje ekstreme reshjesh, ajo e Vlorës ishte më e madhja dhe më e përqëndruara.
Ngjarjet ekstreme të reshjeve në 40 vite
16 Shtator 1984 – 150.9mm/24 orë
23 Tetor 1981 – 146.0 mm/24 orë
10 Nëntor 1960 – 120.8 mm/24 orë
3 Dhjetor 1973 – 100.3 mm/24 orë
30 Nëntor 2017 – 150.0 mm/24 orë
7 Janar 2021 – 145.0 mm/24 orë
4 Tetor 2024 – 184 mm/ 6 orë
Anira Gjoni, specialiste pranë Institutit të Gjeoshkencave, thotë se nëse shënohen reshje rreth 90 mm në një hark prej 3 orësh, atëherë do të përballemi patjetër me situatë përmbytjesh. Shqipëria është një vend i ekspozuar nga përmbytjet, për shkak të sistemit lumor dhe deltave të tyre të cekëta në zonën e ultësirës perëndimore. Por, çrregullimi i regjimit të reshjeve, veçanërisht gjatë dy dekadave të fundit, ka bërë që situatat ekstreme të përsëriten gjithnjë e më shpesh.
Një histortik i shkurtër i përmbytjeve
Historia shënon përmbytje të shumta në ultësirën perëndimore, ku më të mëdha mund të përmenden: Përmbytja e vitit 1854, 1860, 1865, 1867, 1868, 1869, 1870, 1871, më pas identifikohet përmbytja e vitit 1937, 1952, përmbytjet e rënda të dimrit 1962-1963 dhe ajo e vitit 1983. Pas vitit 1990, rastet e përmbytjeve intesifikohen. Shënohen ku ato të viteve 1996-1997, përmbytjet e viteve 2002-2003- 2004 dhe pas vitit 2010 kemi përmbytje thuajse të përvitshme.
Ja një kronologji e shkurtër
Dhjetor 1962-Janar 1963: Disa javë me reshje të pandërprera zhytrën nën ujë të gjithë Ultësirën Perëndimore, mbi 70 – 100 mijë ha tokë bujqësore dhe të gjitha qendrat e banuara si dhe qytetet e Shkodrës, Lezhës dhe Beratit. Në atë kohë u bashkuan ujrat e Lumit të Vjosës me ato të Semanit dhe të Shkumbinit si dhe ujrat e Drinit me ato të Matit dhe Ishmit. Lumenjtë shënuan prurjet historike të tyre, Vjosa me 3650 m3/s dhe Drini me 5180 m3/s.
Kjo ngjarje e rëndë shërbeu si shkak për nisjen e investimeve të mëdha në ndërtimin e argjinaturave në lumenjtë e Vjosës, Semanit, Shkumbinit, Matit dhe Bunës. Paralelisht me këto argjinatura u krye dhe bonifikimi i tokave kënetore duke filluar në veri nga këneta e Velipojës dhe e Casit në Shkodër, të Ishull Shëngjinit e Talës në Lezhë, të Thumanës në Krujë, të kënetës së Durrësit, të Bashtovës në Kavajë, të Tërbufit e Karavastasë së vogël në Lushnje, të Hoxharës në Fier, të Akernisë në Vlorë e duke përfunduar në Jug të vendit tonë me ato të Vurgut e Mursisë në rrethin e Sarandës.
Shtator 1995-Janar 1996: Gjatë kësaj periudhe zona të ndryshme të vendit u përballën me përmbytje që pasuian njëra-tjetrën. U dëmtuan shumë shtëpi, duke shënuar edhe viktima.
Shtator 2002: Përmbytja që ndodhi në periudhën 22-30 Shtator 2002 nga reshjet e shumta, krijuan një situatë të rëndë për zonat e Milotit, Lezhës, Torovicës, Zadrimës e Shkodrës. U përmbytën mbi 16.000 ha tokë bujqësore dhe u prekën 7500 familje.
