Temperatura po rritet dhe klima po ndryshon çdo vit.
Një milionë nga tetë milionë speciet në planet rrezikojnë të zhduken. Pyjet janë shkatërruar dhe oqeanet janë ndotur. Gjatë 20 viteve të fundit, qeveritë e kanë kthyer vëmendjen e tyre tek ndryshimet klimatike dhe kërcënimin që vjen prej tyre, duke zbatuar gradualisht masat strategjike të veprimit për të luftuar një ndryshim të tillë dhe paralelisht duke avancuar njohuritë shkencore mbi to. Deri tani, reagimi i politikës globale është përqendruar kryesisht në zbutjen e ndryshimeve klimatike duke zvogëluar shkarkimet antropogjene të gazeve serë (GHG).
Komisioni Evropian (KE) miratoi zyrtarisht Strategjinë e Bashkimit Evropian (BE) mbi Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike në vitin 2021. Strategjia përcakton se si BE-ja mund të përshtatet me ndikimet e pashmangshme të ndryshimeve klimatike dhe të bëhet neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050. Përveç Strategjisë, BE ka miratuar gjithashtu Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane (2019), e cila është gjithashtu një përgjigje ndaj këtyre sfidave.
Marrëveshja e Gjelbër Evropiane është pjesë e strategjisë së KE për zbatimin e Axhendës së Kombeve të Bashkuara për vitin 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs). Ajo ka për qëllim transformimin e BE-së në një shoqëri të begatë, me një ekonomi moderne, të efektshme në burime dhe konkurruese, e cila do të reduktojë shkarkimet neto të gazeve serë në zero, deri në vitin 2050 dhe ku rritja ekonomike është e pavarur nga përdorimi i burimeve. Synimi i saj është të mbrojë, ruajë dhe zgjerojë kapitalin natyror të BE dhe të mbrojë shëndetin dhe mirëqenien e shtetasve nga rreziqet dhe ndikimet e lidhura me ndryshimet në mjedis.
KE ka propozuar një Program të ri (të 8-të) të Veprimit Mjedisor që mbështet Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe përfshin mekanizma të rinj mbikëqyrës për të siguruar që Evropa të qëndrojë në udhën e duhur për të përmbushur objektivat e saj mjedisore. BE duhet të udhëheqë koordinimin ndërkombëtar për të ndërtuar një sistem financiar koherent që mbështet zgjidhjet e qëndrueshme. BE dhe vendet e saj anëtare janë angazhuar ndaj përshtatjes me ndryshimet klimatike edhe kanë filluar të trajtojnë këto sfida duke vendosur strategji përshtatjeje në të gjitha nivelet. Më të rëndësishmet prej tyre janë planet kombëtare të energjisë dhe klimës dhe planet strategjike kombëtare të propozuara për zbatimin e politikës së përbashkët bujqësore. KE ka inkurajuar të gjitha vendet anëtare të zhvillojnë strategji të përshtatjes në përputhje me planet kombëtare për të reduktuar rrezikun e ndryshimeve klimatike, duke përfshirë edhe çështjet ndërkufitare. Ajo mbështet gjithashtu përpjekjet e qyteteve evropiane për të përgatitur strategjitë dhe planet lokale të përshtatjes. Strategjitë dhe planet lokale të përshtatjes do të rritin mbështetjen për veprimtaritë lokale, duke ofruar një platformë për angazhimin dhe rrjetëzimin e komunave/bashkive dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Për të mbështetur sektorët më vulnerabël, KE vazhdon të integrojë përshtatjen në politikat e BE. KE gjithashtu kërkon të përmirësojë elasticitetin e infrastrukturës ndaj ndryshimeve klimatike në Evropë, nëpërmjet një shqyrtimi të standardeve ekzistuese në fushat e energjisë, transportit dhe ndërtimit. Shtetet anëtare duhet gjithashtu të sigurojnë zbatimin efektiv të të gjitha politikave dhe ligjeve.
Ndryshimet klimatike nuk njohin kufij, duke kontribuar në përkeqësimin/degradimin e shpejtë të mjedisit. Një metodë efektive për t’u përballur me sfidat e ndryshimeve klimatike është nëpërmjet bashkëpunimit ndërkufitar.
Bashkëpunimi ndërkufitar mund të jetë katalizatori për të ndaluar degradimin e ekosistemeve dhe për të zhvilluar bazën për një model zhvillimi më të qëndrueshëm. Por synimet e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane nuk do të arrihen vetëm duke vepruar brenda kufijve të BE. BE duhet të përdorë ndikimin, ekspertizën dhe burimet e saj financiare për të mobilizuar fqinjët e saj për t’u bashkuar me ta në një rrugë të qëndrueshme. Për më tepër, transmetimi i njohurive mbi përshtatjen e ndryshimeve klimatike në vendet evropiane dhe fqinje është konsideruar vendimtare në fazat e para të planifikimit dhe zbatimit të masave konkrete.
Nga ky aspekt, Ballkani Perëndimor është një fushë veçanërisht interesante për BE-në. Për këtë arsye është realizuar një studim, qëllimi i të cilit është t’ju jap përgjigje pyetjeve të mëposhtme:
(i) A vërehet ndryshimi i klimës në Ballkanin Perëndimor?
(ii) Si ndikojnë ndryshimet klimatike në sektorë të ndryshëm të Ballkanit Perëndimor?
(iii) Cilat janë strategjitë e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të ndihmojnë në planifikimin e veprimtarive dhe bashkimin fillestar të vendeve të Ballkanit Perëndimor me planin e BE-së për të zvogëluar shkarkimet neto të gazeve serë në zero deri më 2050.
Ballkani Perëndimor është një term i përdorur nga BE për një rajon që përfshin Bosnjë dhe Hercegovinën, Republikën e Maqedonisë së Veriut, Malin e Zi, Republikën e Serbisë, Kroacinë dhe Shqipërinë. Qëllimet kryesore të tyre janë integrimi dhe pranimi në BE, pasi Kroacia u bë anëtare në vitin 2013. Si kandidatë të mundshëm për pranimin në BE, të gjitha vendet janë të motivuara të respektojnë Marrëveshjen e Parisit dhe të arrijnë objektivat e BE 2020 dhe BE 2030 për rritjen e efiçencës së energjisë, zvogëlimin e shkarkimeve të gazeve serë dhe prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme. Integrimi në BE do të ketë një ndikim të fortë në politikat e klimës dhe mjedisit, ligjet dhe veprimet në dekadat e ardhshme.
