MEDASSET – Shoqata Mesdhetare për Ruajtjen e Breshkave të Detit
Sfondi i përgjithshëm
Breshkat e detit nuk janë një specie tipike për ujrat e detare që rrethojnë bregdetin Shqiptar, por rritja e temperaturave dhe ngrohja globale kanë sjellë zhvendosje të folenizimeve në zona të caktuara. Në periudhën Tetor-Nëntor 2005, me synim konstatimin e prezencës dhe verifikimin e shpërndarjes së breshkave të detit dhe fokës mesdhetare, MEDASSET zhvilloi një vëzhgim me mjete lundruese, të motorizuara përgjatë brigjeve të Shqipërisë (White et al., 2006), në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Autoritetin Portual Shqiptar, dhe Ministrinë e Mjedisit.
Udhëtimi përmbante elemente inovative të kërkimit për kohën, sikurse ishte përgatitja e një sistemi të ri për gjurmimin nënujor, i cili bazohej te puna e zhytësve për konstatimin e dendësisë së popullsisë së breshkave. Fatkeqësisht, përpjekjet dështuan për shkak se vizibiliteti ishte shumë i kufizuar në pjesën më të madhe të pikave të zhytjes.
Edhe pse çdo shpellë bregdetare u shqyrtua imtësisht për shenja të prezencës së fokave mesdhetare, nuk u gjet asnjë gjurmë e tyre në to. Gjithashtu, në disa raste, studentë të kursit të hidrobiologjisë pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, u bënë pjesë e këtyre vëzhgimeve në bregdet, të cilëve ju demonstrua metodika e kërkimit.
Në çdo pikë portuale, peshkatarët janë intervistuar lidhur me kapjen e breshkave të detit në rrjetat e tyre, si dhe vëzhgime të tjera të këtyre specieve. Nga këto intervistime rezultoi se numri më i lartë i breshkave të ujit të kapura ishte në brigjet pranë grykëderdhjes së Drinit, në Shqipërinë e Veriut (N41°38’; E019°35’). Numri i breshkave të raportuara në pjesë të tjera të Shqipërisë ishte më i vogël, edhe pse gjithmonë të pranishme në rrjetat e peshkimit. Gjetjet e këtij survejimi përbënin dhe thelbin e projektit të zbatuar në vitet 2008-2010 për “Monitorimin dhe ruajtjen e vendeve ku ushqehen breshkat e detit në zonën e Patokut, në Shqipëri”.
Projekti i breshkave të detit në Patok
Në vitin 2008, projekti kërkimor tre-vjeçar në Patok u lançua në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës dhe Shoqatën e Herpetofaunës Shqiptare, në kuadër të programeve të MEDASSET-it për ruajtjen e breshkave në Detin Mesdhe. Synimi afatgjatë i këtij projekti ishte sigurimi i njohjes së zonës së Patokut si habitat i rëndësishëm për ushqyerjen e breshkave të detit në Mesdhe, si dhe garantimin e ruajtjes së plotë të kësaj specieje konform ligjit shqiptar.
Në Qershor të vitit 2008, u ngrit një pikë në terren nga autori kryesor i studimit për të monitoruar breshkat e kapura aksidentalisht nga peshkatarët. E gjithë ajo zonë mbulohet nga një lagunë shumë e cekët, e cila rrethohet në skaje nga toka moçalore, duke u mbyllur nga një gji jo shumë i thellë. Grykëderdhja e Drinit është mjaft e cekët (ku thellësia maksimale në zonën e survejuar arrinte në 47 metra), me nënshtresa rëre dhe balte në përbërje, në të cilat gjallojnë specie të ndryshme molusqesh dhe gaforresh. Zona, e cila shtrihet rreth 30 km në drejtim veri-jug (shihni Figurën 1), është mjaft e shfrytëzuar nga peshkatarët lokalë, të cilët e ushtrojnë këtë zanat për të siguruar mjetet e jetesës.

