Gjatë dhjetë viteve të fundit, politikat kombëtare të zhvillimit të Shqipërisë kanë synuar të ndryshojnë vendin dhe ta kthejnë atë, në një superfuqi të prodhimit të energjisë. Kjo ka rezultuar në lëshimin e më shumë se 530 lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël (vHEC) në përrenjtë dhe lumenjtë në të gjithë vendin.
Vërehet gjerësisht se zhvillimi i pakontrolluar i HEC-ve përbën një kërcënim ekzistencial për lumenjtë dhe përrenjtë shqiptarë. Kjo prirje negative po shihet gjithashtu në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku janë duke u planifikuar më shumë se 2,500 hidrocentrale të vegjël.
Këto ndërveprime do të kenë pasoja të mëdha në habitatet e lumenjve të cilat, nuk janë lehtësisht të kthyeshme, por komunitetet lokale dhe aktorë të tjerë të interesuar nëpërmjet iniciativave të ndryshme, mund të kenë një efekt pozitiv në këtë trend negativ. Për shembull, në Shtator 2020, Qeveria Shqiptare vendosi të mos rinovojë lejen mjedisore për HEC-in në Kalivaç, dhe ky është një provë që zëri i komuniteteve lokale dhe aktivistëve mund të sjell një ndryshimin në disa prej vendimeve të mëparshme mbi HEC-et.
Janë bërë disa vlerësime të pjesshme, por asnjë nga ato nuk paraqet efektet afatgjata të këtyre investimeve të vHEC (hidrocentrale të vegjël). Banorët dhe bizneset lokale kanë dhënë dëshmi se vHEC-et nuk po sjellin përfitime për komunitetet lokale për të balancuar ndikimet negative në mjedis, por se vHEC-et shfrytëzojnë burimet natyrore në një mënyrë të paqëndrueshme dhe e kanë bërë jetën e tyre më sfiduese.
Së fundmi, bizneset lokale të cilat janë të përfshira kryesisht në turizëm në zonat e synuara, japin prova të qarta se ndikimi i HEC-ve në turizëm është veçanërisht shkatërrues pasi ato ndikojnë në imazhin e këtyre zonave si destinacione turistike. Në plan afatgjatë, përmirësimet në infrastrukturën lokale dhe potenciali për mundësi të reja biznesi, të tilla si sporti në natyrë dhe zhvillimi i tregut të produkteve vendore, do të mbulohen nga humbja e karakteristikave të natyrës dhe habitatit për shkak të ndërtimit dhe funksionimit të vHEC-ve.
Në një raport të publikuar së fundi, është kryer një analizë socio-ekonomike e ndikimit të ndërtimeve të HEC-ve në lumin Valbona dhe Rapun. Kjo për faktin se, lumi Valbona në Tropojë dhe ai Rapuni në Librazhd janë dy nga lumenjtë e fundit të Shqipërisë akoma të paprekur nga ndërtimet, të cilët kanë një biodiversitet të larmishëm dhe ekosisteme unike.
- Objektivat e këtij studimi
-të sigurojë një përmbledhje të ndikimeve socio-ekonomike të HEC-ve në dy zonat e marra në studim,
-të analizojë kapacitetet ekzistuese ekonomike të lumenjve dhe përrenjve në perspektivën e prodhimit të energjisë kundrejt aktiviteteve të tjera ekonomike në këto vende,
-vendosja e një bazë për krahasimin në të ardhmen të zhvillimit socio-ekonomik,
-të kontribuojë në vlerësimin e ndikimit të zhvillimit të HEC-ve në të gjithë rajonin e Ballkanit.
- Metodologjia
Të dyja metodat e kërkimit, janë përdorur në këtë raport vlerësimi;
1. Sasiore
2. Cilësore.
Kërkimi cilësor lejon një shpjegim të hollësishëm të ngjarjeve dhe kërkimi sasior është i mirë për të përmbledhur më shumë të dhëna dhe për të bërë përgjithësime. Të dy metodat u përdorën për të mbledhur, organizuar dhe analizuar të gjithë informacionin për këtë raport vlerësimi. Ato u përdorën gjithashtu për të nxjerrë një kuptim të hollësishëm të temës.
