Një studim ndërkombëtar tregon se ngrohja globale ka kontribuuar ndjeshëm në rritjen e vdekshmërisë neonatale në shumë vende të botës, duke ndikuar veçanërisht në vendet me sisteme shëndetësore më të dobëta, përfshirë edhe Shqipërinë. Ky studim i gjerë ka zbuluar se rreth 4.3% e vdekjeve neonatale gjatë kësaj periudhe janë të lidhura drejtpërdrejt me temperaturat jo-optimale (si tepër të nxehta, ashtu dhe ato tepër të ftohta), një fenomen që po intensifikohet si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Edhe pse Shqipëria nuk është në listën e vendeve me përqindjen më të lartë të vdekshmërisë neonatale nga nxehtësia, vendi ynë nuk ka mbetur i paprekur. Studimi tregon se në Shqipëri, për shkak të ndryshimeve klimatike, është shmangur një pjesë e vdekjeve të lidhura me të ftohtin, rreth 0.3% e totalit të vdekjeve neonatale. Megjithatë, rritja graduale e temperaturave dhe periudhave të zgjatura të nxehtësisë, paraqet rrezik të shtuar për të ardhmen, veçanërisht nëse nuk ndërmerren masa parandaluese.
Për më tepër, në rastin e vdekjeve shumë të hershme neonatale, ndër ato që ndodhin brenda javës së parë të jetës, rreth 1.9% janë ndikuar nga të ftohtit, ndërsa 4.1% nga nxehtësia, thënë kjo në nivel global. Shqipëria, si një vend me ndryshime të dukshme sezonale, përfshihet në zonat ku ndikimet nga të dy ekstremet ekzistojnë, por me një zhvendosje drejt rritjes së barrës si pasojë e temperaturave të larta.
Temperaturat mesatarisht të larta, të cilat janë bërë gjithnjë e më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike, kanë rezultuar si faktorë të fortë rreziku për vdekjet neonatale. Nga analiza globale, rezulton se rreth 32% e vdekjeve neonatale të lidhura me nxehtësinë mund t’i atribuohen drejtpërdrejt ndikimit të klimës së ndryshuar. Në terma realë, kjo përkthehet në 175 mijë jetë të humbura, kryesisht në rajone me klimë të nxehtë dhe sisteme të dobëta shëndetësore.
Në shumë zona të nxehta të globit, rritjet e temperaturës kanë shtuar normat e vdekshmërisë me më shumë se 30 vdekje për 100,000 lindje, një shifër alarmante për standardet globale të kujdesit shëndetësor për foshnjat.
Sipas raporteve të fundit të UN IGME 2024 mbi vdekshmërinë e fëmijëve dhe lindjet e vdekura, Shqipëria ka shënuar përmirësime të rëndësishme në treguesit e shëndetit foshnjor, por ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po krijojnë sfida të reja që rrezikojnë këto arritje.
Fataliteti i fëmijëve nën 5 vjeç ka pësuar një rënie të konsiderueshme në 6.6 raste për 1000 lindje në vitin 2023, nga 37.3 në vitin 1990. Megjithatë, studimet e fundit tregojnë se valët e nxehtësisë gjithnjë e më të shpeshta dhe të forta, përmbytjet dhe ndotja e ajrit, të gjitha të përkeqësuara nga ndryshimet klimatike, po ndikojnë negativisht në shëndetin e fëmijëve dhe grave shtatzëna.
Lindjet e humbura në Shqipëri janë 5.5 për 1000 lindje totale, më mirë se mesatarja globale (14.3). Megjithatë, studimet e fundit kanë filluar të identifikojnë lidhje midis ekspozimit të grave shtatzëna ndaj stresit termik, ndotjes së ajrit, dhe rrezikut të shtuar për komplikime gjatë shtatzënisë, përfshirë lindjet e humbura. Gjetja se 44% e lindjeve të humbura ndodhin gjatë procesit të lindjes ngre shqetësime shtesë, pasi qasja në kujdes shëndetësor cilësor mund të kompromentohet gjatë ngjarjeve ekstreme të motit.
Fatalitetet neonatale, me 4.8 raste për 1000 lindje të gjalla, përbën rreth 73% të të gjitha vdekjeve nën 5 vjeç. Ekspertët theksojnë se temperaturat ekstreme dhe kushtet e përkeqësuara mjedisore po ndikojnë veçanërisht në këtë grup të cenushëm, pasi sistemet e pazhvilluara të rregullimit të temperaturës trupore te të porsalindurit i bëjnë ata veçanërisht të ndjeshëm ndaj stresit termik.
Foshnjat, sidomos ato të lindura para kohe ose me peshë të ulët, janë veçanërisht të rrezikuara nga temperaturat e larta për shkak të sistemit të pazhvilluar të termo-rregullimit, metabolizmit të lartë dhe pamundësisë për të djersitur si të rriturit. Në kushte të tilla, edhe një rritje e vogël e temperaturës mjedisore mund të sjellë pasoja fatale si mbi-nxehje, dehidratim apo përkeqësim të infeksioneve si pneumonia.
“Gratë shtatzëna dhe fëmijët e tyre të palindur janë veçanërisht të cenueshëm ndaj ndryshimeve klimatike për shkak të vulnerabilitetit të lartë dhe kapacitetit të ulët të përshtatjes. Dy faktorët kryesorë që ndikojnë negativisht në këtë grup janë stresi i nxehtësisë dhe toksiciteti i ajrit.
