Aktivitetet bujqësore ndikojnë klimën kryesisht përmes shkarkimit të gazeve serë (gazeve të amonikaut CH3) . Bujqësia është sektori kryesor që kontribuon me shkarkime të gazeve të metanit (CH4) dhe oksidit të azotit (N2O), dy gaze serë me mundësi më të lartë se CO2 për të ngrohur atmosferën, por me jetëgjatësi më të ulët. Shkarkimet e gazeve serë nga bujqësia përfaqësojnë 10-12% të totalit të shkarkimeve globale. Në mbarë botën, gati 40% e gazeve serë që shkarkohen si pasojë e aktivitetit bujqësor që vjen nga procesi i tretjes te kafshët ripërtypëse (fermentimi enterik) dhe 30% nga tokat bujqësore; ndëërsa 30% i mbetur vjen nga kultivimi i orizit, djegia e biomasës dhe menaxhimi i plehut organik (fig.1/fig.2).
Në fakt, lidhja e bujqësisë dhe shkarkimeve (GS) me ndryshimet klimatike është komplekse. Ndërsa sektori është një kontribues i GS-ve në atmosferë, tokat bujqësore mund të veprojnë si ruajtëse të karbonit, varësisht mënyrës si menaxhohen. Bujqësia nuk ndikon vetëm në mënyrë të drejtpërdrejtë në shkarkimet GS, për shkak të mënyrës së funskionimit dhe menaxhimit të fermave, por ndikon edhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë për shkak të shndërrimit të habitateve natyrore (si tokat pyjore dhe tokat torfe) në fusha bujqësore. Sektori i bujqësisë parashikohet të jetë sektori i dytë që kontribuon më shumë në dëmet ekonomike, si pasojë e ndryshimeve klimatike. Ndikimet në sektor ka të ngjarë të diferencohen nga hapësira, koha dhe kultura bujqësore, p.sh.: disa rajone, veçanërisht ato që ndodhen në gjerësi gjeografike më veriore, do të përfitojnë nga ndryshimet klimatike, ndërsa rajonet pranë tropikut do të vuajnë më shumë.
Gjithashtu, bujqësia përbën 80-90% të shkarkimeve totale të metanit në nivel global, përmes avullimit nga plehu i bagëtive dhe aplikimit të plehrave sintetikë me bazë azoti. Ndërsa shkarkimet e amoniakut shoqërohen me dy lloje kryesore të problemeve mjedisore: acidifikimin dhe eutrofikimin. Kur kombinohet me ujin në atmosferë ose pas depozitimit, amoniaku kontribuon në acidifikimin e tokës dhe ujit. Aciditeti i tepërt i tokës mund të dëmtojë disa lloje të ekosistemeve tokësore dhe ujore. Depozitimi i amoniakut mund të rrisë gjithashtu nivelet e azotit në tokë dhe ujë, gjë që mund të çojë në eutrofikim (rritje të algave dhe bimëve për shkak të lëndëve ushqyese të tepërta) në ekosistemet ujore.
Si rrjedhojë, shumë vende të botës janë duke kërkuar për një zgjidhje të këtij problemi dhe zvogëlimin e ndikimit që shkaktojnë ndryshimet klimatike në ekosistemet natyrore.
Një ndër vendet është dhe Gjermania, e cila përmes organizatës mjedisore, Deutsche Umwelthilfe (DUH), ka ofruar disa zgjidhje.
.
Në raportin e DUH-së është trajtuar mundësia për vendosjen e një takse për prodhimin blegtoral.
Në studim jepen tre propozime konkrete lidhur me format e taksimit të bagëtisë për të zvogëluar shkarkimet e gazeve të metanit dhe atyre serë, ndërsa nga kjo nismë mund të gjenerohen fonde për reforma.
Raporti bazohet në një propozim paraqitur Komisionit Bochert për të futur një akcizë mbi produketet shtazore dhe për të financuar përpjekjet për përmirësimin e kushteve të rritjes së kafshëve për qëllime blegtorale. Në parim, kjo taksë do të ishte 40 cent për kg mish dhe nën-produkte të mishit, 2 cent për kg qumësht (të freskët) dhe vezë dhe 15 cent për kg djathë, gjalpë dhe qumësht pluhur. Por, në dallim nga ky propozim i parë, DUH propozon se ndërsa taksa që lidhet me sasinë e shkarkimeve të metanit dhe GS, të cilat clirohen nga lloje të ndryshme kafshësh, në vend që të jetë e lidhur me konsumin, ajo duhet të jetë një taksë që të lidhet me prodhimin. Për të krijuar aq të ardhura nga taksat sa c’parashikon propozimi fillestar, taksat qëë do duhet të ngarkohen në vitin e parë janë 28 euro për lopë, 4 euro për derr dhe 0.30 euro për pulë.