Janar 2010: Në rajonet Shkodër e Lezhë, u përmbytën rreth 14,000 hektarë dhe 1200 godina, ndërsa 12,000 njerëz u desh të evakuoheshin nga banesat. Shkodra asaj kohe i ngjante Venecias, aq sa banorët nisën të përdornin gomonet në vend të makinave.
Shkurt 2015: Lumenjtë Vjosë, Devoll, Osum dhe Seman dolën nga shtrati dhe fshatrat përgjatë rrjedhës së poshtme të Vjosës, si Mifol, Novoselë, Bishan, Fitore e Poro u mbuluan nga uji. Rreth 10,000 hektarë tokë u përmbytën, 709 banesa të dëmtuara plotësisht ose pjesërisht nga vërshimi i Vjosës, 3500 bagëti të mbytura
Nëntor 2017: Lumi Vjosë përmbyti 10622 hektarë tokë, 4700 banesa, 41 biznese. U dëmtuan 56 shkolla dhe 65 ura në të gjithë Shqipërinë. Shkak kanë qenë rreshjet e mëdha që prej maleve dhe luginave si dhe vërshimit të të gjithë lumenjve e përrenjve më të vegjël të Vjosës.
Janar 2021: Lumi Drin, Buna dhe Vjosë dolën nga shtrati. Ultësira e Shkodrës dhe Lezhës si dhe fshatrat përgjatë rrjedhës së poshtme të Vjosës u përmbytën. Mbi 7450 hektarë tokë, banesa dhe biznese të dëmtuara, disa rrugë të bllokuara përkohësisht për rrëshqitje dherash; disa ura të dëmtuara rëndë.
Përmbytje në zonën e Shkodrës
Shpërndarja e reshjeve dhe ndryshimet klimatike
Faktorët kryesorë për formimin e reshjeve në vendin tonë janë faktorët rajonalë dhe lokalë. Pozita fiziko-gjeografike që ka Shqipëria e bën atë të vendosur gjithmonë në periferi të ndikimit të 3 qendrave kryesore barike në nivel kontinental (cikloni i Islandës, anticiklon i Azores dhe ciklon siberian). Ky pozicion gjeografik e bën atë më të mbrojtur ndaj situatave ekstreme të zgjatura dhe e klasifikon vendin tonë në vendet me klimë mesdhetare. Për sa i përket faktorëve lokalë, ata janë kryesisht kodrinoro-malorë, si pjesë e masivit malor të Shqipërisë në drejtim të vargmaleve ver-perëndimore dhe juglindore, që ndikon në shpërndarjen hapësinore të reshjeve. Pranohet se ndarja e reshjeve vjetore eshte 70% në periudhën nëntor – mars dhe 30% në peiudhën prill- tetor. Shpërndarja e reshjeve brenda vitit në territorin e Shqipërisë është tipike e klimës mesdhetare, me reshje të shumta gjatë periudhës nëntor -mars dhe më të pakta gjatë muajve prill-tetor.
Por ky rregull thuajse është prishur dhe kjo përqindje lëviz nga njëri vit në tjetrin. Ndryshimi i ciklit të reshjeve, që i dedikohet ndryshimit të klimës, ka bërë që reshjet të mos shtrihen në kohë, dhe me intensitet të ulët, duke i dhënë mundësi tokës të përthithë sasinë e nevojshme të ujit për të ushqyer rezervën nëntokësore dhe të pakësojë sasinë që rrjedh në sipërfaqe. Bazuar në të dhënat klimatike të Institutit të Gjeoshkencave rezulton se vitet e fundit kemi zvogëlimin e numrit të ditëve me reshje me rreth 12%. Fenomen tjetër që është vënë re vitet e fundit është shtimi i intensitetit të reshjeve në periudha më të shkurtra. Reshjet e rëna në këtë interval kohor kanë kryesisht karakter frontal, me shtrirje relativisht të madhe që kapin njëkohësisht pellgjet ujëmbledhës të disa lumenjve.
