Temperaturat e larta kanë një ndikim të rëndësishëm në shëndetin e popullatës, kjo pёr arsye se ato mund tё çojnё në rritjen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë sё saj.
Gjatё 1991–2015, episodet e nxehtësisë që zgjaten disa ditë, ishin një nga ngjarjet më ekstreme të motit në Rajonin Europian, pasi shkaktuan dhjetëra mijëra vdekje të parakohshme.
Ekspertët, kanë parashikuar se në të ardhmen, gjatësia, frekuenca dhe intensiteti i valëve të të nxehtit pritet të rritet. Duke marrë parasysh edhe plakjen e popullsisë, kjo dukuri mund të çojë në rritjen e numrit të vdekjeve, nëse nuk merren masa efektive të përshtatjes me ndryshimet klimatike.
Studimi kishte si qëllim matjen e ndikimit të mundshëm që valët e të nxehtit mund të kenë në vdekshmërinë e popullatës europiane, duke trajtuar disa skenarë të ndryshimeve të klimës.
Në studim u morën 39 vende evropiane, ndërmjet tyre edhe Shqipëria. Matjet u realizuan duke marrë në konsideratë funksionin e vdekshmërisë (nga të nxehtët) bazuar në të dhënat historike dhe parashikimet meteorologjike për periudhat kohore 2035-2064 dhe 2071-2099.
Pas përllogaritjeve të kryera, rezultoi se, përqindja në total e vdekjeve prej valëve të të nxehtit do të rritet në të ardhmen. Projeksionet treguan se vendet e Mesdheut dhe Europës Lindore do të jenë më të prekurat. Gjithashtu, temperaturat e larta, do të arrijnë edhe në vendet veri-kontinentale, ku ndikimi do të jetë i madh.
Politikat dhe planet për zbutjen e valëve të të nxehtit dhe përshtatja në të ardhmen me to, janë nevojë e ngutshme për vendet europiane e jo vetëm. Qëllimi është të parandalohet numri i pritshëm i vdekjeve, përmes planifikimit të politikave dhe veprimeve të duhura në dobi të shëndetit të popullatës, nga profesionistët e shëndetit publik.