Ballkani Perëndimor shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 208,000 km2 dhe përfshin Serbinë, Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Bujqësia është një ndër sektorët më të rëndësishëm për të gjitha vendet e këtij rajoni dhe zë një pjesë të konsiderueshme në prodhimin e brendshëm bruto (GDP ~ 10%). Më konkretisht, në Republikën e Serbisë, vlera totale e prodhimit bujqësor bruto për vitin 2019 arriti në 5.5 miliardë dollarë. Në Malin e Zi, bujqësia pati një kontribut prej rreth 8% të GDP-së, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, kontributi i bujqësisë në ekonomi ishte rreth 13% e GDP. Në Shqipëri, bujqësia konsiderohet si sektor bazë që siguron jetesën e popullsisë dhe sistem mbrojtës kundër papunësisë. Ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë, të punësuarit në këtë sektor zënë rreth një të pestën e popullsisë.
Por, ashtu si me çdo sektor tjetër të ekonomisë, sfidat me të cilat përballet bujqësia në secilin prej këtyre vendeve, janë të ndryshme, pavarësisht pasurive, burimeve natyrore apo sistemeve agro-ushqimore.
Një ndër sfidat më të mëdha me të cilat përballet sektori është edhe ndryshimi i klimës.
Ndryshimet klimatike dhe parashikimi se temperaturat do të pësojnë një rritje me 4 °C në dekadat e ardhshme, paraqesin një rrezik real për prodhimin bujqësor dhe sigurinë e popullsisë. Kjo pasi, bujqësia është burimi kryesor i të ardhurave dhe i ushqimit për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë në rajon. Dukuri të tilla si; përmbytjet e pakontrolluara dhe thatësirat e shkaktuara si pasojë e ndryshimeve përbëjnë për rrjedhojë rrezik edhe për ekzistencën njerëzore.
Ky studim, paraqet nivelin kritik të prekjes së këtij sektori nga ndryshimi i klimës në vendet e BP.
Për të projektuar parashikimin e temperaturave mesatare deri në 2100, u përdor Metoda e “mesatares lëvizëse” (një tregues teknik ky, që përdoret nga analistët e tregut dhe investitorët për të përcaktuar tendencën e një faktori). Te dhënat e përpunuara paraqiten në grafikun 1.
Grafiku tregon se, regjistrimi i të dhënave që dëshmojnë në favor të ndryshimeve të klimës përfshin disa dekada dhe se bazuar në studimet e deritanishme, ato janë pasojë e industrializimit intensiv dhe aktiviteteve antropogjenë. Ndër shkaktarët kryesorë të ndryshimeve klimatike dhe rritjes së temperaturës mesatare të tokës janë Urbanizimi, shpyllëzimi dhe djegia e lëndëve fosile (kryesisht qymyrguri).
Parashikimet e mëtejshme për rajonin, tregojnë se me ngrohjen dhe rritjen e temperaturës me 4 °C, sasia e reshjeve do të zvogëlohet me 20-30% dhe frekuenca e ditëve të thata do të rritet me 20%. Për pasojë kjo do të shoqërohet me reduktim prej 45% deri në 2100, të sasisë së ujit në burimet ujore gjatë muajve të verës. Prodhimi mesatar vjetor mund të reduktohet me 15% për hidrocentralet e mëdhenj dhe me 20% për hidrocentralet e vegjël. Ndërsa, gjatë dimrit dhe pranverës do të rritet rreziku nga përmbytjet, veçanërisht përgjatë lumenjve të mëdhenj, si Danubi, Sava, Vjosa etj.
Ndikimi i ndryshimeve klimatike në bujqësinë e Ballkanit Perëndimor
Në BP pothuajse gjysma e territorit përdoret për bujqësinë, nga të cilat 19% është kullotë dhe 29% është tokë e punueshme, ku fermerët kultivojnë kultura të ndryshme, në varësi të zonës.
Kulturat në shumë raste, përjetojnë stres për shkak të kushteve jo të favorshme agro-ekologjike dhe pamundësisë së fermerit për të zbatuar praktikat dhe teknologjinë e përshtatshme bujqësore. Më pas, kjo ndikon në zvogëlimin e rendimenteve dhe uljen e cilësisë së produktit, të cilat (ndër të tjera) sjellin parregullsi në zinxhirin e furnizimit me lëndë të para të industrisë ushqimore.
