Ndryshimet klimatike janë kthyer në epiqendër të vëmendjes së vendeve të ndryshme, qeveritë e të cilave po punojnë për hartimin dhe miratimin e një sërë strategjish zbutëse dhe përshtatëse.
Në nivel global, progresi real në kufizimin e shkarkimeve të gazeve serë dhe ngadalësimin e ngrohjes globale është i rëndësishëm, por nuk mjafton.
“Ne po ‘rendim’ me shpejtësi drejt katastrofës klimatike dhe ngjarje të tilla, si përmbytjet e qyteteve të mëdha, valët e të nxehtit, stuhitë e fuqishme, problemet e furnizimit me ujë, zhdukja e miliona llojeve të bimëve dhe kafshëve, nuk janë aspak trillime apo ekzagjerime të situatës. Studimet shkencore tregojnë se ato kanë ardhur si pasojë e politikave tona për energjinë”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres.
Për të analizuar situatën aktuale të ndryshimeve klimatike në të gjithë botën, janë përdorur grafikët e mëposhtëm.
1. Shkarkimet e gazeve serë janë rritur
Arsyeja pse ndryshimet klimatike cilësohen si çështje emergjente lidhet me rritjen e vazhdueshme të kurbës së shkarkimeve të gazeve serë, e cila nuk po njeh rënie. Ky fenomen mund t’i atribuohet veprimtarisë njerëzore, sikurse tregohet qartë edhe në grafikun 1 (a).
Sipas skenarëve të analizuar nga IPCC, për ta kufizuar ngrohjen globale në rreth 1.5°C (2.7°F) që nga periudha paraindustriale, synim kryesor ky, i dakordësuar në Marrëveshjen e Parisit për Klimën në vitin 2015, shkarkimet e gazeve serë do të duhet të arrijnë kulmin e tyre përpara vitit 2025. Më pas, deri në vitin 2030, këto shkarkime do të duhet të jenë zvogëluar me 43%.
“Projeksionet aktuale janë të bazuara në modele që parashikojnë një rritje prej 14% të shkarkimeve, çka përveçse është në vetvete e papërshtatshme, rrezikon edhe mospërmbushjen”, thekson Guterres.
Megjithatë, ashtu sikurse është paraqitur në grafikun 1 (b), shkalla e rritjes së shkarkimeve për periudhën 2010-2019 është më e vogël krahasuar me shkallën e rritjes së shkarkimeve të një dekade më parë, 2000-2009.
2. Shkarkimet sipas shteteve
Shkarkimet e gazeve serë në vendet me ekonomi më të zhvilluara janë më të larta, dhe gjurma e karbonit e “lënë pas” nga individët me më shumë të ardhura është më e madhe.
“Ndryshimi i klimës është shumatorja mëse një-shekullore e përdorimit të paqëndrueshëm të energjisë dhe tokës, stileve të paqëndrueshme të jetesës, dhe modeleve të paqëndrueshme të konsumit dhe prodhimit “, tha bashkëkryetari i Grupit të Tretë të Punës së IPCC-së, Jim Skea.
Në grafikun e dytë janë paraqitur shkarkimet sipas rajoneve. Ajo çfarë vërehet është se në shumicën e rajoneve, shkarkimet e gazeve serë janë rritur, ndërkohë që shpërndarja e tyre mbetet e pabarabartë për të gjitha periudhat e marra në shqyrtim.
3. Kostot e energjisë së rinovueshme janë ulur
Në grafikun e tretë ilustrohet se si zhvillimi i teknologjisë në funksion të energjisë së rinovueshme, ku përfshihen burime të tilla si energjia diellore apo ajo e erës, është shoqëruar me rënien e shpejtë të çmimit të këtyre burimeve të energjisë në dekadat e fundit. Në të njëjtën kohë, përdorimi dhe zhvillimi i teknologjive, si dhe sasia e energjisë së prodhuar nga këto burime ka vazhduar të rritet.
Lufta në Ukrainë ka shërbyer si një instrument presioni politik ndaj vendeve në mbarë botën që të ndërmarrin sa më shpejt masa për kufizimin e varësisë së tyre nga burimet ruse të energjisë. Si rezultat, liderët, duke përfshirë edhe Sekretaren Amerikane të Energjisë, Jennifer Granholm, kanë bërë thirrje për një rritje të prodhimit vendas të naftës dhe gazit për të përmbushur kërkesat e kohës së luftës, si dhe për të frenuar rritjen e mëtejshme të çmimeve të gazit.
Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e kundërshtoi mundësinë për një rritje afatshkurtër të prodhimit të naftës dhe gazit sepse kjo mund të sjellë përkeqësim të mëtejshëm të situatës së emergjencës klimatike.
4. Masat aktuale kundër ndryshimeve klimatike janë të pamjaftueshme
Reagimi aktual në nivel global përkundrejt ndryshimeve klimatike është i pamjaftueshëm. Edhe në qoftë se kontributet e përcaktuara në shkallë kombëtare të vendosura përpara Konferencës së Klimës së vitit të kaluar, COP26, do të zbatohen, shkarkimet e gazeve serë nuk do të ulen në ato nivele ku të jetë i mundur kufizimi i ngrohjes globale në një masë të kënaqshme.
Në grafikun e mësipërm, vija në ngjyrë të kuqe reflekton trendin e politikave të miratuara dhe zbatuara në rang global për uljen e shkarkimeve. Ndërsa në ngjyrë blu dhe të gjelbër paraqiten nivelet e shkarkimeve të gazeve serë, të cilat do të duhet të arrihen në mënyrë që ngrohja globale të kufizohet në 1.5°C dhe 2.0°C, respektivisht.
Sikurse mund të vërehet nga shqyrtimi i grafikut të mësipërm, shkarkimet aktuale janë më të larta nga ç’parashikohet në politikat e hartuara. Ndërkohë, për të kufizuar ngrohjen globale duhet që shkarkimet të ulen, teksa zbatueshmëria e politikave përmirësohet.
5. Politikat që nxisin reduktime më të konsiderueshme të shkarkimeve kanë potencialin për të kufizuar pasojat e ngrohjes globale
Në grafikun e mësipërm tregohet se politikat më shtrënguese (C1, në ngjyrë bojëqielli) do të shoqërohen me ulje të shkallës së ngrohjes. Ndërkohë që politika disi më të relaksuara për reduktimin e shkarkimeve (C8 në grafik, në ngjyrë të kuqe të errët) do të rezultojnë në temperatura më të larta.
6. Veprimi për ta kufizuar shkallën e ngrohjes globale në masën 1.5°C deri në 2.0°C duhet të fillojë tani!
Grafikët e mësipërm tregojnë shkarkimet e gazeve serë (GHG), dyoksidit të karbonit (CO2) metanit (CH4), dhe oksidit të azotit (N2O) sipas skenarëve të ndryshëm.
Në ngjyrë të kuqe tregohen rrugët e projektuara të shkarkimeve nëse politikat dhe zotimet aktuale arrijnë të zbatohen. Ndërsa në ngjyrë blu, tregohen rrugët e projektuara të shkarkimeve nëse zbatohen politika më shtrënguese dhe që e kufizojnë ngrohjen globale në 1.5°C. Për këtë arsye, gjithashtu ekspertët shprehen se nëse shkarkimet nuk do të zvogëlohen në nivele të konsiderueshme dhe në mënyrë të menjëhershme, kufizimi i ngrohjes globale në 1.5°C, do të jetë i pamundur në terma praktikë.
7. Një analizë kosto-përfitimi e opsioneve të zbutjes:
Jo të gjitha zgjidhjet e sugjeruara në kuadër të zbutjes së ndryshimeve klimatike kanë të njëjtin ndikim te shkarkimet. Në grafikun e mësipërm paraqiten masat zbutëse të ndara sipas çdo sektori. Ajo çka mund të evidentohet është se sa më të larta të jenë kostot për zbatimin e masave zbutëse, aq më i lartë është kontributi i këtyre masave në reduktimin e shkarkimeve të gazeve serë.
8. Ndryshimet në sjelljen konsumatore mund të ulin kërkesën për produkte të ndyshme
Një tjetër komponent kyç i reduktimit të shkarkimeve është kufizimi i kërkesës, të cilën IPCC e ka ndarë në tre grupe:
- “Faktorët socio-kulturorë”, të cilët i referohen sjelljeve që individët zgjedhin të shfaqin;
- “Përdorimi i infrastrukturës”, i referohet ndryshimeve infrastrukturore që u mundësojnë individëve të bëjnë zgjedhje të ndryshme; dhe
- “Përqafimi i teknologjisë nga përdoruesit”, çka i referohet prirjes së përdoruesve për të përvetësuar ndryshimet teknologjike.
Kësisoj, zbatimi i politikave të përshtatshme dhe përdorimi i infrastrukturës dhe teknologjisë së duhur mund të shoqërohen me ndryshime në sjellje që nxisin stile të qëndrueshme jetese dhe kanë potencialin për ta reduktuar shkarkimin e gazeve serë në masat 40-70% deri në vitin 2050./ CNBC