Rënia e reshjeve në formë bore zvogëlon rriskun e përmbytjeve, pasi bora “kap” sasi të mëdha uji, duke shmangur rrjedhjen e tij në sipërfaqe. Por ndërkohë ajo krijon edhe depozitimin natyror të ujit, të cilin e “lëshon”, gradualisht gjatë prnaverë-verës kur shkrin dhe furnizon sistemin lumor në stinët kur nuk ka reshje. Por ngrohja e motit ka shkaktuar një ndryshim të jashtëzakonshmë në mjedisin tonë, veçanërisht gjatë dekadës së fundit. Ka një reduktim të ndjeshëm të reshjeve në formën e borës. Në shumë zona malore që borën e kanë patur mysafire të rregull, ose bie pak ose aspak borë. Nga një vlerësim i anomalive të reshjeve të dëborës sipas Qëndrës Europiane të Parashikimit Afat Mesëm të Motit, muajt e dimrit vitet e fundit rezultojnë me anomali negative në shkallë kontinentale. Në zonat ku këto anomali kishin vlerat më të larta negative përfshihej dhe vendi ynë. Ajo që vihet re dukshëm në vitet e fundit sipas të dhënave të IGJEO është zvogëlimi i sasisë së borës si në numër ditësh ashtu dhe të kohëzgjatjes së qëndrimit të shtresës së saj. Kjo ka ndikuar në rritjen e vërshimit të ujit në raste të reshjeve, duke rritur edhe shkallën e përmbytjeve. Një studim i vitit 2022, i botuar në revistën shkencore “Nature” zbuloi se në pjesët me borë në hemisferën veriore, reshjet ekstreme u rritën me një mesatare prej 15% pas 1 gradë Celsius të ngrohjes së planetit.
Analizë mbi të dhënat e dëborës në Shqiperi 2017-2024
Sipas një analize të të dhënave mbi lartësinë maksimale të reshjeve të dëborës në vendin tonë, referuar Vendmatjeve Meteorologjike te Institutit te Gjeoshkencave, rezulton që sasia e reshjeve të dëborës arrin deri në 60-70 cm në vitet e fundit, ndryshe nga para viteve 1990 ku lartësia e dëborës në zonat malore të vendit tonë arrinte në 2-3 m. Nje tipar tjeter i borës që bie në sy në vitet e fundit është shperndarja e saj lokale dhe jo uniforme.
Burimi: Buletinet Klimatike Mujore të publikuara në faqen web te IGJEOs
Por çfarë duhet të bëjmë, si të mbrohemi nga ky agresivitet i natyrës?
Intervistw me specialisten e Institutit të Gjeoshkencave, Anira Gjoni
Specialistja e Institutit të Gjeoshkencave Anira Gjoni, e intervistuar për llogari të këtij artikulli, rendit disa nga masat që duhet të marrim në afat të shkurtër dhe afat gjatë, për të minimizuar pasojat e përmbytjeve në kushtet e ndryshimit të vazhdueshëm të klimës.
“Me shumë sesa mbrojtje nga agresiviteti i natyrës do ta quaja përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike. Ngjarjet ekstreme të motit apo fenomenet si permbytje, thatësira etj, me të cilat vendi ynë është përballur vitet e fundit, kane nevoje per nderhyrje te menjehershme qe te parandalohen sa me shume te jete e mundur.
Hapi i parë më i rëndësishëm është përgatitja paraprake që ka të bëjë me hartimin e planeve të emergjencave.
Fokusi kryesor është Paralajmërimi i Hershëm, i cili ka të bëjë me krijimin dhe përdorimin e sistemeve të monitorimit dhe parashikimit që mundësojnë informimin e institucioneve dhe të publikut në kohë të mjaftueshme, për të reaguar ndaj këtyre ngjarjeve ekstreme. Paralajmërimi i hershëm për ngjarje ekstreme si përmbytjet është një nga masat më të rëndësishme për të reduktuar pasojat e katastrofave natyrore dhe për të shpëtuar jetë.