Thotë Dr. Donalda Surducki, Obstetër Gjinekolog pranë spitalit St. Clemens, në Geldern të Gjermanisë.
Procesi i zhvillimit gjatë shtatzënisë është tepër i ndjeshëm dhe preciz, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë fiziologjik. Çdo ndërhyrje apo ndryshim i jashtëm, siç janë faktorët mjedisorë që po përkeqësohen nga ndryshimet klimatike, mund të çrregullojnë këtë proces delikat zhvillimor dhe të shkaktojnë pasoja afatgjata për shëndetin e nënës dhe fëmijës.”
Si ndikon nxehtësia te gratë shtatzëna
Gjatë shtatzënisë, trupi i gruas ka më shumë vështirësi për të kontrolluar temperaturën. Normalisht, temperatura e trupit të shtatzënës është pak më e lartë për të ndihmuar zhvillimin e bebes.
Kur bën shumë nxehtë, gruaja shtatzënë përjeton probleme si pagjumësi dhe lodhje të shtuar. Por, rreziqet nuk ndalen këtu. Nxehtësia e madhe shkakton ndryshime në trupin e saj, të tilla si rritja e tensionit të zemrës, aktivizimi i proceseve inflamatore, apo trashja e gjakut.
Këto ndryshime bëjnë që më shumë gjak të shkojë në lëkurë për të ftohur trupin, duke pakësuar gjakun që shkon te mitra. Kjo do të thotë se foshnja merr më pak oksigjen.
Pasojat për të mund të jenë serioze: lindje para kohe, peshë e ulët në lindje dhe në rastet e rënda, edhe vdekje, shprehet Dr. Donalda Surducki.
Ndotësit e ajrit dëmtojnë fetusin
”Studimet e fundit zbulojnë se ndotja e ajrit përbën rrezik të lartë për gratë shtatzëna dhe fëmijët e tyre të palindur. Ndotësit shkaktojnë probleme të shumëfishta: çrregullojnë sistemin imunitar, shkaktojnë inflamacion në të gjithë trupin, dëmtojnë sistemin endokrin dhe shtojnë stresin oksidativ. Pasojat janë serioze pasi këto efekte ulin qarkullimin e gjakut në placentë, duke zvogëluar furnizimin me oksigjen për fetusin. Ndotësit shkaktojnë gjithashtu ndryshime epigjenetike që ndikojnë negativisht në rritjen e fëmijës. Kërkimet e fundit janë shqetësuese pasi grimcat e ndotjes së ajrit që thithin nënat gjatë shtatzënisë janë gjetur në trurin dhe organet e fetusit, duke provuar kalimin direkt të ndotësve nga nëna te fëmija. Ndotësit si dyoksidi i azotit, monoksidi i karbonit, dyoksidi i squfurit dhe veçanërisht grimcat e imëta (më të vogla se 10-2.5 mikrometër) janë lidhur drejtpërdrejt me peshë të ulët në lindje, vdekje intrauterine dhe rritje të rasteve të aborteve spontane”
Shprehet për “Klima Sot” Dr. Donalda Surducki.
Ndryshimet klimatike paraqesin një sfidë serioze për sistemin shëndetësor shqiptar, veçanërisht në aspektin e kujdesit neonatal. Studimet e fundit tregojnë se rritja e temperaturës mesatare globale me 0.9°C ka ndikuar ndjeshëm në shëndetin e foshnjave të porsalindura, duke kërkuar masa të menjëhershme për përmirësimin e kushteve të trajtimit, sidomos gjatë valëve të të nxehtit që janë bërë gjithnjë e më të shpeshta në vitet e fundit. Veçanërisht të rrezikuara janë foshnjat e lindura premature, të cilat shfaqin rritje të rrezikut të vdekjes në ditët e para të jetës kur temperaturat janë mbi nivelin optimal.
Në nivel global, vendet me shkallë të lartë të vdekshmërisë neonatale dhe që përjetojnë ngrohje më të madhe po vuajnë ndikimet më të thella nga ndryshimet klimatike. Për Shqipërinë dhe vende të tjera në zhvillim që tashmë përballen me sfida shëndetësore, integrimi i masave të përshtatjes klimatike në kujdesin perinatal është urgjente. Megjithëse fatalitetet e lidhura me temperaturën përbëjnë më pak se 5% të totalit të vdekjeve neonatale, me rritjen e vazhdueshme të temperaturave globale, masat mbrojtëse po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme.
Ky realitet i ri klimatik kërkon vëmëndje dhe veprim të menjëhershëm. Me parashikimet aktuale për rritje të temperaturës mesatare globale deri në 2.8°C deri në fund të shekullit, mbrojtja e foshnjave, si grupi më i pambrojtur i popullsisë, duhet të bëhet prioritet për sistemet shëndetësore dhe politikat mjedisore. Ndërhyrje të thjeshta si garantimi i kushteve të përshtatshme termike në sallat e lindjes dhe përkujdesja e shtuar gjatë valëve të të nxehtit mund të bëjnë diferencën mes jetës dhe vdekjes për të porsalindurit në Shqipëri.
Burimi:
Dr. Donalda Surducki– Obstetër Gjinekolog pranë spitalit St. Clemens, Geldern të Gjermanisë.