Arritja e qëndrueshmërisë klimatike, teksa bëhen përpjekje për të garantuar çështjet e sigurisë ujore, ushqimore dhe asaj energjitike, përbën parakusht për rritjen ekonomike, mirëqenien e popullatës dhe shëndetin e ekosistemeve në Shqipëri. Sipas një raporti të Nexus Assessment, të publikuar nga GWP-Med dhe UNECE, vendi disponon një gamë të gjerë mundësish për të nxitur prosperitetin dhe rruajtur burimet e veta natyrore, kjo veçanërisht falë mbështetjes te burimet e shumta ujore. Megjithatë, është e nevojshme ndjekja e qasjes së zhvilluar nga Nexus, e cila merr në konsideratë ndërlidhjet midis sektorëve kyç.
Shqipëria, një vend i vogël në Evropën Juglindore me dalje në brigjet adriatike dhe joniane, është mjaft e pasur në burime ujore dhe disponon hapësira të tëra me vlerë të shtuar ekologjike. Megjithatë, ka ende sfida lidhur me adrresimin e shkëmbimeve ndërmjet sektorëve që e kanë të domosdoshëm përdorimin e ujit, si dhe për kyçjen e sinergjive ndërmjet tyre. Shqipëria është thuajse tërësisht e varur nga energjia hidrike për prodhim të brendshëm të energjisë elektrike, ndërsa, parashikohet një shtim i numrit të hidrocentraleve në vend. Për këtë arsye, sektori i energjisë është veçanërisht i ndjeshëm ndaj thatësirave dhe ndikimeve të tjera të pritshme, të ndryshimeve klimatike.
Pozicionimi i papërshtatshëm i impianteve hidroelektrike dhe vlerësimet e paplota të impaktit mjedisor mund të ndikojnë ndjeshëm në ekosisteme, dhe në sektorin e bujqësisë, i cili mbulon 40% të fuqisë punëtore në vend dhe gjeneron 19% të produktit të brendshëm bruto.
Fermerët, ekosistemet dhe investitorët e hidrocentraleve, të gjithë së bashku garojnë për të njëjtën tokë dhe burime ujore. Fermerët dhe ekspertët e mjedisit ndihen të shqetësuar mbi ndikimin që kanë projektet e hidrocentraleve. Argumentet që parashtrojnë janë të vlefshëm, pasi bujqësia dhe biodiversiteti janë gjithashtu kyçe për prosperitetin dhe qëndrueshmërinë mjedisore. Shqipëria është e varur nga importet, përsa i përket produkteve ushqimore, për rrjedhojë, zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve vaditëse dhe kulluese paraqet potencial në përmirësimin e situatës.
Përtej konflikteve dhe kompromiseve, ekziston mundësia e gjetjes së hapësirave për një qasje të integruar dhe të koordinuar ndërmjet sektorëve. Për shembull, përshtatja e rregullave për funksionimin e impianteve hidroelektrike në mënyrë që ato të akomodojnë kapacitet të shtuar, shprehur kjo përmes rritjes së vëllimit të rezervuarëve gjatë stinëve me rreshje më intensive duke lehtësuar ndikimin e përmbytjeve të shpeshta dhe duke mos cënuar sigurinë e rrjetit të furnizimit me energji elektrike. Kjo përbën një prej gjetjeve kryesore të Raportit të Nexus-it për Vlerësimin e Ekosistemeve të Kolanës Ujë-Energji-Ushqim në Shqipëri. Hartimi i raportit për Shqipërinë është bazuar në kontekstin e projektit Nexus për Evropën Juglindore, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), dhe zbatuar nga “Global Water Partnership – Mediterranean” (GWP-Med), në bashkëpunim me Komisionin Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE).
Pavarësisht sfidave të përmendura, aktorët kyçë edhe pse përfaqësojnë palë të ndryshme interesi, mund të gjejnë zgjidhje të përbashkëta. Teksa sektori i energjitikës në Shqipëri është i ndërlidhur me menaxhimin e ujërave dhe ruajtjen e biodiversitetit, të cilat njëherazi ndikojnë te prodhimtaria ushqimore, metodika e prezantuar nga Nexus, pjesë integrale e raportit dhe kornizës së projektit, konfirmon edhe njëherë se koordinimi ndërmjet sektorëve të ndryshëm dhe integrimi i objektivave të politikave është i mundur dhe madje, i dëshirueshëm.