Masat afatgjata për parandalim
Ruajtja e mjedisit dhe natyrës: Shkatërrimi i pyjeve dhe hapësirave të tjera natyrore mund të rrisë rrezikun e përmbytjeve. Ruajtja e këtyre hapësirave është jetike për të parandaluar përmbytjet dhe për të mbajtur ekosistemet të shëndetshme.
Ndërtimi i infrastrukturës së qëndrueshme: Krijimi i sistemeve të menaxhimit të ujërave, si kanale drenazhimi dhe digat/argjinaturat, mund të ndihmojë në parandalimin e përmbytjeve. Po ashtu, ndërtimi i shtëpive dhe ndërtesave publike në një mënyrë që të përballojnë përmbytjet, është një hap i rëndësishëm.
Edukimi dhe ndërgjegjësimi: Njerëzit duhet të jenë të informuar mbi rreziqet dhe masat që mund të merren për të reduktuar pasojat e përmbytjeve. Kjo përfshin kurse trajnimi për reagimin ndaj katastrofave natyrore dhe ndihmën e parë.
Rritja e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike
Përmirësimi i menaxhimit të ujërave: Në nivele qeveritare, është e rëndësishme të investohet në infrastruktura që mund të përballojnë dhe menaxhojnë rritjen e intensiteve të reshjeve të shiut dhe të parandalojnë përmbytjet.
Adoptimi i politikave ekologjike: Politikat që mbrojnë natyrën dhe reduktojnë emetimet e gazrave serë mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të ngjarjeve ekstreme të natyrës, përfshirë përmbytjet.
Mbështetje shoqërore dhe komunitare
Puna e bashkuar në komunitet është shumë e rëndësishme për mbrojtjen nga përmbytjet. Organizimi i mundësive për të rritur vetëdijen dhe për të ndihmuar ata që janë më të rrezikuar mund të kontribuojë në një reagim më të shpejtë dhe më të koordinuar. Komunitetet mund të krijojnë grupe vullnetarizmi që mund të ndihmojnë në shpërndarjen e informacionit, evakuimin dhe mbështetje për ata që janë më të ekspozuar ndaj rrezikut. Po ashtu, koordinimi me autoritetet lokale është thelbësor. Ndihma dhe bashkëpunimi me institucionet shtetërore dhe ndërkombëtare mund të ofrojnë mbështetje të nevojshme për të përballuar pasojat e përmbytjeve dhe për të mundësuar rikuperimin pas një katastrofe. Puna e ngushtë me autoritetet mund të ndihmojë gjithashtu në planifikimin dhe zbatimin e masave afatgjata për të zvogëluar rrezikun dhe për të përmirësuar infrastrukturën për t’u mbrojtur nga ngjarjet ekstreme”.
Në infrastrukturën mbrojtëse, ku duhet të përqëndrohemi?
Ka shumë nevojë të madhe për ndërhyrje, por ne duhet të ndalojmë së betonizuara në mënyrë agresive zonat urbane. Sa më shumë sipërfaqë toke të mbuluar me beton dhe asfalt, as më pak unë përthith toka dhe aq më shumë ujë rrjedh. Unë do të rendisja disa masa të tilla:
•Ndërtimi i zonave të gjelbërta në zonat urbane.
•Rritja e përshkueshmërisë së sipërfaqes së tokës duke ulur zonat me përshkueshmëri të ulët si asfalte apo trotuare, shtimi i përdorimit të materialeve poroz në mënyrë që të kemi filtrueshmëri më të lartë dhe zonat urbane të ulin riskun nga “flash foods” ose vërshimet e shpejta.
