Turizmi është një prioritet në Shqipëri dhe realizohet në të gjitha format e tij. Kontributi i turizmit në ekonominë shqiptare është 2.5% e Produkti i Brendshëm Bruto (PBB-së). Ndërsa sezonit turistik po zgjerohet, në Shqipëri po identifikohet edhe erozioni i vijës bregdetare, valët e të nxehtit, temperaturat ekstreme, zjarret e shumta, etj. Kjo panoramë tregon se turizmi në Shqipëri do të përballet së shpejti me një situatë të vështirë për shkak të ndryshimeve klimatike.
Ndryshimet klimatike tani janë temë diskutimi në tryezat e çdo niveli të qeverisjes, biznesit dhe komuniteteve. Me ndryshime klimatike nënkuptojmë ndryshime afatgjata në temperaturë dhe modelet e motit. Efektet e ndryshimeve klimatike kanë rrezikuar ekzistencën e planetit Tokë dhe të shoqërisë njerëzore. Sipas raportit të fundit të IPCC-së, theksohet se njeriu është shkaktari kryesor i ndryshimeve klimatike dhe se është aktivizuar “kodi i kuq” për njerëzimin.
Ndryshimet klimatike kanë çuar në rritjen e temperaturës me 1.1°C, rritjen e nivelit të detit me 2 metra, ngrohjen e oqeaneve dhe deteve por dhe rritjen e nivelit të aciditetit të tyre, shkrirjen e dëborës në male dhe tërheqjen e akullnajave, rritjen e frekuencës dhe intensitetit të valëve të të nxehtit, mot ekstrem, si dhe rritjen e numrit të përmbytjeve dhe thatësirave. Të gjitha këto elemente kanë efekt në sektorin e turizmit.
Ditët e sotme, pasojat e ndryshimeve klimatike po ndihen në zhvillimin social, ekonomik dhe mjedisor në nivele globale, rajonale dhe lokale. Prandaj, po rritet dhe ndjeshmëria ndaj njohjes dhe marrjes së masave për të reduktuar efektet e ndryshimeve klimatike.
Ndryshimet klimatike dhe turizmi janë të ndërlidhura. Turizmi, në vetvete, është ndër kontribuesit kryesorë të ndryshimeve klimatike për shkak të intensitetit të lartë të transportit dhe të energjisë që konsumon. Por, sikundër kontribuon, është edhe tejet i ndikuar nga pasojat e këtyre ndryshimeve.
Pozita gjeostrategjike e Shqipërisë në Evropën Juglindore, pjesë perëndimore e Gadishullit Ballkanik si dhe pjesë e Detit Mesdhe, e bën atë të veçantë. Me veçori të ndryshme natyrore, ndërthurje të relievit malor dhe fushor në një sipërfaqe të vogël, klimë mesdhetare, hidrografi të pasur, biodiversitet të larmishëm me bimë endemike dhe sub-endemike, të gjitha këto e bëjnë vendin një atraksion interesant turistik. Qasja e lehtë, potencialet natyrore dhe kulturore promovojnë një shumëllojshmëri formash të turizmit si ai malor, piktoresk, sportiv, kulturor, arkeologjik, historik, etnografik, rural, kulinar, etj.
Turizmi është një prioritet në Shqipëri dhe realizohet në të gjitha format e tij. Kontributi i turizmit në ekonominë shqiptare është 2.5% e Produkti i Brendshëm Bruto (PBB-së). Në Shqipëri, turizmi ndërkombëtar përfaqësohet nga turistë të nacionaliteteve të ndryshme, si shqiptarët e Kosovës, Evropës (Greqi, Itali, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi), Amerikës, Azisë Lindore dhe Paqësorit, Afrikës, Azisë Jugore dhe Lindjes së Mesme, etj.
Ajo që evidentohet nga studimi i të dhënave të turizmit vitet e fundit është se profili turistik i Shqipërisë ka evoluar ndër vite. Nëse përpara viteve ‘90 mund të flitej vetëm për turizmin e brendshëm, vetëm pas viteve ‘90 Shqipëria arriti të bëhej pjesë e tregut turistik botëror. Sezoni turistik në Shqipëri, nga 1991 deri në 2000, fillonte në maj ose qershor dhe zgjaste deri në shtator, ndërsa në vitet 2001-2020 sezoni turistik fillon në mars ose prill dhe përfundon në tetor. Ky zgjerim i sezonit turistik lidhet me politikat e turizmit, stilin e ri të jetesës, kohën e lirë, por edhe ndryshimet klimatike, të cilat kanë luajtur një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.