Për realizimin e këtij studimi u përdorën të dhënat e marra nga kërkimet e literaturës sekondare (artikuj, dokumente shtetërore, etj.) të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Treguesit kryesorë të ndryshimit të klimës në Ballkanin Perëndimor
Për shkak të pozicionit gjeografik të rajonit, vendet e Ballkanit karakterizohen nga kushte klimatike të ndryshme. Shqipëria, pjesa jugore e Malit të Zi dhe zonat bregdetare të ultësirës së Bosnje dhe Herzegovinës karakterizohen nga një klimë mesdhetare me dimër të lagësht e të butë dhe verë të thatë e të ngrohtë. Në zonat e mbetura të Bosnje dhe Herzegovinës, klima varion nga mesatare kontinentale në klimë alpine. Pjesët qendrore dhe veriore të Malit të Zi karakterizohen nga një klimë malore, ndërsa veriu i largët i Malit të Zi ka një klimë kontinentale, për shkak edhe të ndikimit që vjen nga Deti Mesdhe. Në Kroaci, pjesa më e madhe e vendit karakterizohet nga një klimë e ngrohtë. Ndërkohë që klima në Republikën e Maqedonisë së Veriut ndryshon nga submesdhetare në mesatare kontinentale/ kontinentale dhe nga klima e ftohtë-kontinentale në klimë alpine. Klima e Republikës së Serbisë ndryshon në shumicën e zonave nga mesatare kontinentale në kontinentale në zonat malore, deri në subtropikale mesdhetare dhe kontinentale në jugperëndim. Për të vlerësuar ndikimin e ndryshimeve klimatike anembanë rajonit të Ballkanit Perëndimor, u zgjodhën dy parametra meteorologjikë: temperatura dhe reshjet.
Temperatura
Në 50 vitet e fundit temperatura në çdo vend të rajonit është rritur. Përkatësisht temperatura mesatare u rrit me 1.2 °C, nga jugu në veri. Nëpër Shqipërinë qendrore dhe jugore dhe Maqedoninë e Veriut, ndryshimet në temperaturë variojnë nga intervali 0,5 °C deri në 1,0 °C dhe mbi Shqipërinë veriore dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ndryshimet variojnë në intervalin 1,0–1,5 °C. Por, ndryshimet e temperaturës mund të analizohen edhe në mënyrë sezonale në dimër (dhjetor-janar-shkurt), pranverë (mars-prill-maj), verë (qershor-korrik-gusht), dhe vjeshtë (shtator-tetor-nëntor). Pa dyshim që vlerat më të larta do të jenë gjatë stinës së verës. Ajo është stina për të cilën parashikohen skenarë me rritjet më të larta të temperaturës dhe me frekuencën më të lartë të valëve të të nxehtit.
Nëpërmjet përdorimit të metodës RCP (representative concentrations pathway) janë parashikuar dy skenarë të ndryshimeve klimatike për rajonin e Ballkanit Perëndimor: RCP 4.5 (skenari i stabilizimit, ku shkarkimet e gazeve serë do të arrijnë kulmin deri në 2040, dhe më pas do të zvogëlohen) dhe RCP 8.5 (një skenar i rritjes së vazhdueshme, ku përqendrimet e gazeve serë vazhdojnë të rriten deri në fund të shekullit).
Sipas skenarit RCP 4.5, temperatura gjatë periudhës 2016-2035 do të rritet me një mesatare prej 0.8°C, dhe sipas skenarit RCP 8.5, temperatura do të rritet me një mesatare (rajonale) prej 1.0°C.
Ndryshimet e pritura në temperaturën e rajonit sipas skenarit RCP 4.5 gjatë fundit të shekullit (2081-2100) janë se temperatura do të pësojë një rritje mesatare prej 2 °C, dhe sipas skenarit RCP 8.5, temperatura do të vazhdojë të rritet ndjeshëm, duke arritur një vlerë mesatare prej 4.4°C.
Gjatë fundit të shekullit (2081-2100) sipas skenarit RCP 4.5, temperatura do të stabilizohet, por sipas RCP 8.5, temperaturat do të rriten aq shumë sa do të ndikojnë në zvogëlimin e numrit të ditëve me në të gjithë rajonin.
Midis modeleve ekzistuese, konsensusi është se gjatë shekullit të XXI, Ballkani Perëndimor do të përjetojë një rritje të konsiderueshme të temperaturës, e cila do të jetë më e lartë se mesatarja botërore. Bazuar në parashikimet e ndryshimeve klimatike, mund të pritet që ndryshimet klimatike të vazhdojnë të ndikojnë në rajonin e Ballkanit Perëndimor edhe në të ardhmen.
Reshjet
Për sa i përket elementit tjetër klimatik reshjet, në 50 vitet e fundit, ndryshimet në regjimin e reshjeve nuk kanë qenë aq të dukshme sa ndryshimet në temperaturë. Për shkak të topografisë komplekse të maleve, përgjithësimi i trendeve klimatike të vëzhguara është i vështirë, sepse Ballkani Perëndimor ka dy zona klimatike, kontinentale/mesdhetare dhe alpine. Akumulimi mesatar vjetor i reshjeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor krahasuar me periudhën nga viti 1961 deri në vitin 1980 nuk ndryshoi. Dhe aktualisht ndryshimi i reshjeve është 0.2%. Gjatë viteve 1980 dhe 1990, sasia e reshjeve u zvogëlua, për t’u rritur më tej dhe për të arritur në të njëjtat vlera si në periudhën 1961-1980.
Ndërkohë me ndikimin e ndryshimeve klimatike, Ballkani Perëndimor do të përjetojë një ulje të ndjeshme në shirat vjetorë. Dy skenarë, RCP 4.5 dhe RCP 8.5, janë zgjedhur gjithashtu për parashikimet e reshjeve në të ardhmen. Sipas skenarit RCP 4.5 gjatë periudhës 2016-2035 krahasuar me periudhën bazë (1986-2005), sasia e reshjeve nuk do të ketë ndryshime të konsiderueshme në vlerat vjetore apo sezonale, ndryshimi vjetor do të jetë brenda intervalit − 5% dhe + 5%. Sipas skenarit RCP 8.5, ndryshimi i reshjeve tregon një prirje të ngjashme si në skenarin RCP 4.5, por me një shpërndarje pak më të ndryshme.
Gjatë periudhës 2046-2065 sipas skenarit RCP 4.5, ndryshimet në reshje nuk tregojnë ndryshime shumë të rëndësishme në vlerat mesatare vjetore dhe sezonale, ndërsa sipas skenarit RCP 8.5, rezultoi se në Shqipëri dhe një pjesë e Malit të Zi sasia e reshjeve do të ulet veçanërisht gjatë muajve qershor-korrik-gusht.
Ndërsa për sa i përket, fundit të shekullit (2081-2100) sipas skenarit RCP 4.5, sasia e reshjeve do të stabilizohet, dhe sipas skenarit RCP 8.5, në Jug të Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut do të ketë një ulje serioze të sasisë së reshjeve gjatë sezonit qershor-gusht.
Sipas skenarit RCP 4.5, ulja e sasisë së reshjeve do të jetë veçanërisht e theksuar gjatë stinës së verës. Përkundrazi, në dimër sasia e reshjeve do të rritet si në male ashtu edhe në të gjithë rajonin. Në rajon nuk priten reshje ekstreme; megjithatë, përmbytjet parashikohen të bëhen më të shpeshta për shkak të reshjeve të shumta gjatë dimrit.
Shkarkimet e gazeve serë dhe zbutja e ndryshimeve klimatike
Nga viti 1990 deri në vitin 2018, shkarkimet e CO2 për Ballkanin Perëndimor variojnë nga 1-8 tonë për person (Fig.1). Këto vlera janë më shumë se gjysma e shkarkimeve nga vendet e BE-së dhe më shumë se çereku i shkarkimeve të Shteteve të Bashkuara (Fig. 2).
