Klima është një element shumë i rëndësishëm i mjedisit, e cila së fundi është karakterizuar nga disa ndryshime. Pasojat e këtyre ndryshimeve tashmë kanë filluar të ndikojnë negativisht në shumë vende të botës, si edhe në Shqipëri.
Në vendin tonë, gjatë viteve të fundit, janë vërejtur situata ekstreme të motit, si përmbytjet, zjarret në pyje, por edhe një rritje e thatësirave, duke krijuar shumë probleme për jetën dhe ekonomitë e fermerëve e jo vetëm.
Komuna e Bushatit në Shkodër, është një nga vendet më të prekura ngapasojat e ndryshimeve klimatike. Vitet e fundit banorët e kësaj njësie administrative, kanë përjetuar përmbytje të herëpashershme, ngjarje të cilat u bënë zanafilla për studime të ndryshme.
Studimi më i fundit, i cili i përket vitit 2020, kishte si objektiv kryesor të tregonte se si kanë ndryshuar reshjet gjatë një periudhë 89 vjeçare nga viti 1931-2019.
Kërkimi u bazua, në të dhënat e stacionit meteorologjik të Bushatit, ndërsa përpunimi dhe analizimi i tyre, u realizua duke aplikuar të gjitha kriteret e nevojshme, në përputhje me standardet e OBM (Organizata Botërore Meteorologjike).
Rezultatet e përftuara, treguan se një rënie në sasinë totale të reshjeve vjetore, sjell një rritje të thatësirave, të kategorizuara “shumë të rënda” dhe “ekstreme”.
Gjithashtu, gjatë periudhës 1931-2018 (nga viti në vit), u vërejt një tendencë në zbritje në sasinë e reshjeve me 9-11%. Ndërsa në disa raste, brenda të njëjtit muaj u vërejtën ndryshime të tilla si, rritje në sasinë e reshjeve dhe rritje të thatësirave. Muaji Prill, rezultoi të ishte muaji i cili karakterizohet më së shumti nga ndryshime jo të zakonshme. Vërtetuar kjo, me Prillin e 2018-ës, muaji gjatë të cilit u shënua vlera më e ulët e sasisë së reshjeve mujore, për periudhën nga viti 1931 deri në vitin 2019, me vetëm 14.3 mm reshje.
Në fund autorët theksojnë akoma më tepër, se ngjarjet ekstreme po rriten çdo ditë e më shumë në Bushat e jo vetëm. Reshjet e deborës janë më të pakta se vlerat normale, ndërkohë që po rriten thatësirat dhe përmbytjet, duke lënë pasoja të pakthyeshme në vend.
Autor: Prof. Dr. Petrit Zorba