Ushqimi është nevojë themelore për njerëzit dhe dieta e shëndetshme është përbërës kyç për shëndetin dhe mirëqenien tonë. Për të përmbushur nevojën tonë për ushqim është zhvilluar me kalimin e kohës një sistem kompleks dhe gjithnjë e më i globalizuar i prodhimit dhe i shpërndarjes së produkteve ushqimore.
Ndërsa në botë bëhen përpjekje për të shkurtuar shkarkimet e gazeve serë, shkencëtarët e kanë kthyer vëmendjen tek burimi ynë i ushqimit (që është bujqёsia). Kjo për shkak se bujqësia është kontribuese me 16 deri në 27 % të shkarkimeve të shkaktuara nga aktivitetet antropogjenike.
Një pjesë e madhe e këtyre shkarkimeve nuk ndodh vetёm për llogari të dioksidit të karbonit (CO2, që është shkaktari kryesor i ndryshimeve klimatike), por edhe për llogari të oksidit tё azotit (N2O).
“Oksidi i azotit, N2O nuk merr vëmendjen e merituar dhe ёshtë një gaz serё i lёnё nё harresё ” edhe pse ndikon rreth 300 herë më shumë se dyoksidi i karbonit në ngrohjen e atmosferës – pohon David Kanter, Zëvendës kryetar i Nismës Ndërkombëtare të Azotit (organizatë e përqëndruar në kërkime rreth ndotjes prej azotit dhe politikё bërjes)
Ashtu si CO2, N2O është një element jetëgjatë, i cili kalon mesatarisht 114 vjet në atmosferë përpara se të shpërbëhet, kohë gjatë të cilës, ai ndikon në hollimin e shtresës së ozonit.
Shkencëtarët e Panelit Ndërqeveritar mbi Ndryshimet Klimatike (IPCC) vlerësojnë se oksidi i azotit përfshin rreth 6% të shkarkimeve të gazeve serë dhe rreth tre të katërtat e shkarkimeve të N2O vijnë nga bujqësia. Megjithëse N2O kontribuon mjaftueshëm në ndryshimet klimatike, shkarkimet e tij janë shpërfillur gjatë hartimit tё politikave të klimës, ndërkohë qё ai vazhdon të grumbullohet në atmosferë.
Sipas një analize të 2020 që shqyrtoi burimet e oksidit të azotit në atmosferë, u vlerësua se shkarkimet e tij në katër dekadat e fundit janë rritur me 30% dhe po tejkalojnë të gjitha nivelet e projektuara të shkarkimeve nga IPCC. Studimi vlerësoi se shkaku kryesor është përdorimi i madh i plehrave kimike, me përmbajtje azoti.
Shkencëtarët po punojnë për gjetjen e mënyrave alternative të trajtimit të tokës ose për përmirësimin e praktikave bujqësore, që krijojnë sasi të reduktuar të shkarkimeve të N2O.
Ndikimi në ciklin e azotit
Aktiviteti njerëzor ka prishur ekuilibrin e ciklit të azotit të tokës. Përpara ngritjes së bujqësisë moderne, shumica e azotit në dispozicion të bimëve në ferma vinte nga komposto, plehu organik/ kafshëve dhe bakteret azotofiksuese, nga ku kёto tё fundit, marrin gazin e azotit (N2) dhe e konvertojnë atë në amonium, një lëndë ushqyese që bimët e asimilojnё përmes rrënjëve të tyre.Përdorimi i gjerë i plehrave azotike ka rritur prodhimin e kulturave bujqësore dhe ka përmirësuar plotësimin e kërkesës për ushqim ndaj njerëzve anembanë botёs, por nitratet dhe amoniumet e tepërta kanë një kosto të madhe mjedisore dhe jo vetëm.
Prodhimi i këtyre plehrave zë rreth 1% e të gjithë përdorimit global të energjisë dhe është përgjegjëse për 1.4% të shkarkimeve të CO2. Më e rëndësishmja është se, këto plehra rrisin sasinë e shkarkimeve të oksidit të azotit në atmosferë, pasi fermerët kanë tendencë të përdorin plehrat azotike në prodhimet e tyre, gjatë gjithë vitit dhe në disa raste, bimët nuk arrijnë ta akumulojnë të gjithë atë sasi. Nëse rrënjët e bimëve nuk e absorbojnë gjithë atë sasi plehu, një pjesë e mbetjeve të tij, përhapet jashtë fushës dhe arrijnë deri tek ujërat nëntokësorë duke shkaktuar ndotjen/ kontaminimin e tyre. Ndërsa pjesa tjetër që mbetet në tokë, konsumohet nga një sërë mikroorganizmash, të cilat konvertojnë amoniakun në nitrite dhe nitrate (procesi i nitrifikimit) dhe në fund, përsëri në gazin N2 (procesi i denitrifikimit). Pikërisht gjatë këtyre proceseve çlirohet në atmosferë N2O, i cili është një nga shkaktarët kryesorë të ndryshimeve klimatike.
Shkencëtarët po punojnë për tu dhënë zgjidhje efikase këtyre problemeve.
Më poshtë janë disa praktika që sugjerojnë zvogëlimin e shkarkimeve të N2O në mjedis.
a. Plehërim në kohën dhe sasinë e duhur
Një strategji në diskutim, është dixhitalizimi i bujqësisë, që ka të bëjë me përdorimin e teknologjisë së telekomandimit për të përcaktuar vendin, kohën dhe sasinë e azotit që duhet shtuar në fushë.
b. Inhibimi i procesit të nitrifikimit
Duke përdorur inhibitorët e nitrifikimit, të cilët janë kimikate që ndikojnë në aftësinë e mikroorganizmave për të kthyer amoniakun në nitrat, për rrjedhojë, të pengohet edhe krijimi i N2O.
Sipas një përllogaritjeje të vitit 2018, kryer nga hulumtuesit pranë Institutit Ndërkombëtar për Analizën e Sistemeve të Aplikuara, Austri, miratimi dhe përdorimi i gjerë i këtyre dy praktikave do të reduktonte shkarkimet e oksidit të azotit me rreth 26%, deri në 2030 krahasimisht sasisë aktuale të tyre ,
Autorët nënvizojnë se do të duhen shumë më tepër përpjekje për të ndihmuar në arritjen e objektivave që synojnë zvogëlimin e sasisë së shkarkimeve të gazeve serë, siç janë objektivat e përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit. Gjithsesi, shkencëtarët po eksplorojnë dhe studiojnë strategji të tjera, deri në gjetjen e një zgjidhjeje./ BBC-Future Planet