“Nuk dua të vdes, por nuk dua të jetoj në një botë që nuk kujdeset për fëmijët dhe kafshët!”
Kjo ishte përgjigjja e një të riu, pjesë ë një sondazhi për ndryshimet klimatike. Një sondazh i ri botëror, i cili ilustron ankthin që po ndiejnë shumë të rinj për ndryshimin e klimës.
Sondazhi u zhvillua në 10 vende të botës dhe u drejtua nga Universiteti Bath në bashkëpunim me pesë universitete të tjerë. Ai u krye nga firma analitike e të dhënave Kantar në Mbretërinë e Bashkuar, Finlandë, Francë, SHBA, Australi, Portugali, Brazil, Indi, Filipine dhe Nigeri. Një sondazh i cili mendohet të jetë më i madhi i këtij lloji, për faktin se janë përgjigjur rreth 10,000 persona midis 16 dhe 25 vjeç.
Shumë nga të pyeturit shprehen se nuk kanë të ardhme, se njerëzimi është i dënuar dhe se qeveritë nuk po reagojnë siç duhet. Ndërsa shumë të tjerë, ndihen të tradhtuar, të shpërfillur dhe të braktisur nga politikanët dhe të rriturit.
Gati 60% e të rinjve që morën pjesë në vlerësim, thanë se ndiheshin shumë të shqetësuar apo jashtëzakonisht të shqetësuar për situatën e ndryshimeve klimatike.
Më tepër se 45% e të pyeturve, thanë se ndjenjat rreth klimës kanë ndikuar edhe në jetën e tyre të përditshme. Tre të katërtat e tyre mendonin se e ardhmja ishte e frikshme.
Dy të tretat raportuan se ndiheshin të trishtuar, të frikësuar dhe në ankth. Shumë të tjerë, ndjenin frikë, zemërim, dëshpërim, pikëllim, turp, si edhe shpresë.
Autorët për më tepër, theksojnë se të rinjtë janë konfuz, sepse edhe qeveritë po dështojnë në veprimin ndaj ndryshimeve klimatike. Ata pohojnë se stresi kronik në lidhje me ndryshimet klimatike po rrit rrezikun e problemeve mendore dhe fizike. Dhe nëse moti keqësohet, do të ketë edhe më shumë pasoja në shëndetin mendor.
Gjithashtu edhe autorja kryesore, Karolina Hickman nga Universiteti Bath shpjegon se, ankthi dhe frika nuk është pasojë vetëm e shkatërrimit të mjedisit, por lidhet edhe me mosveprimin e qeverisë ndaj ndryshimeve klimatike.
Të rinjtë ndihen të braktisur dhe të tradhtuar nga udhëheqësit e vendeve të tyre. Si rrjedhojë, 4 në 10 të rinj hezitojnë të krijojnë familje.
Vëzhgimi po ashtu tregoi se nivelet e ankthit janë më të mëdha në kombet ku politikat qeveritare për klimën konsiderohen më të dobëta. Vendet më të shqetësuara rezultuan të jenë ato jugore, ku veçohet Portugalia, e cila kishte përjetuar një seri zjarresh të njëpasnjëshme në vend.
Në përfundim të rinjtë shprehen edhe qëndrimet e tyre për pohimet e mëposhtme:
- Njerëzit nuk kanë arritur të kujdesen për planetin: 83% ishin dakord në rang global
- E ardhmja është e frikshme: 75%
- Qeveritë po zhgënjejnë të rinjtë: 65%
- Qeveritë mund të besohen: 31%
Survejimi na tregon qartë se si shoqëria jonë po dështon në ruajtjen e një bote të sigurt për pasardhësit tanë. Për këtë arsye, duhet të veprojmë sa kemi ende kohë për të rregulluar “gabimet” tona.
Të rinjtë dhe fëmijët, si gjeneratat e ardhshme kanë të drejtën të jetojnë në një të “ardhme të pastër!/ BBC NEWS