Veç kësaj, ndryshimi i klimës shoqërohet edhe me shfaqjen e insekteve të reja, sëmundjeve dhe barërave të këqija. Këto të fundit, janë një problem serioz për arsye se, kanë aftësi të përshtaten më lehtë me ndryshimet që ndodhin në mjedis, duke rrezikuar deri në zhdukjen e llojeve të tjera. Zhdukja e këtyre llojeve apo humbjet që pëson agobiodiversiteti, mund të krijojnë ndryshime të përhershme në një ekosistem dhe ndërprerje shqetësuese të proceseve biogjeokimike.
Një problem tjetër është fakti se të mbjellat në Ballkanin Perëndimor vuajnë mungesën e ujit, për rrjedhojë kapaciteti ujëmbajtës i tokës është i ulët (në veçanti gjatë muajve të verës). Ky fenomen është identifikuar si një nga rreziqet më të mëdha të bujqësisë në Ballkanin Perëndimor, sepse uji është elementi bazë natyror për prodhimin e bimëve. Ai luan një rol të rëndësishëm në mbirjen, rritjen, transpirimin, transformimin e amidonit në sheqer dhe thithjen e lëndëve ushqyese. Për këtë arsye, pakësimi i reshjeve përbën rrezikun më të madh për sektorin e bujqësisë, aq më tepër kur kërkesa për ushqim në nivel global po rritet çdo ditë e më shumë.
Në grafikun 2 paraqiten rreziqet më të zakonshme natyrore që shoqërohen me humbje të mëdha në prodhimin bimor dhe blegtoral. Sipas Qendrës për Kërkime mbi Epidemiologjinë e Fatkeqësive (CRED) dhe Bazës së të Dhënave për Ngjarjet Emergjente (EM-DAT), përmbytjet janë një dukuri që ka ndodhur në të gjitha vendet e Ballkanit, e për pasojë janë shoqëruar me dëme të mëdha ekonomike.
Në maj 2014, vendet e Ballkanit Perëndimor u goditën nga disa përmbytje katastrofike. Dëmet që pësuan shtëpitë, urat dhe segmentet rrugore ishin shumë të mëdha. Qytetet u shkretuan dhe fushat e punuara u shkatërruan plotësisht.
Po ashtu, ndryshimi i klimës pritet të sjellë zvogëlim të sasisë së reshjeve, e për pasojë periudha të gjata thatësirash, që kanë ndikim negativ ndaj prodhimit bujqësor dhe jo vetëm.
Për rrjedhojë kemi një ndikim të thatësirës, edhe në ekonomi, çmime dhe në sigurinë ushqimore. Për shembull, nëse në prani të kërkesës së njëjtë, apo në rritje për një perime të caktuar, kemi një zvogëlim të sasisë me të cilën furnizohet tregu, do të ketë një rritje të çmimit të produktit. Një shembull i kësaj është thatësira në Taxhikistan (2007-2008) që i zvogëloi rendimentet me mbi 40%, gjë që çoi në kequshqyerjen e 2,2 milionë njerëzve.
Gjithashtu, në shumë raste thatësira është shkak për përhapjen e shpejtë të zjarreve. Nga viti 1998 deri më 2008, në Republikën e Serbisë shpërthyen 853 vatra zjarri, që përfshinë një sipërfaqe prej 16.357 ha. Dëmet e vlerësuara arritën vlerën e 40 milionë eurove, me mbi 5.200 ha plotësisht të djegura.