•Ndërtimi i taracave të gjelbërta që rrisin kohën e mbajtjes së reshjeve dhe rrjedhës se prurjeve gjatë pikut në zonat urbane.
•Ndërtimi i rezervuarëve akumulues për reshjet atmosferike në zonat urbane. Ka rëndësi të dyfishtë ne pakësimin e ujit qe vërshon si dhe përdoret me vonë për ujitje apo nevoja sanitare pa prekur rezervat ujore te vendit.
•Veshja me pemë dhe bimësi në zonat e zhveshura në pellgjet e përrenjve për të ulur rrjedhën sipërfaqësore dhe per të forcuar tokën.
•Ndërtimi i pritave malore për mbajtjen e aluvioneve.
•Punimi i tokës në drejtimin e kundërt të rrjedhës.
Sa e ndihmon agresivitetin e natyrës dëmtimet që kemi bërë ne në mjedis, si shpyllëzimet, shfrytëzimi pa kriter i inerteve në lumenj etj?
Dukshem veprimtaria e njeriut ka ndikuar në ndryshimet klimatike. Ndërhyrjet që janë bërë ndër vite ne shtreterit e lumenjve kane ndikuar ne deltat e ketyre lumenjve pasi lumi nuk sjell me materiale të ngurta dhe per pasoje deti ka përparuar drejt tokës. Gjithashtu shpyllëzimet kanë dëmtuar hallkën më të rëndësishme të ekosistemeve. Ruajtja e këtyre hapësirave është jetike për të parandaluar përmbytjet dhe për të mbajtur ekosistemet të shëndetshme. Ndërhyrja që është bërë në zonat urbane, duke hequr hapësirat e gjelbërta dhe duke shtuar betonizimin ka pasoja në rritjen e rrezikut të përmbytjeve sepse hapësirat e gjelbërta shërbejnë si vend ku uji i shiut përshkon më lehtësisht tokën, ndërsa mbi sipërfaqet e betonuara uji rrjedh. Kjo veti persa i perket permbytjeve, por ka rolin tjeter persa i perket temperaturave te ajrit, hapësirat e gjelbërta në stinën e verës ndikojnë në uljen 4-5 gradë të temperaturës së ajrit në krahasim me një sipërfaqe me pllaka apo me beton.
Erozioni detar në bregdetin e Shëngjinit
Sa ndihmojne dhe sa konsiderohen nga strukturat e tjera shtetërore parashikimet e IGJEO-s?
Parashikimet e IGJEO-s kanë një rëndësi të madhe për strukturat shtetërore dhe për politikbërësit në vend, pasi ato ofrojnë informacion dhe analiza të detajuara që ndihmojnë në formimin e strategjive dhe vendimmarrjeve të duhura. Kemi një bashkepunim të vazhdueshëm me AKMC për shkëmbimin e informacionit në lidhje me ngjarjet sizmike, meteorologjike apo ato hidrologjike. Instituti i Gjeoshkencave me përfshirjen e modeleve të reja për parashikimin meteorologjik dhe hidrologjik bën të mundur Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore me anë të Buletinit 5 ditor, i cili jep një analizë të detajuar për sitatën e pritshme në vendin tonë, sa i përket ngjarjeve ekstreme që pritet të prekin vendin tonë. Ndërsa në përditshmeri informojmë të gjitha strukturat shtetërore dhe jo vetëm, me anë të buletinit ditor 36 orësh i cili analizon situatën që pritet në 2 ditet ne vazhdim. Fokusi kryesor gjatë periudhës së verës janë valët e të nxehtit dhe zjarret në pyje, ndërsa gjatë periudhës së dimrit fokusi kalon te përmbytjet, ngricat dhe dëbora.
Burimi:
Mentor Kikia
Artikulli u përgatit nga stafi i organizatës Forumi i Mendimit të Lirë, , me asistencën e studiueses dhe specialistes së Institutit të Gjeoshkencave Anira Gjoni.