Shqipëria është një nga vendet më të pasura me burime ujore për frymë të popullsisë në Evropë. Por ndryshimet klimatike po e modifikojnë mënyrën e jetesës dhe marrëdhënien e njeriut me natyrën. Shqipëria është në hartën e vendeve ku këto ndryshime janë të dukshme. Sistemi i reshjeve ka ndryshuar, duke mos u shtrirë në kohë, por bien në intervale më të shkurtra, në formë rrebeshi. Reshjet në formën e borës po reduktohen, duke bërë që në male të mos rezervohet ujë mjaftueshëm për të furnizuar ujërat nëntokësore dhe rrjetin lumor të vendit në stinën e pranverës dhe verës. Lumenjtë në verë shterojnë dhe rezervat në ujëmbledhës janë reduktuar me rreth 45%.
Klima e vendit tonë është mesdhetare, me verë të nxehtë e të thatë, dhe dimër të ftohtë e të lagësht. Mesatarja vjetore e reshjeve është rreth 1400 mm, në zonat malore rreth 3000 mm, ndërsa në zonat fushore të ultësirës perëndimore rreth 1000 mm. Rreth 80% e reshjeve ndodhin në periudhën midis muajve tetor–mars, veçanërisht gjatë muajit nëntor dhe rreth 20% i përkasin periudhës tjetër praverë-verë.
Deficiti ujor për ujitje gjatë periudhës maj-shtator është rreth 350-450 mm (ose 350-450 mm rreshje të munguara), çka nënkupton, se për çdo hektar në ujitjen sipërfaqësore nevojitet rreth 3500-4500 m3 ujë, (për metoden e ujitjes sipërfaqësore me kanale të hapura, që dominon në vendin tonë) ose rreth 2000-2500 m3 ujë (në sistemet e ujitjes me tuba me presion). Kjo sasi e munguar e ujit që i nevojitet bimëve, duhet të sigurohet nëpërmjet ujitjes.
Për këtë arsye, ujitja në kushtet e vendit tonë, është faktor shumë i rëndësishëm për rritjen e qëndrueshme të prodhimit bujqësor, për më tepër, që me projeksionet e ndryshimeve të mundshme klimatike, mund të kemi paksim të rreshjeve vjetore (verë me thatësirë të tejzgjatur) dhe çrregullime të theksuara në intensitetet e rreshjeve gjatë periudhës vjeshtë-dimër (mundësi për përmbytje të shpeshta dhe të paparashikuara).
Në thelb ujitje, do të thotë ti ofrosh bimës ujin e nevojshëm në sasinë dhe kohën e duhur, dhe në funksion të kësaj projektohet dhe ndërtohet edhe infrastruktura e ujitjes (burimet ujore dhe rrjeti i shpërndarjes). Ndërsa nëpërmjet kullimit, mundësohet largimi i ujërave të tepërta sipërfaqësore si dhe kontrolli i nivelit të ujërave nëntoksore, për krijimin e kushteve normale në zonën rrënjore të bimëve.
Masat për garantimin e burimeve ujore për ujitje
Pavarësisht se aktualisht fermerët kanë akses për ujë për ujitje në rreth 265,000 ha (në 73% të sipërfaqes potencialisht të ujitshme 360,000 ha ), për mundësimin e ujitjes së qëndrueshme në të gjithë sipërfaqen potencialisht të ujitshme 360,000 ha dhe garantimin e burimeve ujore për ujitje, duke konsideruar edhe impaktin e pritshëm të ndryshimeve klimatike, duhen ndërmarrë një sërë masash (disa prej të cilave janë në proces), që kanë të bëjnë kryesisht:
Garantimi i burimeve ujore:
• Shfrytëzimi maksimal i aftësisë akumuluese të ujit në 626 rezervuarët ekzistues për ujitje, nëpërmjet rikonstruksionit të plotë të tyre.
• Gjithashtu në perspektivë do të vlerësohet mundësia e fillimit gradual të ndërtimit të burimeve të reja ujore, kryesisht për qëllime ujitje (rezervuar të rinj).
Rritja e eficencës në përdorimin e ujit:
• Rehabilitimi dhe modernizimi i infrastrukturës ekzistuese të ujitjes për rritjen e eficencës së përdorimit të ujit (zvogelimit të humbjeve) në sistemet me kanale të hapura.