Sipas Bazës Ndërkombëtare të të dhënave për fatkeqësitë CRED-EMDAT, përmbytjet janë fenomenet më të shpeshta në Ballkanin Perëndimor, që pasohen me dëme të mëdha ekonomike. Megjithatë, ndikimi negativ i thatësirës nuk duhet nënvlerësuar, pavarësisht se të dhënat e sakta mungojnë për shkak se mbledhja e tyre nuk është sistematike dhe tërësore. Për sa i përket Shqipërisë, vlerësohet se numri i njerëzve të prekur nga thatësira në vitet 1989 – 1991, i kaloi 3 milionët. Kjo konsiderohet një nga katastrofat më të mëdha, dhe i kushtoi ekonomisë së vendit, 24 milionë dollarë. Për më tepër, kriza energjetike e 2007-tës që u shoqërua me ndërprerje të energjisë, erdhi si rezultat i thatësirave, pasi kapaciteti prodhues i hidrocentralit të Fierzës ishte më i vogël se 33%.
Sipas një raporti të vitit 2013 nga WMO, UNCCD, FAO & UNW-DPC, është vlerësuar se humbjet ekonomike në bujqësi, të shkaktuara nga përmbytjet, arrijnë vlerën midis 38.75 dhe 106.25 milionë eurove, ndërsa për thatësirën arrijnë në rreth 500 milionë euro. Këto të dhëna tregojnë se ndikimi i thatësirës në bujqësi është shumë më i madh se ai përmbytjeve.
Reagimi ndaj ndryshimeve klimatike në Ballkanin Perëndimor
Vendet e Ballkanit Perëndimor, në bashkëpunimin me partnerë zhvillimorë kanë filluar të marrin masat e duhura për zbutjen e pasojave negative të ndryshimeve klimatike. Këto masa përfshijnë menaxhimin e rreziqeve që prekin burimet ujore dhe bujqësinë, si dhe përdorimin e mundësive me ndikim në rritjen e eficiencës së energjisë dhe modernizimin e infrastrukturës. Tabela 1 tregon ligjet e miratuara deri tani, si dhe masat për zvogëlimin e pasojave negative të ndryshimeve klimatike në sektorin e bujqësisë për Ballkanin Perëndimor.
Shteti | Ligjet | Masat për Bujqësinë |
Serbia | Ka miratuar ligjin mbi ndryshimet klimatike | – Rehabilitimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes. – Zvogëlimi i rrezikut nga përmbytjet dhe menaxhimi i burimeve ujore. |
Shqipëria | Ka miratuar ligjin mbi Ndryshimet Klimatike, që përfaqëson bazën ligjore për miratimin e Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (NECP) nga viti 2021 deri në vitin 2030 | – Pyllëzimi dhe barrierat për të mbrojtur tokën e punueshme nga erozioni janë thelbësore. – Zbatimi i sistemeve të ujitjes me pika dhe modernizimi i sistemeve ekzistuese. |
Bosnje dhe Hercegovina | Në vitin 2021 ka përgatitur Strategjinë e Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike dhe Shkarkimeve të ulëta, 2020–2030 për Bosnje dhe Hercegovinën | – Investime me përparësi të lartë për rehabilitimin dhe modernizimin e sistemeve të ujitjes. |
Mali i Zi | Në dhjetor 2019, Mali i Zi miratoi Ligjin për Mbrojtjen nga Ndikimet Negative të Ndryshimeve Klimatike | – Zhvillimi i një plani përshtatje ndaj thatësirës në kushtet e rritjes së paparashikueshmërisë së klimës. – Krijimi i një rrjeti kombëtar brenda vëzhgimeve agro-meteorologjike. |
Maqedonia e Veriut | Republika e Maqedonisë së Veriut ka miratuar një Strategji për Zhvillimin e Energjisë deri në vitin 2040, si vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që planifikon të arrijë deri në 2030, objektivin për të ndaluar plotësisht përdorimin e qymyrit. | – Harmonizimi i politikave agrare me ndryshimet klimatike dhe forcimi i institucioneve bujqësore. – Investime në infrastrukturë mbështetje më të madhe për fermat bujqësore. |
BE dhe ndryshimi i klimës (Marrëveshja e Gjelbër e BE)
Ndryshimi i klimës është një nga çështjet kyçe të BE dhe miratimi i Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane flet në favor të saj. Kjo marrëveshje ka për qëllim të zvogëlojë ndikimet negative në burimet natyrore, si dhe shkarkimet në tokë, ujë dhe ajër. Ajo përfaqëson gjithashtu një kuadër strategjik sipas të cilit sfidat e ndryshimit të klimës dhe mbrojtjes së mjedisit transformohen në potenciale zhvillimi. BE synon të arrijë zero shkarkime dyoksid karboni, deri në vitin 2050 dhe pret që kësaj nisme t’i bashkohen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Marrëveshja e Gjelbër Evropiane bazohet në: (1) veprimin klimatik që përfshin dekarbonizimin, energjinë dhe ndryshueshmërinë; (2) ekonominë qarkulluese, ku rëndësi të veçantë kanë mbetjet, riciklimi, përdorimi i efektshëm i burimeve dhe prodhimi i qëndrueshëm; (3) biodiversitetin, që synon mbrojtjen dhe restaurimin e burimeve natyrore; (4) reduktimin e ndotjes së ujit, tokës dhe ajrit dhe (5) sistemet e qëndrueshme ushqimore dhe zonat rurale.
