Ekzistojnë tre lloje kryesore të rreziqeve klimatike: rreziqet fizike, të tranzicionit dhe ato ligjore. Rreziqet fizike lindin nga rreziqet klimatike dhe ndryshimet afatgjata në modelet klimatike. Rreziqet e tranzicionit rrjedhin nga procesi i ndryshimit strukturor i nevojshëm në tranzicionin drejt një ekonomie me karbon të ulët, duke përfshirë ndryshimet në politikat klimatike, teknologjitë, sjelljen e konsumatorëve dhe preferencat e investitorëve.
Emergjencat klimatike ndikojnë negativisht në të gjithë sektorët e ekonomisë: ndërtim, bujqësi, financat, peshkim, turizëm, prodhim, pasuritë e paluajtshme dhe tek infrastruktura. Për të vlerësuar ndikimet e mundshme të rreziqeve të klimës në ekonomi duhen marrë në konsideratë variablat që përfshijnë gjithë spektrin e ”inputeve” dhe “outputeve” për çdo sektor, që nga rreziku i jetës dhe paaftësia për të punuar e deri tek mungesa e furnizimit me ushqim apo dëmtimi fizik i aseteve dhe infrastrukturës.
Sipas studimit, bankave do u duhet të krijojnë një strukturë të re dhe të përshtatin aftësinë e tyre për të menaxhuar rreziqet e klimës, një detyrë e cila, në mungesë të të dhënave të disponueshme për çdo sektor të ekonomisë nuk është e lehtë. Bankat duhet të fokusohen tek investimi në energjinë e rinovueshme, impiantet rinovuese apo edhe teknologjitë adaptive të cilat kërkojnë nivele të konsiderueshme financimi. Këto investime përveç përmirësimeve në drejtim të emetimeve të karbonit, duhen parë edhe si mundësi fitimprurëse për bankat. Nafta dhe gazi, prodhimi i energjisë elektrike, pasuritë e paluajtshme, industria e transportit, makinat elektrike dhe bujqësia paraqesin mundësi të rëndësishme për investime të gjelbra.
Sfidat që u paraqiten bankave nga ndryshimet e klimës i detyrojnë ato që të identifikojnë, të matin, vlerësojnë dhe monitorojnë nivelin real të rreziqeve me të cilat u duhet të përballen sikurse është rishikimi i politikave të tyre të kreditimit dhe indikatorët për çdo kreditim të ardhshëm.
Turizmi si një ndër sektorët e rrezikuar
Në Shqipëri, turizmi veror është i fokusuar kryesisht në plazhe. Deti Adriatik ka përjetuar një rritje mesatare të nivelit të detit prej rreth 15 cm gjatë shekullit të kaluar, duke çuar në një lëvizje tërheqëse të vijës bregdetare për çdo cm të rritjes mesatare të nivelit të detit. Duke i shtuar këtij fenomeni edhe erozionin aktiv detar të shkaktuar nga abuzimi i ndërhyrjeve të njerëzve në menaxhimin e derdhjeve të lumenjve, atëherë mund të thuhet se çdo vit në Shqipëri zhduken qindra metra katrorë plazhe dhe thahen e shkatërrohen qindra pisha.
Parashikimet mjedisore sugjerojnë se:
- brenda vitit 2030, plazhi i Patokut pritet të zhduket plotësisht, ndërsa plazhet e Kunës dhe Semanit do të mbijetojë vetëm pjesërisht
- deri në vitin 2050, pjesa më e madhe e plazhit të Kunës dhe Semanit pritet të zhduken
Studimi për Rajonin e Mesdheut arrin në konkluzionin që ndryshimi i klimës nuk ka shkaktuar ende zhvendosjet strukturore në flukset turistike mesdhetare, por shembujt në studim tregojnë që ka një reagin të turistëve ndaj ndryshimeve të klimës. Për shembull, destinacionet e Evropës veriore si Danimarka janë bërë më të kërkuara nga turistët belgë dhe holandezë, të cilët shmangin verën e nxehtë në Evropën Jugore dhe përfitojnë nga verat më të ngrohta në Evropën veriore. Në Evropën Jugore, valët e të nxehtit mund t’i mbajnë turistët larg plazhit. Kjo ndodhi në Portugali gjatë verës së vitit 2018, kur temperaturat në Lisbonë kaluan 40 gradë dhe lajmet raportonin se temperatura në plazh arrinte deri në 30 gradë celsius që në orën 8:30 të mëngjesit.
Temperaturat parashikohet të vazhdojnë të rriten në të gjithë Evropën Juglindore dhe Shqipëria, gjatë sezonit të verës, pritet të përjetojë temperatura akoma më të nxehta, me një rritje prej 2,4°C në 3,1°C gjatë qershorit deri në gusht. Ndryshimet sezonale të temperaturave për Shqipërinë parashikojnë një zgjatje të sezonit të rritjes me 37 – 22 ditë nga veriu në jug.
Rreziqet fizike që vijnë nga këto ndryshime klimatike, sidomos ato të motit ekstrem ndikojnë drejtpërdrejt në ekonomi, duke dëmtuar në këtë mënyrë infrastrukturën publike dhe private, si edhe duke reduktuar vlerat e pasurive dhe produktivitetin.
Në terma të ndikimit negativ këto ngjarje mund të ndërpresin aktivitetin prodhues dhe tregtar, duke krijuar një mungesë të theksuar burimesh. Rikuperimi kërkon përdorim më të madh kapitalesh për rindërtimin dhe zëvendësimin e burimeve të nevojshme. Rrjedhimisht, çdo dëm i shkaktuar mund të kthehet në rrezik financiar për bankat, nëse ato janë të ekspozuara ndaj tij.
Efektet “spillover” dhe lidhjet ndërmjet sistemit bankar dhe makroekonomisë mund t’i përkeqësojnë edhe më tej këto ndikime dhe rreziqe. Për shembull, dëmtimi i aktiveve që shërbejnë si kolateral mund të krijojë humbje për bankat që përkthehet në kufizime për kreditimin në rajone të caktuara, duke reduktuar kështu financimin e domosdoshëm për rindërtimin e zonave të prekura. Në të njëjtën kohë, këto humbje dobësojnë pasurinë e familjes dhe mund të kthehen në një konsum të reduktuar.
Bankat duhet të kenë një hartë të sektorëve me riskun më të lartë të prekjes nga ndryshimet klimatike, si në aspektin e rreziqet fizike ashtu edhe të tranzicionit. Harta e rreziqeve fizike duhet të tregojë ekspozimin e firmave të kredituar nga banka sipas gjeografisë së firmës dhe kolateralit në vendet e rrezikuara më shumë nga përmbytjet, zjarret apo tërmetet. Studimi rekomandon që bankat duhet të identifikojnë ekspozimet e portofolit të tyre ndaj rreziqeve fizike, të cilat kanë më shumë gjasa të ndodhin në Shqipëri, me qëllim matjen e vulnerabilitetit dhe adaptimin e politikave përkatëse ndaj humbjeve potenciale/Bank of Albania