Thuajse të gjitha breshkat e studiuara janë kapur në rrjetat e peshkimit të tipologjisë stavnike (White et al., 2008), të cilat u përdorën fillimisht në Rusi (Figura 2). Ato ndërtohen duke ngulur dy shkopinj të gjatë thellë në tabanin ranor të ujërave të cekëta detare (zakonisht me thellësi 6-8 metra). Më pas, një sistem rrjetash instalohet nëpër shkopinj, duke krijuar një katërkëndësh të madh (zakonisht, me përmasa 90 x 10 metra), dhe me barrierën e rrjetës të shtrirë deri në brigje (në një prej rasteve, sistemi i rrjetave shtrihej deri në 2 kilometra larg brigjeve). Kur peshqit hasin në këtë barrierë, ata gjenden përballë tre zgjedhjeve: të ndjekin rrugën drejt plazhit në ujëra shumë më të cekëta, të kthehen andej nga erdhën (një hapësirë të cilën mund ta kenë përdorur për t’u ushqyer), ose të futen në rrjetë. Rrjetat stavnike nuk janë vdekjeprurëse për breshkat sepse ato u lejojnë atyre të pluskojnë, si dhe, ç’është më e rëndësishmja, të dalin në sipërfaqe për të marrë frymë (Figura 3).


Rrjetat boshatisen çdo mëngjes nga peshkatarët, të cilët përdorin barka me kuvertë të sheshtë për të mbledhur gjallesat e kapura në rrjetë (Figura 4). Ekipi i kërkuesve ka monitoruar rrjetat për të parë nëse ka korrelacion ndërmjet sasisë së gjallesave të kapura dhe pranisë së breshkave mes tyre (p.sh. kandilët dhe gaforret mund të tërheqin pas tyre breshkat e detit të cilat ushqehen me këto gjallesa). Studiuesit kultivuan marrëdhënie bashkëpunuese me peshkatarët dhe komunitetet lokale, në një nga zonat më të izoluara dhe të varfra të Shqipërisë. Të dhënat e mbledhura prej tyre, paraqitur në Figurën 5, përfshijnë informacione lidhur me përmasat e breshkave të ujit, seksin, moshën, praninë e epibiotës (organizma parazitarë sikurse janë butakët që ushqehen në zhguallin e breshkës), si dhe të gjendjes së përgjithshme fizike (vlerësimi i përgjithshëm i shëndetit, apo lëndimet) (White et al., 2009).


Në vitin 2009, monitorimi i breshkave të ujit u shtri midis muajve Qershor dhe Shtator, teksa theksi i projektit u zhvendos drejt ngritjes së kapaciteteve. Shtatë studentë të degës së biologjisë në Universitetin e Tiranës, u trajnuan për t’u bërë asistentë kërkimi. Programi i trajnimit të kërkuesve të rinj kishte në përmbajtje: aftësitë e trajtimit/zhvendosjes së kafshëve, morfometrinë (matjen e përmasave të breshkave); rëndësinë e mbledhjes së të dhënave të sakta; përdorimin e saktë të etiketave; njohjen përmes fotografimit (Figura 6), teknikë e zhvilluar për identifikimin e individëve të veçantë në det (White, 2007), e cila është aplikuar me sukses në Patok për të shmangur problemet e lindura nga humbja e etiketave; identifikimin e specieve të peshkut; si dhe matjen e faktorëve abiotikë, të tillë si temperatura e ujit apo shpejtësia e erës. Këto aftësi parktike u plotësuan me leksione rreth biologjisë dhe ekologjisë së breshkave të ujit, si dhe impaktit të veprimtarive njerëzore te speciet e rrezikuara dhe në ekosistemet nënujore.

Si pjesë e përpjekjeve rajonale për të kuptuar popullatat e breshkave të detit në Mesdhe, autori kryesor mblodhi kampione lëkure nga 28 breshka kokëmëdha për të kryer analizat e ADN-së pranë Laboratorit të Universitetit Menderes, në Ankara të Turqisë.
Gjetjet Kryesore:
- Përgjatë verës së vitit 2008 dhe 2009 u matën dhe identifikuan mbi 245 breshka të llojit Carreta carreta duke siguruar prova që kjo është një ndër zonat kryesore ku breshkat e ujit kërkojnë ushqimin. Ato u kategorizuan sipas madhësisë së zhguallit të tyre të lakuar (CCL), të ndarë në grupime me diferencë 10 cm. Pas matjes së 211 breshkave u arrit në konkluzionin se mesatarja e përmasave të kësaj lloji breshke ishte 64 cm dhe Devijimi Standard (SD) ishte 8.6 cm. Krahas breshkave të llojit Carreta carreta u identifikua edhe një breshkë e llojit Chelonia mydas, me ngjyrë të gjelbër. Breshkat e gjelbra hasen rrallë në habitate ekstra-tropikale. Në Mesdheun verilindor (Qipro, Turqi dhe Lindje e Afërt) ekziston një popullsi e vogël e këtij lloji, prandaj gjetja e njërës prej tyre në Shqipëri ka rëndësi të veçantë sepse zgjeron njohurië tona si vend mbi territoret potenciale ku është shpërndarë ushqimi i tyre. Në vjeshtën e vitit 2009, një tjetër breshkë e gjelbër u kap nga një rrjetë peshkimi në Vlorë.
- Ndërsa breshkat e identifikuara janë gjetur në rrjeta peshkimi, specialistët përdorin të dhënat që disponojnë me qëllim që të kuptojnë se ku janë parë ato fillimisht, dhe të përcaktojnë më pas kohëzgjatjen e periudhës midis kapjeve. Të dhënat e tyre morfometrike lejojnë llogaritjen e shkallës së rritjes së breshkave midis kapjeve. Një rezultat tepër i rëndësishëm dalë nga studimi i kësaj specieje, është që vetëm një numër i vogël breshkash (n=21) janë ri-kapur në Gjirin e Drinit në vitet pas kapjes së tyre fillestare. Interesant është fakti që të gjitha të rikthyerat ishin identifikuar së pari në Gjirin e Drinit dhe nuk kishin shenja që tregonin identifikimin e mëparshëm të tyre. Diçka e tillë lë të kuptohet se ky Gji është pjesë përbërëse e vazhdimësisë së një sërë habitatesh detare për breshkat e llojit Carreta carreta por edhe për breshkat e gjelbra.
- Një pjesë e breshkave u kapën brenda të njëjtit vit, tregues ky që përforcon faktin se ato e kërkojnë ushqimin brenda një zone të caktuar për disa javë. Në 2008-ën, ka pasur 23 raste të tilla dhe në 2009-ën vetëm 10. Një prej breshkave Carreta carreta u ri-kap pesë herë brenda dy muajsh (2008), duke treguar se breshkat të cilave ju kufizua lëvizshmëria brenda një territori të caktuar, nuk u penguan për të kërkuar ushqim në hapësirën e lejuar, pavarësisht se ishin nxjerrë nga rrjeta (zona e përcaktuar), për t’u matur dhe pajisur me elementet identifikuese.
- Meshkujt e kësaj specieje, të identifikuar nga përmasat e bishtit të tyre, përbëjnë numrin më të konsiderueshëm të kapjeve të rastësishme (23 meshkuj të rritur dhe 43 të vegjël). Kjo përfaqëson një gjetje të rëndësishme për arsye se njohuritë shkencore mbi meshkujt janë më të pakta krahasuar me femrat, veçanërisht për sa i përket procesit të tyre të riprodhimit dhe folenizimit. Ky grumbullim i meshkujve të kësaj specieje është interesant pasi në Shqipëri nuk janë identifikuar fole. Një arsye tjetër që rrit nivelin e rëndësisë është edhe fakti që ndryshimet klimatike i kërcënojnë këto specie duke ndikuar negativisht në raportet embrionale të seksit të breshkave, çka favorizon dominimin e femrave. Midis popullatës mashkullore gjashtë ishin të rritur dhe dy të vegjël. Ata ishin kapur në Patok para më shumë se një viti dhe me gjasë, kishin ri-emigruar sërish në këtë zonë. Ri-kapjet brenda vitit përfshinë tre meshkuj të rritur dhe katër në rritje, duke demonstruar ‘besnikërinë’ afatshkurtër të rikthimit sërish në të njëjtën vendndodhje.
- Habitati detar që përdoret nga breshkat është ende i panjohur mirë. Dihet që breshkat migrojnë në Detin Adriatik dhe e kërkojnë ushqimin brenda tij, që do të thotë se ato mund të kalojnë përmes ujërave italiane ose shqiptare nga Deti Jon. Gjatë muajve të dimrit, rrjetat peshkuese çmontohen dhe peshkatarët e zonës së Patokut hyjnë në brendësi të lagunës për të kapur ngjala. Kjo lë të kuptohet se ka fare pak të dhëna të disponueshme mbi periudhën në fjalë, pasi peshkatarët largohen nga kjo zonë. Nuk dihet nëse breshkat qëndrojnë në Gjirin e Drinit për rreth një vit apo migrojnë drejt ujërave më të ngrohta në jug. Për këtë qëllim, në shtator të vitit 2009, breshkave të llojit Carreta carreta ju vendosën në pjesën e kokës transmetues satelitorë. Qëllimi ishte përftimi i të dhënave për pjesën e kohës kur ato nuk monitoroheshin nga peshkatarët dhe kur rrjetat për kapjen e tyre ishin hequr. Ky monitorim ka zgjatur nga viti 2009 deri në 2011 dhe është vënë re se breshka ‘Shpresa’ ka qëndruar në Patok, ndërsa dy breshkat meshkuj kanë lëvizur drejt territoreve të tjera (Breshka e quajtur ‘Guximtari’ ka shkuar drejt veriut për në Kroaci dhe breshka tjetër e quajtur ‘Patoku’ drejt jugut për në Korfuz, Greqi. Rrugët e përditësuara të migrimit të breshkave dhe zonat e tre breshakve që ju vendos gjurmuesi mund të shikohen dhe ndiqen në faqen e web “Gjurmimi i Breshkave” në http://www.medasset.org/ dhe në http://www.seaturtle.org/tracking/?project_id=445.
Mbeturinat Antropogjene
Sasi të mëdha mbeturinash janë vënë re në të gjitha plazhet përgjatë Gjirit të Drinit. Për të përcaktuar sasinë e mbeturinave u krijua një mjet i thjeshtë i cili kishte në thelb metodën krahasuese me kuadrate. Artikujt e numëruar për secilin kuadrat (10x10m) u ndanë në kategori (plastika, veshjet, qelqi ose materiale organike). Zonat më të prekura ishin Godulli (1095 lloje të ndryshme mbeturinash), grykëderdhja e lumit Ishëm (1595 mbeturina) ku 90% e tyre ishin plastike. Megjithatë, për sa i përket Shqipërisë, nuk është ende e qartë sesi këto mbeturina ndikojnë te breshkat. Një studim 5-vjeçar mbi jashtëqitjen e breshkave në Centro Recupero Tartarughe Marine, Lampedusa (Itali), tregon se 60% e breshkave të “shtruara në spitale” kishin konsumuar mbetje antopogjene, kryesisht plastikë. Në zonën e Patokut mungonin vendet ku breshkat mund të mbaheshin për disa ditë me qëllim që të sigurohej jashtëqitja e tyre. Megjithatë ka mundësi që breshkat të kenë ngrënë disa prej mbeturinave të shpërndara në Gjirin e Drinit.
Projekti në vitin 2010
Në 2010-ën – viti i fundit i projektit, i shpallur nga Kombet e Bashkuara si Viti Ndërkombëtar i Biodiversitetit – MEDASSET vazhdoi me mbledhjen e të dhënave dhe aktiviteteve për ngritjen e kapaciteteve duke u fokusuar në ofrimin e rekomandimeve për autoritetet shqiptare me qëllim ruajtjen e biodiversitetit të brishtë që Shqipëria ka, sikurse edhe mbrojtjen e breshkave të ujit që vizitojnë detet e vendit.
Monitorimi për një vit të tretë ndihmoi në përcaktimin shkencor dhe rëndësinë ekologjike të zonës. Hulumtimi i kryer në vitin 2010 në zonën e Patokut ndihmon në kuptimin e llojit të popullsisë që kërkon ushqim në këtë zonë dhe në identifikimin e llojeve të specieve që rikthehen përsëri në të, duke zbuluar çdo migrim të përsëritur. Përmes aktiviteteve edukuese projekti ngriti kapacitete dhe siguroi trajnimet e nevojshme për brezin e ri, organizatat mjedisore dhe komunitetin vendas, për të monitoruar dhe mbrojtur breshkat e ujit dhe biodiversitetin e pasur detar të Patokut.
Përfundime
Synimi afat-gjatë i këtij projekti ishte që Shqipëria të bëhej e vetëqëndrueshme në terma të kërkimit dhe ruajtjes së breshkave të detit. MEDASSET ka dhënë një kontribut esencial në ndërtimin e kapaciteteve në Shqipëri. Me rëndësi të veçantë është fakti që tre vajza u trajnuan si asistente kërkimore: një moment historik, i rëndësishëm në kulturën patriarkale të Shqipërisë.
Rezultatet e hulumtimit të kryer përforcojnë mendimin se zona e Patokut në Shqipëri është një tokë e rëndësishme ushqyese për breshkat e detit në të gjithë pellgun mesdhetar/British Chelonia Group