Në qershorin e vitit 2024, Shqipëria shënoi një rekord temperaturash të larta, duke regjistruar muajin më të ngrohtë që nga fillimi i matjeve të besueshme në vitin 1960. Ngrohja e shkaktuar nga ndryshimet klimatike ka çuar në një rritje të frekuencës, intensitetit dhe kohëzgjatjes së ngjarjeve të lidhura me nxehtësinë, përfshirë valët e të nxehtit në vend.
Qershori 2024 shënoi një rekord të ri temperature në Shqipëri, duke u regjistruar si muaji më i ngrohtë që nga fillimi i matjeve të besueshme në vitin 1960, sipas të dhënave të shërbimit Copernicus. Kjo valë e jashtëzakonshme e të nxehtit nuk u kufizua vetëm në Shqipëri, por përfshiu një zonë të gjerë gjeografike duke prekur disa vende të Ballkanit, Turqinë, Qipron dhe pjesë të konsiderueshme të Lindjes së Mesme. Intensiteti i kësaj vale të nxehti arriti kulmin e saj midis datave 11 dhe 14 qershor 2024, duke shkaktuar temperatura ekstreme dhe kushte potencialisht të rrezikshme për shëndetin publik dhe infrastrukturën në të gjithë rajonin. Ky fenomen meteorologjik nënvizon tendencën në rritje të ngjarjeve ekstreme të motit, të lidhura ngushtë me ndryshimet klimatike globale.
ClimaΜeter kreu një studim të atribuimit të rritjes së temperatus mesatare me mbi 1.5 ºC dhe rezultatet tregojnë se kjo valë e të nxehtit është përkeqësuar nga ndryshimet klimatike të nxitura nga njerëzit. Më konkretisht, zonat perëndimore dhe veriore të Shqipërisë kanë qenë më të ndikuarat nga këto anomali të vlerave. Valë të ngjashme të nxehtit në të kaluarën ndodhën (periudha 1979-2001), por ato ishin më të ftohta dhe kohëzgjatja e tyre ishte më e shkurtër. Në klimën e tanishme ka ndryshuar regjimi i reshjeve, me rënie të dukshme të sasisë së reshjeve në zonat bregdetare të Shqipërisë dhe një ulje të ndjeshme të intensitetit të erërave.
Analizat e presionit atmosferik sipërfaqësor në klimën aktuale tregojnë një anomali pozitive të theksuar në Shqipërinë Lindore, e cila u identifikua si faktori kryesor që kontribuoi në regjistrimin e temperaturave jashtëzakonisht të larta gjatë valës së nxehtë që përfshiu vendin në qershor 2024.
Analiza e të dhënave klimatike tregon ndryshime të rëndësishme në Shqipëri:
- Temperatura: Anomali të ngrohta të theksuara, me rritje deri në +5°C në shumicën e territorit.
- Reshjet: Deficit i konsiderueshëm reshjesh në pjesën më të madhe të vendit. Vetëm në zonat malore janë regjistruar reshje të lehta, me intensitet më të ulët se 5 mm/ditë.
- Era: Predominojnë kushtet e erërave të lehta në të gjithë vendin. Shpejtësi më të larta të erës vërehen kryesisht në zonat malore, por edhe këto mbeten relativisht të moderuara.
Globalisht, qershori 2024 ishte:
Sipas të dhënave, qershori 2024 ishte muaji i dymbëdhjetë radhazi me një temperaturë mesatare globale të ajrit sipërfaqësor në ose mbi 1.5°C më të lartë se nivelet para-industriale. Tetë nga këta 12 muaj, nga shtatori 2023 deri në prill 2024, ishin dukshëm mbi 1.5°C, me vlera që varionin nga 1.58°C deri në 1.78°C. Ndërkohë, vlerat për maj dhe qershor 2024, si dhe ato për korrik dhe gusht 2023, ishin shumë afër pragut 1.5°C (midis 1.50°C dhe 1.53°C)
Anomalitë e temperaturës mesatare evropiane janë përgjithësisht më të mëdha dhe më të ndryshueshme se anomalitë globale. Temperatura mesatare evropiane për qershorin 2024 ishte 1.57°C më e lartë se mesatarja 1991-2020, duke e bërë atë qershorin e dytë më të ngrohtë në rekord për Evropën, së bashku me qershorin 2022, megjithëse vetëm 0.06°C më i ngrohtë se qershori 2021. Qershori 2019 mbetet qershori më i ngrohtë evropian, me 1.87°C mbi mesataren.