- HEC-et në Shqipëri
vHEC-et janë të vendosura në të gjitha pellgjet dhe degët e lumenjve në Shqipëri. Pellgu i lumit Drin ka numrin më të madh të hidrocentraleve me 159. Kjo përfaqëson 30% të numrit të përgjithshëm të lejeve të lëshuara për ndërtimin e hidrocentraleve.
Tabela 1: Numri i HEC-ve në çdo basen
Baseni | Në veprim | Në ndërtim | Të Planifikuar | Totali |
Drin | 16 | 3 | 140 | 159 |
Ishëm-Erzen | 1 | 0 | 10 | 11 |
Mat | 2 | 0 | 57 | 59 |
Seman | 6 | 5 | 68 | 79 |
Shkumbin | 7 | 7 | 65 | 79 |
Vjosa | 12 | 12 | 21 | 45 |
TOTALI | 44 | 27 | 361 | 432 |
Pavarësisht, kufizimeve të vendosura nga Ligji për Zonat e Mbrojtura, përafërsisht 15% e hidrocentraleve janë planifikuar të vendosen brenda zonave të mbrojtura. Tabela 2 tregon qartë se numri më i madh i vHEC-ve në zonat e mbrojtura gjenden në pellgjet e lumenjve Drin dhe Shkumbin. Dy vendet e marra në studim të këtij raporti vlerësimi, lumenjtë Valbona dhe Rapuni, janë të vendosura në këto pellgje lumore.
Tabela 2: Numri i vHEC-ve brenda zonave të mbrojtura
Baseni | Numri i vHec-ve |
Drin | 30 |
Ishëm-Erzen | 4 |
Mat | 3 |
Seman | 1 |
Shkumbin | 32 |
Vjosë | 10 |
Totali | 80 |
Ekspertët theksojnë se ndikimet mjedisore dhe socio-ekonomike të vHEC-eve janë akoma të panjohura, edhe pse disa studime zbulojnë të dhëna të rëndësishme për ndikimet negative mjedisore dhe socio-ekonomike të vHEC-ve. Një sërë studimesh dhe raporte vlerësimi kanë konsoliduar të dhëna për ndikimin negativ në ekosistemet dhe biodiversitetin. Ndërsa fokusi kryesor i këtyre raporteve ishte në ndikimin e vHEC-ve brenda zonave të mbrojtura, ku bëhet e qartë se ndikimi në ekosistem siç janë cilësia dhe sasia e ujit, humbja e biodiversitetit dhe specieve me vlera ekonomike kanë ndikime të drejtpërdrejta negative mbi bashkësitë lokale dhe mirëqenien e standartet e tyre të jetesës.
- Impaktet socio-ekonomike
Që nga fillimi, zhvillimi i HEC-ve është udhëhequr fuqimisht nga kërkesa për energji dhe rritja e investimeve private. Qasja për të lejuar propozime të pakërkuara ka inkurajuar investitorë të vegjël të cilët shpesh nuk kanë kapacitete për të zbatuar projekte të HEC.
Këtyre llojeve të investitorëve u mungojnë burimet financiare dhe njohuritë teknike, gjë që rezulton në vonesa të investimeve, dështime dhe pasoja të pafavorshme mjedisore. Mekanizmi aktual për zhvillimin e vHEC-ve nuk bazohet në qasje të integruara dhe të qëndrueshme dhe nuk përfshin ndonjë vlerësim të rrezikut siç është prekshmëria e ndryshimeve klimatike.
Humbjet e vlerës së jashtme, për shkak të degradimit të mjedisit, mungesës së ujit ose humbjes së të ardhurave nga turizmi dhe peshkimi, nuk merren në konsideratë gjatë procesit të miratimit për hidrocentralet. Kjo është për shkak se nuk kryhet një analizë me kosto efektive dhe as një analizë e kostos së përfitimit që konsideron humbjet mjedisore. Legjislacioni që rregullon lejet e kërkuara, ose forma e koncesionit ose si një gjenerator shtesë i energjisë, lejon një integrim të kufizuar mjedisor, duke shkaktuar kështu konflikte të pajtueshmërisë me legjislacionin tjetër siç është ai për ujin dhe mbrojtjen e natyrës. Mekanizmi ekzistues për integrimin mjedisor në procedurën e koncesionit të HEC është i papërshtatshëm. Ai nuk garanton as standardet e mbrojtjes së mjedisit, as edhe zbatimin e legjislacionit mjedisor.