Ndërsa sezonit turistik po zgjerohet, në Shqipëri po identifikohet edhe erozioni i vijës bregdetare, valët e të nxehtit, temperaturat ekstreme, zjarret e shumta, etj. Kjo panoramë tregon se turizmi në Shqipëri do të përballet së shpejti me një situatë të vështirë për shkak të ndryshimeve klimatike. Trendi i temperaturave në Shqipëri gjatë periudhës 1991-2020 ka qenë në rritje me 1°C.
Në vendin tonë, temperaturat në rritje dhe ndryshimet në modelin e reshjeve, reflektohen në frekuencën e thatësirave, rritjen e erozionit në zonat detare dhe përmbytjet e shpeshta. Të gjitha këto ndikojnë jo vetëm në mjedis, por edhe në zhvillimin social dhe ekonomik. Turizmi është një nga sektorët e ekonomisë, i cili bazohet në shfrytëzimin e potencialeve natyrore dhe kulturore.
Nga ana tjetër, turizmi kërkon të zhvillohet në kushte klimatike optimale. Në këto kushte, i jepet rëndësi njohjes dhe studimit të treguesit klimatik për sektorin e turizmit, i cili na ndihmon në vlerësimin e së ardhmes së këtij të fundit në Shqipëri.
Në këtë punim, është marrë në konsideratë Treguesi Klimatik për Turizmin (TCI) për 5 destinacionet kryesore turistike: Shkodra, Lezha, Tirana, Durrësi, Vlora.
Shkodra ka kushte “të pranueshme” për zhvillimin e turizmit. Në këtë qytet, sezoni turistik, sipas TCI, mund të fillojë nga prilli dhe të zgjasë deri në tetor. Në qytetet e Lezhës, Tiranës, Durrësit dhe Vlorës, sipas TCI-së ekzistojnë kushte “të mira” për zhvillimin e turizmit. Vlerat e treguesit klimatik provojnë edhe një herë se riviera shqiptare krijon kushte më të përshtatshme për zhvillimin e turizmit, fakt ky i ndikuar dhe nga karakteristikat natyrore që ka kjo vijë bregdetare.
Në veri të Shqipërisë, bazuar në trendin e temperaturave, po përballemi me një rritje të ditëve të sezonit turistik veror, ndërsa turizmi dimëror do të ketë një reduktim në ditë. Kjo do të thotë se destinacionet turistike si Thethi, Valbona, Shishtaveci, Dardha, Voskopoja, të cilat kanë prioritet për turizmin dimëror, duhet të gjejnë forma të reja për zhvillimin e turizmit.
Megjithatë, të dhënat e marra në terren tregojnë se efekti i ndikimeve klimatike shprehet në rritjen e erozionit detar, ku nga 427 kilometra vijë bregdetare që ka Shqipëria, 154 kilometra preken nga erozioni (Shëngjin, Kune, Qerret, etj.). Sipas një raporti nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, humbja e tokës për shkak të erozionit është 2-3 herë më e lartë në Shqipëri sesa në vendet e tjera mesdhetare dhe 10 deri në 100 herë më e lartë sesa në shumë vende të tjera evropiane. Kësisoj, duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi ndryshimeve klimatike për të ardhmen e turizmit në Shqipëri. Dëmtimi i çdo potenciali turistik natyror dhe njerëzor rrezikon seriozisht të ardhmen e turizmit. Turizmi shqiptar është prekur tashmë nga ndryshimet klimatike.
Turizmi në Shqipëri duhet të koordinohet me rekomandimin e UNWTO për “planin për turizmin që mbështet angazhimin global për të përgjysmuar shkarkimet deri në vitin 2030, dhe për të arritur zero shkarkime deri në vitin 2050, çka kërkon që nënshkruesit të ndërmarrin angazhime të prekshme në lidhje me planifikimin, matjen dhe raportimin”. Kjo iniciativë duhet të ndiqet nga të gjithë aktorët (privatë dhe publikë) që punojnë në sektorin e turizmit.
Burimi: