Në një libër të ri, Atlasi i të Padukshmes, gjeografi James Cheshire dhe projektuesi Oliver Uberti ripërcaktojnë se çfarë është një atlas. Tetë grafikët e mëposhtëm zbulojnë disa nga shkaqet dhe pasojat e krizës klimatike që janë të vështira për t’u zbuluar me sy të lirë, por bëhen të qarta kur të dhënat mblidhen dhe vizualizohen si në këtë atlas
Grafiku nr. 1: Parashikimi i risqeve nga turbulencat e ajrit (2050-2080)
Turbulencat e ajrit janë dukuri që mund të hasen gjatë fluturimeve ajrore.
Në vitin 2018, Administrata Federale e Aviacionit në SHBA, raportoi vetëm 9 plagosje serioze/në 1 miliard pasagjerë, të shkaktuara nga turbulencat në ajër të pastër. Por rreziku vazhdon, sepse as kapitenët dhe as instrumentet e tyre në bord nuk mund të shohin turbulencat; Kështu që ata mbështeten tek pilotët e tjerë dhe dispeçerët e fluturimit për paralajmërime të tilla.
Vitet e fundit meteorologët kanë paralajmëruar pilotët, se goditjet që pritet të ndodhin gjatë këtij shekulli do jenë më të mëdha. Simulimet tregojnë se ndërsa kriza klimatike i bën rrugët ajrore më të çrregullta, shanset për të hasur turbulenca ajrore, po ashtu do të rriten. Kjo pritet të ndodhë veçanërisht në vjeshtë dhe dimër gjatë trafiqeve më të ngarkuara, gjë e cila përbën një arsye më shumë për të shkurtuar fluturimet transatlantike.
Grafiku nr. 2: Shpërndarja e dritave 2012-2016
Në vitet e fundit, një sensor revolucionar drite dhe zhvillimi i algoritmeve për të hequr dritën e hënës dhe variablat e tjera natyrore, kanë bërë të mundur krahasimin e imazheve satelitore nga nata në natë apo nga viti në vit. Në grafikun e mësipërm janë kombinuar të dhënat e shpërndarjes së dritës nga 2012 dhe 2016. Nëpërmjet këtij kombinimi u bë e mundur zbulimi i vendeve në të cilat janë shtuar dritat (verdhë), janë zvogëluar (blu) dhe ku kanë mbetur të njëjta (gri).
Nga këto modele, është e mundur të shihen efektet e luftës, zhvillimit ekonomik dhe urbanizimit. Më shumë se 25 milionë familje në Indi kanë marrë energji elektrike që kur Narendra Modi u zgjodh kryeministër në vitin 2014. Ndërsa për sa i përket Kinës, vërehet se zonat rurale po dobësohen teksa qytetet bregdetare po zhvillohen.
Grafiku nr. 3: Gradienti i temperaturave ndër vite
Një nga konceptet e gabuara rreth krizës klimatike është se ngrohja do të jetë uniforme.
Çdo katror i grafikut të mësipërm përfaqëson një vit, që starton nga 1890 deri në 2019. Ngjyrat tregojnë se si dhe ku kanë devijuar temperaturat, bazuar në një periudhë bazë (1961-90). Ajo çfarë vërehet është alarmuese. Pjesëzat për shekullin e tanishëm karakterizohen nga tonalitetet e ngjyrave që përfaqësojnë temperaturat e ngrohta dhe të nxehta. Duke vërtetuar kështu faktin se, 10 vitet më të nxehta janë regjistruar që nga viti 2005, përfshirë këtu edhe vitin 2020.
Grafiku nr. 4: Shkrirja e akullnajave të Groenlandës
Nën kupolën e Groenlandës me dëborë dhe akull, afro 100 akullnaja shkëputen nga një kreshtë qendrore. Luginat gjarpëruese në lindje e ngadalësojnë shpejtësinë e tyre, ndërsa reshjet më të rënda të dëborës në veri-perëndim, shkojnë drejt e në det.