Menaxhimi efikas i përmbytjeve kërkon të dhëna dhe koordinim
Brenda territorit shqiptar, hapësira të gjera përgjatë rrjedhës së lumenjve janë të prekshme nga përmbytjet. Mungesa e rregullave të posaçme dhe të mirëpërcaktuara për funksionimin e impianteve hidroelektrike dhe të rrjedhave që diktohen prej tyre , mund ta agravojë edhe më tej situatën.
Autorët e raportit janë të mendimit se mund të përftohen rezultate mjaft pozitive për sa i përket menaxhimit të përmbytjeve, nëse institucionet përgjegjëse për mbledhjen periodike të të dhënave rreth rreshjeve dhe lumenjve, si për shembull Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) apo KESH-i (Korporata Energjitike Shqiptare), bashkojnë forcat për të optimizuar operacionalitetin e digave.
Përmirësimi i bashkërendimit institucional dhe i operacionalitetit të bazuar në të dhëna, të impianteve hidroelektrike të lumit Drin, mund të sjellë përfitime të konsiderueshme në menaxhimin e përmbytjeve.
Tre impiantet më të mëdha të energjisë hidroelektrike në vend gjenden mbi lumin Drin. Operacionaliteti i tyre qeveriset nga rregulla që nuk i imponojnë asnjë detyrim KESH-it, që të mbledhë të dhëna rreth parashikimeve afatshkurtra të motit. Sipas raportit, mund të priten fryte nëse kryhet një përditësim rregullash që do ta bënte të detyrueshëm koordinimin ndër-institucional dhe mbledhjen e të dhënave të sakta lidhur me impiantet. Ekspertët e angazhuar arritën në përfundimin se këtij qëllimi do t’i shërbente mjaft shfrytëzimi i sistemit për parashikimin e përmbytjeve në basenin e lumit Drin, përgatitur nga GIZ.
Nevojitet përmirësim i mëtejshëm i performancës lidhur me përfitimet
Marrëdhëniet sa dinamike, aq edhe komplekse ndërmjet produkteve ushqimore, ujit dhe mjedisit shkojnë përtej shembullit të përmbytjeve. Ngjashëm me to, edhe lista e sfidave. Ndryshimet klimatike i përfshijnë të dyja. Teksa thatësirat në Shqipëri dhe në mbarë Evropën e kanë ushtruar ndikimin e tyre në gjithë elementet sa më sipër, diçka e tillë e bën edhe më urgjente nevojën për ndjekjen e një qasje të integruar.
Autorët vërejnë se në vitet e fundit ka përparime të dukshme lidhur me koordinimin ndër-sektorial, veçanërisht institucional. Megjithatë, sipas tyre, ka ende shumë punë për të bërë për të maksimizuar përfitimet, përtej sektorëve.
Në nivel kombëtar, furnizimi me ujë të pijshëm dhe mbulimi me shërbime higjieno-sanitare arrijnë treguesit 77% dhe 53%, edhe pse normat janë më të ulëta në zonat rurale. Sasia e ujit që klasifikohet si i pa tregëtueshëm mbetet e lartë dhe arrin deri në 63%, çka përfaqëson humbjet në rrjet si pasojë e shpimeve, ose rrjedhjeve në tubacione, apo dhe ujit të shpenzuar pa dobi.
Ndryshimet klimatike rrisin intensitetin e përmbytjeve, njëherazi shoqërohen me periudha më të gjata thatësire dhe valësh të nxehti.
Ndërkaq, impiantet e ujit përballen me sfida të mëdha për sa i përket qëndrueshmërisë financiare. Investimet në sektorin e burimeve të rinovueshme dhe efiçencën e energjisë, në shërbim të furnizimit me ujë të pijshëm dhe kanalizime , do të sillte përfitime për të dy sektorët njëherazi, si dhe do të zvogëlonte kostot për furnizimin me energji të impianteve duke përmirësuar qëndrueshmërinë e tyre financiare.
Rritja e konsumit të energjisë duhet të shihet e lidhur me objektivat e zhvillimit ekonomik të vendit dhe vendimmarrësit duhet të adresojnë kërkesën për konsum të shtuar energjitik në raport me zotimet e vendit për klimën. Në Shqipëri, zonat e mbrojtura zënë rreth 18% të territorit, ndërsa qeveria ka shpallur si objektiv zgjerimin e tyre. Rreth 36% e sipërfaqes totale të vendit zihet nga pyjet. Ndërkohë, prerja e paligjshme ka krijuar ndikim negativ në pyje, duke nxitur qeverinë të miratojë një moratorium 10-vjeçar kundër këtij aktiviteti, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2016. Në Shqipëri numërohen 626 rezervuarë që përdoren për vaditje, edhe pse kapaciteti i tyre real është sa gjysma e atij të deklaruar, për shkak të erozionit dhe problemeve me mirëmbajtjen. Infrastruktura është funksionale vetëm për gjysmën e hapësirës prej 360,000 hektarësh që mbulohet prej saj.
Trajtimi i erozionit përmes zgjidhjesh sa më pak të dëmshme për natyrën
Për sa i përket erozionit, ekspertët vënë në dukje një sërë zgjidhjesh shumëfunksionale dhe me kosto të ulët për të përmirësuar cilësinë e tokës, shmangur proçeset e erozionit, si gjenerimi dhe transporti i sedimenteve, ujërave që vërshojnë pas stuhive apo përmbytjeve.
Në Shqipëri, shpyllëzimi dhe ndërhyrja pa kriter e njeriut kanë përkeqësuar situatën me erozionin, duke sjellë sedimentim në diga dhe kapacitet në rënie të tyre, apo edhe zvogëlim të tokave funksionale për prodhim bujqësor.
Disa nga sugjerimet e dhëna përfshijnë ripyllëzimin natyror dhe artificial, si dhe instalimin e pellgjeve artificiale të projektuara në shtratin e lumit me qëllim uljen e shpejtësisë së ujit dhe lehtësimin e depozitimit të materialeve që qëndrojnë pezull (të cilat nuk i ka tërhequr më parë uji). Pyllëzimi mund të kontribuojë gjithashtu në përmirësimin e cilësisë së ujit.
Ekspertët e angazhuar nga Nexus për shkrimin e raportit, parashtruan disa prej mundësive për çështjen e ujitjes: Dhënia e një roli të ri përdoruesve lokalë të ujit, në aspektin e vendimmarrjes, mundësisht edhe në menaxhimin e kanaleve dytësore të ujërave. Përmirësim i mëtejshëm i koordinimit midis institucioneve qëndrore dhe rajonale, përfshi dhe organizatat lokale që merren me çështjet e ujit. Krijimi apo rishikimi i planeve të veprimit dhe studimeve të fizibilitetit me synim përmirësimin e formave të ujitjes (duke u përqëndruar në sistemin e vaditjes përmes pikave të ujit) praktikë e cila do të reduktonte konsumin e ujit, si dhe nevojën për infrastrukturë ujitje shtesë. Përmirësimi i situatës lidhur me kërkesën për energji duhet kërkuar edhe në krijimin e sinergjisë energjetike, p.sh përmes zëvendësimit të pompave joefikase, instalimit të paneleve diellore lundrues në rezervuarët e ujitjes, agro-fotovoltaikëve, apo nëse është e aplikueshme – në vënien në shfrytëzim të hidrocentraleve të vogla edhe jashtë sezonit të ujitjes.
Shembujt për krijimin e kësaj sinergjie, që në të njëjtën kohë paraqesin potencial investimesh në sektorin e energjisë, përmirësojnë prodhimin ushqimor, sigurojnë shfrytëzim efikas të burimeve në dobi të klimës dhe mjedisit, ekzistojnë. Por, sipas raportit Nexus të Vlerësimit, nuk është gjithmonë aq e thjeshtë, duke qenë se bëhen kompromise të dëmshme, për njërin apo disa nga sektorët. Në këto kushte nevojitet miratim i politikave që synojnë minimizimin e pasojave negative.
Sinergjitë dhe shkëmbimet kryesore midis sektorëve ndërlidhës
Kur flitet mbi nevojën për të zgjeruar dhe përmirësuar aksesin në shërbimet e ujit dhe kanalizimeve dhe për të ndërtuar impiante të trajtimit të ujërave të zeza, përfitimet janë të qarta: Do të kemi sasi më të madhe të ujit të përdorshëm për vaditjen e tokave bujqësore, zvogëlim të ndotjes dhe potencial shfrytëzimi të biogazit, si burim energjie. Në aspektin e të metave, ekziston pengesa për marrjen në sasi të mjaftueshme të energjisë me qëllim fuqizimin e pompave dhe realizimin e proçesit të trajtimit të ujit. Rritja e kërkesës për energji mund të krijojë problem për shërbimet e reja të nevojshme, të ujitjes dhe kullimit. Nga ana tjetër duhen marrë parasysh edhe përfitimet që vijnë nga rruajtja e gjendjes natyrore të ekosistemeve dhe biodiversitetit. Teknologjitë e reja mundësojnë instalimin e paisjeve që shfrytëzojnë energjinë e rinovueshme.
Ndërkaq, sigurimi i ujit të mjaftueshëm për shërbimet e ekosistemit, zgjerimi i zonave të mbrojtura dhe forcimi i rregullave për lejet mjedisore mund të ndikojë negativisht në sasinë e energjisë elektrike që prodhojnë hidrocentralet, si dhe mund të ndikojë në çështjen e planifikimit të financave për blerjen e paisjeve të prodhimit të energjisë, nga burimet e rinovueshme. Përmirësimi i procedurave për vlerësimin e ndikimit në mjedis të sektorit të energjisë, mund të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të fermave. Shqipëria ka nevojë për më shumë sisteme ujitje, akses më të mirë të ujit dhe impiante të trajtimit të ujërave të zeza, por edhe për energji, me qëllim fuqizimin e këtyre shërbimeve, të reja.
Burimet e rinovueshme nuk janë gjithmonë të padëmshme
Veprat hidrike krijojnë mundësinë për sinergji, p.sh përmes instalimit dhe vendosjes në rezervuarët e tyre, të impianteve lundrues të energjisë diellore. Kjo teknologji është relativisht e re, përkrahësit e të cilës promovojnë ndikimin e saj në zvogëlimin e sasisë së ujit që avullon. Fotovoltaikët lundrues, përdorin një nga burimet më të pastra të energjisë, ndërsa Shqipëria, aktualisht po e synon furnizimin me energji elektrike nga burime të ndryshme.
Objektivat ambiciozë për klimën, si në nivel evropian ashtu edhe në atë global, nënkuptojnë rritje të shpejtë të përdorimit të burimeve të rinovueshme. Problemi është se prodhimi i energjisë nuk duhet realizuar në kurriz të përdorimit të tokës bujqësore (që lidhet me nevojën për ushqim), për shkak të hapësirës së madhe që kërkon vendosja e impianteve tokësore të prodhimit të energjisë diellore.
Ambientalistët kanë kundër-argumentet e tyre, p.sh lidhur me ndikimin e termocentraleve të erës në jetën e egër, veçanërisht tek zogjtë dhe lakuriqët e natës, por edhe ndaj ekosistemeve në tërësi, si p.sh në rastet kur impiantet ndërtohen në zonat malore, me pyje të pa prekur. Rritja e mëtejshme e koordinimit të sektorëve të ndryshëm të vendit, integrimi i objektivave zhvillimorë dhe harmonizimi i praktikave të menaxhimit dhe planifikimit të infrastrukturës përmes një perspektive lidhëse, mund të ulë ndjeshëm kostot, të rrisë efikasitetin, të ndihmojë në sigurimin e furnizimit me energji dhe të kontribuojë në rritjen ekonomike të vendit, prosperitetit njerëzor dhe ekosistemeve të shëndetshme/Balkan Green Energy News