Në një propozim tjetër, i cili përqendrohet në zvogëlimin me 30% deri në 2030, të shkarkimeve nga sektori bujqësor i gazeve të metanit (në përmbushje të angazhimit të vendit sipas Direktivës NEC-së ), DUH propozon një vlerë kufi për dendësinë e bagëtisë. Me një sipërfaqe bujqësore prej 16,7 milionë hektarësh deri në 2030, mund të shkarkohet një maksimum prej 0.025 ton gaze metani për hektar. Duke marrë parasysh edhe shkarkimet për lloje të ndryshme, kjo korrespondon me rreth 1,05 lopë, 5,5 derra ose 89 pula për hektarë. Propozimi i tyre përfshin vendosjen e një takse progresive, në rast të tejkalimit të kufirit të pranueshëm. Një fermë prej 100 hektarësh mund të mbajë 105 krerë gjedhë pa paguar taksë. Përtej këtij numri, për çdo kafshë tjetër që shtohet në fermë, duhen paguar më tepër taksa.
Të mbajturit e gjedhëve në numër më të lartë sesa vlera kufi bëhet shpejt jo ekonomike. Veçanërisht, në kushtet kur shumë forma të aktivitetit blegtoral nxjerrin fitime të pakta. Për rrjedhojë, zvogëlimi i numrit të kafshëve do ishte pashmangshëm.
Fermat me pak hapësirë dhe shumë kafshë do të duhej të transformoheshin ndjeshëm. Për këtë arsye, raporti propozon që fondet e gjeneruara të përdoren për investime në bujqësi për të çuar përpara këtë proces reformimi. Shtrirja graduale e kësaj takse, me qëllim përshtatjen e fermerëve me të, do të ishte gjithashtu një ide e mirë.
Autorët e raportit besojnë se taksa do të kontribuonte vetëm në rritjen e kostos margjinale për prodhimet shtazore, pasi shumica e fermave do të zgjidhnin një dendësi kafshësh që është afër vlerës kufi që prek taksimi. Zgjerimi i aktivitetit blegtoral mund të ketë një sërë efektesh në financat e fermerëve dhe çmimin e produktit përfundimtar, e për rrjedhojë mund të mos jetë kaq i thjeshtë. Për rrjedhojë, prodhimi i produkteve shtazore do të ulej, gjë që do të ndikonte në rritjen e importeve – gjë e cila nënkupton se shkarkimet e gazeve të metanit do të rriteshin diku tjetër në botë. Megjithatë, zvogëlimi i shkarkimeve të gazeve të metanit në Gjermani, do të ishte me përfitim të madh për shoqërinë. Një zvogëlim me 184,000 tonë i shkarkimeve aktuale do të thotë kursim pothuajse 4 miliardë eurove, që përndryshe do të ishin kosto të humbura dhe në dëm të shëndetit.
Për sa i përket propozimit të tretë, ai bazohet në parimin “ndotësi paguan” dhe ndikimin që aktiviteti blegtoral ka në klimë. Në vend që taksa të përdoret si një mjet për të përshtatur dendësinë e kafshëve në një nivel të caktuar, taksimi duhet të shihet si mjet për të kontrolluar kostot klimatike, në mënyrë që prodhimi të krijojë të ashtuquajturën taksë piguviane. Mënyra më e saktë për llogaritjen e saj do të ishte vlerësimi i shkarkimeve për çdo kafshë, gjë e cila kërkon shumë burime. Raporti sugjeron që në vend të kësaj të mund të bëhen vlerësime të përgjithshme për grupe të ndryshme kafshësh. Sipas llogaritjeve të raportit, çmimi i një litri qumësht do të rritej me 6 cent. Kjo, nga ana e saj, do të zvogëlonte kërkesën për qumësht me 1-10% dhe eventualisht do të pasohej me zvogëlim të shkarkimeve të GS.
Raporti tregon gjithashtu se të ardhurat që gjenerohen nga taksat duhet të përdoren për investime në bujqësi. Fermerët, të cilët, p.sh zvogëlojnë tufat e tyre dhe në vend të kësaj restaurojnë ligatinat, pyjet, mbajnë kullota të përhershme, ndryshe kontribuojnë në zvogëlimin e shkarkimeve të CO2, mund të subvencionohen për të kompensuar humbjet e pësuara në të ardhura.
Duke qenë se gazet serë dhe ato të metanit janë ndotës ndërkufitarë, efektet e tyre shtrihen edhe në zonat përtej vendndodhjes së shkarkimeve. Prandaj, në rastin e taksimit të shkarikimeve të gazeve të metanit ekziston rreziku i rritjes së importeve dhe i transferimit të shkarkimeve ndotëse jashtë vendit. Ky problem mund të shmanget deri diku nëse e gjithë BE miraton një sistem të ngjashëm taksash. Nga ana tjetër, është me rëndësi krijimi i marrëveshjeve ndërkombëtare mes vendeve për zvogëlimin e shkarkimeve të këtij lloji.
Megjithatë, një gjë është e sigurt: zvogëlimi i shkarkimeve që vijnë nga bujqësia kërkon më tepër mjete se thjesht prezantim të taksave mjedisore mbi bagëtinë ose prodhimet shtazore, që nuk duhen lënë pas dore. Mundësitë janë disa, varësisht asaj që dëshirojmë të arrihet.