Ndryshimet klimatike po japin efekte nga më të ndryshmet dhe një prej tyre duket se lidhet me rezervat ujore. Një artikull i përbashkët i përfaqësuesit të Entit Rregullator të Ujit dhe atij të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (UK) nënvizon veçanërisht masat që duhet të merren në vazhdim nga shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve për të zvogëluar efektet që vijnë nga këto ndryshime.
Që pas rënies së koronavirusit, bota riktheu në fokus kërcënimin ekzistencial më urgjent, ngrohjen globale e ndryshimet klimatike, dhe pasojat e tyre shkatërruese në botën ku jetojmë. Një nga dukuritë kryesore më të prekura në mënyrë kritike nga ndryshimi i klimës është cikli global i reshjeve, që rezulton në më pak shi, më shumë thatësira dhe ngjarje ekstreme të motit të cilat përkeqësojnë ndikimin e fenomenit të ndryshimit të klimës. Një pjesë e studjuesve besojmë se zgjidhjet inovative teknologjike për krizën e ujit mund të jenë një pjesë qëndrore e trajtimit të krizës klimatike, si për përshtatjen ashtu edhe për zbutjen e saj.
Është i njohur fakti se 75 % e Kërkesës për Ujë për shoqëritë UK mbulohet nga basenet nëntokësore ujore dhe burimet malore (kaptazhe), ndërsa pjesa tjetër mbulohet me basene sipërfaqësore ( sikurse është rasti i Tiranës). Në kuadër të pasojave të ndryshimeve klimatike, krahas përmbytjeve gjithnjë e më shpesh po kthehen në shqetësim edhe thatësirat e tej zgjatura, të cilat krijojnë probleme domethënëse të rezervave ujore që përdoren si ujë i pijshëm për popullsinë.
Në këtë situatë, bëhet i domosdoshëm një monitorim i plotë dhe i vazhdueshëm i baseneve ujore nëntokësore dhe i burime malore, ku në rastet e rezultateve të niveleve shqetësuese të këtyre rezervave, masat për përballimin e tyre duhet të jenë pjesë e Planeve të Menaxhimit të Riskut, të cilat duhet t’i disponojnë shoqëritë UK, thuhet në artikullin e publikuar nga ERRU dhe AKUM. Lidhur me këtë konstatim këto institucione parashtrojnë edhe masat që duhet të merren të cilat kanë një qasje drejt përdorimit të teknologjisë së avancuar.
Për këtë qëllim, në të gjitha basenet ujore nëntokësore duhet të instalohen sisteme piezometrike me sensorë (thënë ndryshe, një sistem i dixhitalizuar) për të monitoruar online këto rezerva ujore, detyrë kjo, që duhet të kryhen nga Zyrat e Administrimit të Baseneve Ujore. Konstatimi i uljes së niveleve të tyre nën ose afër niveleve kritike të përcaktuara për shfrytëzim duhet të përbëjë një këmbanë alarmi për të ndërmarrë më tej masat përkatëse për përballimin e kërkesës për ujë. Institucionet theksojnë që e njëjta gjë duhet të realizohet edhe për ujërat e burimeve malore që përdoren nga shoqëritë UK.
Vlerësohet se rreth 2.5 miliardë njerëz (36 përqind e popullsisë së botës) jetojnë në zona me mungesë uji, një fenomen që pritet të përkeqësohet në dekadat e ardhshme si pasojë e proceseve të fuqishme të ndryshimeve klimatike, rritjes së popullsisë globale, rritjes së kërkesës për prodhimet industriale, bujqësore dhe shkretëtirëzimi do të intensifikohet. Mungesa e ujit po shkakton migrim, luftëra dhe konflikte, duke i vendosur qindra miliona njerëz në mbarë botën në rrezik zhvendosje për shkak të mungesës së ujit që parashikohet të ndodhë gjatë viteve të ardhshme.
Për të kapërcyer këtë fenomen dhe për të parashikuar një kurë për këtë ‘sëmundje’, duhet të kuptojmë se kjo do të kërkojë formulimin e një fushate gjithëpërfshirëse e cila do të bëjë që të gjithë hapat e nevojshëm të integrohen së bashku, si p.sh: Udhëzimi dhe edukimi për ruajtjen e ujit; rritje të efikasitetit të përdorimit të ujit; grumbullimin e fondeve ndërkombëtare, publike dhe private; rehabilitimin e burimeve të ujit të ndotur; inkurajimin për investime dhe Kërkim – Zhvillimin dhe mbi të gjitha, për të mësuar se si të praktikojmë menaxhimin e mirë të ujit në shkallë lokale, kombëtare, rajonale dhe globale.