Në këtë hartë, ngjyrat më të ngrohta tregojnë lëvizjet më të shpejta. Groenlanda ka rreth 5.000 giga tonë më pak akull se 20 vjet më parë. Një pjesë e problemit është se pasi shkrirja fillon, është e vështirë të ndalet. Ujërat e shkrirë e të ngrohtë, depërtojnë eventualisht në akullnajë. Kjo ndikon në zbutjen e bazës e saj, duke shpejtuar rrëshqitjen e akullit në vende më të ulëta dhe të ngrohta. Prej aty akulli vazhdon të zbutet dhe të lëvizë më shpejt.
Grafiku nr. 5: Rritja e temperaturave të sipërfaqes së detit në të gjithë botën.
Në këtë hartë shihen oqeanet e botës si një trup i vetëm. Në 50 vitet e fundit kjo masë ka mbajtur të bllokuar nxehtësinë e tepërt, që është pasojë e gazeve serë. Si rezultat, temperaturat e sipërfaqes së detit po rriten me shpejtësi. Në vitin 2019, ujërat në Arktik e tejkaluan mesataren e tyre historike me 7℃. Kjo rritje në temperaturën e ujit të detit, rrit lagështinë e ajrit. Si rrjedhojë, ajo ndryshon rrymat atmosferike, duke çuar në stuhi më të mëdha, më të forta, më të ngadalta dhe më të lagështa. Që nga viti 2005, fenomenet ektreme të motit, sic janë ciklonet, janë rritur konsiderueshëm.
Grafiku nr. 6: Fluturimet gjatë një jave mbi Evropë
Kur në qiellin blu shohim një shirit të bardhë që ndjek një avion, udhëtimi me avion mund të duket i padëmshëm, madje shumë i bukur. Por, pas gjithë kësaj në dukje “mrekulli”, fshihet një e vërtetë më e hidhur. Harta e mësipërme paraqet fluturimet gjatë një jave mbi Evropë. Sasia e dioksidid të karbonit që clirohet gjatë këtyre fluturimeve është e konsiderueshme. Për shembull, një fluturim kthimi nga Londra në Stamboll lëshon më shumë CO2, se sa mesatarja e shtetasve të shumë vendeve së bashku, në një vit.
Grafiku nr. 7: Përqendrimi dioksidit të azotit më 25 korrik 2019.
Që nga viti 2017, Instrumenti i Monitorimit Troposferik (Tropomi), i Agjencisë Evropiane të Hapësirës ka siguruar lexime të përditshme globale të dioksidit të azotit, dioksidit të squfurit dhe niveleve të grimcave në atmosferë. Në hartën e radhës tregohen sasia e dioksidit të azotit në një nga ditët më të ngrohta të Evropës Veriore, në vitin 2019.
Vërehet se midis Amsterdamit dhe Londrës, dioksidi i azotit është në përqendrime të larta. Udhëtimet ajrore janë përgjegjësit kryesorë të kësaj situate. Ndërkohë që, duke u afruar më në qendër të Europës, tregohet ndikimi që kanë ndotësit industrial në alpe. Shirat e tyre shkaktojnë shkarkimin e ndotësve (NO2) mbi Italinë veriore; Marseja nga ana tjetër, gjithashtu ka nivele të larta të këtyre ndotësve. Zgjidhja do të ishte, një erë e fortë që të zhvendoste NO2 dhe jo vetëm, që vjen nga porti detar.
Grafiku nr. 8: Zjarret aktive në të gjithë botën (Nëntor 2018-Tetor 2019)
Fermerët anembanë botës dogjën tokat, për të bërë pastrimin e saj për të mbjellat ose bagëtinë. Në këtë hartë, ngjyra e kuqe në pjesën e Afrikës pasqyron zhvendosjen e stinëve përgjatë gjithë ekuatorit. Në Rusi, të dhënat nga zjarri tregojnë një histori tjetër. Në qytetin Verkhoyansk, temperaturat arritën 38°C, në ditën më të gjatë të vitit 2020. Kjo ishte dita më e nxehtë e regjistruar në veri të Rrethit Arktik.
Temperatura të tilla shkaktuan rritjen e lagështisë në pyje, si dhe tokat torfë (të pasura me lëndë organike) u kthyen në lëndë fosile.
Këto ishin disa nga grafikët që paraqiten në Atlasin e të Padukshmes, i cili pasqyron në mënyrë vizuale krizën klimatike, në të cilën ndodhemi/ The Guardian