Pandemia e vitit të kaluar na mësoi se të dëgjosh shkencëtarët si të luftosh një krizë është shumë e rëndësishme dhe se duke vepruar herët, mund të kufizojmë pasojat.
Tashmë një traditë që nisi më shumë se 50 vite më parë, vijohet sot me miliona njerëz nga të gjitha skajet e globit që protestojnë për një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm.
Por cila është saktësisht situata lidhur me ndryshimet klimatike sot? Ja pesë fakte të rëndësishme që mund të mos i keni ditur…
1. Gjashtë vitet e fundit (përfshi 2020), kanë qenë vitet më të ngrohta të regjistruara
Sipas studimeve më të fundit, viti i kaluar ishte një nga tre vitet më të ngrohta të regjistruara ndonjëherë, që shënoi një temperaturë mesatare globale, rreth 1.2°C mbi nivelin optimal.
Shkencëtarët presin që rritja të vazhdojë, gjë e cila do të shkaktonte shkrirje të akullnajave, shpeshtim të ngjarjeve ekstreme të motit, ngrohje të oqeaneve dhe rritje të nivelit të detit.
2. Kostot në nivel global të dëmeve si pasojë e ndryshimeve klimatike mund të arrijnë në 69 trilionë dollarë deri në vitin 2100
Kostoja e ndryshimeve klimatike është ekstreme – si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë njerëzor.
Sipas raportit të përgatitur nga “Moody’s Analytics” dëmi ekonomik botëror që pritet të shkaktojnë ndryshimet klimatike mund të arrijë në 54 trilionë dollarë, deri në 2100-tën. Kjo edhe nëse arrijmë ta kufizojmë ngrohjen totale me një rritje të temp. me 1.5°C. Nëse rritja temp do jetë me 2°C, dëmi ekonomik do të arrijë në 69 trilionë dollarë. Kjo pasi, siç thotë studimi: “ngjarjet më të shpeshta dhe më intensive të motit ekstrem do të prishin dhe dëmtojnë gjithnjë e më shumë infrastrukturën dhe pronat, ndërsa rritja e nivelit të detit do të jetë një kërcënim për komunitetet bregdetare dhe vendet ishullore”.
Pra, sa do të na kushtonin investimet në masa të përshtatjes me ndryshimet klimatike?
Një studim i kohëve të fundit zbuloi se investimet globalisht për të mbajtur një rritje me nën 2° C të temperaturës do të ishin rreth 16 trilion dollarë, ndërsa për një rritje të saj me nën 1,5°C do shkonin në rreth 30 trilionë dollarë. Studimi thekson, kostoja e mosveprimit është shumë më e madhe se kosto e masave të veprimit.
3. Po shkojmë drejt një bote që në fund të shekullit do të jetë 3.2°C më e nxehtë
Sipas Kombeve të Bashkuara, globi po shkon drejt një rritje me 3.2°C të temperaturave, deri në fund të shekullit, nëse mbeten në fuqi politikat aktuale zhvillimore aktualisht në fuqi. OKB nxit qeveritë të hartojnë urgjentisht politika agresive pro klimatike, nëse duan të lehtësojnë pasojat aktuale.
4. Emetimet e 1%-shit më të pasur të shoqërisë në botë, janë sa dyfishi i emetimeve të 50 %-it më të varfër
Sipas të njëjtit burim (pra OKB), emetimet e ndryshme në mjedis, (si pasojë e gazeve serë, mbetjeve ushqimore, kimikateve etj.,) nga 1%-shi më i pasur i popullsisë në nivel global, përbëjnë më shumë se dyfishin e emetimeve që shkaktohet nga 50 %-shi i popullsisë së varfër. Pavarësisht se shkaktarë të ngrohjes janë një pjesë e gazeve serë, vendet e varfëra do të jenë gjithsesi më të goditurat nga ndryshimet klimatike. Kombet e Bashkuara shtojnë se 1%-shi më i pasur i popullsisë globale duhet të zvogëlojë ndikimin, në mënyrë që të qëndrojë në përputhje me objektivat e Marrëveshjes së Parisit.
5. Energjia e rinovueshme është energjia më e lirë në botë
Për t’a përfunduar me një fakt pozitiv, energjia e rinovueshme vazhdon të bëhet më e lirë, duke u bërë më i arritshëm për qeveritë, të cilat duhet që jo vetëm ti vendosin qëllime vetes, për zero emetime të dioksidit të karbonit, por edhe t’i arrijnë ato.
Në tetor 2020, një organizatë ndërqeveritare arriti në përfundimin se “energjia diellore është burimi më i lirë i energjisë elektrike në histori”. Ndërsa investimet në energjinë e erës, diellit dhe baterisë rriten, çmimi i asaj të rinovueshme, do të vijojë të bjerë më tej, duke e shndërruar atë në një opsion ekonomik më tërheqës për qeveritë, bizneset dhe individët.