Liqenet akullnajore në vendin tonë po tkurren me ritme të shpejta si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe kjo po cenon integritetin e biodiversitetit në këto ekosisteme. Bimësia dhe biota shtazore e liqeneve akullnajore janë të ndikuara direkt nga sasia, shkalla dhe dinamizmi i mbulesës së dëborës. Fenomene të ngjashme po ndodhin edhe në Alpet Evropiane, të cilat po përballen më ritme të shtuara të zhdukjes së sipërfaqes akullnajore.
Liqenet akullnajore të Shqipërisë zënë një hapësirë të konsiderueshme të ekosistemeve ujore dhe strehojnë një shkallë të lartë biodiversiteti. Aktualisht, ka më shumë se 1300 trupa ujorë të shpërndarë në të gjithë vendin, duke përfshirë lumenjtë, liqenet, pellgjet, lagunat bregdetare, habitatet detare dhe deltat lumore, nga të cilat 87 janë liqene akullnajore me një sipërfaqe totale prej 2.4 km2. Përhapen nga kufiri me Malin e Zi në veri, e deri në liqenin e Gramozit në Jug-Lindje, pranë kufirit me Greqinë. Dendësia mesatare e tyre është më e lartë në Alpet Shqiptare, në Masivin e Korabit dhe në Lurë, teksa vjen duke u ulur në malet e Gramozit dhe të Jabllanicës.
Akullnajat e maleve shqiptare kanë ngjashmëri me ato të viseve të tjera mesdhetare dhe dinarike, dhe mendohet se i përkasin periudhës së Pleistocenit të vonë. Komunitetet biotike të ujërave të ëmbla janë komponentë të rëndësishëm të funksionimit të liqenit dhe duke marrë në konsideratë pozicionin e tyre të vendosur në lartësi të mëdha, si dhe origjinën e tyre akullnajore, të dyja grupet e biodiversitetit, vegjetacioni dhe fauna e liqeneve akullnajore, shihen me interes të lartë për t’u studiuar pasi edhe të dhënat shkencore për to janë të pakta.
Gjatë dekadave të ardhshme, pritet të ndodhin ndryshime të konsiderueshme të klimës, duke i vendosur ekosistemet ujore të Mesdheut në vend të parë për nga cenueshmëria. Duke qënë të pozicionuara në lartësi specifike mbi nivelin e detit, ekosistemet e liqeneve akullnajore po shfaqin ndryshime të shpejta si pasojë e zvogëlimit të mbulesës akullnajore dhe rritjes së shpejtë të temperaturës.
Shkrirja e shpejtë që po ndodh në Alpet Evropiane është një nga treguesit kryesorë gjeologjikë që shkaktare kanë ndryshimet klimatike. Që nga fundi i periudhës së pagëzuar me emërtesën Epoka e Vogël e Akullnajave (përafërsisht 1650-1850), sipërfaqet e mbuluara me akullnaja janë përgjysmuar me mbi 50%.
Bimësia dhe biota shtazore e liqeneve akullnajore ndikohen drejtpërsëdrejti nga sasia, shkalla dhe dinamizmi i mbulesës së dëborës. Pasuria e ulët llojore e makrofiteve dhe përhapja e vogël e kësaj specieje në liqenet akullnajore të Shqipërisë, flet për një korrelacion të drejtë me zvogëlimin e sipërfaqes së këtyre liqeneve. Pasuria llojore në liqenin e Dushkut është krahasimisht më e ulët se pasuria llojore e gjetur në liqene të tjera akullnajore, të së njëjtës lartësi në vendin tonë dhe kjo lidhet kryesisht me ndryshimet klimatike.
Sipas skenarëve të ndryshëm, Shqipëria është parashikuar të përjetojë një shkallë të lartë të ndryshueshmërisë të grafikut të reshjeve vjetore. Parashikohet një reduktim në sasinë e reshjeve me më shumë se 10%, kryesisht gjatë periudhës midis muajve qershor dhe shtator. Për më tepër, parashikohet se mund të ketë edhe një ndryshim në tipologjinë e reshjeve, pasi reshjet që në kushtet e mëparshme do të kishin rënë në formën e dëborës, ka të ngjarë të bien në formën e shirave për shkak të rritjes së temperaturaturave. Diçka e tillë do ta reduktojë sasinë e dëborës në vend si dhe pritet ta zvogëlojë madhësinë e shtresës akullnajore të Alpeve Shqiptare. Për pasojë, ndër ekosistemet më të prekura nga ky ndryshim, parashikohet të jetë ai i liqeneve akullnajore.
Pavarësisht përpjekjeve dhe projekteve të zbatuara, menaxhimi i zonave të mbrojtura mbetet një çështje sfiduese. Kërcënimet e vazhdueshme për liqenet akullnajore dhe pellgjet e tyre, si shpyllëzimi dhe mbishfrytëzimi i burimeve natyrore, përdorimi i ujit për qëllime vaditjeje, magazinimi dhe përdorimi jashtëzakonisht kërcënues i ujit për prodhimin e energjisë, duket se po e përshpejtojnë përkeqësimin e integritetit të këtyre ekosistemeve.
Është vënë re se planet aktuale të menaxhimit të mbrojtjes së këtyre zonave nuk përmbushin kërkesat minimale për administrimin e duhur, në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligj. Pas analizës së çështjeve shtesë, ata arrijnë në përfundimin se ekosistemet ujore bëjnë pjesë në kategorinë e ekosistemeve me shkallë të lartë të prekjes.
Qëndrueshmëria ekologjike duhet të integrohet në shërbimet e ekosistemeve dhe në planet kombëtare së zonave të mbrojtura. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në përputhje me parimet e fundit të Bashkimit Evropian. Pavarësisht objektivave të strategjive ndërkombëtare për të parandaluar humbjen e biodiversitetit, perpjekjet kanë qënë gjithnjë sfiduese, kështu që për këtë arsye lind nevoja për mbështetje shkencore dhe teknike për menaxhim e këtyre ekosistemeve.
Duke qenë se Shqipëria karakterizohet nga një numër i madh i sipërfaqeve liqenore të larta alpine, duhet patjetër që si pjesë e zonave të mbrojtura, këto ekosisteme të trajtohen me përparësi, duke ju kushtuar vëmendje të shtuar ruajtjes së tyre.
Burimi: