Në nivel global, aktivitetet njerëzore kanë shkaktuar dhe do të vazhdojnë të shkaktojnë humbje në biodiversitet, mes tjerash, përmes ndryshimit të mënyrës së përdorimit të tokës dhe ndryshimit të mbulesës së tokës; ndotjes dhe degradimit të tokës dhe ujit (përfshirë shkretëtirëzimin) dhe ndotjes së ajrit; uji në ekosisteme dhe sistemet urbane të menaxhuara në mënyrë intensive; fragmentimi i habitateve; shfrytëzimi selektiv i specieve; paraqitja e specieve jo vendore dhe pakësimi i ozonit në stratosferë.
Shkalla e sotme e humbjes së biodiversitetit është më e madhe se norma natyrore e zhdukjes.
Ndryshimet klimatike ushtrojnë presion shtesë dhe tashmë kanë filluar të ndikojnë mbi biodiversitetin. Përqendrimet atmosferike të gazeve serë janë rritur që nga koha para-industriale për shkak të aktiviteteve njerëzore, kryesisht nga djegia e lëndëve fosile dhe përdorimi dhe ndryshimi i mbulesës së tokës. Këto faktorë dhe forcat natyrore kanë kontribuar për ndryshimet në klimën e Tokës gjatë shekullit XX-të. Temperatura e sipërfaqes tokësore dhe oqeanit është rritur, modelet hapësinore dhe kohore të reshjeve kanë ndryshuar, niveli i detit po ashtu është rritur etj.
Këto ndryshime, veçanërisht temperaturat e larta rajonale, kanë ndikuar në periudhën riprodhuese të gjallesave apo edhe në migrimin e kafshëve, në gjatësinë e sezonit të rritjes, shpërndarjen e specieve dhe madhësinë e popullimeve dhe frekuencat epidemive dhe sëmundjeve. Disa ekosisteme të lartësive dhe gjerësive bregdetare kanë qenë gjithashtu të prekur nga ndryshimet në faktorët rajonalë klimatikë.
Ndryshimi i klimës është parashikuar të ndikojë në të gjitha aspektet e biodiversitetit; megjithatë, ndryshimet e parashikuara duhet të marrin në konsideratë edhe efektet tjera nga e kaluara, ato nga ditët e sotme dhe aktivitetet e ardhshme të njeriut, përfshirë edhe rritjen e përqendrimeve atmosferike të dioksidit karbonit (CO2).
Bazuar në skenarët e shkarkimeve në gamë të gjerë të Panelit Ndërqeveritar mbi Ndryshimet Klimatike (IPCC), temperatura e sipërfaqes së tokës është parashikuar të rritet për 1,4-5,8°C deri në fund të shekullit të XXI, me sipërfaqe tokësore më të nxehta se oqeanet dhe lartësi më të nxehta se sa tropikët. Rritja e nivelit të detit është parashikuar të jetë prej 0,09 deri në 0,88 m. Në përgjithësi, parashikohet që frekuenca e reshjeve të rritet në lartësitë e mëdha dhe zonat Ekuatoriale dhe të zvogëlohen në zonat subtropikale.
Është parashikuar gjithashtu se ndryshimet klimatike do të ndikojnë në mënyrë direkte si në organizma të ndryshëm, tek popullatat, shpërndarja e specieve, përbërja dhe funksionimi i ekosistemeve (p.sh., me rritjen e temperaturës dhe ndryshimin e reshjeve dhe në rastin e ekosistemeve detare dhe bregdetare edhe ndryshime në nivelin e detit dhe në valët e stuhive) dhe në mënyrë të tërthorët (p.sh., përmes ndryshimit të intensitetit dhe frekuencave të çrregullimeve të tilla si zjarre të nxitura nga ndryshimet klimatike). Procese të tilla si humbja e habitateve, ndryshimi e fragmentimi dhe përhapja e specieve invazive do të jenë disa nga efektet e ndryshimeve klimatike.

Efekti i përgjithshëm i parashikuar i ndryshimeve klimatike të nxitura nga njeriu është se habitatet e llojeve të shumta do të lëvizin kah poleve ose më lartë nga vendet e tyre të tanishme. Speciet do të do të migrojnë me norma të ndryshme në peizazhe të fragmentuara dhe ekosisteme të dominuara nga specie me jetëgjatësi të lartë shpesh ngadalë do të mund të tregohen prova të ndryshimit.
