Rezultatet e sondazhit të zhvilluar ekskluzivisht nga “The Guardian”, tregojnë se me qindra shkencëtarë të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) janë të mendimit se planeti po shkon drejt një ngrohjeje me së paku 2.5°C, duke parashikuar pasoja katastrofike për njerëzimin.
Sipas një sondazhi të kryer me pjesëmarrjen e qindra shkencëtarëve kryesorë të klimës në botë, pritet që temperaturat globale të rriten me të paktën 2.5°C (4.5°F) mbi nivelet paraindustriale gjatë këtij shekulli. Kjo rritje e temperaturës e tejkalon objektivin e dekaluar, i cili është i pranuar gjerësisht në nivel ndërkombëtar, duke shkaktuar pasoja katastrofike për njerëzimin dhe planetin tonë.
Shumë shkencëtarë parashikojnë një të ardhme që mund të përshkruhet si “gjysmë-distopike”, e karakterizuar nga mungesa e ushqimit, konflikte dhe migrim masiv. Këto pritje përkeqësohen nga valët e temperaturave të larta, zjarret, përmbytjet dhe stuhitë, të cilat pritet të kenë një intensitet dhe frekuencë shumë më të lartë se ato që kemi përjetuar deri më tani. Megjithatë, shumica e tyre vijojnë të insistojnë që lufta kundër ndryshimeve klimatike duhet të vazhdojë, edhe nëse temperatura globale vazhdon të rritet. Ata mbështesin idenë se çdo pjesë e sasisë së rritjes së temperaturës që mund të parandalohet do të kontribuojë në zvogëlimin e pasojave negative për planetin.
“The Guardian” ka kontaktuar të gjithë autorët potencialë të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), i cili është autoriteti më i lartë akademiko-kërkimor global për të trajtuar sfidat e ndryshimeve klimatike. Rreth gjysma e tyre kanë reaguar në pyetësor, dhe sipas rezultateve të mbledhura, shumica e tyre u përgjigjën se presin ngjarje të rënda klimatike në dekadat pasuese. Kjo pritje bazohet në faktin se vlerat e temperaturës, me gjasë, do ta tejkalojnë normën e 2.5°C pavarësisht të gjitha masave të ndërmarra.
Ekspertët shprehin se në këtë moment kritik, përgatitjet masive për të mbrojtur njerëzit nga fatkeqësitë më të rënda të klimës së të ardhmes janë thelbësore, duke synuar të minimizojnë kostot në jetë njerëzore.
Objektivi prej 1.5°C u caktua në “Marrëveshjen e Parisit” me qëllim parandalimin e pasojave më të rënda të krizës klimatike dhe është vlerësuar si një pikë referimi thelbësore për negociatat në nivel vendesh apo sektorësh. Ky objektiv paraqet një detyrë urgjente për të shmangur ndikimin sado pak të ndryshimeve klimatike në jetën e njerëzve dhe mjedis.
Megjithatë, politikat aktuale për klimën sugjerojnë se bota po shkon drejt një rritjeje prej rreth 2.7°C, një shifër që tejkalon objektivin e 1.5°C dhe që do të shkaktonte ndryshime të dukshme në mjedisin tonë. Anketimi i “The Guardian” tregon se shumë pak ekspertë të IPCC-së presin që bota të ndërmarrë veprimet e duhura për ta reduktuar këtë rritje në kohë dhe në masë të mjaftueshme.
Tre të katërtat e ekspertëve shprehen se bota po dështon për shkak të mungesës së vullnetit politik, dhe rreth 60% prej tyre fajësojnë interesat e korporatave për këtë situatë. Shumë ekspertë gjithashtu theksuan pabarazinë dhe dështimin e vendeve të pasura për të ndihmuar komunitetet më të varfra, të cilët vuajnë më shumë nga ndikimet klimatike.
Burimi: