Sipas një studimi të OKB, shumë prej ndikimeve të ngrohjes globale cilësohen si “të pakthyeshme”, ndonëse pavarësisht kësaj, ekspertët shprehen se jemi ende në kohë për të shmangur më të keqen.
Po ashtu, paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, nënvizon faktin se ka një presion në rritje mbi aftësinë përshtatëse të njeriut dhe natyrës.
Studimet kanë treguar se mbi 40% e popullsisë në nivel global është “shumë e prekur” nga ndryshimet klimatike. Por ka ende shpresë. Nëse rritja e temperaturave mbahet nën 1.5°C, kjo gjë do të zvogëlonte humbjet e parashikuara.
Vetëm katër muaj pas konferencës së COP26, ku udhëheqësit botërorë morën angazhimin për të vepruar në mënyrë të shpejtë dhe të menjëhershme ndaj ndryshimeve klimatike, OKB doli me një studim që nxjerr në pah shkallën e përgjegjësisë në nivel vendesh, për të mbajtur rritjen e temperaturës nën 1.5°C.
Raporti evidenton qartë se territori ku jetojmë e punojmë mund të mos ekzistojë dhe se ekosistemet e gjallesat që janë pjesë e trashëgimisë tonë, mund të zhduken,” tha Prof. Debra Roberts, bashkë-kryetare e IPCC. “Ky është me të vërtetë një moment i rëndësishëm’, vijoi ajo. Raporti e përmend qartë, se kjo është dekada e veprimit, nëse duhet të ndryshojmë sjelljen.
Ky raport IPCC-së është i dyti, nga tre studimet e grupit më të rëndësishëm të kërkuesve të klimës në botë.
Raporti i parë, Gushtin e kaluar paraqiti shkallën e ndikimit të veprimtarisë njerëzore mbi sistemin klimatik. Ndërkohë, në këtë raport të dytë shqyrtohen shkaqet dhe pasojat e ndryshimeve klimatike, si dhe zgjidhjet për adresimin e tyre. Studimi ka arritur të përpunojë treguesin më të qartë deri më sot, të ndikimit që ngrohja e planetit tokë po ushtron tek gjithë gjallesat e saj. Raporti Përshkruan pasojat e ashpra që po përjetojnë vende të ndryshme të botës, sic është numri në rritje i vdekjeve nga të nxehtit.
Dr. Helen Adams, një prej autorëve kryesore të raportit të King’s College, Londër thekson se, ‘situata është kritike, por e ardhmja varet nga ne, jo nga klima’!
Raporti tregon se ngjarjet ekstreme të motit (të lidhura me ndryshimet klimatike) si; përmbytjet dhe valët e të nxehtit po ndikojnë tek njerëzit dhe gjallesat e tjera, me një tendencë që tejkalon parashikimet dhe se këto pasoja tashmë shkojnë përtej aftësisë përballuese që shumë nga njerëzit kanë.
Vendndodhja është gjithashtu një faktor i rëndësishëm në vlerësimin e pasojave të ndryshimeve klimatike. Vdekjet në njerëz në vende të Afrikës, Azisë Jugore dhe Amerikës Qendrore dhe Jugore, mes viteve 2010-2020 ishin rreth 15 herë më të larta, sesa në pjesë të tjera të botës (ku shkak ishin përmbytjet, thatësirat dhe stuhitë në rajone tejet të cënueshme nga ndryshimet klimatike).
Po ashtu, ndikimet e ngrohjes globale janë mjaft dramatike edhe në natyrë. Një demonstrim i këtij ndikimi janë shkëmbinjtë koralorë, të cilët po humbasin ngjyrën natyrale dhe po vdesin si pasojë e rritjes së temperaturave, ndërsa shumë pemë dhe bimë po thahen.
Raporti thekson se do na duhej të përballeshim një rritje të përshpejtuar të ndikimeve, që do të sillte rritja e përshpejtuar e temperaturës në nivel global (nga 1.1°C aktualisht), në 1.5°C.
Rritja e përshpejtuar e nivelit të detit, do të godasë gjithnjë e më tepër vendet që shtrihen përgjatë bregdetit, duke i cuar drejt “zhytjes dhe zhdukjes”.
Nëse temperaturat rriten diku mes 1.7 dhe 1.8°C mbi temperaturën mesatare globale të viteve 1850, atëherë gjysma e popullsisë njerëzore mund të ekspozohet ndaj kushtesh klimatike që kërcënojnë jetën, kryesisht të lidhura me lagështinë & të nxehtit.
Pasojat në shëndet
“Mundësia e përhapjes së sëmundjeve do të pësojë rritje në dekadat e ardhëshme”, -shprehen më tej autorët e studimit. Ekziston rreziku që ndryshimet deri në fund të këtij shekulli, të kushteve klimatike të favorizojnë përhapjen e miliardave mushkonjave, për rrjedhojë dhe të sëmundjeve që kanë këtë të fundit burim transmetimi. Gjithashtu, për herë të parë në këtë raport, pohohet se ndryshimet klimatike mund të përkeqësojnë sëmundjet e shëndetit mendor, ku përfshihet stresi dhe traumat e lidhura me ngjarjet ekstreme të motit, si mungesa e mjeteve të jetesës, si pasojë e dëmeve ne kulturat bujqësore.
Ndikimi në biodiversitet
Rreth gjysma e llojeve që përfshin studimi, ka filluar tashmë migrimin në territore më të larta/freskëta, apo drejt poleve.
Ndërsa, rreth 14% e tyre ka të ngjarë të përballet me një rrezik shumë të lartë të zhdukjes, nëse temperatura rritet në 1.5°C. Nëse temperaturat rriten me deri 3°C, në rrezik zhdukje do të ishin 29% e llojeve.
Ndërsa gjallesat që jetojnë në zona që klasifikohen si vulnerabël, në aspektin e biodiversitetit, rreziku tashmë shumë i lartë i zhdukjes, pritet të dyfishohet me rritjen me rreth 2°C të temperaturës, madje mundet edhe të dhjetëfishohet, nëse rritja e temperaturës arrin 3°C.
Në këtë raport është folur edhe për qasjen e disa studiuesve të cilët spekulojnë se rritja e temperaturës mbi 1.5°C për një periudhë të shkurtër, do të ishte e pranueshme, nëse kjo rritje do rikthehej ne nivelin e nën 1.5°C. Autorët shprehen se “çdo tejkalim shoqërohet me një rrezik në rritje të tejkalimit të së pranueshmes dhe do të shkaktonte reagime të sistemit klimatik, si p.sh: shkrirje të permafrostit. Gjë e cila do të pamundësonte frenimin e rritjes së temperaturës me nën 1.5°C.
Në përfundim të raportit preket edhe çështja e ndërhyrjeve nëpërmjet teknologjisë (devijimi i rrezeve të Diellit ose heqja e dioksidit të karbonit nga ajri), forma të cilat raporti nuk i mbështet, duke sygjeruar se ndikimi i tyre mund të jetë përkeqësues./ BBC news