“Kriza klimatike është edhe krizë e të drejtave të fëmijëve pasi një në katër fëmijë në botë tashmë preket nga emergjenca klimatike. Deri në 2050-ën, thuajse çdo fëmijë, nga çdo rajon i botës do të përballet me valë më të shpeshta të nxehti” – thekson një Raport i UNICEF.
Varësisht rajonit ku jetojnë, përballja e qindra miliona fëmijëve me valët e të nxehtit pritet të zgjasë më shumë dhe të jetë më ekstreme, duke shtuar rrezikun e vdekjeve, sëmundjeve, urisë dhe migrimit të detyruar. Edhe në skenarin më të mirë, numri i fëmijëve që do të përballen me të paktën pesë emergjenca klimatike në vit, si pasojë e të nxehtit do të arrijë 2 miliardët. Gjetjet e këtij raporti dolën rreth dy javë para fillimit të bisedimeve të OKB-së për klimën, COP27, që u mbajt në Egjipt dhe në vijim të një viti katastrofik me ngjarje ekstreme (valë të nxehti, stuhi, përmbytje, zjarre dhe thatësira). Të gjitha këto, tregojnë shpejtësinë dhe intensitetin me të cilin po ndodhin ndryshimet e klimës, si dhe pasojat me të cilat po përballet aktualisht planeti, apo do vijojë të përballet edhe në të ardhmen. Sipas UNICEF, edhe nëse rritja e temperaturës frenohet me +1.7 gradë, në 2050-ën numri i fëmijëve që do të përballen me deri në pesë valë të rrezikshme të nxehti në vit, do kapë 2 miliardët, nga 559 milonë që është aktualisht. Nëse temperaturat do të rriten me +2.4 gradë, vlerësohet se deri në 2050-ën numri i fëmijëve që do të ekspozohen ndaj të nxehtit të rrezikshëm, me valë që pritet të zgjasin të paktën 4.7 ditë do të jetë 94%. Këtij makthi klimatik parashikohet t’i shpëtojnë vetëm disa zona të vogla të Amerikës së Jugut, Afrikës Qëndrore, Oqeanisë dhe Azisë.
Më të cënueshmit nga i nxehti i madh dhe i zgjatur do të jenë fëmijët dhe foshnjat, të cilët kanë mekanizma më të brishtë të rregullimit të temperaturës së brendshme, të trupit krahasuar me të rriturit. Kjo veçori i bën ata më të ndjeshëm dhe më të cënueshëm në aspektin shëndetësor, për shkak të komplikimeve të tilla si astma, sëmundjet kardiovaskulare, që mund të përshkallëzohen deri edhe në vdekje.
Po ashtu, valët e zgjatura të të nxehtit shkaktojnë thatësirë, për rrjedhojë rrisin rrezikun për zvogëlim të aksesit në ushqim dhe ujë, gjë e cila mund të dëmtojë zhvillimin e fëmijës dhe rrisë ekspozimin e tij ndaj dhunës dhe konfliktit, veçanërisht nëse familjet detyrohen të migrojnë. Po ashtu, studimet kanë treguar se i nxehti ekstrem ndikon negativisht në përqëndrimin dhe aftësinë e tyre lidhur me të nxënit. Raporti i UNICEF-it, “Viti më i Ftohtë që (fëmijët) do të kenë ndeshur në Jetë” është një thirrje për veprim drejtuar liderëve politikë, të cilët vazhdojnë të mbështesin interesat e biznesit, edhe pse faktet tregojnë qartë se i nxehti i shtatë viteve të fundit ka qenë më i madhi në histori. Valët e të nxehtit, të cilat prekin që nga rajonet polare, deri ato tropikale, po rrisin shpeshtësinë dhe kohëzgjatjen, duke vrarë rreth gjysëm milion njerëz në vit.
Vetëm këtë vit, valët e të nxehtit në Kinë me temepartura që arritën 48°C thanë lumenjtë dhe dëmtuan të korrat, ndërsa në Pakistan shirat e paprecedentë, lanë një të tretën e vendit nën ujë. Gjithashtu, temperaturat rekord në rajonin e Evropës, shkaktuan dhjetëra mijëra vdekje të parandalueshme, si dhe ulën në mënyrë drastike rendimentin e të korrave.
Sa më e madhe është rritja e temperaturave, aq më katastrofike bëhen pasojat. Duke iu referuar dy skenarëve të gazeve serrë, ku është bazuar Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike lidhur me modelet klimatike, studiuesit e UNICEF analizuan ndikimin tek fëmijet të tre faktorëve, kohëzgjatjes, ashpërsisë dhe shpeshtësisë së valëve të të nxehtit. Disa nga përfundimet e tyre përfshijnë:
• Në 2020, rreth 740 milionë fëmijë nga 23 vende të botës u përballën me temperatura që tejkaluan 35°C, gjatë së paku 84 ditëve të vitit. Nëse pranojmë si të mundur skenarin më të keq, në 2050 ky tregues pritet të arrijë në 816 milionë fëmijë, nga 36 vende të botës, kryesisht të rajoneve Azi dhe Afrikë.
• Deri në 2050, në Evropë, ekspozimi i fëmijëve ndaj të nxehtit për rajonin e Evropës, do të jetë më i lartë. Bazuar në skenarin më të mire, shkalla e ekspozimit do jetë një ndër tre fëmijë, ndërsa dy ndër tre, sipas atij (skenarit) më të keq.
• Në kontinentin amerikan, ky tregues do të 5-fishohet, me një temdencë të rritjes së tij nga 13 milionë që është aktualisht, në 62 milionë (fëmijë) në 2050-tën.
“Ne duhet të rrisim financimin lidhur me përshtatjen pasi shkalla e ndikimit varet nga kapacitetet përballuese të familjeve dhe komuniteteve. Aksesi në vendstrehime, ujë dhe ajër të kondicionuar është thelbësor” – shprehet Nicholas Rees, Specialist për Mjedisin dhe Klimën pranë UNICEF.
Duke njohur tendencat më lart, mund të thuhet se të nxehtit të madh do i duhen tre dekada që të prekë jetën e gjithë fëmijëve të planetit prandaj UNICEF po u bën thirrje qeverive të përshpejtojnë zvogëlimin e shkarkimeve dhe të përgatisin komunitetet për c’ka pritet të vijë.
“Goditjet klimatike të vitit 2022 janë një këmbanë e fortë alarmi për rrezikun në rritje të asaj që na pret. Nëse liderët botërorë të Cop27, nuk ndërmarrin veprime për të ndryshuar kursin e politikave që janë duke ndjekur, valët e të nxehtit do të bëhen edhe më të ashpra nga sa janë aktualisht”– tha Vanessa Nakate, aktiviste për klimën dhe Ambasadore e UNICEF/The Guardian