Shqiptarët janë ndër më të rrezikuarit në Evropë nga vdekjet e parakohshme për shkak të ndotjes së ajrit. Pas Shqipërisë, vendet e tjera që janë të prirura për të pasur një nivel të lartë vdekshmërie para kohe janë Kosova, Serbia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. Numri i vdekje të parakohshme në Evropë është rreth 400,000 në vit. Kjo shifër është deklaruar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit, e cila paraqet se 75% e popullsisë së kontinentit evropian është e ekspozuar ndaj niveleve të larta të ndotjes së ajrit. Në rend botëror, vdekjet e parakohshme gjatë vitit 2018, ishin 417,000 nga të cilat rreth 379,000 ishin në Evropë. Kjo është një shifër shumë e lartë, por fatmirësisht ekziston një trend zbritës prej 13% nga dekada e mëparshme.
Numri i vdekjeve të parakohshme nga ekpozimi për një kohë të gjatë ndaj NO2 është përgjysmuar që nga viti 2009, dhe llogariten afërsisht 55,000 vdekje. Niveli i ozonit në afërsi të tokës është përgjegjës për vdekjen e 20,600 personave. Fatkeqësisht, vdekjet nga ky shkak janë rritur me 20% që prej vitit 2009. Vetëm 4 shtete në Evropë: Estonia, Finlanda, Islanda dhe Irlanda kishin nivele të vdekshmërisë më të ulëta se ato të parashikuara nga direktivat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Situata në Ballkan është konsideruar më e rëndë, krahasimisht me shtetet e tjera të Evropës. Jo vetëm vdekjet e parakohshme, por edhe ulja e moshës mesatare të jetëgjatësisë është një problem tepër i madh për këtë rajon të kontinentit. Konkretisht, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë shtetet më problematike të Ballkanit. Shqipëria shënoi 5,000 vdekje të parakohshme të shkaktuara nga ndotja mjedisore. Sipas raportimeve të fundit, Shqipëria ka një rritje të vdekshmërisë me 23%.
Në vitin 2019, OKB ngriti alarmin për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për rritjen e vdekjeve të parakohshme për shkak të niveleve katastrofike të ndotjes së ajrit. Jeta në këto vende klasifikohet shumë e vështirë dhe jo e shëndetshme për faktin se niveli i ndotjes është 5 herë përtej normave të lejuara, të përcaktuara nga BE.
Për të pasur një panoramë më të qartë lidhur me nivelin e ndotjes së ajrit në Ballkan, është realizuar studimi i 18 qyteteve të mëdha në Ballkan përgjatë një intervali kohor 120-180 ditë. Nga ky monitorim, u konstatua se qytetet që kryesonin listën si më të ndoturit e rajonit janë: Tetova (Maqedoni e Veriut), Shkupi (Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut), Tirana (Kryeqyteti i Shqipërisë) dhe Beogradi (Kryeqyteti i Serbisë). Për t’ju referuar Tiranës, ajo renditet 31/314 ndër qytetet më të ndotura në botë. Në vitin 2018, ajo zinte vendin e 38-të, por gjatë vitit të fundit ndotja e ajrit është rritur akoma më shumë.
Pavarësisht faktit që kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Erion Veliaj promovon Tiranën si një qytet ekologjik, e vërteta është krejt e kundërt nga ajo çka ai deklaron. Pavarësisht politikave të ndërmarra nga pushteti vendor si: ndërtimi i korsisë se biçikletave, përdorimi i taksive elektrike, etj. sërish situata mbetet pa ndonjë ndryshim shumë të madh.
Qytetarët e Tiranës në disa zona të kryeqytetit ende nuk kanë akses 24 orë në ujë, gjë që tregon se jetesa në këtë qytet është tepër e vështirë.
Gjithashtu, Tirana është qyteti i 4-të në Mesdhe si një nga ndotësit më të mëdhenj të ujit me materiale plastike (madje më shumë se Durrësi). Sipas IUCN “The Mediterranean: More plasticum”, Tirana ndot burimet hidrike me 1,123 ton mbetje në vit, të cilat përfundojnë në det. Vendin e tretë e zë Podgorica me 1,662 ton mbetje në vit; vendi i dytë i takon Romës me 1,809 ton mbetje në vit, dhe lista kryesohet nga Shkupi me 1,912 ton mbetje në vit/Exit News