• Implementimi i teknologjive moderne të ujitjes, që kanë eficencë shumë të lartë në përdorimin e ujit për ujitje (ujitje me tuba me sisteme të mbyllura me presion, pra ujitje me pika, sprinkler/minisprinkler etj)
Pavarësisht, se disa fermerë aplikojnë ujitje moderne në sipërfaqe të vogla, krahas procesit të rehabilitimit po investohet për implementimin e ujitjes me presion në sipërfaqe të mëdha me përdorim të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme (përdorimi paneleve diellore).
Kështu nëpërmjet projektit “Qëndrueshmëria ndaj klimës dhe zhvillimit të bujqësisë”, të financuar nga Banka Botërore (për periudhën 2024-2027) do të mundësohet:
o Kompletimi i ujitjes me presion për një zonë pilot prej rreth 500 ha në skemën ujitëse të Divjakës, si dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme (panele diellore) për stacionet e pompimit;
o Implementimi i teknologjive moderne të ujitjes me presion në skemën ujitëse me burim ujor rezervuarin e Janjarit, për rreth 2200 ha të fushës së Mursisë në bashkinë Konispol, duke zëvendësuar ujitjen me kanale të hapura me sisteme me tuba me presion si dhe përdormi i panaleve diellore për stacionet e pompimit;
• Ndërtimi për herë të parë i platformës digjitale për bujqësinë inteligjente dhe klimën, ku do të grumbullohet informacione për llojin e tokës, të dhëna hidrometereologjike, praktikat bujqësore (përdorimi i plehëruesve, pesticideve, ujitjen etj), duke synuar orientimin e fermerëve në praktika më të qëndrueshme bujqësore. Në fazën e parë kjo platformë do të mbulojë një sipërfaqe prej 2000 ha për tu zgjeruar në të ardhmen.
• Rikthimi i ujitjes në sipërfaqen prej 75,000 ha me ngritje mekanike (me stacione pompimi)
Situata aktuale dhe rekomandime
Qëndrueshmëria e ujitjes sipas konceptit të sipërcituar, ka të bëjë me garantimin e burimeve ujore dhe funksionimit efiçent të sistemit të shpërndarjes së ujit, nga burimi tek bima. Përsa i përket skemave ujitëse që furnizohen direkt nga rrjedhat ujore natyrale, pamvarësisht pranisë së ujit në burim (megjithëse gjatë periudhës së verës, kemi ulje të prurjes së tyre), mungesa e infrastrukturës efiçente ka vështirësuar ujitjen, pasi rreth 40% e ujit, që hyn në sistemet ujitëse humbet në rrjetin shpërndarës.
Përsa i përket burimeve ujore artificiale për ujitje, nga vlerësime të përafërta rezulton, se aftësia akumuluese e ujit në një pjesë të rezervuareve është ulur ndjeshëm (me rreth 30-40%), pasi pjesa me e madhe e tyre janë mbushur me aluvione, kanë probleme të sigurisë së digave (rreth 65 e të gjithë digave kanë probleme të ndryshme teknike që lidhen me sigurinë e tyre) dhe janë në fund të ciklit të projektuar për shfrytëzim.
Megjithëkëtë, “Build Green Group”, në udhëzuesin “Ndryshimet klimatike dhe pasojat e tyre në Shqipëri”, vëren se, burimet ujore në Shqipëri janë parashikuar të bien mes 14%, që është niveli aktual, deri në 40% deri në fund të shekullit. Ndryshimi klimatik përmes rritjes së temperaturave të dimrit ndikon në akumulimin e borës në mbledhësit e ujit, si rezultat i kësaj, Shqipëria vazhdimisht do të vuajë nga përmbytjet, të cilat janë problematike për bujqësinë”.
Kapaciteti i komuniteteve, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta (përfshirë Shqipërinë), për tu përballuar kostot mund të jetë zvogëluar si pasojë e ndryshimit të vazhdueshëm të klimës, të lidhur kryesisht me degradimin e ekosistemeve, reduktimin e disponueshmërisë së ujit dhe ushqimit, si dhe humbjen e pasurive të biodiversitetit dhe burimeve natyrore, duke rritur ndjeshmërinë e tyre. Variabla të tjera të tilla si rritja e popullsisë, mund të bëhen komplekse dhe të përkeqësojnë ndikimet e ndryshimeve klimatike deri në rritjen e fatkeqësive. Rreziqet nga fatkeqësitë shumohen me intensitetin e rrezikut dhe me dobësitë sociale dhe mjedisore të shoqërisë dhe të mjedisit. Nga ana tjetër, ato mund të reduktohen nga aftësia e shoqërisë për tu përballur me rrezikun
Burimi:
Mentor Kikia