Nxehtësia ekstreme nuk ndikon vetëm në shëndetin fizik por po shndërrohet në një kërcënim serioz edhe për mirëqenien mendore. Ankthi, stresi dhe lodhja mendore po bëhen gjithnjë e më të pranishme gjatë valëve të të nxehtit, veçanërisht te grupet më të ndjeshme, si fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat me të ardhura të ulëta. Disa skenarë klimatikë parashikojnë se deri në vitin 2090, aktet kriminale dhe dhuna mund të rriten me rreth 5% në shkallë globale, vetëm për arsye të lidhura me ndryshimet klimatike.
Ndryshimet klimatike po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një burim shqetësimi psiko-fizik për shkak të rritjes së vazhdueshme të temperaturave. Ky lloj shqetësimi lind pikërisht sepse të nxehtit e tepërt është i papërshtatshëm për rajone klimatike si vendi ynë, duke shkaktuar jo vetëm vuajtje fizike, por edhe psikologjike.
Studimet e fundit tregojnë se vapa përvëluese lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me përkeqësimin e simptomave të ankthit dhe depresionit, si dhe me dobësimin e ndjeshëm të aftësisë sonë për të përballuar stresin, traumat dhe ndikimet e vazhdueshme të mjedisit përreth. Ky ndikim është veçanërisht i dukshëm tek ata që nuk janë të mësuar me kushtet klimatike të përshkallëzuara.
“Në praktikën klinike gjatë muajve të nxehtë, vërej një rritje të theksuar të rasteve me ankth, shpërqendrim, irritim, pagjumësi dhe ndjeshmëri emocionale. Persona që gjatë vitit kanë ruajtur një stabilitet të brendshëm, gjatë verës ndihen sikur ‘dalin nga vetja’”.
shprehet psikologe Jonarda Kërkuti
Vera zgjon ndjesi të ndryshme brenda nesh; reflektime, përjetime, ndjeshmëri por një nga më të spikaturat është përballja me imazhin tonë në pasqyrë. Pa dallim gjinor, ajo sjell një përplasje me vetveten.
Një tjetër efekt emocional i verës është intensifikimi i gjendjeve ekzistuese: kush është i lumtur, përjeton një ndjenjë edhe më të thellë lumturie; kush është i trishtuar, ndjen një melankoli më të theksuar; dhe kush është vetëm, përjeton një vetmi edhe më të thellë.
Valët e të nxehtit ekstrem janë lidhur me një përkeqësim të dukshëm të shëndetit mendor, sidomos te personat që vuajnë nga çrregullime të mëparshme psikike. Tek ata që kanë çrregullim të madh depresiv, nxehtësia ekstreme sjell rritje të simptomave depresive; ndërsa tek ata që vuajnë nga ankthi i përgjithësuar apo çrregullimi i panikut, ajo përforcon ndjeshëm ndjesitë e ankthit dhe të frikës.
Shumë pacientë me histori paniku shprehen: “Sapo fillon vapa, më duket sikur më kthehet kriza. Trupi më mbytet, fryma më mungon, dhe mendimet më mbushen me frikë.” Këto nuk janë thjesht ndjesi subjektive janë reagime të drejtpërdrejta të sistemit limbik, i cili, në kushtet e nxehtësisë së tepërt, amplifikon sinjalet fizike dhe i përkthen ato në alarme emocionale.
Akoma më shqetësuese është lidhja mes temperaturave të larta dhe rritjes së rasteve të tentativave për vetëvrasje, si dhe e vetëvrasjeve të realizuara. Kjo tregon se ndikimi i nxehtësisë nuk kufizohet vetëm te personat me diagnoza të qarta psikiatrike por i prek të gjithë duke ndikuar në sjellje, në përballimin emocional dhe në ekuilibrin mendor të individit.
Nxehtësia nuk ndikon vetëm tek ata që tashmë kanë një diagnozë psikiatrike, por mund të çojë në pasoja të dukshme të sjelljes edhe tek individë të shëndetshëm. Studime të shumta epidemiologjike tregojnë se temperaturat e larta mund të kompromentojnë marrëdhëniet ndërpersonale, të dëmtojnë aftësitë tona njohëse dhe të rritin prirjen për agresion.
Disa skenarë klimatikë parashikojnë se deri në vitin 2090, aktet kriminale dhe dhuna mund të rriten me rreth 5% në shkallë globale, vetëm për arsye të lidhura me ndryshimet klimatike.
Psikologët dhe mjekët e dinë këtë realitet dhe shpesh i tremben ardhjes së stinës së nxehtë. Arsyeja është se dhomat e urgjencës dhe klinikat mbushen shpejt me pacientë që vuajnë nga dehidratimi, humbja e ndjenjave, konfuzioni akut apo edhe deliri.
Një pjesë e madhe e rasteve lidhet me përkeqësimin e shëndetit mendor: ankth, sulme paniku, simptoma depresive, episode te pacientët bipolarë, si edhe dhuna në familje apo në mjedise publike. Rritet gjithashtu përdorimi i substancave, si alkooli dhe drogat, që shpesh përdoren si përpjekje për vetë-rregullim emocional.
Ekzistojnë dy teori kryesore që shpjegojnë lidhjen mes nxehtësisë ekstreme dhe përkeqësimit të shëndetit mendor.
E para, e quajtur teoria neuro-evolucionare, bazohet në faktin se dehidratimi dhe stimulimi i tepërt i termo-receptorëve të trupit tonë krijojnë një gjendje të brendshme alarmi. Ky reagim aktivizon sistemin nervor simpatik, duke rritur nivelin e kortizolit dhe të hormoneve të tjera të stresit, të cilat mund të destabilizojnë mirëqenien emocionale dhe psikologjike.
Teoria e dytë, mbështetur në të dhëna neuro-biologjike, sugjeron se temperaturat e larta mund të ndikojnë drejtpërdrejt në prodhimin dhe funksionimin e disa neuro-transmetuesve kyçë, si serotonina dhe norepinefrina. Këto janë molekula të lidhura ngushtë me rregullimin e humorit, gjumit dhe ankthit, dhe çdo çrregullim në ekuilibrin e tyre mund të sjellë pasoja serioze emocionale.
Për më tepër, marrëdhënia mes nxehtësisë dhe shëndetit mendor ndërlikohet nga ndikimi që ajo ka në efektet e barnave psikotrope. Disa medikamente, si antipsikotikët dhe litiumi, kanë tendencën të shtypin ndjesinë e etjes, duke rritur rrezikun për dehidratim në temperatura të larta. Litiumi, një stabilizues humori shumë i përdorur në trajtimin e çrregullimeve bipolare, është veçanërisht i ndjeshëm ndaj ndryshimeve në temperaturën e trupit dhe nivelet e lëngjeve në trup dhe mund të bëhet toksik në kushte dehidratimi.
Kjo do të thotë se gjatë valëve të të nxehtit, personat që marrin medikamente psikiatrike janë më të rrezikuar për komplikime fizike dhe psikike. Efikasiteti i disa barnave mund të ulet, ndërsa efektet anësore mund të rriten, duke e vendosur pacientin në një gjendje më të ndërlikuar klinike.
“Si profesionistë të shëndetit mendor, është jetike të njohim ndikimin e klimës si një realitet klinik i prekshëm. Klima nuk duhet parë më si një sfond pasiv në jetën e pacientit por si një faktor aktiv dhe ndërveprues në shëndetin psikik. Kjo kërkon përfshirjen e strategjive të përshtatura të rregullimit emocional në terapi, me synimin për t’u mbrojtur nga efektet e kushteve mjedisore sfiduese, e sidomos të atyre klimatike,”
shprehet për “Klima Sot” psikologe Kërkuti
Grupet më të ndjeshme ndaj nxehtësisë: ndikimi i moshës, sëmundjeve dhe statusit socio-ekonomik
Ndikimi i nxehtësisë në shëndetin mendor dhe fizik nuk është njësoj për të gjithë. Këto problematika nuk varen vetëm nga gjendja shëndetësore e individit por janë të ndërlidhura ngushtë edhe me faktorë si mosha dhe statusi socio-ekonomik. Fëmijët shumë të vegjël dhe të moshuarit janë ndër grupet më të rrezikuara nga efektet e temperaturave ekstreme.
Foshnjat dhe fëmijët kanë një sistem termo-rregullues ende të papjekur, çka i bën ata më të prirur për mbinxehje dhe dehidratim. Ndërkohë, të moshuarit përballen me ulje të ndjeshme të kapaciteteve fiziologjike për të ruajtur një temperaturë trupore të qëndrueshme.
Sëmundjet kronike si diabeti, hipertensioni apo sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë më të zakonshme në këtë grupmoshë, e përkeqësojnë edhe më shumë këtë situatë. Për më tepër, probleme si vështirësitë në lëvizje apo dëmtimet njohëse mund t’i pengojnë të moshuarit të dallojnë simptomat e stresit nga nxehtësia apo të ndërmarrin veprime mbrojtëse në kohë.
Një tjetër dimension i rëndësishëm lidhet me pabarazitë ekonomike dhe sociale. Personat me të ardhura të ulëta shpesh nuk kanë mundësi për të përdorur ajër të kondicionuar apo mjete të tjera për freskim, duke rritur rrezikun e stresit nga nxehtësia. Punonjësit në sektorë me ekspozim të lartë ndaj mjediseve të jashtme, si ndërtimi, bujqësia apo pastrimi, janë të ekspozuar për periudha më të gjata në temperatura ekstreme dhe shpesh nuk kanë kushte të përshtatshme pune.
Për më tepër, zonat urbane të dendura si Tirana, Durrësi, Fieri apo Vlora, për shkak të mungesës së gjelbërimit dhe betonizimit, përjetojnë fenomenin e njohur si “ishulli i nxehtësisë urbane,” ku temperaturat janë ndjeshëm më të larta se në zonat rurale përreth. Mungesa e aksesit në kujdes shëndetësor, informacionin dhe ndihmën psikologjike i lë banorët e këtyre zonave më të pambrojtur përballë efekteve të nxehtësisë.
Menaxhimi i stresit: çfarë mund të bëjmë individualisht
Në këtë kontekst, njohja e stresit nga nxehtësia dhe ndërmarrja e hapave për ta menaxhuar atë është thelbësore. Praktikat e ndërgjegjësimit dhe teknikat e menaxhimit të stresit mund të ndihmojnë ndjeshëm në zbutjen e ndikimeve të nxehtësisë në shëndetin mendor. Ushtrimet e frymëmarrjes, meditimi dhe relaksimi progresiv i muskujve janë disa nga mjetet që mund të përdoren në mënyrë efektive.
Gjithashtu, ruajtja e një rutine të shëndetshme përfshirë gjumin cilësor, ushqimin e balancuar, hidratimin dhe shmangien e ekspozimit të drejtpërdrejtë gjatë orëve më të nxehta të ditës janë strategji të thjeshta dhe të rëndësishme. Terapia dhe këshillimi profesional mbeten gjithashtu burime të vlefshme për ata që ndihen të mbingarkuar nga kushtet ekstreme të motit.
Ushqimi dhe veshja: faktorë të rëndësishëm ndihmues
Për të përballuar më mirë nxehtësinë, ushqimi luan një rol të rëndësishëm. Integrimi i frutave dhe perimeve të freskëta ndihmon në furnizimin e trupit me vitamina dhe minerale të domosdoshme për funksionim të qëndrueshëm. Shmangia e ushqimeve të rënda është po ashtu e rekomandueshme, pasi ato rrisin aktivitetin metabolik dhe prodhimin e brendshëm të nxehtësisë.
Zgjedhja e veshjeve të përshtatshme ka rëndësi të veçantë. Rrobat e lehta, me ngjyra të hapura dhe prej materiali që lejon frymëmarrjen, si pambuku, ndihmojnë në ftohjen natyrale të trupit. Kapelet, syzet e diellit dhe qëndrimi në hije janë mjete shtesë mbrojtëse për ata që e kanë të neovjshme të gjenden në ambiente të jashtme.
Qëndrueshmëria është e mundur por kërkon ndërgjegjësim dhe veprim
Secili prej nesh ka potencialin për të ndërtuar qëndrueshmëri përballë stresit të nxehtësisë, duke nisur nga vetja dhe komuniteti përreth. Informimi, kujdesi ndaj vetes dhe mbështetja për të tjerët janë hapa kyç në këtë drejtim. Gjithashtu, shtysat për ndryshim politik dhe urban janë të domosdoshme për të përballuar në mënyrë të drejtë e gjithëpërfshirëse valët e nxehtësisë që priten të intensifikohen në dekadat në vijim, si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Kjo nuk është më vetëm një çështje mjedisore. Nxehtësia po shndërrohet në një krizë të shëndetit publik dhe përgjigjja duhet të jetë po aq gjithëpërfshirëse, sa edhe urgjente.
Burimi:
Jonarda Kërkuti psikologe e licencuar në Këshillim Psikologjik, me trajnim pasuniversitar në CBT dhe Psikologjinë Pozitive. Me një eksperiencë të gjatë në Shërbimin Social Shtetëror me viktima të trafikimit.