Siguria energjitike kombëtare por dhe individuale përmirësohet dhe garantohet në se paraprihet dhe mbështetet nga një legjislacion, që ndjek ecurinë e teknologjive të reja si dhe mban në konsideratë mendimin shkencor institucional. Kjo analizë bazuar në këtë studim dhe dedikuar energjive të rinovueshme (E.R.) kryesisht për konvertimin e rrezatimit diellor (RR.D.) në energji elektrike (E.E.) për vetëkonsum synon të përcjellë dhe mundësojë evidentimin e problematikave dhe nxjerrë në pah se çfarë duhet bërë për të përmirësuar situatën nga pikëpamja ligjore. Përkundër një potenciali të lartë sa i takon E.R. të RR.D, që ofron natyra e klima e Shqipërisë gjatë këtyre 30 viteve të humbura nga mungesa e një legjislacioni apo ende të jo të arrirë, në këtë artikull synohet të trajtohen ato elementë juridike (ligj, udhëzues, etj.) që duhen përmirësuar me qëllim që mos humben edhe 30 vite të tjera. Kjo do të ndihmonte për një prodhim më të lartë nga E.R. në shkallë kombëtare ashtu siç prej dekadash ndodh në disa vende të BE, ndonëse kanë vetëm gjysmën e potencialit tonë; të uleshin shpenzimet për (E.E.) të familjarëve, bizneseve të ndryshme apo institucioneve të shtetit; të kishim politika më nxitëse për implementimin e teknologjive të reja për përdorimin e këtyre resurseve energjitike dhe natyrisht një përgjegjësi më të lartë dhe mbrojtje më të mirë të mjedisit.
Në vendin tonë ekziston një legjislacion i shoqëruar dhe me akte nën ligjore si dhe udhëzime të ndryshme, që në pamje të parë mundësojnë lejimin e ndërtimit të sistemeve apo implementimit të teknologjive që mundësojnë konvertimin e energjisë që mbart RR.D. në E.E. Ndonëse me shumë vonesë kundrejt vendeve të tjera europiane dhe ndonëse ka vite që është i njohur potenciali për këtë lloj burimi E.R. që ka në Shqipëri (deri në 3000 orë me diell në vit), më së fundi në 2-3 vitet e fundit janë miratuar aktet e duhura juridike. Pikërisht kjo bazë ligjore analizohet në këtë studim, më specifikisht duke trajtuar krahas anës pozitive dhe ato anë që duhen përmirësuar, pasi nëse një gjë e tillë nuk ndodh në fakt ndodhemi përballë një pakete ligjore, që nuk bën nxitjen e duhur në këtë drejtim, nëse nuk ndërmerren shpejt dhe në kohë vendimarrjet e duhura përmirësuese ligjore. Gjithashtu synohet të integrohet mendimi shkencor profesional për sa i takon elementit meteorologjik rrezatim diellor, si një faktor i rëndësishëm klimë formues dhe ndërkohë të jepet një përgjigje në lidhje me atë çka mungon dhe duhet përmirësuar në ligjin aktual dhe udhëzimet përkatëse në të ardhmen, që aktualisht konsiderohen si mungesë informacioni.
Metodika e përdorur
Analiza e paketës ligjore në fuqi në vendin tonë dhe në vendet europiane si dhe marrja në konsideratë e studimeve shkencore për vlerësimin e RR.D. në Shqipëri apo vendet e tjera të BE dhe USA e trajtuar nga pikëpamja shkencore për të patur më të mirën për përdoruesin individual ose vetë shtetin në tërësi synon të nxjerrë në pah problematikat dhe orientojë si duhet bërë dhe si duhet vepruar apo bazuar në përmirësimet që synohen, qoftë nga ajo që nënkupton vetë legjislacioni VKM nr.718, datë12.10.2016 si dhe Udhëzimi Nr.3 datë 20.06.2019, apo ajo që do e kërkojë koha shumë shpejt. Situata aktuale e legjislacionit dhe akteve të tjera shoqëruese për sa i takon vetëm pjesës që ka lidhje me shfrytëzimin e RR.D. si burim alternativ E.E. në Shqipëri është paraqitur në vijim me pikërisht ato paragrafë që kanë interes dhe kanë nevojë për tu ndalur dhe analizuar seriozisht me qëllim që të synohet dhe ndërhyhet sa më shpejt për ti përmirësuar.
Mund të thuhet që:
Mbajtja në konsideratë parësore e marrjes së mendimit shkencor institucional duhet të jetë gjëja më e rëndësishme në përmirësimin e legjislacionit në këtë drejtim, në se do të kërkohet që vërtet ky burim energjie alternative të rinovueshme të shfrytëzohet me sukses.
Energjia elektrike e prodhuar të blihet dhe mos të falet, duke përmirësuar tekstin e Udhëzimit Nr.3 datë 20.6.2019 si dhe mënjanuar ato paragrafë që e kufizojnë një gjë të tillë.
Matësit me dy drejtime ashtu si ato me një drejtim duhet të jenë pjesë e punës si për sa i takon zgjedhjes së tyre, instalimit, kontrollit e po ashtu dhe kostove të tyre të cilat duhet të mbulohen nga institucioni i “Furnizuesit të Shërbimit Universal”.
Zona në pjesën jugore të Ultësirës Perëndimore, me toka të kripura apo degraduara dhe jo me interes bujqësor, larg vijës bregdetare dhe jo me interes turistik, larg qëndrave arkeologjike dhe atyre të burimeve të naftës e gazit, duhet të jenë prioritet në shkallë vendi për implementimin e teknologjive të konvertimit të RR.D. në E.E, për shkak të potencialit më të lartë që arrihet në këto hapësira, ndërkohë që për vetëplotësim nevojash për energji elektrive shfrytëzimi i RR.D duhet të jetë prioritet në mbarë vendin.
Duke qenë se kostot e sistemeve të paneleve që shfrytëzojnë në të dy anët RR.D. janë të ngjashme me ato konvencionale dhe mundësojnë një rendiment jo vetëm më të lartë, por dhe kursim të sipërfaqes së tokës së zënë (e blerë ose me qera) që gjithashtu është një kosto në vetvete, do të ishte shumë e sugjerueshme që teknologji të tilla të kishin prioritet për vendin tonë me një sipërfaqe toke bujqësore të kufizuar.
Eksperiencat ligjore të vendeve të tjera duhen marrë në konsideratë, por duke patur parasysh dhe problematikat që ato kanë përcjellë në vendet përkatëse duhet operuar me kujdesin e duhur dhe mënjanuar mangësitë e vërejtura. Sa më i madh të jetë numri i “operatorëve” vetë prodhues për vetë konsum aq më i vogël do të ishte dëmi në shkallë kombëtare ose rajonale; nëse sistemet kombëtare të prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë si për shkaqe natyrore ose arsyesh që mund të lidhen me sulme kibernitike, të modifikimit të motit, do të ishin jo funksionale pjesërisht ose tërësisht në një kohë dhe për një hapësirë territoriale të caktuar/Prof.Dr.Petrit Zorba