Ndikimet e mundshme të projekteve të HEC në komunitetet lokale mund të ndryshojnë nga pozitive në jashtëzakonisht negative. Ndikimet e mundshme duhet të merren parasysh gjithmonë gjatë procedurës së VNM-së, tw cilat u shqyrtuan gjatë rishikimit të saj. Rezultatet e këtij raporti vlerësimi tregojnë se numri i VNM-ve që përfshinë ndikime sociale është më i lartë. Një ndikim i tillë në popullatën lokale po pengon përdorimin e ujit për ujitje, sepse edhe në rastet kur aktualisht nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në ujitje, ai përcaktohet si i mundur.
- Rezultate
1. Zhvillimi i sektorit të vHEC-ve në Shqipëri nuk u bazua në një analizë të thelluar të kapacitetit hidrologjik të mundshëm të vendit. Nuk ka asnjë dokument zyrtar që vërteton dobitë ose kufizimet e këtij zhvillimi. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është përgjegjëse për licensimin e vHEC-ve, nuk ka as një plan zhvillimi kombëtar ose rajonal për të përcaktuar kapacitetin hidroenergjetik të baseneve të lumenjve në vend, zonën ku ato mund të ndërtohen dhe madhësinë më të përshtatshme. Si rezultat, ka një mungesë të vizionit, politikës dhe strategjisë së qartë për zhvillimin e sektorit të vHEC në vend.
2. Zhvillimi aktual i sektorit të vHEC-ve në Shqipëri, po ndodh ndërsa vendi është në procesin e zhvillimit të dokumenteve kryesore strategjike, të tilla si:
• Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, me menaxhimin e ujërave që janë ndër përparësitë kryesore
• Strategjia për Luftimin dhe Përshtatjen me Ndryshimet Klimatike
3. Zhvillimi i sektorit të vHEC-ve do të ndikojë në përdorimin e burimeve ujore nga sektorë të tjerë jetësorë për vendin, të tilla si për bujqësinë ose furnizimin me ujë të pijshëm. Aktualisht nuk ka asnjë plan zbutës për uljen e sasisë së reshjeve. Ky skenar jo i favorshëm i ndryshimit të klimës do të rezultojë në më pak ujë në lumenjtë dhe përrenjtë e vendit dhe sasia e ujit në dispozicion të fermerëve do të kontrollohet nga kompanitë e vHEC.
4. Analizat e kosto-përfitimit të ndërtimit të HEC-ve në Shqipëri nuk janë kryer, që do të thotë se nuk ka vlerësim të përfitimeve të tyre kundrejt ndikimit të tyre negativ në ekonomitë lokale. Këto analiza janë thelbësore për planifikimin strategjik dhe për të siguruar mbështetje për aktivitetet e rëndësishme ekonomike të rajonit. Për më tepër, nuk merren parasysh aktivitetet e mundshme të zhvillimit ekonomik, të cilat do të kontribuojnë në punësimin lokal dhe gjenerimin e të ardhurave për popullatën.
5. Dhe së fundi, nuk është bërë asnjë analizë kosto-përfitim që konsideron efektet e mundshme të ndryshimit të klimës të shkaktuara nga dukuri të tilla si një zvogëlim i sasisë së reshjeve.
Ndryshimi i klimës do të përkeqësojë më tej ndikimet socio-ekonomike të hidrocentraleve në popullatën lokale, vecanërisht gjatë sezoneve të thata, për shkak të presionit të shkaktuar nga rritja e nevojave për sasi më të mëdha uji për bujqësi dhe konsum.
Autorë: Prof.Asoc.Dr. Mihallaq Qirjo, Prof.Dr. Fatmir Memaj