Diferenca më e madhe është e dukshme në të dhënat mbi shkarkimet totale. Por krahasuar me Kinën, SHBA-në dhe BE-në, regjistrimet e shkarkimeve të Ballkanit Perëndimor janë të pakta (Fig. 2).
Nga viti 1990 deri në vitin 2018, shkarkimet totale të gazeve serë (kt e ekuivalentit të CO2) për Ballkanin Perëndimor janë paraqitur në Fig. 3.
Ajo cfarë vërehet është se shkarkimet e gazeve serë në Shqipëri si pasojë e ndryshimeve në përdorimin e tokës dhe sipërfaqeve pyjore midis viteve 1990 dhe 2000, ranë ndjeshëm, ndërkohë që në të gjithë sektorët e tjerë u rritën. Shkarkimet totale të lidhura me ndryshimin e përdorimit të tokës dhe sipërfaqeve pyjore përbënin 45% të tyre. Por në sektorin energjetik shkarkimet vazhdojnë të rriten dhe kombinuar me rënien e shkarkimeve si pasojë e ndryshimeve në përdorimin e tokës dhe sipërfaqeve pyjore, ka bërë që sektori energjetik të jetë përgjegjës për pjesën më të madhe të shkarkimeve në Shqipëri. Sektori i mbetjeve tregon rritjen më të madhe në përqindje, por në terma absolutë, shkarkimet e mbetjeve janë rritur më pak se në çdo sektor tjetër.
Për sa i përket Bosnje-Hercegovinës, të dhënat mbi shkarkimet e gazeve serë për cdo sektorë kanë filluar të regjistrohen vetëm vitin e fundit , kështu që analiza e trendit të shkarkimeve ndër vite është e pamundur të realizohet.
Në Kroaci, në periudhën nga 1990 deri në 2007, sektori energjetik llogaritej të ishte përgjegjës për 70% të shkarkimeve totale të gazeve serë. Gjatë kësaj periudhe, edhe shkarkimet nga sektorë e tjerë të mbetjeve, transportit u rritën gjithashtu, ndërsa në sektorët e bujqësisë dhe ata industriale, shkarkimet u ulën. Falë ndryshimeve në përdorimin e tokës dhe sipërfaqeve pyjore, absorbimi i gazeve serë është rritur, duke çuar në zvogëlimin e mëtejshëm të shkarkimeve totale.
Në Republikën e Maqedonisë se Veriut midis viteve 1990 dhe 2002, zvogëlimi i shkarkimeve lidhur me ndryshimin e përdorimit të tokës dhe sipërfaqeve pyjore duket mbresëlënës. Por ky sektor është përgjegjës për vetëm 2% të shkarkimeve totale të Maqedonisë së Veriut dhe ndryshimi nuk është shumë i madh. Sektori i energjisë, në vitin 2002, llogaritet të shkarkonte sasi të larta të gazeve serë, rreth 70%. Dhe po në atë periudhë, shkarkimet totale të gazeve serë ranë me 8%, falë zvogëlimit të shkarkimeve nga sektori bujqësor.
Në Malin e Zi, midis 1990 dhe 2003, ndryshimet në përdorimin e tokës dhe sipërfaqeve pyjore dhanë kontribuan në uljen e shkarkimeve totale të gazeve serë me 2%. Megjithatë, në 2003, ky sektor llogaritej të shkarkonte vetëm 17%. Megjithëse shkarkimet nga sektori energjetik u rritën gjatë kësaj periudhe, pjesa e shkarkimeve totale që i atribuohen sektorit energjetik u rrit me 3%.
Edhe në Serbi, midis 1990 dhe 1998, shkarkimet e gazeve serë u ulën me 22%, e cila vjen nga sektori energjetik (79%). Shkarkimet lidhur me ndryshimin e përdorimit të tokës apo sektorët e pyjeve dhe mbetjeve kanë përjetuar një ndryshim të konsiderueshëm në përqindje, edhe pse këta sektorë përfaqësojnë një përqindje të vogël në shkarkimet totale.
Pasojat e ndryshimeve klimatike në sektorët kryesorë të rajonit.
Burimet ujore kanë luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në ekonominë e Ballkanit Perëndimor. Sa i përket sasisë së ujit në dispozicion për person, vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendet më të pasura me burime ujore në Evropë (10,600 m3, që është dy herë më e lartë se mesatarja evropiane). Pjesa më e madhe e ujit nga kjo zonë rrjedh nga burimet malore, ndërsa në disa vende një pjesë e konsiderueshme e ujit rrjedh nga lumenjtë ndërkufitar.
Bujqësia si një nga sektorët më të rëndësishëm në rajon varet kryesisht nga uji. Çrregullimet në regjimin e reshjeve, thatësira dhe kushtet ekstreme të motit kanë pasoja të rëndësishme për stabilitetin e këtij sektori. Por përveç bujqësisë, burimet ujore përdoren edhe për prodhimin e energjisë elektrike. Në Ballkanin Perëndimor, rreth 37% e elektricitetit të prodhuar vjen nga hidroenergjia. Në disa vende, kjo përqindje është shumë më e lartë: Shqipëria (100%), Mali i Zi (45.3%), dhe Kroacia (42%). Në vitin 2018, 70% e energjisë së ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor prodhohesh nga hidrocentralet e vogla. Për këtë arsye nga viti 2009 deri në fund të vitit 2018, në rajon u ndërtuan të paktën 380 hidrocentrale të vegjël. Kontributi i hidrocentraleve të vegjël në prodhimin e energjisë elektrike është jashtëzakonisht modest. Vetëm 3.6% e energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor në vitin 2018 u gjenerua nga hidrocentralet nën 10 MW. Avullimi i shpejtë dhe thatësira, si dhe ndryshimet në regjimin e reshjeve kanë pasoja të rëndësishme për këtë sektor. Nga ana tjetër ngjarjet më të shpeshta ekstreme, të tilla si përmbytjet, mund të ndikojnë në infrastrukturën energjetike.
Në lidhje me burimet ujore, rajoni përballet me disa probleme të zakonshme, duke përfshirë bashkëpunimin e dobët ndërkufitar dhe ndotjen e ujit. Pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë, në këtë rajon ka më shumë se 13 basene të përbashkëta ndërkombëtare dhe katër liqene ndërkufitare dhe shumica e shteteve ndajnë një ose më shumë basene. Por bashkëpunimi ndërkufitar është përgjithësisht i dobët, duke filluar nga shkëmbimet e dobëta të informacioneve deri në , kapacitetet institucionale të pamjaftueshme etj.
Një nga çështjet kryesore për t’u shqetësuar është edhe cilësia e ujit. Burimi kryesor i ndotjes së ujërave sipërfaqësor dhe nëntokësor është shkarkimi në to i ujërave të zeza. Shpesh, trajtimi i ujërave të zeza është i dobët ose mungon plotësisht. Në shumë vende të Ballkanit Perëndimor, burimet e ujërave nëntokësore rrezikohen edhe nga mbetjet e bujqësisë (plehërimi-ndotja nga azoti). Ndryshimet klimatike paraqesin sfida të tjera lidhur me cilësinë e ujit, disponueshmërinë dhe menaxhimin. Për këtë arsye, ndryshimet klimatike përbëjnë një rrezik të rëndësishëm për sektorët, ku uji është një faktor kufizues dhe gjithashtu do të përkeqësojë presionet ekzistuese mbi burimet ujore. Vendet në rajon sipas pothuajse të gjitha parashikimeve të klimës do të përjetojnë një rënie të konsiderueshme të reshjeve, pasuar nga rritja e thatësirës dhe disponueshmërinë e ujit.