Dixhitalizimi është elementi kyç, i cili do të mundësojë realizimin e kësaj marrëveshje, në përputhje me konceptin e tranzicionit të dyfishtë, të gjelbër dhe dixhital. Është gjithashtu e nevojshme të zbatohen veprime konkrete të mbështetura nga mekanizmat e duhur dhe instrumentet financiare. Pesë partnerë të Ballkanit Perëndimor kanë ratifikuar Marrëveshjen e Parisit, duke u zotuar të marrin masa për mbajtjen e rritjes së temperaturave nën 1.5 °C, në nivel global.
Autorët gjithashtu, përmendin faktin se, meqenëse disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke punuar për anëtarësimin në BE, “neutraliteti” i klimës do të ketë një ndikim të rëndësishëm në këto marrëdhënie. Një nga mjetet e rëndësishme për krijimin e stimulit ekonomik dhe ndihmën për të pakësuar tranzicionin në neutralitetin e klimës mund të jetë përfshirja e hershme e Ballkanit Perëndimor në tregtinë e shkarkimeve. Të gjitha këto ndryshime do të kërkojnë mbështetjen dhe përfshirjen e qytetarëve.
Por, sipas një kërkimi të 2019-ës, vetëm 65% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor e konsiderojnë ndryshimin e klimës një kërcënim, ndryshe nga shtetasit e BE-së, ku 93% e konsiderojnë një problem shqetësues.
Është e rëndësishme të vihet në dukje se Pakti Evropian për Klimën mund të jetë një mjet për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve. Bazuar në mekanizmat e BE-së për rregullimin ndërkufitar të shkarkimeve të CO2 (CBAM), është e nevojshme të vihet në dukje se BE do të vazhdojë të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor në zbatimin e Axhendës së Gjelbër dhe zhvillimin e politikave të çmimeve të karbonit. Gjatë 7 viteve të ardhshme, plani i investimeve ekonomike parashikon një paketë të konsiderueshme investimi prej 30 miliard € për rajonin. Nga këto, 9 miliard € janë në formën e granteve dhe 20 miliard € në formën e investimeve. Për të arritur efektin maksimal të planit ekonomik & të investimeve, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zbatojnë me vendosmëri reformat ekonomike e sociale dhe të forcojnë rendin e të drejtës. Krerët e Ballkanit Perëndimor pritet të bëjnë përpjekje më vendimtare për të përmbushur të gjitha detyrimet lidhur me ngritjen e një tregu të përbashkët rajonal, për të cilin u ra dakord në takimin e nivelit të lartë të Procesit të Berlinit në Sofje në 2020.
Menaxhimi i ndryshimeve klimatike
Ekzistojnë qasje të ndryshme për menaxhimin e rreziqeve të ndryshimeve klimatike, të cilat mund të ndahen në katër kategori: (1) zbutje përmes zvogëlimit të shkarkimeve për gazet serrë; (2) përshtatje, që do të thotë rritje e aftësisë së shoqërisë për të përballuar ndryshimet klimatike; (3) gjeoinxhinieria, e cila nënkupton më tepër manipulime në sistemin e tokës për të reduktuar ndikimin e gazeve serë dhe (4) zgjerimi i bazës së njohurive për sistemet klimatike, të cilat mund të ndihmojnë në menaxhimin pro aktiv të rrezikut.
