Ndryshimet klimatike janë një sfidë globale urgjente dhe ndikimet e tyre janë gjithnjë e më të dukshme në të gjitha sektorët, përfshirë bujqësinë. Ndërsa bota përballet me temperatura në rritje, modele të paqëndrueshme moti dhe ngjarje ekstreme, zgjidhjet novatore janë urgjentisht të nevojshme për të zbutur këto ndikime. Një rrugë premtuese është përshtatja me teknologji të reja në bujqësi, që jo vetëm rrisin produktivitetin, por gjithashtu reduktojnë ndjeshëm shkarkimet e CO2. Ndër këto, teknologjitë e grirjes janë një mjet i rëndësishëm për bujqësinë dhe fermerin vendas.
Agronomi Valentin Gocaj përshkruan se bimësia në zonën e Ana e Malit shtrihet në një terren fushor-kodrinor dhe malor. Territori i saj është 44 km². Lartësia varion nga 3.5 m deri në 651 m në majën e Taraboshit (pjesa shqiptare). Bimësia e kësaj zone është tipike mesdhetare dhe karakterizohet nga një larmi e madhe bimësie të egër dhe shumë kultura bujqësore.
Ndër bimët e kultivuara bujqësore mund të përmenden: drithërat (grurë, miser), foragjerët (jonxhë, lolium, tërfil), bishtajoret (bathë të ndryshme) dhe perimet (24 lloje të kultivuara në mjedise të mbrojtura dhe në fushë të hapur). Në terrenet fushore dhe kodrinore të kësaj zone, pemëtaria dhe ullishtet kanë patur dhe vazhdojnë të kenë zhvillim të konsiderueshëm. Gjithashtu, këto terrene ofrojnë kushte të përshtatshme për kultivimin e një game të gjerë pemësh frutore dhe agrumesh.
Zona e Ana e Malit po përballet me sfida të shumta klimatike gjatë gjithë vitit, duke ndikuar ndjeshëm në bujqësinë dhe mjedisin e saj. Këto probleme manifestohen në mënyra të ndryshme gjatë stinëve të dimrit dhe verës, duke krijuar një sërë vështirësish për fermerët dhe natyrën. Gjatë periudhës së dimrit, përmbytjet janë të shpeshta, të cilat sjellin pasoja serioze për bujqësinë. Këto përmbytje kufizojnë ndjeshëm kultivimin e kulturave dimërore si gruri, jonxha, bathët dhe kultura të tjera të ngjashme. Si rezultat, mbjellja vonohet, duke shtyrë dhe kufizuar ciklin e prodhimit, çka çon në ulje të rendimentit. Përveç kësaj, përmbytjet shkaktojnë ndotje të tokës dhe mjedisit nga prurjet inerte, veçanërisht nga prurjet kimike që vijnë nga ujërat e qyteteve përreth.
Situata paraqitet po aq sfiduese edhe gjatë muajve të verës. Rritja e temperaturave përbën një kërcënim të vazhdueshëm për kulturat bujqësore dhe mungesa e një sistemi efektiv ujitjeje shkakton rënie të ndjeshme të rendimentit. Në rastet më ekstreme, kjo mungesë uji çon deri në tharjen e plotë të kulturave bujqësore dhe bimësisë së egër.
Ndër kulturat më të rrezikuara në këtë zonë është ulliri. Mungesa e shërbimeve të nevojshme dhe e ujitjes së përshtatshme ka çuar në degradimin gradual të ullishteve dhe në uljen drastike të numrit të pemëve, mjafton të përmendim se në vitin 1990 numëroheshin rreth 225,000 rrënjë ulliri, ndërsa sot kanë mbetur vetëm rreth 60,000 rrënjë.
Teknologjitë SMART të pompimit të ujit me energji diellore
Periudha më të gjata me thatesirë e ndikojnë drejtpërdrejt prodhimin bujqësor. Stina e verës rrit nevojën për intensitet të shtuar të përdorimit të burimeve ujore për vaditje. Por problemet me sistemin e kanaleve vaditës dhe mungesën e energjisë elektrike në të gjithë zonën e kultivuar shtrijnë nevojën e gjetjeve të zgjidhjeve të reja. Energjia diellore është një pasuri e bollshme në zonën e Ultësirës Perëndimore të vendit tonë. Përdorimi i paneleve diellore rrit pavarësinë nga sistemi i furnizimit me energji edhe në sipërfaqe të kultivuara larg zonave të banuara, ku përdoren motoret me djegie të brendshme për të pompuar ujin. Panelet diellore zëvendësojnë lëndet djegëse fosile me energji të pastër për ujitjen duke ulur rreziqet për prodhimin bujqësor.