Temperaturat më të larta do të ndikojnë gjithashtu edhe në reshjet apo shtresat e dëborës. Deri në vitin 2050, mbulesa e dëborës pritet të bjerë. Reshjet intensive dhe shkrirja e dëborës gjatë dimrit do të shtojnë rrezikun e përmbytjeve në të gjithë rajonin.
Cilësia e tokës e cila është e rëndësishme për sektorin bujqësor. Rreziku i degradimit të tokës do të rritet me rritjen e pasojave të ndryshimeve klimatike. Rritja e temperaturës, ndryshimi i regjimit të reshjeve, përmbytjet dhe thatësirat ndikojnë drejtpërdrejt në vetitë dhe proceset e tokës, gjë që mund të çojë në erozion të përshpejtuar, degradimin dhe shkretëtirëzimin e saj. Kur thatësira pasohet nga periudhat e shirave të dendura në terrene të pjerrëta e të paqëndrueshme, toka nuk është në gjendje të absorbojë sasi të mëdha uji, duke sjellë si pasojë rrëshqitje dheu dhe përmbytje. Nga ana tjetër zjarret dhe mbishfrytëzimi i burimeve mund të kontribuojnë më tej në shkretëtirëzim. Shkretëtirëzimi më tej shkakton humbjen e funksionit të duhur hidrologjik të tokës, produktivitetit biologjik të saj, dhe shërbimeve të tjera të ekosistemit. Sektori bujqësor në rajon kontribuon me rreth 11% në prodhimin e brendshëm bruto (PBB). Gjithashtu rreth tetëmbëdhjetë për qind e popullsisë është e punësuar në bujqësi, e cila shpesh është një shtytës i zhvillimit ekonomik për zonat rurale. Por ajo mund të konsiderohet si një nga sektorët më të prekur ndaj ndryshimeve klimatike. Thatësirat në Ballkan janë identifikuar si rreziku kryesor për këtë sektor sepse ato ndikojnë në prodhimin bujqësor. Parashikimet për ndryshimet klimatike dhe ndikimi i tyre në bujqësi në nivelin evropian tregojnë se humbjet më të mëdha do të jenë në zonat jugore, duke përfshirë Ballkanin.
Pyjet mbulojnë një pjesë të madhe të zonës tokësore të Ballkanit Perëndimor dhe luajnë një rol të rëndësishëm ekonomik dhe social në të gjitha vendet, si në aspektin e ekonomive kombëtare, ashtu edhe në aspektin e mjeteve të jetesës. Industria e drurit kontribuon ndjeshëm në zhvillimin e ekonomive lokale. Në disa vende, kontributi i pyjeve në PBB është i lartë (në Malin e Zi me 8%), ndërsa në vende të tjera ai shkon midis 0.5 dhe 2.5%. Pyjet gjithashtu ofrojnë disa shërbime të ekosistemit, duke përfshirë ruajtjen e biodiversitetit, zbutjen dhe përshtatjen ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike dhe rregullimin e regjimit të reshjeve. Zonat malore të Ballkanit Perëndimor të mbuluara me pyje janë shumë të pasura me biodiversitet, si në aspektin e florës ashtu edhe të faunës (me rëndësi globale apo evropiane për ruajtjen). Një problem që haset në këtë sektor është migrimi i popullsisë rurale drejt zonave urbane (veçanërisht nga zonat malore) ka ndikuar në zvogëlimin e numrit të të rinjve që merren me pylltari. Megjithatë, ka ende shqetësime në rajon rreth cilësisë së pyjeve për shkak të administrimit të pamjaftueshëm të tyre qofshin këto në pronësi shtetërore dhe private, ndërsa faktorë të tillë si prerja e paligjshme e pyjeve dhe korrupsioni pengojnë sektorin pyjor të arrij potencialin e tij të plotë. Ndryshimet klimatike përbejnë gjithashtu një rrezik për pyjet dhe administrimin e tyre. Karakterizimi i rajonit nga temperaturat e larta gjatë stinës së verës, ka çuar në një rritje të ndjeshme të numrit dhe intensitetit të zjarreve në pyje në të gjithë rajonin. Në të ardhmen në Mesdhe, mundësia për rritjen e shpeshtësisë apo dhe intensitetit të zjarreve në pyje do të rritet. Për më tepër, rritja e përqendrimit të CO2 në atmosferë, temperaturat më të larta, ndryshimet në reshje, përmbytjet si dhe kohëzgjatja dhe shpeshtësia e thatësirave do të kenë efekte të rëndësishme në rritjen e pemëve, si dhe më tej në përhapjen e epidemive të insekteve dhe sëmundjeve.
Përveç pyjeve, Ballkani Perëndimor përmban një shumëllojshmëri të madhe të ekosistemeve dhe është cilësuar si një ndër “hot-spotet” e biodiversitetit në Evropë. Territori i ish-Jugosllavisë është një nga gjashtë qendrat evropiane të biodiversitetit, që përmban 40% të bimëve vaskulare në Evropë, 51% të llojeve të peshqve, 74% të shpendëve dhe 68% të gjitarëve. Ekziston një nivel i lartë i endemizmit në vendet e Ballkanit për shkak të gjeologjisë, tokës, veçorive klimatike dhe lartësisë jashtëzakonisht diverse. Numri dhe sipërfaqet e zonave të mbrojtura në rajon po rriten, ndonëse sipërfaqja e tokës së mbrojtur është ende e ulët krahasuar me BE. Strategjia e BE-së për Biodiversitetin në vitin 2030, si pjesë e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, është një plan gjithëpërfshirës për mbrojtjen e natyrës dhe rikuperimin e ekosistemeve. Strategjia është vendosur të kthejë në zona të mbrojtura për të paktën 30% të sipërfaqes së tokës dhe detit në Evropë, të restauroje ekosistemet e degraduara dhe të investoj rreth 20 miliardë EUR/vit për biodiversitetin nëpërmjet burimeve të ndryshme, duke përfshirë fondet e BE-së, fondet kombëtare dhe private. Biodiversiteti në rajon përballet me disa kërcënime, duke përfshirë shpyllëzimin, erozionin e tokës, përdorimin e pakontrolluar të tokës dhe ndotjen, si dhe gjuetinë, peshkimin dhe kullotjen e paqëndrueshme. Ndryshimet klimatike pritet të prekin të gjitha ekosistemet në rajon, por ekosistemet më vulnerabël janë ekosistemet speciet e të cilave kanë mundësi të kufizuara migrimi. Shkrirja e mbulesës së dëborës do të çojë në pakësimin e florës dhe faunës alpine, pasi bimësia e rajoneve të pjerrëta do të zëvendësohet nga bimësia e zonave të ulëta.
