Veprimi global për të përmbushur objektivin afatgjatë të temperaturës të Marrëveshjes së Parisit mbetet i pamjaftueshëm. Rritja e ambicieve për objektivat klimatike të vitit 2030 dhe përshpejtimi i reduktimit të shkarkimeve në këtë dekadë janë thelbësore.
Në raportin e publikuar së fundi nga Climate Analytics, paraqiten rrugët teknikisht të realizueshme në sektorin e energjisë për reduktimin e shkarkimeve në përputhshmëri me objektivin e Marrëveshjes së Parisit për BE27 dhe vlerëson nëse objektivat aktuale të klimës së BE-së për vitin 2030 janë në përputhje me kufizimin e ngrohjes në 1,5°C.
Raporti zbulon se, për të qenë në përputhje me 1.5°C, vendet e BE27 do të duhet të reduktojnë shkarkimet e tyre, më shpejt nga cfarë ishte planifikuar aktualisht.
Rrugët/Mënyrat e vlerësuara në këtë raport, tregojnë se vendet e BE27 mund të:
– Të reduktojnë shkarkimet e gazeve serrë ndërmjet 63-73% nën nivelet e vitit 1990, duke përjashtuar përdorimin e tokës, ndryshimin e përdorimit të tokës dhe pylltarinë(LULUCF). Duke llogaritur për LULUCF, kjo korrespondon me një reduktim 66-77% deri në vitin 2030, në krahasim me nivelet e vitit 1990.
– Zero shkarkime të gazeve serë ndërmjet viteve 2040-2045.
– Kufizojnë shkarkimet totale kumulative të CO2 të BE27 në 11-22 GtCO2 nga viti 2020 deri në mesin e shekullit. Për këtë arsye analiza sugjeron që Kontributi i Përcaktuar Kombëtar (NDC) aktual i BE-së, i cili synon të ulë shkarkimet me 55% nën nivelet 2903, nuk mund të shihet si i pajtueshëm me objektivin e Marrëveshjes së Parisit (1,5°C).
Politikat dhe objektivat aktuale të BE-së nuk përputhen me objektivin e 1.5°C, siç vlerësohet në këtë raport. Të gjitha objektivat dhe planet janë konvertuar për të përjashtuar LULUCF, aviacionin ndërkombëtar, si dhe transportin detar brenda vendeve të BE27.
Raporti demonstron gjithashtu se si BE27 mund t’i arrijë këto standarde (të përputhshme me objektivin 1,5°C) përmes një tranzicioni të shpejtë drejt një sistemi efiçent energjie të mundësuar nga burimet e rinovueshme të energjisë. Ai fokusohet në dy rrugë ilustruese, skenarin HighRE dhe skenarin PAC.
Skenari HighRE është një version i thjeshtë i një modeli më të avancuar vlerësimi, i cili mbështetet në burimet e rinovueshme me kosto të ulët për të kufizuar ngrohjen në 1,5°C, ndërsa redukton varësinë nga bioenergjia dhe pakësimi i dioksidit të karbonit.
Skenari PAC ofron një perspektivë nga poshtë-lart se si vendet BE27+MB mund të arrijnë zero shkarkime të CO2 deri në vitin 2040.
Këto rrugë prodhohen nga metodologji të ndryshme, gjë që jep një vlerësim më të qartë të veprimit, në përputhje me objektivin e Marrëveshjes së Parisit për BE27. Në këto rrugë, energjia elektrike siguron 66-70% të energjisë përfundimtare në vitin 2050.
Ka gjithashtu reduktime të forta dhe të qëndrueshme në kërkesën përfundimtare për energji, që do të thotë se deri në vitin 2050, kërkesa totale për energji në BE27 mund të jetë deri në 58% më e ulët se në vitin 2019.
Në përgjithësi, burimet e rinovueshme sigurojnë 48-54% të kërkesës përfundimtare për energji deri në 2030, duke u rritur në 92-100% në vitin 2050. Lëndët djegëse fosile mund të zëvendësohen me shpejtësi nga sistemi energjetik në rrugë që përputhen me objektivin e 1,5°C për BE27. Në rrugët më ambicioze, qymyri do të hiqet nga sistemi energjetik deri në fillim të viteve 2030 dhe më vonë nafta/gazi deri në vitin 2040. Ka një veprim veçanërisht të fortë në sektorin e energjisë, ku zhvillimi i shpejtë i prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme si era dhe dielli, është guri i themelit të tranzicionit të energjisë.
Pikat kryesore për sektorin e energjisë elektrike në këto rrugë përfshijnë:
-Përdorimi i qymyrit për prodhimin e energjisë do të zvogëlohet gradualisht deri në vitin 2030 dhe më tej, gazi fosil nga mesi i viteve 2030;
-Një tranzicion në 100% energji elektrike të pastër nga mesi i viteve 2030;
-Një kalim në 100% energji elektrike të rinovueshme, me një afat të fundit deri në vitin 2050;
-Prodhimi i energjisë elektrike do të trefishohet deri në vitin 2050.
Është e qartë se BE-27 mund dhe duhet të bëjë më shumë për t’u përafruar me objektivin 1,5°C të Marrëveshjes së Parisit dhe për të ofruar udhëheqje globale në krizën klimatike.
Duke ofruar një NDC të përditësuar që synon të ulë shkarkimet me të paktën 66% (përfshirë LULUCF) deri në vitin 2030, duke u angazhuar për 100% energji elektrike të pastër deri në mesin e viteve 2030 dhe duke sjellë përpara datën kur shkarkimet e gazeve serë do të arrijnë në zero deri në një dekadë, BE27 mund të nxisë veprime ambicioze për klimën dhe të ndihmojë në mbajtjen në kontroll të temperaturës, për të mos tejkaluar rritjen e saj në mbi 1,5°C.