Shembull në Oblikë, Shkodër:
Zona e Oblikës është mjaft e prekur nga përmbytjet dhe thatësira. Pajisja me 20m2 panele diellore për katër familje fermere në Oblikë të Shkodrës, ndihmojnë për ujitjen e 4 ha toke bujqësore, prej të cilave 2 ha janë sera dhe 2 ha toke e kultivuar. Sasia e ujit të pompuar shkon në 3.2 l/s dhe mbulon nevojën e kësaj sipërfaqeje të mbjelle. Perveç uljes së shkarkimeve nga djegia e lëndëve fosile, kjo teknologji SMART i lejon fermereve kontrollin në distancë përmes aplikacioneve online dhe rrit pavarësinë e tyre prej sistemit të furnizimit me energji apo edhe kushteve të pafavarshme të motit në stinën e nxehtë.
Teknologjitë e grirjes së biomasës dhe reduktimit të shkarkimeve të CO2
Në bujqësi, grirja e biomasës, siç janë degët dhe gjethet që gjeneron krasitja, mund të ketë një ndikim të madh në zvogëlimin e shkarkimeve të dioksidit të karbonit. Këto mbetje shpesh digjen, çka çon në çlirimin e CO2 në atmosferë. Megjithatë, me përdorimin e teknologjive të grirjes, këto mbetje mund të përpunohen dhe përdoren si pleh organik, pra material plehërues, duke zvogëluar kështu shkarkimet dhe përmirësuar shëndetin e tokës.
Avantazhet e teknologjive të reja: Përfitimet e drejtpërdrejta në mjedis dhe tek fermeri, si pasojë e përdorimit të teknologjive që grijnë biomasën (p.sh krasitja e bimës së ullirit) përfshijnë:
- Zvogëlimin e shkarkimeve të CO2: Teknologjitë grirëse, duke parandaluar djegien e mbetjeve bujqësore, ndihmojnë në reduktimin e sasisë së CO2 që çlirohet në atmosferë, i cili vlerësohet si shkaktari kryesor për rritjen e temperaturave, sasia e shkarkimeve të shmangura në atmosferë llogaritet të jetë rreth 2.88 m3 CO2/1,000 rrënjë ullinj/1 vit.
- Përmirësimin e tokës: Mbetjet e copëtuara mund të përdoren si lëndë ushqyese për të përmirësuar strukturën dhe pjellorinë e tokës, duke rritur produktivitetin bujqësor.
- Kursimin e kostove: Fermerët mund të kursejnë para duke përdorur mbetjet e copëtuara si pleh organik në vend të plehrave të kushtueshëm, kimikë.
- Zbutjen e ndryshimeve klimatike: Duke reduktuar shkarkimet e gazrave serë, këto teknologji kontribuojnë në përpjekjet globale për zbutjen e ndryshimeve klimatike.
- Menaxhimin e mbetjeve: Grirja ofron një mënyrë efikase për të menaxhuar mbetjet bujqësore, duke pakësuar ndotjen dhe duke promovuar një mjedis më të pastër.
Shembull në Vorë:
Përmes një projekti të zbatuar nga REC Shqipëri dhe mbështetur nga Adaptation Fund Climate Innovation Accelerator, është bërë i mundur prezantimi i teknologjisë së grirjes së biomasës në fermat e ullishtave në Vorë, Shqipëri. Teknologjia e prezantuar ofron lehtësi në përdorim kundrejt një nevoje minimale për trajnim, ndërsa përfitimet që ofron janë të larmishme. Kjo formë e aplikimit të teknologjive novatore, jo vetëm që rrit qëndrueshmërinë e praktikave bujqësore, por gjithashtu ndihmon në rritjen e prodhimit dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së fermerëve.
Ndërsa ndryshimet klimatike vazhdojnë të sfidojnë bujqësinë globalisht, zgjidhjet novatore, si teknologjia e grirjes ofrojnë një shpresë të re për të ardhmen. Me përdorimin e duhur të këtyre teknologjive, ne mund të ndihmojmë në zbutjen e ndikimeve të ndryshimeve klimatike dhe në krijimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për bujqësinë.
Ndërkohë që përpiqemi të luftojmë ndryshimet klimatike, integrimi i teknologjive të reja në bujqësi ofron një dritë shprese. Teknologjitë bujqësore të grirjes jo vetëm që zbusin shkarkimet e CO2, por gjithashtu promovojnë praktika të qëndrueshme bujqësore që mund të transformojnë peisazhin bujqësor. Duke përqafuar këto risi, fermerët mund të luajnë një rol vendimtar në kthimin e efekteve negative të ndryshimeve klimatike dhe në hapjen e rrugës për një të ardhme më të gjelbër dhe më elastike.
Udhëtimi drejt bujqësisë së qëndrueshme është një përpjekje kolektive. Me mbështetjen e vazhdueshme, edukimin dhe përshtatjen me teknologjitë e avancuara, ne mund të bëjmë hapa të rëndësishëm në zbutjen e ndikimeve të ndryshimeve klimatike dhe krijimin e një planeti më të shëndetëshëm për brezat e ardhshëm.
Burimi:
Prof. Asoc Mihallaq Qirjo, profesor pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës
Agronom Valentin Gocaj, ekspert lokal për prodhimin bujqësor në rrethin e Shkodrës