Një tjetër sektor, i cili ka një ndikim të konsiderueshëm në ndryshimet klimatike është infrastruktura dhe transporti. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, arritja e krijimit të rrjeteve efektive dhe moderne të transportit të brendshëm dhe infrastrukturës së rrjeteve të komunikimit midis vendeve të rajonit do të jetë një shtysë kryesore e rritjes ekonomike dhe tranzicionit. Një seri projektesh të infrastrukturës janë planifikuar, duke përfshirë financimin nga Instrumenti për Asistencën e Para-Aderimit (IPA) që do të lidhë kryeqytetet, qytetet e mëdha dhe aeroportet në rajon, duke bërë të mundur përparim më të shpejtë ekonomik deri më 2030. Pjesa më e madhe e infrastrukturës së transportit të Ballkanit Perëndimor u ndërtua në vitet 1960 dhe 1970 dhe për këtë arsye ka nevojë urgjente për rehabilitim apo zëvendësim. Ndonëse sistemi i transportit i vendeve të Ballkanit Perëndimor është përmirësuar gjatë viteve, standardet janë ndjeshëm më të ulta se ato evropiane. Bllokimi i rrugëve në qytete dhe përreth tyre, automjetet e vjetra, mirëmbajtja e dobët e automjeteve dhe ndryshimi i kushteve të rrugëve, të gjitha kontribuojnë në cilësinë e dobët të ajrit. Presioni mbi rrjetet rrugore është rritur gjithashtu, midis 2001 dhe 2006 transporti i mallrave është pothuajse dyfishuar dhe transporti publik brenda dhe midis qyteteve konsiderohet i papërshtatshëm.
Sektori i transportit është përgjegjës për pothuajse çerekun e shkarkimeve të CO2 në botë. Ndonëse kjo shifër është më e ulët për rajonin e Ballkanit Perëndimor, me zhvillimin socio-ekonomike edhe shkarkimet nga sektori i transportit po rriten me afërsisht 14%.. Një ndër llojet e transportit ajror që shkarkon me shumë në atmosferë është edhe transporti ajror. Shkarkimet që ndodhin gjatë një fluturimi kontinental në Evropë janë shumë herë më të larta se përdorimi i mjeteve të tjera të transportit. Për momentin, industria e aviacionit është përgjegjëse për rreth 2% të shkarkimeve totale globale, dhe megjithëse ka nisma dhe masa për reduktimin e tyre, ai është sektori, shkarkimet prej të cilit vazhdojnë të rriten me ritëm të shpejtë. Një problem edhe më i madh është fakti se shkarkimet nga fluturimet ndërkombëtare po rriten nga viti në vit; aktualisht, ato janë 70% më të larta (në nivel vjetor) krahasuar me 2005. Parashikohet se, nëse nuk merren masa për të reduktuar këto shkarkime, ato do të rriten me 300% deri në vitin 2050. Nuk ka studime në dispozicion mbi shkarkimet e gazeve serë që rezultojnë nga trafiku ajror në rajon, por ato sigurisht janë të rëndësishme, pasi rajoni i Ballkanit është një rrugë ku ndodhin një numër i madh fluturimesh. Një problem shtesë është infrastruktura relativisht e vjetër e aeroporteve, ndotja e ajrit, si dhe mungesa e kompetencave kyçe të personelit të angazhuar në sektorin e transportit ajror, si dhe kompanitë e lidhura me to. Transporti ajror duhet të transformohet në një sektor me zero shkarkime. Ka pak studime mbi efektet e ndryshimeve klimatike në rrjetet e transportit në rajon. Siç identifikohet nga Raporti i Bankës Botërore për Pikat e Nxehta të Fatkeqësive Natyrore: Një Analizë Globale e Rrezikut, Ballkani Perëndimor është veçanërisht i ndjeshëm ndaj tërmeteve, rreziqeve hidrologjike (thatësirave dhe përmbytjeve) dhe zjarreve në rajonet pyjore. Ndërkohë që ndryshimet klimatike vazhdojnë të ndryshojnë shpeshtësinë dhe intensitetin e këtyre fenomeneve, këto tronditje akute priten të përkeqësohen në të ardhmen. Ndryshimet klimatike dhe cilësia e ajrit janë të lidhura ngushtë me transportin. Rajoni i Ballkanit Perëndimor është gjithashtu historikisht i njohur për minierat. Nga ato përftohet, alumini, kromi, kobalti, bakri, hekuri, plumbi, magnezi, mangani, nikeli dhe zinku, ari si metal i çmuar, paladiumi dhe platini dhe linjiti, gazi natyror dhe vaji. Në vitet 1990, shfrytëzimi i këtyre minierave dhe përpunimi i mineraleve e kishin kthyer rajonin në burimin kryesor evropian të bakrit, plumbit dhe zinkut duke e kthyer këtë industri në një nga sektorët kryesorë industrialë. Pas rënies së tregut të përbashkët jugosllav në vitet 1990, prodhimi industrial ra ndjeshëm, duke rezultuar në pakësimin e ndotjes, për shkak të braktisjes së shumë minierave në të gjithë rajonin.
Brenda rajonit, afërsisht një e treta e 180 vendeve të identifikuara, përballen me çështje të rëndësishme mjedisore dhe nga këto një e pesta janë probleme që shtrihen jashtë kufijve. Këtu përfshihet prodhimi i mbetjeve, ndotja e ajrit, ndikimet negative në tokë dhe biodiversitet, ndotja e ujit, substancat e rrezikshme, zhurmat dhe vibrimet dhe ndikimet vizuale/estetike. Një nga rrugët kryesore të ekspozimit ndaj ndotësve janë lumenjtë, të cilët përbëjnë një rrezik kryesor të ndotjes ndërkufitare për vendet në rajon. Ndërkohë që edhe ndryshimet klimatike mund të përkeqësojnë problemet ekzistuese mjedisore të përmendura më sipër. Rreziku rritet akoma më shumë kur fatkeqësitë të tilla si përmbytjet (si rezultat i reshjeve më intensive që priten në muajt e dimrit dhe pranverës) kombinohen edhe me infrastrukturën e dobët.
Ballkani Perëndimor është gjithashtu një rajon me një potencial të madh për turizëm të qëndrueshëm, për shkak të trashëgimisë së tij të pasur kulturore dhe diversitetit, bregdetit tërheqës dhe qyteteve historike. Turizmi është një nga sektorët ekonomikë me rritjen më të madhe dhe më të shpejtë në rajon dhe në shumicën e vendeve pritet që turizmi të rrisë kontributin e tij në PBB dhe të krijojë vende të reja pune. Ashtu sikurse edhe sektori i bujqësisë, turizmi varet nga kushtet natyrore, veçanërisht në rajonet bregdetare dhe malore. Ndryshimet klimatike parashikohet të kenë një ndikim të rëndësishëm në mjediset malore, si pasojë e ndryshimeve që po ndodhin në fushën e turizmit por edhe për shkak të ndryshimeve në klimë. Vendpushimet e skive malore janë midis sektorëve turistikë që konsiderohen si më të rrezikuarit, sepse pritet që kohëzgjatja e sezonit të dëborës të reduktohet ndjeshëm në të ardhmen. Rajonet bregdetare konsiderohen gjithashtu shumë të ndjeshme ndaj kushteve klimatike dhe rajoni mesdhetar në tërësi pritet të bëhet më pak tërheqës për shkak të thatësirës dhe temperaturave më të larta. Nga ana tjetër, temperaturat më të larta në rajonin bregdetar mund të favorizojnë turizmin në zonat kodrinore dhe malore. Gjithashtu ka ndikime , të tilla si ndryshimet në cilësinë e ujërave të ëmbla, ndryshimet dhe humbjet në biodiversitet, rrëshqitjet e dheut dhe zjarret në pyje, rritja e mundësisë për përhapjen sëmundjeve vektoriale. Politikat e zbutjes që kanë për qëllim reduktimin e shkarkimeve të gazeve serë do të rritin kostot e transportit dhe mund të kenë një ndikim mbi modelet e udhëtimit të turistëve. Në rajon, turizmi padyshim do të vazhdojë të jetë një sektor në rritje pavarësisht nga sfidat e ndryshimit të klimës.
Për zhvillimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sektori i energjisë konsiderohet shumë i rëndësishëm. Burimet kryesore të prodhimit të energjisë elektrike në rajon janë termocentralet dhe hidroenergjia. Republika e Serbisë, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje-Hercegovina e prodhojnë energjinë elektrike kryesisht nga termocentralet. Ndërkohë që Shqipëria e merr pothuajse të gjithë energjinë nga hidrocentralet, pa lënë pas edhe Bosnje dhe Herzegovinën, Kroacinë dhe Malin e Zi të cilat kanë gjithashtu kapacitete të konsiderueshme hidroenergjetike. Për shkak të varësisë së lartë dhe përdorimit të qymyrit (linjitit), rajoni në tërësi ka një përqindje të lartë të shkarkimeve të karbonit, duke e bërë këtë sektor burimin kryesor të shkarkimit të ndotësve dhe gazeve serë. Intensiteti i energjisë (tregues i efiçencës së energjisë) i Ballkanit Perëndimor është i lartë. Kjo mund t’i atribuohet gjendjes së degraduar të infrastrukturës energjetike, humbjeve të mëdha të energjisë gjatë transformimit, transmetimit, shpërndarjes dhe paefektshmërisë në sektorin e fundit të përdorimit . Përveç kësaj, varësia e lartë nga energjia e importuar (nafta dhe gazi natyror) ngre shqetësime rreth sigurisë së furnizimit me energji dhe nevojës për diversifikimin e burimeve të reja (burimet e ripërtëritshme: biomasa, energjia diellore dhe e erës), si dhe integrimi i efiçencës së energjisë.
Sistemet e energjisë në rajon konsiderohen të jenë shumë të ndjeshme ndaj ngjarjeve ekstreme dhe ndryshimeve të temperaturës. Shtrirja dhe natyra e ndikimit varen nga shkalla e mbështetjes së vendeve në burime të ndryshme të energjisë. Prodhimi i energjisë termike është i ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike për shkak të varësisë së lartë të termocentraleve për ujë të ftohtë. Nivelet më të ulëta në liqene dhe lumenj, avullimi i përshpejtuar dhe uji më i ngrohtë mund të shkaktojnë kufizime gjatë proceseve , duke ndikuar më tej edhe në kufizimin e kapacitetit prodhues. Duke marrë parasysh efektet e ndryshimeve klimatike në temperaturën e ujit të lumenjve, kapaciteti i termocentraleve dhe bërthamore në Evropën Jugore dhe Lindore mund të përballet me një rënie prej 6-19% për periudhën 2031-2060 (krahasuar me periudhën nga viti 1971 deri në vitin 2000). Ngjarjet ekstreme më të shpeshta, të tilla si përmbytjet, do të rrezikojnë gjithashtu të gjitha llojet e infrastrukturës energjetike dhe do të çojnë në rritjen e kostove të mirëmbajtjes. Në Ballkanin Perëndimor, pjesa më e madhe e infrastrukturës energjetike kërkon rehabilitim dhe zëvendësim të gjerë, duke ditur se ajo është ndërtuar në vitet 1960 dhe 1970. Ndryshimet klimatike pritet të paraqesin rreziqe në funksionimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike dhe të reduktojë efiçencën veçanërisht për strukturat e vjetra dhe jo të mirëmbajtura. Pas rënies së pritshme në nivelet vjetore të ujit në lumenj dhe ndryshimit të sezonalitetit të rrjedhave të lumenjve, prodhimi total i hidrocentraleve në Evropë, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor, pritet të bjerë me 1.66 TWh, ose 1.43%, krahasuar me nivelet e prodhimit të vitit 2005. Ndërkohë që, konsumi i energjisë në Ballkanin Perëndimor është rritur tashmë me 53% midis 1995 dhe 2005 dhe kërkesa pritet të rritet me 34% nga 2006 në 2030. Zhvillimi ekonomik, rritja e popullsisë dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike (prodhimi i reduktuar dhe ndërprerjet në prodhimin e energjisë elektrike) së bashku mund të kontribuojnë në rritjen e çmimeve të energjisë elektrike dhe rrezikun e mungesës së energjisë elektrike në rajon.
Sfidat e ardhshme/ Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike
Përshtatja është një strategji e menaxhimit të riskut që synon t’i përgjigjet efekteve të pashmangshme të ndryshimeve klimatike dhe të rrisë elasticitetin/aftësinë për t’iu përgjigjur një ndryshimi të funksionit ose gjendjes në mjedis duke i rezistuar dëmeve dhe duke u rikuperuar shpejt. Vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me disa sfida përsa i përket përshtatshmërisë së tyre. Vendet me qeverisje të mirë-vendosur, efikase dhe ekonomi të forta e të qëndrueshme kanë një avantazh të veçantë në kapacitetet e tyre adaptuese. Kroacia ka kapacitetin më të madh adaptues, Republika e Maqedonisë së Veriut ka kapacitetin më të ulët adaptues, ndërsa Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Republika e Serbisë kanë kapacitet mesatar adaptues. Ndërsa për Malin e Zi nuk ka të dhëna të mjaftueshme.
Në Shqipëri, burimet hidroenergjetike prodhojnë më shumë se 95% të energjisë elektrike në vend. Pjesa e kërkesës totale për energji të rinovueshme, përfshirë hidrocentralet, ka rënë nga 42% në vitin 2000, në 22% në vitin 2007.
Rritja e pritshme, në terma afatgjatë, e temperaturës mesatare sezonale dhe vjetore në Shqipëri dhe rënia e reshjeve sezonale dhe vjetore do të reduktojnë (në terma afatgjatë) rrjedhën mesatare vjetore dhe sezonale të ujit. Parashikohet që një reduktim prej 20% i reshjeve do të shkaktojë një ulje prej 60% të prodhimit. Kjo do të thotë se ndërsa hidrocentralet mund të ndikojnë në uljen e shkarkimeve të gazeve serë, mbështetja për prodhimin e energjisë në hidrocentrale mund të rrisë cenueshmërinë e një vendi ndaj ndryshimeve klimatike. Regjimi i reshjeve është i rëndësishëm edhe për bujqësinë, e cila është ende shtylla e ekonomisë shqiptare. Në tranzicionin nga sundimi komunist në demokracinë shumë partiake, Shqipëria ka pësuar ndryshime të mëdha politike, institucionale dhe socio-ekonomike dhe qeveritë kanë luftuar me papunësinë e lartë, korrupsionin e përhapur, infrastrukturën e dobët dhe rrjetet e fuqishme të krimit të organizuar, të gjitha në një mjedis politik të kontestuar. Tranzicioni nga një shtet i planifikuar në mënyrë qendrore në një ekonomi të hapur moderne ka qenë e vështirë, por qeveria ka miratuar një paketë reformash fiskale që synojnë reduktimin e ekonomisë “gri” dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Në Kroaci ndërkohë, ekziston shqetësimi në rritje nëse furnizimet me ujë mund të plotësojnë nevojat në rritje për ujë të pijshëm. Çështjet kryesore në bujqësi lidhen me rritjen e temperaturave dhe disponueshmërinë e ujit dhe fokusohen në perspektivat e furnizimit të pakët me ujë dhe një frekuencë më të lartë të thatësirave. Megjithëse Kroacia ka arritur kryesisht stabilizimin makroekonomik, rezistenca e thellë publike dhe mbështetja e dobët politike kanë penguar reformat strukturore. Perspektiva afatgjatë për rritjen mbetet e fortë, por problemet e vështira – papunësia e lartë, deficiti tregtar në rritje dhe zhvillimi i pabarabartë rajonal – mbeten. Kriza financiare globale do të krijojë presion të konsiderueshëm dhe borxhi i lartë i jashtëm i Kroacisë dobësoi sektorin e eksportit, buxheti i kufizuar i shtetit dhe mbështetja e tepërt në të ardhurat nga turizmi do të rezultojë në një rrezik më të madh për stabilitetin ekonomik afat mesëm.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut industria dhe bujqësia janë dy sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, por kohët e fundit edhe sektori i shërbimeve ka marrë shumë rëndësi. Bujqësia është një sektor prioritar që përbën një pjesë të konsiderueshme të PBB, duke kontribuar kështu në sigurimet shoqërore dhe uljen e varfërisë. Republika e Maqedonisë së Veriut do të ndikohet shumë nga ndryshimet e temperaturës dhe reshjeve: parashikimet për reduktimin e reshjeve variojnë nga 15 në 40%. Nga burimet ujore të disponueshëm të vendit, 84% ndodhen brenda kufijve të tij, kështu që vendi është veçanërisht i ndjeshëm ndaj reduktimit të përgjithshëm të reshjeve. Bujqësia do të mbajë barrën më të madhe të pasojave negative, dhe efektet më të mëdha priten në zonat qendrore dhe juglindore të vendit. Një problem tjetër që është prezent në Republikën e Maqedonisë së Veriut është edhe mungesa e theksuar e stafit në ministritë e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, ekonomisë, transportit, shëndetësisë dhe industrisë.
Sektori më i prekur në Malin e Zi ndaj ndryshimeve klimatike janë pyjet dhe ekosistemet pyjore. Shumica e pyjeve malazeze janë krijuar nga rigjenerimi natyror dhe kushtet e favorshme të klimës dhe terrenit, kanë bërë biodiversiteti të jetë i larmishëm. Ata janë prodhues të rëndësishëm të biomasës dhe janë burime frutash, bimësh të egra dhe kërpudhash. Ato përfaqësojnë habitate për speciet e egra bimore dhe shtazore; ruajnë dhe rregullojnë regjimin hidrologjik; mbrojnë tokën nga rrëshqitjet e dherave dhe erozioni dhe absorbojnë sasi të konsiderueshme karboni. Ekosistemet jashtëzakonisht të larmishme të Malit të Zi karakterizohen nga flora dhe fauna e pasur me rreth 3250 lloje bimore. Nga 526 specie evropiane të shpendëve, 297 janë specie vendase të Malit të Zi, ndërsa rreth 29 lloje të tjera janë migratore. Ekonomia e vogël kombëtare e vendit u godit nga recesioni i vitit 2009, i cili u shkaktua nga tendencat negative ekonomike globale. Dhe si rrjedhojë papunësia dhe pabarazitë rajonale mbeten problemet kryesore politike dhe ekonomike.
Bosnja dhe Hercegovina është shumë e ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike duke pasur parasysh se kapaciteti i saj adaptues është i kufizuar. Kjo vjen si pasojë e kufizimeve financiare dhe në kapacitetet institucionale. Është e nevojshme të përmirësohen shërbimet e kërkimit dhe ekstensionit për të rritur kapacitetin dhe shpërndarjen e informacionit në sektorin bujqësor, duke iu referuar veçanërisht ndryshimeve klimatike dhe zbatimit të formave të përshtatjes. Menaxhimi i përmirësuar i burimeve ujore në nivelin e pellgut ujëmbledhës mund të ndihmojë në adresimin e sfidave të mundshme në sektorin e hidrocentraleve për shkak të shkarkimit të lumenjve. Zhvillimi shtesë i hidrocentraleve mund të jetë një burim premtues i energjisë së rinovueshme në një strategji adaptimi afatgjatë. Qasjet e përshtatjes për sektorin e ujit të Bosnjë dhe Hercegovinës janë aktualisht të kufizuara, për shkak të mungesës së të dhënave të besueshme. Investimi duhet të bëhet për të mbështetur ndryshimet strukturore të përshtatjes në strukturën e menaxhimit të ujit të vendit, veçanërisht për të mbështetur sektorët e bujqësisë dhe energjisë. Strategjitë e përshtatjes duhet të fokusohen në reduktimin e ndikimit mjedisor dhe socio-ekonomik të përmbytjeve katastrofike, rrëshqitjeve të dheut dhe erozionit të brigjeve të lumenjve, veçanërisht në zonat e banuara.
Edhe Republika e Serbisë ashtu si shumica e fqinjëve të saj në Ballkanin Perëndimor përballet me rreziqe që lidhen me rritjen e temperaturave. Thatësirat gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive, gjatë dy dekadave të fundit i kanë shkaktuar dëme të mëdha Republikës së Serbisë në bujqësi dhe pritet që prodhimi të bjerë më shumë se 10% në gjysmën e dytë të këtij shekulli. Sektori bujqësor serb është një pjesë e rëndësishme e ekonomisë kombëtare, duke rritur cenueshmërinë e vendit ndaj ndryshimeve klimatike. Republika e Serbisë në bujqësi ka të punësuar rreth 10% të fuqisë punëtore dhe merr rreth 26% të të ardhurave nga eksporti. Me privatizim jo të plotë dhe reforma strukturore jo të plota, ekonomia e Republikës së Serbisë mbetet në tranzicion. Sfidat ekonomike të vendit përfshijnë shpenzimet e larta të qeverisë për paga, pensione dhe papunësi; teknologjitë e vjetra; infrastruktura e degraduar; dhe nivele të ulëta të investimeve të brendshme. Probleme të tjera përfshijnë nevojën në rritje për huamarrje të qeverisë së kombinuar me rritjen e borxhit të jashtëm publik dhe privat dhe nivelet e ndenjura të investimeve të huaja. Një sistem drejtësie joefikas, nivele të larta korrupsioni dhe një popullsi në plakje shtojnë vështirësitë. Pozicioni strategjik i Republikës së Serbisë, puna relativisht e lirë dhe e kualifikuar, dhe një paketë bujare stimujsh për investimet e huaja janë faktorë të favorshëm për rritjen ekonomike.
Konkluzione
Në përfundim autorët theksojnë, se Kroacia si anëtare e BE-së ka miratuar rregulloret dhe strategjitë e nevojshme për zbutjen e ndryshimeve klimatike, ndërkohë që pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë ende në procesin e miratimit të tyre. Strategjitë për zbutjen e ndryshimeve klimatike në Shqipëri për sektorin e energjisë përfshijnë kalimin në impiante që përdorin burime më të pastra energjie. Iniciativat brenda bujqësisë fokusohen në përmirësimin e menaxhimit të plehut organik dhe sistemeve të kullotjes dhe rotacionit të kulturave. Përveç kësaj, ndërtimi i landfilleve të reja dhe inceneratorë të mbetjeve të ngurta synon të reduktojë shkarkimet që vijnë nga mbetjet. Strategjitë që lidhen me ndryshimin e përdorimit të tokës dhe sipërfaqeve pyjore përfshijnë zhvillimin e pylltarisë së qëndrueshme, përmirësimin e praktikave të menaxhimit të pyjeve dhe rehabilitimin e tokave të degraduara pyjore.
Zhvillimi i strategjisë së Bosnjë dhe Hercegovinës për zbutjen e ndryshimeve klimatike duhet të përfshijë një politikë kombëtare zbutëse të lidhur me planet kombëtare ekonomike dhe të zhvillimit; identifikimin e masave dhe aktiviteteve të nevojshme për zbatimin; dhe dispozitat për përfshirjen e drejtpërdrejtë të qeverisë në nivel njësie.
Kroacia ka ndërmarrë disa masa për të zbutur ndryshimet klimatike. Përqindja më e madhe e ndryshimeve ka ndodhur në transport, bujqësi, pylltari dhe sektorin e mbetjeve. Në sektorin e energjisë, masat e zbatuara përfshinin nxitjen e përdorimit të burimeve të rinovueshme në prodhimin e energjisë elektrike, përmirësimin e efiçencës së energjisë në ndërtesa, si dhe ndërtimin e centraleve bërthamore 1000 MW deri në vitin 2024. Në sektorin e transportit janë duke u prezantuar biokarburantet dhe një program për promovimin e transportit hekurudhor. Masat e reja në lidhje me proceset industriale synojnë të reduktojnë shkarkimet që vijnë nga prodhimi i acidit nitrik dhe nga shpërbërja e përbërjeve organike të avullueshme. Gjithashtu në sektorin e mbetjeve janë marë disa masa që përfshijnë shmangien dhe reduktimin e prodhimit të mbetjeve komunale, rritjen e riciklimit të mbetjeve komunale dhe përdorimin e gazit të landfillit për të prodhuar energji elektrike. Në bujqësi është duke u promovuar menaxhimi efikas i plehut organik dhe në sektorin e përdorimit të tokës dhe pylltarisë po bëhen përpjekje për të përmirësuar menaxhimin e pyjeve private dhe plantacioneve të reja pyjore.
Plani për reduktimin e shkarkimeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut parashtron përdorimin e gazit natyror për prodhimin e energjisë elektrike, maksimizimin e potencialit të hidrocentraleve dhe përmirësimin e efiçencës së energjisë në ndërtesa. Masat në sektorin e transportit përfshijnë përmirësimin e efiçencës së energjisë së automjeteve dhe transportit publik urban dhe ndër urban. Strategjia e mbetjeve prezanton menaxhimin e qëndrueshëm dhe masat për përzgjedhjen dhe riciklimin e mbetjeve, kompostimin dhe reduktimin e mbetjeve në landfille. Strategjia kryesore në bujqësi fokusohet në menaxhimin e plehrave organik dhe pylltaria në pyllëzim.
Mali i Zi ka hartuar strategji për reduktimin e shkarkimeve për secilin sektor. Strategjitë për sektorin e energjisë përfshijnë kombinimin e prodhimit të energjisë për ngrohje dhe ndriçim, rritjen e efikasitetit të kaldajave industriale dhe zëvendësimin e qymyrit me gaz të lëngshëm nafte në dhomat e kaldajave industriale dhe prodhimin e nxehtësisë me temperaturë të lartë. Planet për sektorin e transportit parashikojnë zëvendësimin e lëndëve djegëse fosile me lëndë djegëse alternative dhe zhvillimin e një sistemi transporti më efikas. Strategjitë për bujqësinë përfshijnë përmirësimin e menaxhimit të plehrave organik dhe inkurajimin e bujqësisë organike. Në sektorin e përdorimit të tokës dhe sipërfaqeve pyjore, Mali i Zi synon të rrisë sipërfaqen e pyjeve me produktivitet të lartë, të rehabilitojë pyjet e dëmtuara dhe të ruajë dhe përmirësojë habitatet pyjore.
Planet zbutëse të Republikës së Serbisë për sektorin e energjisë përfshijnë përmirësimin e efiçencës së energjisë dhe përdorimin e më shumë burimeve të rinovueshme për prodhimin e energjisë. Automatizimi, monitorimi dhe përdorimi i energjisë së mbetjeve janë strategjitë kryesore për reduktimin e shkarkimeve në fushën e proceseve industriale. Në sektorin e transportit, Republika e Serbisë kërkon të rivendosë një sistem efikas ndërkombëtar hekurudhor, të riparojë rrugët, të rrisë nivelin dhe efikasitetin e transportit lumor dhe të ndalojë prodhimin e benzinës me plumb. Përdorimi i biogazit në prodhimin e energjisë elektrike për konsum lokal është një strategji kyçe për reduktimin e shkarkimeve bujqësore, dhe pyllëzimi është një strategji e dëshirueshme në sektorin e ndryshimit të përdorimit të tokës dhe sipërfaqeve pyjore. Në sektorin e mbetjeve, Republika e Serbisë planifikon të krijojë deponi rajonale dhe të rrisë normat e riciklimit.
Edhe realizimi i aktiviteteve specifike është në nivel të ulët. Arsyeja për këtë qëndron në angazhimin e pamjaftueshëm të vendimmarrësve për të bërë ndryshime të rëndësishme në fushën e tranzicionit të ndryshimeve klimatike (niveli më i ulët i zhvillimit ekonomik, mungesa e investimeve, ruajtja e paqes sociale).
Bazuar në të gjitha faktet e përmendura më sipër u vërtetua se Ballkani Perëndimor mund të luajë një rol të rëndësishëm në rritjen e ndikimit të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane. Ky rajon ka një kapacitet të madh, të zhvilluar të energjisë së rinovueshme, me një kapacitet hidroenergjetik shumë të zhvilluar. Lënia e Ballkanit Perëndimor jashtë Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane mund të çojë në pabarazi në çmimin e energjisë elektrike me vendet e BE-së.