Në qershor 2024, temperaturat e ajrit ishin dukshëm mbi mesataren e tyre 1991-2020 në Italinë Jugore, Evropën Juglindore dhe Turqi, duke reflektuar valët e të nxehtit.

Analizë mbi të dhënat klimatike të muajit të qershor 2024 si një reflektim për të ardhmen
Raporti i IPCC AR6 paraqet një lidhje të qartë midis valëve të nxehtit dhe ndryshimeve klimatike, e cila po shoqërohet me ndryshime të klimës që kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e valëve të nxehtit përmes mekanizmave të ndryshme.
Ngrohja që rezulton nga ndryshimet klimatike ka çuar në një rritje të frekuencës, intensitetit dhe kohëzgjatjes së ngjarjeve të lidhura me nxehtësinë përfshirë valët e të nxehtit në shumicën e rajoneve. Ngrohja globale dhe urbanizimi mund të rrisin ngrohjen në qytete dhe rrethinat e tyre veçanërisht gjatë valëve të të nxehtit me një ndikim më të lartë në temperaturat e natës sesa temperaturat e ditës.
Temperatura e vëzhguar e ajrit sipërfaqësor është rritur që nga shekulli i 20-të në Mesdheun Lindor duke intensifikuar kërcënimin e valëve të të nxehtit në të gjithë rajonin. Konkretisht në Ballkan frekuenca dhe kohëzgjatja e valëve të të nxehtit janë rritur, të shoqëruara me anomali të vazhdueshme të presionit të lartë që çojnë në të ashtuquajturat kushte të kupolës së nxehtësisë në rajon veçanërisht në stinën e verës.
ClimaMeter kreu një analizë të detajuar për të krahasuar karakteristikat e ngjarjeve të nxehta të ngjashme me valën e të nxehtit të Mesdheut Lindor të qershorit 2024, duke vlerësuar ndryshimet midis periudhës aktuale (2001-2023) dhe asaj të kaluar (1979-2001) në rajon. Gjetjet tregojnë ndryshime të rëndësishme në parametrat klimatikë.
Presioni sipërfaqësor ka shfaqur një rritje mbi Ballkan dhe një ulje në Turqinë Lindore, megjithëse ndryshimet nuk janë dramatike. Temperaturat gjatë ngjarjeve të ngjashme janë intensifikuar ndjeshëm, duke qenë të paktën 1.5°C më të larta në klimën aktuale, me rritje edhe më të theksuara në Ballkanin Perëndimor dhe Afrikën e Veriut.
Modelet e reshjeve kanë mbetur kryesisht të pandryshuara, me përjashtim të një rënieje të konsiderueshme në Bullgari dhe Rumaninë Jugore. Kushtet e erës kanë pësuar ndryshime të dukshme, me një ulje të shpejtësisë prej rreth 5 km/h në detet Jon dhe Adriatik, dhe 2 km/h në Detin e Zi, ndërsa disa pjesë të Mesdheut Qendror dhe Detit Levantin kanë përjetuar rritje të erës.
Veçanërisht e rëndësishme është zhvendosja e shpërndarjes sezonale të këtyre ngjarjeve, nga qershori në të kaluarën, drejt majit dhe korrikut në klimën aktuale, duke sugjeruar një zgjerim të sezonit të nxehtë.
Burimi: