Pasojat e ndryshimeve klimatike sa vijnë dhe bëhen më të ndjeshme, në gjithnjë e më tepër vende të botës. Për këtë arsye, disa prej këtyre vendeve kanë filluar që të reagojnë duke ndërmarrë masa të zbutjes, parandalimit apo edhe përshtatjes, ndaj tyre.
Debati aktual mbi ndryshimet klimatike lidhet me zhvillimin dhe identifikimin e zgjidhjeve politike dhe ligjore me qëllim, adresimin e duhur dhe zgjidhjen e mundshme të pasojave. Rrjedhimisht, fokusi është vendosur kryesisht në parandalimin e mëtejshëm të ndikimit të ndryshimeve klimatike përmes masave zbutëse, dhe si rrjedhojë përshtatjen e vendeve dhe sektorëve përkatës të ekonomisë me ndryshimet që kanë ndodhur, pasojat e të cilave, sipas të dhënave, pritet të përkeqësohen në të ardhmen.
Sipas një studimi të botuar së fundmi, ndryshimi i klimës është një çështje që ka marrë rëndësi edhe në Shqipëri, gjatë këtyre viteve në kuadër të politikave për mbrojtjen e mjedisit. Sipas tij, në vitin 1995, Shqipëria ratifikoi Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike. Në vitin 1998, Ministria e Mjedisit, përgjegjës për aspektet e klimës, në koordinim me UNDP (United Nations Development Programme) krijoi Departamentin e Ajrit dhe Ndryshimeve Klimatike për të adresuar problematikat përkatëse. Por pas riorganizimit të ministrisë në 2017, departamenti brenda saj dedikuar ndryshimeve klimatike, u shpërbë.
Në vijim, studimi vë në dukje se shumë prej vendeve kanë krijuar mekanizma financiarë dhe ligjorë që mbështesin zbatimin e Konventës së Rios, Konventës së Stokholmit dhe Marrëveshjes së fundit të Parisit, ç’ka dëshmon për një ndjeshmëri të shtuar mbi këtë çështje në nivel global dhe një reagim në mbrojtje të vetë esencës së jetës. Marrëveshja e Parisit (COP21), e arritur në vitin 2015, ka për qëllim adresimin dhe parandalimin e efekteve të ndryshimeve klimatike në nivel global.
Kjo është linja që ka ndjekur, edhe Qeveria e Shqipërisë me nënshkrimin dhe ratifikimin e kёsaj marrёveshje. Megjithëse, Shqipëria nuk bën pjesë tek kontribuesit e mëdhenj të emetimeve të gazeve serë, ajo do të preket ndjeshëm nga ndikimi i ndryshimeve klimatike. Kjo është kryesisht e lidhur me karakteristikat gjeografike dhe me pozitën e saj në detin Mesdhe.
Sipas autorëve, të gjithë pjesëmarrësit e interesuar duhet të bëhen të vetëdijshëm për rrezikun dhe të kontribuojnë në proceset e parandalimit, zbutjes dhe përshtatjes duke u angazhuar si më poshtë:
- Të gjithë vendimmarrësit nё nivel kombëtar, agjencitë dhe institucionet vendore, sektori privat dhe organizatat joqeveritare, duhet të jenё pjesë e identifikimit tё vёndeve më të prekshme nga ndikimet e ndryshimeve klimatike. Pёr mё tepёr, të vlerësojnë mundësitë e përshtatjes afatshkurtër dhe afatgjatë për rritjen e qëndrueshmërisë.
- Çёshtja e ndryshimeve klimatike duhet të jetë një shtyllë themelore në axhendën qeverisëse për të gjitha nivelet e politikëbërësve dhe institucioneve.
- Çdo bashki duhet të zhvillojë në mënyrë strategjike dhe fizike praktikat që sigurojnë reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë dhe menaxhimin e ndryshimeve klimatike, si elemente bazë të adaptimit.
- Qeveria duhet të përqafojë dhe mbështesë një qasje më shkencore në lidhje me ndikimet lokale të ndryshimeve klimatike.
Gjithashtu në kuadër të kërkesave më të rëndësishme të UNFCCC- së (United Nations Framework Convention on Climate Change), theksi për Shqipërinë qëndron në zhvillimin dhe zbatimin e politikave që kanë një ndikim të prekshëm në çështjet që lidhen me ndryshimin e klimës dhe efektet e saj. Kuadri ligjor i ndryshimeve klimatike nuk është ngritur ende dhe ka nevojë për përpjekje shumëdisiplinore dhe ndërsektoriale për t’u hartuar.
Qeveritë lokale mund të ndihmojnë në hartimin dhe zbatimin e strategjive të klimës në mënyrë efektive sepse zbatimi i shumicës së projekteve do të ndodhë në nivel lokal dhe nën monitorimin e bashkive. Kjo nënkupton forcimin e bashkëpunimit mes qeverisë lokale dhe institucioneve të tjera shtetërore.
Rekomandohet se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit së bashku me ministritë e tjera përkatëse, që kanë përgjegjësi në fushat që ndikojnë në masat për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, duhet të integrojnë politikat dhe instrumentet që adresojnë ndryshimet klimatike në politikat e tyre sektoriale dhe programet operacionale.
Në përfundim, vihet në dukje se për të arritur zbatimin e duhur të politikave duhet të ketë më shumë mbështetje financiare për sektorin e ndryshimeve klimatike.
Autor: Msc Rodion Gjoka