Efektet e ndryshimeve klimatike në biodiversitet
Është parashikuar që komponentët e shumëfishtë të ndryshimeve klimatike të ndikojnë në të gjitha nivelet e biodiversitetit, si në nivel organizmi deri në nivel biome. Ndryshimet klimatike fillimisht prekin pikat e forta, duke zvogëluar në këtë mënyrë dhe mundësitë për t’u përshtatur me këto ndryshime.
Në nivelin më themelor të biodiversitetit, ndryshimet klimatike janë në gjendje që të ulin diversitetin gjenetik të popullatave për shkak të përzgjedhjes së orientuar dhe migrimit të shpejtë, e cila mund të ndikojë në funksionimin dhe elasticitetin e ekosistemit.
Megjithatë, shumica e studimeve janë përqendruar në ndikimet në nivele më të larta organizative dhe efektet gjenetike të ndryshimeve klimatike janë hulumtuar vetëm për një numër shumë të vogël të specieve. Për më tepër, efektet e ndryshimeve klimatike mbi popullatat kanë gjasa që të modifikojnë marrëdhëniet midis individëve brenda një komuniteti.
Kryesisht, reagimi i disa specieve ndaj ndryshimeve klimatike mund të ndikojë indirekt në specie, jetesa e të cilave varen prej tyre.
Ndryshimet në klimë kanë nxitur gjthashtu zhvendosje të fazave fenologjike, të bimëve me lule dhe të insekteve polenizuese, duke shkaktuar mospërputhje midis fazave fenologjike të secilës prej këtyre specieve. Si rrjedhojë shumë specie bimësh apo insektesh polenizuese (që shpërndajnë polenin) janë zhdukur, duke shkaktuar në këtë mënyrë crregullime në strukturën e rrjeteve bimë-polenizues.
Modifikime kanë pësuar edhe marrëdhëniet e tjera specifike brenda një komuniteti si prsh.: pre/grabitqarë, bartës/parazitë etj. të cilat ndryshojnë strukturën dhe funksionet e një komuniteti të caktuar brenda një ekosistemi.
Në nivel më të lartë të biodiversitetit, klima mund të shkaktojë ndryshime edhe në komunitetet e bimësisë, të cilat janë parashikuar të jenë aq të mëdha saqë të ndikojnë mbi integritetin e biomave. Vlerësimi Mijëvecar i Ekosistemit (The Millennium Ecosystem Assessment) parashikon zhvendosje për 5-20% të ekosistemeve tokësore, në veçanti pyjeve halore të ftohta, tundrës, tokës së thatë, savanës dhe pyjeve veriorë.
Analizat e kohëve të fundit të shpërndarjeve të mundshme në të ardhmen të biomeve tropikale në Amerikën Jugore sugjerojnë se pjesë të mëdha të pyjeve të Amazonës mund të zëvendësohen nga savana tropikale.
Në lartësi dhe gjerësi më të larta, pyjet alpine dhe veriore pritet të zgjerohen drejt veriut dhe të zhvendosin linjat e pemëve të tyre më lartë në kurriz të tundrave të ulëta dhe komuniteteve alpine.
Nga ana tjetër, rritja e temperaturës dhe zvogëlimi i reshjeve nënkupton se disa liqene, veçanërisht në Afrikë, mund të thahen.
Është parashikuar që oqeanet të ngrohen dhe të bëhen më shumë acid, duke ndikuar më tej në degradimin e shkëmbinjve koralorë.
Pra, shumë studime paralajmërojnë ndryshime të pakthyeshme në biodiversitet, për këtë arsye ekologët janë duke zhvilluar një kuptim më të mirë të mekanizmave se cila prej specieve dhe ekosistemeve, mund të ndikohen nga ndryshimet klimatike. Fazat fenologjike të specieve pritet të ndryshojnë edhe më tej, shpërndarja e specieve do të ndryshojë rrënjësisht, rrjetet trofike do të preken dhe si rrjedhojë do të ndikojë negativisht në fuksionimin e ekosistemeve dhe në përgjithësi do të cojë në raste të panumërta të zhdukjes së specieve dhe për rrjedhojë në degradim të lartë të biodiveristetit.