Zgjerimi i bazës së njohurive u mundëson politikë-bërësve të kuptojnë, zgjedhin dhe përmirësojnë administrimin e disa rreziqeve në mënyrë më efektive. Falë qasjesh të tilla, rritet dhe zbulohen mundësi të reja për mbrojtjen e klimës apo zvogëlimin e rrezikut nga ndryshimet klimatike.
Gjithashtu, theksohet se qëllimet për klimën, mund të arrihen me pjesëmarrjen aktive të të gjitha strukturave shtetërore. Megjithëse qeveritë lokale gjithnjë e më shumë po i kushtojnë vëmendje ndryshimeve klimatike, problemi është se politikat e tyre përqendrohen në zbutjen dhe jo në strategjitë e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike. Por, për t’iu përgjigjur ndryshimeve klimatike në mënyrën më të mirë të mundshme, nevojitet reagim përshtatës, që përfshin planifikimin ndaj ndikimeve klimatike, ndërtimin e “elasticitetit” dhe rritjen e aftësisë së shoqërisë për të reaguar dhe për t’u rimëkëmbur.
Politika e përshtatjes mund të përfshijë rregulla të ndryshme, të tilla si zvogëlimi i pasojave negative në tokë, rimëkëmbja nga fatkeqësitë, vlerësimi i ndikimit për sistemet dhe burimet kritike (uji, sistemet biologjike, bujqësia dhe infrastruktura), monitorimin e vazhdueshëm dhe përpjekjet për të reduktuar ndotjen e ajrit, humbjen apo degradimin e tokës.
Për sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, shkëmbimi i ekspertizës dhe ndarja e përgjegjësive në nivel rajonal janë veprimtari që ndihmojnë në ndërtimin e kapaciteteve dhe identifikimin e masave për menaxhimin e ndryshimeve klimatike.
Konkluzionet
Bujqësia është pjesë e pandashme e mjedisit dhe si e tillë ndikohet nga të gjitha anomalitë meteorologjike, ujore ose tokësore. Si pasojë e Ndryshimit të klimës, rrezikohen të gjitha segmentet e prodhimit bujqësor , veçanërisht prodhimi bimor. Ndikimi negativ në prodhimin bimor apo blegtoral do të ndikojë gjithashtu në industrinë ushqimore dhe më tej, në vijimësinë e rregullt të zinxhirit të furnizimit me lëndë të para. E gjithë kjo çon në krijimin e pasigurive ekonomike dhe sociale.
Përveç aktiviteteve të zbutjes së pasojave nga ndryshimet klimatike, nevojitet zhvillimi i sistemeve të përshtatjes (pra, përshtatje ndaj kushteve të reja klimatike).
Një tjetër problem është fakti se rreth kësaj teme ka shumë pak studime. Të dhënat nuk janë të përditësuara dhe ka vetëm vlerësime për ndikimin negativ të thatësirës në bujqësi, ndërsa studimet shkencore nga specialistët e rajonit janë të pakta. Kërkimet dhe analizat teorike mbështeten në të dhënat nga raportet zyrtare, literatura akademike, artikujt përkatës, botimet dhe dokumentet shtetërore të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye, analiza e të dhënave në këtë artikull që tregon mundësinë dhe harmonizimin e sektorit bujqësor të BP, me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane për të penguar ndryshimet klimatike është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë në proces anëtarësimi me BE, e cili, ndër të tjera, kërkon që vendet të përshtatin politikat e tyre, veçanërisht me kuadrin ligjor të BE-së për ndryshimet klimatike (më së shumti me fokus në veprimet në sektorin e energjisë).
Në këtë mënyrë, zbatimi i Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së do të kërkojë fonde të konsiderueshme publike dhe private, në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.
Së fundi, autorët theksojnë se arsimi është shumë i rëndësishëm për ruajtjen e mjedisit. Për këtë arsye duhet të ndërtohet një program mësimor, nëpërmjet të cilit të krijohen dhe fitohen aftësi, që shërbejnë për zbatimin e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane.