Ndotja e ajrit përvec se është shkaku kryesor i ndryshimeve klimatike në botë, është përgjegjëse për vdekjet dhe sëmundjet e parakohshme.
Ndotja e ajrit, cilësohet si rreziku i vetëm më i madh për “shëndetin mjedisor” në Evropë. Sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru janë arsyet më të zakonshme të vdekjeve të parakohshme që i atribuohen ndotjes së ajrit, të ndjekura nga sëmundjet e mushkërive dhe kanceri i mushkërive.
Ky artikull vlerëson përfitimet e mundshme shëndetësore nga arritja e standardeve të cilësisë së ajrit të BE-së dhe udhëzimeve të OBSH-së për ndotësit në ajër. Si dhe, paraqiten vlerësimet më të fundit të ndikimeve shëndetësore të ekspozimit ndaj ndotësve kryesorë të ajrit në vijim: grimcat e imëta (PM2,5), dioksidi i azotit(NO2) dhe ozoni(O3).
Në vitin 2021, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) publikoi Udhëzime të reja për Cilësinë e Ajrit, duke ripunuar udhëzimet e vitit 2005. Udhëzimet e reja u hartuan pas një shqyrtimi sistematik të provave më të fundit shkencore mbi dëmin që shkakton ndotja e ajrit në shëndetin e njeriut.
Bashkimi Evropian (BE) miratoi po ashtu disa standarte në direktivat për cilësinë e ajrit, lidhur me ndotësit kryesorë të tij. Nëse nivelet e ndotësve tejkalojnë vlerat kufi të përcaktuara në këto standarte, shtetet anëtare do të duhet të përgatisin një plan ose program për trajtimin e burimit të ndotësve. Ndonëse përllogaritja e këtyre vlerave është bazuar në Udhëzimet e 2005, të OBSH për Cilësinë e Ajrit, si dhe në realizueshmërinë teknike dhe ekonomike të tyre në vendet anëtare të BE-së. Ç’ka u vu re ishte se standardet e BE për cilësinë e ajrit janë më pak kërkuese se udhëzimet e OBSH-së.
Duke u bazuar në Planin e Veprimit për Zero Ndotje, të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, Komisioni Evropian vendosi si objektiv për vitin 2030, që të zvogëlojë me të paktën 55% numrin e vdekjeve të parakohshme të shkaktuara nga PM2,5 krahasuar me nivelet e 2005-ës. Për këtë qëllim, Komisioni Evropian nxiti procesin e rishikimit të direktivave të cilësisë së ajrit, me synimin për të përafruar standardet e cilësisë së ajrit me rekomandimet e OBSH-së. Ky proces, synon gjithashtu të forcojë kushtet e mbikëqyrjes dhe zhvillimit të planeve për cilësinë e ajrit për t’i ndihmuar autoritetet lokale të përmirësojnë cilësinë e ajrit.
Paralelisht, parashikohen kërkesa më të rrepta për trajtimin e shkaktarëve të ndotjes në burim.
Progresi në përmbushje të objektivit për Zero Ndotje në ajër
Plani i Veprimit për Zero Ndotje ka përcaktuar një objektiv që ka të bëjë me përmirësimin e cilësisë së ajrit, (fokusi janë PM2,5) me synimin për të zvogëluar me 55% numrin e vdekjeve të parakohshme, të shkaktuara nga ndotja e ajrit në vendet e BE-së, krahasuar me nivelet e 2005-ës.
Sipas një studimi që shtrin analizën në ZEE (Zona Ekonomike Evropiane) për vitin 2005, rezulton se në 27 vendet anëtare të BE-së, shkaku i 456,000 vdekjeve të parakohshme, shihet i lidhur me ekspozimin ndaj PM2,5. Zvogëlimi me rreth 55% i numrit të tyre, nënkupton se numri i vdekjeve të parakohshme do të zbriste në 205,000/vit.
Për sa i përket tendencës për (2005-2019), vdekjet e parakohshme në 27 vendet anëtare të BE-së, që shihen si të lidhura me ekspozimin e PM2,5 u ulën me 33%, duke arritur në 307,000 (grafiku 1). Nëse cilësia e ajrit vazhdon të përmirësohet dhe numri i vdekjeve të parakohshme për vit, vazhdon të ulet me një normë të krahasueshme edhe në të ardhmen, atëherë përmbushja e objektivit do të arrihet në 2032 (grafiku 1). Megjithatë, reduktimi i vazhdueshëm i përqendrimit të grimcave në ajër pritet të jetë sfidues në dekadën e ardhëshme. Për përmbushjen e këtij objektivi, Shteteve Anëtare do t’u duhet të zbatojnë NAPCP (National Air Pollution Control Programs), si dhe masat e nevojshme për arritjen e objektivave të 2030-tës për klimën dhe energjinë. Për më tepër, tendenca e plakjes së popullsisë në Evropë dhe urbanizimi janë faktorë që kanë ndikim negativ në zvogëlimin e përqendrimit të ndotësve në ajër, për rrjedhojë dhe në shëndet. Një popullsi e moshuar është më e ndjeshme ndaj ndotjes së ajrit. Po ashtu, përqëndrim më i lartë urban, zakonisht nënkupton ekspozim më të lartë të popullësisë ndaj përqendrimeve të PM2,5, të cilat priren të jenë më të larta në qytete.
Analiza për përfitimet e mundshme në rast të përmbushjes së normave të BE-së dhe niveleve udhëzuese të OBSH-së tregojnë se, objektivi për të reduktuar vdekjet e parakohshme me 55% mund të përmbushet vetëm duke ulur përqendrimet e PM2,5 (në të gjithë BE-në) në nivele të krahasueshme me udhëzimin e cilësisë së ajrit të OBSH-së 2021.
Në qoftë se në vitin 2019, vendet e BE-27, do të kishin përmbushur objektivin 4 të OBSH, për të ulur përqendrimet e PM2,5 në 10 µg/m3, kjo do të kishte sjellë një rënie me 47% të vdekjeve të parakahoshme, mbi ato të 2005.
Kjo nuk do të kishte qenë e mjaftueshme për përmbushjen e plotë të objektivit të Planit, për Zero Ndotje në 2019. Megjithatë është e rëndësishme të theksohet se këtu nuk përfshihen përfitimet nga reduktimi i ndotjes në ato zona, ku përqëndrimet ishin 10 µg/m3 ose më pak gjatë 2019.
Nëse do ishte përmbushur objektivi sipas udhëzimit të ri të OBSH-së për cilësinë e ajrit për një prani (në 2019) të PM2,5 prej 5 µg/m3 në të gjithë rajonin e BE-27, atëherë kjo do të kishte sjellë një zvogëlim të vdekjeve të parakohshme me të paktën 72%, krahasimisht me nivelet e vitit 2005. Afrimi i vlerave kufi të PM2,5 në ajër, me udhëzimin e 2021 të OBSH-së do të sjellë përfitime të rëndësishme shëndetësore në Evropë. Standardet e BE-së për cilësinë e ajrit janë një mjet vendimtar i politikave që nxisin përmirësim të cilësisë së ajrit. Përafrimi i standardeve të BE-së me rekomandimet e OBSH-së për cilësinë e ajrit është një hap shumë i rëndësishëm, që ndihmon në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Evropë.
Ndikimet gjatë 2019 të ndotjes së ajrit në shëndet për rajonin e Evropës
Vlerësimet e 2019 lidhur me vdekshmërinë për shkak të ekspozimit ndaj atyre ndotësve të ajrit, që konsiderohen si më të dëmshëmit për shëndetin e njeriut, kanë nxjerrë përfundimet në vijim.
Në rajonin e BE-27 rezultuan:
- 307,000 vdekje të parakohshme për shkak të ekspozimit ndaj PM2,5
- 40.400 ishin si pasojë e ekspozimit ndaj dioksidit të azotit (NO2)
- 16.800 vdekje të parakohshme nga ekspozimi ndaj ozonit (O3)
Në grupimin që përfshinte 41 vende evropiane që u bënë pjesë e studimit, rezultuan:
- 373,000 vdekje të parakohshme si pasojë e ekspozimit ndaj PM2,5
- 47.700 kishin shkaktar kryesor ekspozimin ndaj NO2.
- 19.070 ishin pasojë e ekspozimit ndaj O3.
Duhet theksuar gjithashtu se, në 2019 numri i vdekjeve të parakohshme për shkak të ndotjes së ajrit, pësoi një rënie krahasuar me vitin 2018. Rënia më e madhe ishte në vdekshmërinë për shkak të dioksidit të azotit, e cila shoqërohet me një zvogëlim prej 16% të këtij treguesi. Ndërsa vdekjet e lidhura me ekspozimin ndaj grimcave të imëta u ulën me 11%. Ndërsa vdekjet e parakohshme si pasojë e ekspozimit ndaj ozonit u ulën me 9%.
Ndikimet shëndetësore të ndotësve kryesorë në Evropë dhe në Shqipëri
Ndikimet e PM2,5 në shëndet
Prania e PM2,5 në ajër si faktor risku me ndikim në vdekjet e parakohëshme dhe vitet-jetë të humbura (Years of Life Lost – YLL), përfaqëson një tregues që është analizuar për disa prej vendeve me popullsi më të lartë në Evropë, si në (rend zbritës) Gjermani, Itali, Poloni, Mbretëri e Bashkuar dhe Francë.
Megjithatë, kur u analizua treguesi (YLL) i viteve-jetë të humbura për 100,000 banorë, ndikimet më të rëndësishme u vërejtën në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (ku kemi edhe përqendrime më të larta të PM2.5), përkatësisht në (rend në zbritës), Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Bullgari. Ndikimet më të vogla relative gjenden në vendet me vendodhje në veri dhe veriperëndim të Evropës, ku kemi përqendrimet më të ulëta të këtyre ndotësve.
Ndërkohë në Shqipëri (Harta 2), ekspozimi ndaj PM2,5 shkaktoi:
• 4,000 vdekje të parakohshme,
• 42,500 vite-jetë të humbura
• 1,486 vite-jetë të humbura/100,000 banorë
Ndikimi i NO2 në shëndet
Ndikimi i NO2 si faktor i lartë risku me ndikim në vdekjet e parakohshme dhe vitet-jetë të humbura (YLL) si pasojë e ekspozimit ndaj NO2 ishte një tregues që u analizua për disa nga vendet me popullsi më të madhe në Evropë si, Italia, Spanja, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.
Nga vlerësimi i tij për 100,000 banorë, ndikimet më të rëndësishme u vërejtën në, (rend zbritës) Greqi, Rumani, Itali, Bullgari dhe Spanjë. Ndikimet më të vogla në shëndet u vërejtën në vendet nordike dhe baltike (Harta 3). Për sa i përket vendit tonë, ndikimi i NO2 ka pasur këto pasoja:
• 160 vdekje të parakohshme
• 1,700 vite-jetë të humbura
• 60 vite-jetë të humbura/ 100,000 banorë
Ndikimet e O3 në shëndet
Rreziqet më të mëdha shëndetësore në lidhje me vdekjet totale të parakohshme dhe vite- jetë të humbura (YLL) si pasojë e ekspozimit ndaj O3 u panë për (në rend zbritës) Gjermaninë, Italinë, Francën, Spanjën dhe Poloninë.
Vendet me normat më të larta të viteve-jetë të humbura për 100,000 banorë ishin (në rang zbritës) Bosnje dhe Herzegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kroacia dhe Greqia. Vendet me ndikimin më të ulët në shëndet për shkak të ekspozimit ndaj O3 (në rang rritës) ishin Islanda, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Finlanda. Ndërkohë që në Shqipëri, në vitin 2019, ekspozimi ndaj O3 ka shkaktuar:
• 180 vdekje të parakohshme
• 2,000 vite-jetë të humbura
• 71 vite-jetë të humbura për 100,000 banorë
Agjencia Evropiane e Mjedisit në këtë raport dokumenton dhe vërteton, efektet negative që ndotja e ajrit ka në shëndet. Prandaj është e rëndësishme që të gjithë të kontribuojmë sadopak në reduktimin e kësaj ndotje, sepse në fund të fundit, dëmi më i madh i bëhet shëndetit tonë.