Efektet e ndryshimeve klimatike në ekosistemet detare po bëhen çdo ditë e më shumë më të dukshme. Raportohet se shtrirja e ndikimeve është e gjerë, duke filluar nga nivelet më të ulëta (p.sh. makrofitet (bimë ujore), fitoplankton) tek ato më të larta (p.sh. peshqit grabitqarë), apo nga individët deri në shkallë ekosistemi. Ndryshime të tilla, mund të ndikojnë në biodiversitet, peshkim, rrjetën ushqimore dhe funksionimin e ekosistemit.
Deti Mesdhe është identifikuar si një nga rajonet më të prekura nga ndryshimet klimatike dhe në mungesë të planeve të administrimit, statusi i burimeve të peshkimit ka gjasa të përkeqësohet.
Shqipëria, e cila shtrihet përgjatë pellgut mesdhetar, do të jetë në ndikimin e këtyre efekteve gjithashtu. Ndërsa peshkimi detar do të jetë më i prekuri përveç se nga ndryshimet klimatike, ashtu dhe praktikat e paligjshme të peshkimit (mbi-peshkimi dhe mbi-shfrytëzimi i burimeve detare).
Një studim i realizuar së fundi, kishte si qëllim analizimin e efekteve të pritshme të ndryshimeve klimatike në sasinë dhe praktikat e peshkimit, të dy prej specieve më të rëndësishme për akuakulturën e Mesdheut dhe Shqipërisë, Sparus aurata dhe Dicentrarchus labrax. Në Shqipëri të njohur si peshku “Kocë” dhe “Levrek”.
Vlerësimi i rendimentit ekologjik dhe peshkimit të këtyre dy specieve, u realizuan nëpërmjet databazës së disponueshme, në bazën e të dhënave “Corpenicus” të BE-së. “Size Spectra – Dynamic Bioclimate Envelope” është modeli i përdorur për përcaktimin e biomasës dhe shpërndarjes së specieve të peshkut, i cili bëhet duke marrë parasysh ndikimin e aktiviteteve njerëzore dhe ndryshimeve mjedisore.
Rezultatet treguan se pasojat e ndryshimeve klimatike dhe të masave kundrejt menaxhimit të peshkimit janë të pakta në rezervat e peshkut Kocë. Ndërsa në rastin e Levrekut, rezultatet sugjerojnë se efektet e ndryshimit të klimës do të jenë të ashpra dhe mungesa e masave të duhura të menaxhimit do të ishin shkatërruese për rezervat e këtij peshku. Prandaj është e rëndësishme që të zbatohen masat e duhura të përshtatjes dhe të zbutjes në mënyrë minimizimin e efekteve të ndryshimeve klimatike në këto burime peshkimi.
Prof. Asoc. Dr. Rigers Bakiu